Media e njohur amerikane, Fox News publikoi ditën e sotme një artikull ku ngre dyshimin se ndërhyrja e policisë shqiptare në kampin e muxhahedinëve në Manzë është bërë me qëllim joshjen e Iranit. Sipas Fox News, qëllimi është që administrata e Joe Biden të arrijë një marrëveshje me Iranin, që ky shtet të ndalojë zhvillimin e programit të tij për armë bërthamore.
Në artikull nxirren reagimet e dy senatorëve amerikanë të krahut republikan. Njëri prej tyre, senatori i famshëm Ted Cruz, shkroi në Twitter: “Thellësisht i shqetësuar që në të gjithë Evropën, dhe veçanërisht tani, në Francë dhe Shqipëri, aleatët tanë po qetësojnë regjimin iranian dhe po godasin disidentët kundër regjimit.”
Deeply concerned that across Europe—and especially right now, France and Albania—our allies are appeasing the Iranian regime and cracking down on anti-regime dissidents.
The Biden admin is reportedly supporting these pro-regime policies, while also directly boosting the regime…
— Senator Ted Cruz (@SenTedCruz) June 20, 2023
The world needs to condemn this elimination of Iranians freedom. These actions should be stopped immediately—instead the world should be promoting a free Iran.
— Sheila Jackson Lee (@JacksonLeeTX18) June 21, 2023
Fox News kontaktoi Departamentin e Shtetit për të mësuar më shumë mbi ngjarjen në Shqipëri.
“Kur u pyet në lidhje me sulmin shqiptar ndaj MEK-ut dhe nëse administrata Biden po sillet butë me regjimin e Iranit për të siguruar një mini-marrëveshje bërthamore me Teheranin, një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA tha për Fox News Digital, “Ne e kuptojmë se më 20 qershor Policia e Shtetit shqiptar hyri në kompleksin Mujahedin-e-Khalq (MEK) në Durrës, Shqipëri për të ekzekutuar një urdhër gjykate.
Zëdhënësi i Shtetit të SHBA shtoi: “Policia e Shtetit Shqiptar na ka siguruar se të gjitha veprimet janë kryer në përputhje me ligjet në fuqi, duke përfshirë mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të gjithë personave në Shqipëri. Ne mbështesim të drejtën e Qeverisë së Shqipërisë për të hetuar çdo aktivitet të mundshëm të paligjshëm brenda territorit të saj”.
Kongresmenti Kori Mills, i cili është pjesë e Komisionit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, ishte kritik për sjelljen e shtetit tonë.
“Është thellësisht shqetësuese që zyrtarët shqiptarë po errësojnë të vërtetën në këtë situatë duke mohuar praninë e dhunës. Këto pohime vetëm sa i thellojnë përshtypjet se ka pasur keqbërje nga ana e zbatimit të ligjit të përfshirë në këtë bastisje. Unë i bëj thirrje administratës së Biden të vlerësojë këtë situatë dhe të mos sakrifikojë drejtësinë si rezultat i çdo negociate të prapambetur që po zhvillohet me Iranin.”
Fox News i mori një koment edhe ish-sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo. Deklarata e tij përmbledh më së miri thelbin e asaj çka Fox News kërkon të përcjellë me këtë artikull.
“Duke ofruar lehtësim sanksionesh ndaj regjimit iranian, presidenti Biden dhe Rob Malley po braktisin popullin iranian dhe po pasurojnë shtypësit e tij. Regjimi është i përkushtuar në shtypjen e popullit të vet duke përhapur terror dhe kaos jashtë vendit, dhe dëshira e verbër e administratës Biden për të qetësuar dhe negociuar me të e ka bërë botën një vend më të rrezikshëm.” – i tha Pompeo Fox News.
Në artikull nuk mungon edhe një deklaratë e bërë nga ambasada e Shqipërisë në Uashington për Fox News.
“Ne nuk mund të tolerojmë që territori ynë të përdoret për t’u përfshirë në veprimtari të paligjshme, subversive dhe politike kundër vendeve të tjera, siç supozohet se ka ndodhur me MEK”.
Ambasada shqiptare tha se “spraj djegës është përdorur vetëm në një sërë rastesh të kufizuara për të kontrolluar situatën e paqëndrueshme, por në asnjë moment gjatë operacionit të kërkimit nuk është përdorur forca fizike nga Policia e Shtetit”.
Sipas kritikëve të politikës së Shtëpisë së Bardhë për Iranin, administrata Biden po bën përpjekje të mëdha për të siguruar një marrëveshje afatshkurtër me Iranin që do t’i siguronte të paktën 17 miliardë dollarë regjimit në këmbim të kufizimeve të përkohshme në programin e pretenduar të armëve bërthamore të paligjshme të Teheranit. .
Artikulli vazhdon me detaje të asaj çka, sipas Fox News, një media kundërshtare e hapur ndaj demokratëve dhe Xho Bajden, është një marrëveshje jashtëzakonisht e keqe dhe e pavlerë me Iranin. Thënë ndryshe një dështim i ri që po gatuhet nga administrata Bajden.
Fox News citon ish-senatorin Joseph Lieberman, kryetar i ‘Unionit kundër Iranit Bërthamor” dhe ish ambasadorin Mark Uollace.
“Shtypi raporton për një ‘mirëkuptim’ midis Republikës Islamike dhe Shteteve të Bashkuara mbi çështjen bërthamore. Dosjet janë shqetësuese sepse rrezikojnë të legjitimojnë pasurimin e Iranit me uranium me pastërti 60%.”
Lieberman dhe Uollace shtuan, “Kjo përfaqëson një kolaps të pozicionit ndërkombëtar negociues mbi programin bërthamor të Iranit, i cili u shndërrua nga pasurimi zero para 2013 në tolerimin e tanishëm të pasurimit 60% në 2023.”
Fox News flet edhe për ardhjen e Muxhahedinëve në Shqipëri.
“Ish-sekretarët e shtetit të SHBA-së, John Kerry dhe Hillary Clinton, luajtën një rol kyç në zhvendosjen e iranianëve nga Iraku në Shqipëri.”
Si për të treguar se edhe në Shqipëri është e qartë se arsyeja pse u sulmuan muxhahedinët ishte një tentativë e gabuar për të joshur regjimin e Iranit, Fox News citoi Sali Berishën.
“Sali Berisha, ish-kryeministri i Shqipërisë (2005-2013) i cili aktualisht është deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë, tha për Fox News Digital se nuk kishte “asnjë dyshim” se bastisja ishte një përpjekje për të qetësuar regjimin iranian.
“Kam kërkuar në Kuvend që ministri i Brendshëm [Bledi Çuçi] të japë dorëheqjen sepse u vra një njeri dhe u plagosën 100 persona”, tha Berisha, i cili ka shërbyer edhe si president i vendit në vitet ’90.
Fox News kujdeset të tregojë se Berisha është shpallur non-grata. Por kujdeset të sqarojë edhe tezën e Berishës, për sulmin politik që i erdhi nga matanë oqeanit.
“Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken e sanksionoi Berishën në vitin 2021 për shkak të supozimit të “përfshirjes në korrupsion të rëndësishëm”. Blinken e ka ndaluar hyrjen e ish-kryeministrit në SHBA. Berisha ka mohuar kategorikisht akuzën për korrupsion dhe ka deklaruar se informacioni i rremë i ngritur ndaj tij buron nga investitori kontrovers miliarder, George Soros dhe kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama.
Ish-kongresmeni Lee Zeldin, R-N.Y., akuzoi administratën Biden për ndëshkimin e Berishës sepse ai është aleat i republikanëve dhe kundërshton Sorosin ultra-liberal.”
Si për t’i vënë dhe kapakun tezës që Fox News ngre në këtë shkrim, në përfundim të shkrimit u soll edhe reagimi i agjensisë së lajmeve Tasnim në Iran.
“Ajo që ndodhi në Shqipëri ishte në fakt rezultat i fuqisë së diplomacisë së Republikës Islamike të Iranit dhe një koleksion veprimesh nga institucione të ndryshme”.
Tasnim është i lidhur me organizatën terroriste të sanksionuar nga SHBA, Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit. Organizata e lajmeve, Kayhan, e cila është zëdhënësi i udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei, tha: “Ngjarjet e së martës në Francë dhe Shqipëri duhet të shihen qartë si aftësia shembullore e Republikës Islamike dhe dëshpërimi i Perëndimit në përpjekjet e saj 44-vjeçare për t’u përballur me Iranin.” – konkludon Fox News.
Burimi: Foxnews.com