Arbana Osmani dhe Eduart Grishaj do të kurorëzojnë dashurinë e tyre me një dasmë ditën e sotme, e cila pritet të zhvillohet në Toskana, Itali. Edi zbuloi se të ftuar janë 120 persona, të cilët janë pjesë e rrethit shoqëror të çiftit.
Nga ftesat që çifti ka bërë, kuptohet se ceremonia do të zhvillohet në kishën e veçantë pa tavan “Abbey of San Galgano”, ndërsa festa në një nga vilat e famshme të Toskanës, e cila quhet “Tenuta Larnianone”.
“Abbey of San Galgano” është një vepër arti, e cila mund të vizitohet nga kushdo për vetëm 4 euro. E veçanta e kësaj kishe është fakti që nuk ka tavan. Ndërsa vila “Tenuta Larnianone” është një pronë familjare, e cila ka prodhuar verë të mirë dhe ullinj që nga viti 1939 dhe përmban një sërë vilash të bukura.
Pasuria përfshin 19 hektarë vreshta dhe 12 hektarë ullishte dhe është e vendosur në hijen e kodrave Chianti. Shumë të ftuar VIP do të marrin pjesë në festën e çiftit, të cilët do t’i thonë “PO” njëri-tjetrit edhe në kishë. Kështu, familja Hoxha do të jenë të ftuar në këtë festë, por gjithashtu edhe disa emra të njohur të “showbizz”-it shqiptar.
Bëhet me dije se Xhemi Shehu, Ledri Vula, Arbër Hajdari janë disa nga të ftuarit e çiftit në këtë ditë të tyre të veçatë. Mirëpo mesa duket, Luiz Ejlli nuk do të jetë pjesëmarrës në dasmën e tyre dhe kjo sepse në atë datë Luizi ka njoftuar se do të ketë një koncert në New York. Ndërkohë që thuajse të gjithë ish-banorët e “Big Brother” nuk do të jenë pjesë e kësaj feste, që si Edi tha do të jetë një festë disi më private.
Në ftesën që çifti ka shpërndarë për dasmorët thuhet se fotot dhe videot në rrjetet sociale janë të ndaluara.
“Ju lutemi, respektoni ditën tonë të bukur duke mos postuar foto dhe video në rrjetet sociale”, shkruhet në ftesë. Dasma do të zgjasë tri ditë, ndërkohë që do të ketë një rreth të ngushtë njerëzish të ftuar, përfshirë edhe shumë artistë, miq të çiftit shumë të dashur për publikun.
Gazetari Gerald Qerimi tha për “Shqipëria Live” se dasma pritet të ketë rreth 120 të ftuar. Dasma do jetë në Toskana në Itali.
“Dasma do të jetë shumë private, me 120 të ftuar të konfirmuar. Ndër artistët të cilët do të performojnë janë Ylli Limani, Klajdi Haruni, Flor Mumajesi, Bruno dhe pastaj dhe artistë të tjerë. Ajo çfarë po aludohet është se Arbana të gjithë stafin në Toskanë do e ketë shqiptarë. Ata që do i dizajnojnë fustanin, grimierët…ky është lajmi që ka qarkulluar këto ditë, por që nuk dihet a është i vërtetë”– tregoi gazetari.
Celebrimi i tyre është menduar të bëhet në natyrë, në perëndimin e diellit, ku çifti do t’i thotë “po” njëri-tjetrit në praninë e të ftuarve. Eduart Grishaj dhe Arbana Osmani janë një ndër çiftet më të dashura për publikun shqiptar.
Dyshja të cilët janë partnerë në jetë dhe në punë prej disa vitesh tashmë do të kurorëzojnë dashurinë e tyre në martesë në Toskana të Italisë. Regjisori ka zbuluar së fundmi historinë sesi është njohur me moderatoren, me të cilën sot ndan dhe dy fëmijë. I ftuar në “E Diell”, Eduarti zbuloi se në fillim Arbana “nuk ia hidhte fare sytë”.
“Nga 2010, kam punuar me të gjitha programet që jepeshin. Në 2011, më kanë thënë që do punoja me ‘1000 e 1 pse’, prezanton Arbana Osmani. Ajo që atëherë ishte diva e ‘Topit’. Ajo as nuk më shihte fare. Unë mundohem që gjithë këtë dashuri që kam marrë kur kam qenë fëmijë nga babai dhe nga nëna ime, ta jap pa kushte për Jonin, Diellin dhe Zoin, që është më e vogla. Them kur unë jam rritur me vështirësi, pse të kenë dhe ata vështirësi”, rrëfeu ai.
Menyja do t’i besohet restorantit italian, çfarë do të sjellë me gjasa një meny vendase. Megjithatë, e gjithë skuadra për nusen do të vijë nga Shqipëria.
Arbana Osmani ka zgjedhur të mbajë një profil të ulët në media, ku preferon që vëmendjen e publikut ta fokusojë vetëm te puna e saj. Megjithatë, kurdo që i jepet mundësia, moderatorja nuk ngurron të shpreh mbështetjen për partneren e saj.
“Unë kam fatin ta kem Edin mbështetjen më të madhe edhe në punë, sepse ndajmë shumë projekte dhe ‘Big Brother VIP’ është një prej tyre, kështu që duke qenë një program që ka shumë volum pune dhe goxha presion herë pas here, jam e lumtur që e kam në krahë për të ndarë momente të vështira dhe momente të bukura. Kështu që jam thjesht me fat”, rrëfeu moderatorja në ditëlindjen e saj.
Si një person shumë diskret, kur vjen puna për jetën e saj private, vështirë se do të zgjedhë të ndajë detaje me ndjekësit e saj, duke lënë gjithçka surprizë deri në momentin e fundit. Në ato pak intervista që ka dhënë, Arbana ka folur për Eduartin si një mbështetje e fortë. Ajo ka treguar se nuk ka asgjë e cila nuk i pëlqen nga Eduart Grishaj, teksa ka konfirmuar se është e përfshirë e gjitha, “kokë e këmbë” e dashuruar me partnerin e saj.
“Është një njeri i rrallë, është fantastik. Nuk ka asgjë që nuk më pëlqen tek Eduarti”, është shprehur ajo. Por ndryshe nga Arbana, Eduarti është treguar më i hapur me mediat, duke folur herë pas here për planet e tyre për dasmën.
Pak kohë më parë, ai ka zbuluar detaje të reja rreth jetës personale, mes të cilave dhe dasma me Arbanën. Regjisori në atë kohë tregoi se nuk kanë caktuar ende një datë, ama e kanë të qartë vendin.
“Dasmën nuk e di kur do ta bëjmë, por do ta bëjmë në Bogë. Arbana është pro gjërave të bukura dhe Boga futet te gjërat e bukura”, tha ai.
Por duket se planet e dyshes kanë ndryshuar dhe tashmë nga Boga, ceremonia do të zhvendoset në Itali, në një ndër vendet, ku dyshja është më e apasionuar dhe shumë shpesh i shikojmë të udhëtojnë drejt Italisë./PanoramaPlus