Kombëtarja U-21 do të nisë të hënën grumbullimin për ndeshjen miqësore kundër Bullgarisë, që do të luhet në stadiumin ‘Elbasan Arena’ më 20 qershor. Mesditën e kësaj të enjteje, trajneri i Shpresave, Alban Bushi zbuloi për mediat dhe opinionin publik listën me 22 futbollistët e thirrur për këtë sfidë.
Në prag të grumbullimit 8-ditor, tekniku shqiptar doli në një konferencë për mediat në ambientet e ‘Shtëpisë së Futbollit’, ku foli për listën e lojtarëve të grumbulluar për këtë sfidë, 14 prej të cilëve luajnë në kampionatet e huaja, ndërsa 8 prej tyre aktivizohen në kampionatin shqiptar.
Trajneri Bushi nënvizoi se pjesë e ekipit në këtë grumbullim janë 8 lojtarë të rinj, ndërsa shpjegoi edhe mungesat e disa prej lojtarëve të skuadrës U-21 si Alivoda, Ismaili, Preka e Muhameti, si edhe tre lojtarëve që janë thirrur në ekipin A, Mitaj, Bajrami e Simoni. Ndër të tjera, tekniku Alban Bushi u shpreh se miqësorja ndaj Bullgarisë është një test shumë i vlefshëm për skuadrën, ndërsa u ndal edhe te fushata e ardhshme eliminatore për Kampionatin Europian 2025, ku Shqipëria synon kualifikimin për herë të parë për grupmoshën U-21.
Tekniku kuqezi foli edhe për emrat e rinj në skuadër, bashkëpunimin me trajnerin Silvinjo, ndërsa nënvizoi se Shqipëria U-21 është thuajse gati për eliminatoret e ardhshme të Europianit, pasi rreth 90% e skuadrës është përzgjedhur.
Lista me 22 lojtarët e grumbulluar – Janë 8 lojtarë që vijnë për herë të parë në ekipin kombëtar U-21, pavarësisht se janë vëzhguar nga ne gjatë gjithë kohës. Kishim në plan për të marrë lojtarë të tjerë në këtë ndeshje, pavarësisht se edhe futbollistët që kemi marrë i kemi pasur alternativa shumë të forta dhe shumë të mira. Prandaj quhet edhe ekip kombëtar, sepse mund të ketë edhe mungesa dhe ne kemi një listë shumë të gjerë, prej 40 lojtarësh. Na mungojnë shumë lojtarë këtë radhë, pasi në ekipin e parë kanë ikur tre lojtarë, Bajrami, Mitaj dhe Simoni. Kemi Behar Ismailin që na mungon, Alivoda dhe Preka që për arsye teknike nuk janë. Mund të jenë pjesë e ekipit në vijim. Por, lojtarët e ri që kanë ardhur kemi shumë kohë që i shohim. Janë lojtarë të perspektivës dhe unë pres shumë nga ata. I kemi ndjekur në ekipet e tyre, nuk është se luajnë në ekipe shumë të larta, por janë lojtarë të mirë dhe të rinj që premtojnë për të ardhmen.
Mungesa e Muhametit dhe Alivodës – Endri Muhameti është i dëmtuar, ka edhe provim me datë 21. Presim përgjigje nga klubi nëse do të jetë pjesë e jona apo jo. Kurse Alivoda dhe Preka nuk vijnë për arsye teknike dhe në qendërmbrojtje do të shohim këtë radhë tre lojtarë të rinj që kemi grumbulluar për herë të parë.
Pritshmëritë nga ekipi kombëtar U-21– Nuk është e lehtë për trajnerin e Kombëtares U-21 të bësh plan. Në momentin që sheh çdo herë 7 lojtarë të rinj, nuk bën dot plane dhe është e vështirë. Na pëlqejnë gjërat e vështira. Mendoj që këta janë djem që dinë të luajnë futboll, e kuptojnë strategjinë e trajnerit dhe të Kombëtares. Mendoj që do të bëjnë mirë. Ndeshja me Bullgarinë është një test shumë i mirë për ne, përpara testit me Armeninë. Skuadra bullgare luante një sistem me Armeninë, 3-5-2, edhe pse është më e vështirë se armenët. Bullgaria e zotëron topin dhe është një ekip ndryshe. Do të na vlejë shumë si miqësore. Edhe pse do të doja që të kisha edhe lojtarët që na mungojnë, që mund të jenë pjesë e jona në shtator. Por, jam shumë i bindur që ne do ta përballojmë shumë mirë Bullgarinë, si me futboll, ashtu edhe me rezultat.
Bashkëpunimi me trajnerin Silvinjo – Kemi qenë gjatë gjithë kohës në bashkëpunim me trajnerin e ekipit A, por edhe me trajnerët e tjerë të ekipeve zinxhir. Puna vazhdon dhe trajneri Silvinjo e shikon që sa herë kthen kokën nga ekipi U-21, lojtarët janë gati. 1-2 lojtarë mund të jenë në formacion kundër Moldavisë dhe kjo është një punë e hershme e Departamentit të Ekipit Kombëtar në FSHF, duke punuar me moshat, që është primare për ekipin kombëtar A. Dhe ka dhënë shumë rezultat. 90% e ekipit A janë nga U-21. Dikur merrinim lojtarë nga klubet, në moshën 27-28 vjeç, ndërsa tani i rrisim vetë dhe janë produkt i Kombëtares së moshave të Shqipërisë.
Gjendja e ekipit U-21, duke qenë se janë larguar emra si Broja, Asllani etj. – Janë lojtarë shumë cilësorë, që luajnë në nivele shumë të larta, si Inter dhe Chelsea. Por kemi edhe Mitaj te Lokomotiva e Moskës, Adrian Bajramin te Benfica B, që mendoj se do bëjnë shumë mirë me ekipin A. Ne kemi lojtarë shumë të mirë në gjirin e skuadrës tonë. 1 ose 2 mund të bëjnë shumë mirë, por edhe më shumë. Mund të përmend Pajazitin, që është një lojtar që po bën shumë mirë në kampionatin norvegjez, i huazuar nga Fulham. Mendoj që shumë shpejt edhe ai mund të bëhet pjesë e Kombëtares A. Ose edhe Arda Kurtulan, që ka lënë Turqinë dhe Maqedoninë e Veriut për të luajtur me ne. Mendoj se do të bëjë mirë dhe që është pretendent për të luajtur me Kombëtaren A.
Formacioni dhe skuadra ideale që do të përfaqësojë Shqipërinë U-21 në fushatën e ardhshme eliminatore – E kam një formacion. Ekipi është, 90% të tij do e kemi në shtator. Ne do të kemi ekip shumë të fortë. Pavarësisht mungesave, të gjithë këta lojtarë dinë të luajnë futboll dhe nuk e diskutoj që do të luajmë një futboll shumë të bukur. Në grupin ku jemi shortuar, nuk kemi emra të mëdhenj si Spanja, Anglia etj, por Rumani e Zvicër që të lënë të luash futboll. Edhe pse koka grupi, me ta do të përballemi si të barabartë. Por, kemi ndeshjen me Armeninë të parët, pavarësisht se jemi të fokusuar te Bullgaria. Por, kemi ekip të fortë. Nëse do të kemi organikën e duhur, duke pasur edhe tre lojtarët që tashmë janë në ekipin A, Mitaj, Bajramin dhe Simonin, ne do të jemi shumë të fortë. Do të jemi pretendentë të grupit nëse kemi edhe këta lojtarë. Edhe nëse nuk i kemi këta lojtarë, sërish do të jemi shumë të fortë me lojtarët që kemi aktualisht këtu.