Shtetasve shqiptarë, por sidomos emigrantëve, do t’u kushtojë shumë shtrenjtë udhëtimi me avion në muajin gusht, duke rrezikuar të dekurajojë ardhjen e shumë emigrantëve pranë të afërmeve.
Çmimet e biletave përmesAeroportit të Rinasit, që këtë vit janë shtrenjtuar ndjeshëm që në muajt e parë të vitit, në gusht kanë kërcyer edhe më tej.
Sidomos për emigrantët, tarifat janë shumë të pafavorshme, pasi udhëtimi drejt Rinasit është shumë i shtrenjtë në fillim të muajit gusht (kur vijnë pjesa më e madhe e tyre) dhe largimi nga Tirana kushton edhe më shumë në fund të muajit, duke qenë mesatarisht mbi 200 euro vetëm një drejtim.
Edhe nëse e gjen një biletë më pak se 100 euro në një drejtim, kryesisht me Italinë që i ka çmimet më të lira, kthimi është gjithnjë shumë më i shtrenjtë, mbi 100 apo 200 euro, duke bërë që bileta vajtje-ardhje të kushtojë mesatarisht mbi 150 euro, duke arritur dhe në 455 euro në destinacione turistike si Spanja.
Gushti gjithnjë ka pasur çmime të larta të avionëve për shkak të fluksit të lartë të udhëtarëve nga emigrantët e turistët, por vitet e fundit biletat ishin ulur, pas hyrjes në treg të kompanive low cost, kryesisht Wizz Air, teksa në 2023 ato kanë kërcyer sërish, duke arritur rekorde të reja.
Italia, fluturimi në fund të gushtit nga Tirana mbi 200 euro
Nga Tirana në Milano, me Wizz Air, në datën 5 gusht bileta kushton midis 40-60 euro, ndërsa kahu nga Milano në Tiranë në datën 8 është shumë më i shtrenjtë, 100-120 euro, duke bërë që një bileta vajtje ardhje të mos kushtojë më lirë se 140-150 euro.
Në fund të gushtit, kur zakonisht emigrantët kthehen në shtëpitë e tyre ndodh e kundërta. Bileta nga Tirana në Milano është shumë më e shtrenjtë, minimalisht 230 euro dhe arrin deri në 280 euro, për datën 26 gusht. Ndërsa udhëtimi nga Milano në Tiranë në 29 gusht është shumë më i lirë, vetëm 25 euro. Gjithsesi, udhëtimi vajtje ardhje në 26-29 gusht nuk është më i lirë sesa 250 euro.
Milano, me dy aeroportet Milano dhe Bergamo është e para për destinacionin e fluturimeve nga dhe drejt Tiranës, sipas të dhënave nga Tirana International Airport (TIA).
E njëjta tendencë është dhe me Romën. Në fillim të gushtit, për të ardhur në Tiranë duhen 90-110 euro, ndërsa nga Tirana në Romë, bileta është më e lirë në 50-55 euro (për udhëtimin 5-8 gusht). Për të ikur nga Tirana në Romë në 26 gusht bileta kushton 130-205 euro, ndërsa nga Roma në Tiranë vetëm 23 euro.
Me Air Albania, operatori i dytë më i madh, për në Bergamo (Milano) biletat janë të shitur për pjesën më të madhe të gushtit, ndërsa në ditët që ka ende vende më i liri në një drejtim është rreth 100 euro, ndërsa në data të caktuara kërcejnë në mbi 200 euro (po në një drejtim) teksa nuk gjen bileta më të lira vajtje-ardhje sesa 200 euro.
Spanja, bileta më e lirë kushton më shumë se 300 euro
Spanja ka qenë një destinacion i preferuar i shtetasve shqiptarë vitin e fundit për shkak të linjave direkte dhe çmimeve të lira nga Wizz Air. Por, udhëtimi në fillim të gushtit do kushtojë shtrenjtë. Ikja për në Barcelonë në datën 5 gusht kushton 130 euro dhe kthimi në 8 gusht 190 euro, në total 320 euro.
Mos e merrni mundimit të shkoni në Barcelonë as në fund të gushtit. Vajtja në datën 26 kushton 370 euro dhe kthimi 60 euro, në total 430 euro.
Nuk është më i lirë as Madridi. Udhëtimi nga Tirana në Madrid dhe anasjelltas në datat 4-7 gusht kushton 360 euro. Në fund të gushtit, çmimet kërcejnë në 455 euro (vajtje ardhje në datat 25-28 gusht).
Gjermania, nuk ka më lirë se 250 euro
E shtrenjtë është dhe Gjermania, që është bërë vitet e fundit një nga destinacionet kryesore ku shkojnë shqiptarët për të punuar. Udhëtimi nga Tirana në Dortmund në datën 5 gusht kushton 210 euro dhe nga Dortmundi në Tiranë në 8 gusht 60 euro, pra në total 270 euro.
Në fund të gushtit, nga Tirana në Dortmund bileta është 230 euro dhe nga Dortmundi në Tiranë 35 euro, në total 265 euro për 26-29 gusht.
Hamburgu, një qytet që frekuentohet nga shtetasit shqiptarë, pasi shumë prej tyre që banojnë aty, është shumë më i shtrenjtë. Bileta vajtje-ardhje në 5-8 gusht arrin në 330 euro, ndërsa për datat 26-29 gusht luhatet në rreth 300 euro.
Anglia, mbi 220 euro, fundi i gushtit kërcen në 340 euro për të ikur në Londër
Londra është destinacioni i dytë më i frekuentuara pas Milano-Bergamo, sipas të dhënave nga TIA.
Në fillim të gushtit, një biletë vajtje-ardhje kushton 220-270 euro. (5-8 gusht)
Në fund të gushtit, biletat shtrenjtohen ndjeshëm. Ata që duan të fluturojnë nga Tirana në Londër me Wizi Air (lLondon -Luton) duhet të paguajnë nga 340-390 euro, ndërsa nga Londra në Tiranë bileta është shumë më e lirë, në 30 euro, por gjithsesi një udhëtim vajtje ardhje në 27-29 gusht kushton deri në 420 euro.
Edhe me Air Albania në London Stansted, çmimet variojnë nga 180-250 euro për një drejtim.
Wizz Air merr 66% të tregut, “dikton” çmimet
Wizz Air, kompania hungareze, që hyri si operator me kosto të ulët disa vjet më parë në tregun shqiptar, ka arritur të fitojë vazhdimisht treg, ndonëse tani nuk është më aq e lirë sa më parë, kur mund të gjeje shpesh bileta 20 euro në një drejtim, sidomos drejt Italisë.
Sipas të hënave nga Tirana International Airport, për periudhën janar-prill 2023, Wizz Air kishte 66% të tregut, duke dominuar dukshëm në një treg ku ka gjithsej 17 operatorë. Kjo rritje e peshës së tregut i ka dhënë mundësi këtij operatori të “dominojë” edhe mbi çmimet.
Operatori i dytë më i madh në treg është Air Albania, me 8%, i ndjekur nga Albawings me 7%, Lufthansa me 4% dhe Austrian Airlines me 3%.
Sipas statistikave të INSTAT, fluksi i pasagjerëve nga dhe drejt Rinasit është rritur ndjeshëm këtë vit. Në tremujorin e parë 2023, kanë udhëtuar me linja ajrore 1.166.000 pasagjerë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, ky tregues është rritur me 53,3%./Monitor