Bizneset dhe kompanitë në Kosovë kanë filluat tashmë të ankohen për mungesë të punëtorëve. Madje shumica nga to po deklarohen haptas se mungesa e fuqisë punëtore është rrezik i madh. E, si zgjidhje për këtë, shohin rritjen e pagave mbi mesataren e tregut.
Kompanitë në Kosovë po e shohin rrezik të madh mungesën e punëtorëve të kualifikuar në zhvillimin ekonomik gjatë 12 muajve të ardhshme, thuhet në një matje të publikuar nga Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare të enjten.
Nga 103 biznese sa kanë marrë pjesë në këtë anketim, 58 për qind e tyre e kanë thënë se mungesa e punëtorëve është rrezik i madh, ndërsa zgjidhje për këtë, 48 për qind e shohin ngritjen e pagave mbi mesataren e tregut.
Bizneset kanë thënë se ndër masat e tjera që do t’i marrin për zbutjen e pasojave të mungesës së punëtorëve janë zhvillimi i trajnimeve brenda kompanisë, digjitalizimi i shtuar, përdorimi i shtuar i punëtorëve të përkohshëm e të tjera.
Sipas rezultateve të nxjerra nga Oda, 34 për qind e bizneseve të përfshira në sondazh e vlerësojnë si të kënaqshme punën e Qeverisë Kurti, 26 për qind të mirë, 24 për qind të keqe dhe 16 prej tyre s’kanë shprehur mendim.
“Pritshmëritë e kompanive të anketuara në lidhje me zhvillimet në sektorin e tyre krahasuar me vitin e kaluar, janë përmirësuar dukshëm. 67% e kompanive tregojnë në vitin 2023 pritshmëritë e tyre janë për një përmirësim të situatës ekonomike në sektorin e tyre. Si në vitin e kaluar, 26% thanë se situata do të mbetet e pandryshuar, ndërsa vetëm 7% pritnin një përkeqësim të saj”, thuhet tutje në raport.
Lufta në Ukrainë dhe rritja e çmimeve të energjisë thuhet se janë ndër shkaqet që po e rëndojnë performancën ekonomike të Kosovës dhe të Ballkanit Perëndimor. Në raport u tha se ekonomia po jep indikacione që po shkon drejt stabilizimit, por që çmimet ende janë të larta.
“Lufta në Ukrainë, dhe rritja e çmimeve të energjisë, si dhe ngadalësimi i rritjes globale, po rëndojnë performancën ekonomike të Kosovës dhe në përgjithësi të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Çmimet e larta të energjisë dhe produkteve ushqimore e kanë shtyrë inflacionin në nivele të papara për shumë vite. Sidoqoftë, tashmë po shihet një trend rritës në të dhënat e viteve të kaluara. Ekonomia po jep indikacione se po vazhdon të stabilizohet, megjithëse çmimet janë ende të larta dhe nuk është kthyer ende në normalitetin e vjetër. Nga ky sondazh, shihet se çdo i treti vlerëson situatën ekonomike si jo të mirë. Megjithatë, bizneset në Kosovë presin zhvillime pozitive në 12 muajt e ardhshëm. 57 përqind presin një përmirësim të situatës në sektorin e tyre brenda 12 muajve të ardhshëm, ndërsa 12 përqind janë të brengosur për përkeqësim të situatës”.
Pritet një rritje e shpenzimeve për paga prej 18% në vitin 2023.
“Një rritje e shpenzimeve për pagat prej 18% gjatë këtij viti do të thotë një rritje e ndjeshme e shpenzimeve për kostot e personelit. Kjo mund të ndikojë në rentabilitetin e një kompanie dhe mund të kërkojë përshtatje në buxhetim dhe planifikim të burimeve. Për të minimizuar ndikimin, kompanitë mund të ndërmarrin masa të ndryshme si p.sh. rishikimin e proceseve dhe rrjedhës së punës, optimizimin e proceseve të punës, zvogëlimin e punës shtesë ose rritjen e produktivitetit. Një monitorim i kujdesshëm i shpenzimeve për paga dhe një përshtatje e hershme e strategjisë së biznesit mund të ndihmojë në sigurimin e suksesit afatgjatë të kompanisë”.
Nga institucionet qendrore u kërkua luftimi i korrupsionit, përmirësimi i infrastrukturës për të bërë biznes, transparenca, përmirësimi i cilësisë së sistemit të arsimit profesional dhe disponueshmëria e punëtorëve të kualifikuar. Në krahasim me rajonin e Evropës së Mesme dhe Lindore, Kosova po konsiderohet relativisht më mirë në sektorin e biznesit.
Në periudhën kur është kryer anketimi, 12% e kompanive të anketuara theksuan se presin t’i kthehen normalitetit në 6 mujorin e parë të vitit 2023; 20% e kompanive të anketuara gjatë vitit 2023; 31% e kompanive të anketuara në vitin 2024; 8% e kompanive të anketuara vlerësojnë se nuk do t’i kthehen normalitetit asnjëherë dhe 29% e kompanive të anketuara nuk kanë dhënë përgjigje. Efektet e luftës në Ukrainë kanë patur ndikim negativ te kompanitë në Kosovë dhe ky raport trajton edhe këtë aspekt ku janë parashtruar dy pyetje për kompanitë./ Monitor