Kampionati shqiptar po shkon drejt fundit me Tiranën në krye dhe Partizanin 2 pikë pas.
Megjithatë, Skënder Gega i kërkon të kuqve të besojnë deri në fund. Në një intervistë për emisionin “Panorama Sport” në “Panorama TV”, u shpreh se futbolli është i çuditshëm.
Ai u ndal edhe te Tirana, ndërkohë që ka folur edhe për skuadrat e tjera të Superiores, përfshirë këtu Kukësin e Vllazninë.
“Partizani? E kam ndjekur me sa mundësi kam pasur dhe ka bërë sezon pozitiv. Ka pasur kampionat me shumë disbalanca që nga fillimi deri në fund dhe deri para disa javësh ka pasur pak diferencë. Siç ishte një javë nuk ishte java tjetër. Janë vetëm dy ndeshje dhe për secilën bëhet kampionati i vështirë.
Mendoj se këtë vit sidomos, duke parë investimet e presidentit Demi, ka qenë investim i madh dhe kosto e madhe dhe nuk është anashkaluar objektivi. Dalja kampion dhe Europa është diferencë e madhe. Është gjithçka të dalësh kampion, tjetër ndjesi, dëshirë dhe diçka financiare. Ka qenë një vit ndoshta insistues që Partizani të dalë kampion prej investimit.
Largimi i Mehmetit? Janë vendime klubesh dhe çdo njeri që vjen mundohet për të bërë më të mirën dhe varet nga klubi se çfarë kërkon dhe çfarë objektivash ka. Nuk ka komentuar largime trajnerësh pasi gara nuk është mes trajnerëve. Nuk ka hapësirë për të parë mbrapa dhe për të shpërndarë përgjegjësi sepse kanë bërë mirë.
Problemet e Partizanit? Konkretisht, analizat bëhen dhe njerëzit flasin. Ato japin opinione por nuk e di çfarë ka çaluar dhe për deri sa diferenca është 2 pikë nuk kanë çaluar shumë gjëra. Duhet të jesh i brendshëm. Këto 2 javë duhet të kthehesh mbrapa pasi nuk vendoset gjithçka këtu. Të dyja ekipet kanë lënë pikë në ndeshje jo të vështira. Për të marrë kampionat, nuk duhet të kesh ulje-ngritje dhe të shohësh kundërshtarin. Të jesh 2 pikë larg Tiranës është pak dhe Partizani nuk duhet dorëzuar sepse ka ndeshje. Tirana kaloi një ngërç të madh pasi derbi dhe Laçi i kanë dhënë një bonus.
Ndryshimi me Partizanin kampion? S’dua të bëj krahasime sepse për 3 vite janë ndërruar shumë trajnerë, 7. Kanë mbetur vetëm Telushi dhe Hoxha. Partizani i këtij viti ka bërë ndryshime. Më ka bërë përshtypje Mba dhe është investim që ka justifikuar ardhjen e tij. Ka lojtarë si Rrapaj që janë premtues për të ardhmen apo Telushi me eksperiencën e tij. Këta janë shtylla kurrizore por nuk duhet ndryshuar klubi dhe duhen mbështetur të rinjtë. Kam parim ti besoj të rinjve. Eksperienca dhe presioni janë një pikë që duhet të jesh i kujdesshëm. Ndryshimet e formacioneve janë si për shembull Tirana ka pasur një balancë më tepër sepse ka pasur 7-8 lojtarë stabël.
Derbi? Edhe unë kur isha te Partizani, derbi ka pasur 2 pole. Tirana ishte me shumë probleme por diferenca është e vogël pasi janë lufta, cinizmi dhe kujdesi. Ndryshimet e trajnerëve, vendosja e skuadrave. janë shumë gjëra dhe askush nuk e parashikon para derbit që Partizani nuk ka mungesa dhe do të fitojë ndeshjen.
Një trajner sheh 3 skena, humbjen që e trishton, barazimin dhe fitoren. Partizani e filloi me 1-0 dhe ishte pozitive por nuk kishte lojë me rast sepse ishin me gishtat e dorës. Tirana shfrytëzoi një hapësirë sepse futbolli është për milimetra që mund të ngresh kupën ose jo. Situata është tjetër tani.
Fitoret e Tiranës? E thashë që diferenca është 2 pikë. E thashë që opsionet e Tiranës janë që ka luajtur me 1 formacion, ka lojtarë stabël dhe ka balanca. Nuk jep spektakël por dihet se çfarë japin ato që janë në fushë. Ky ishte ndryshimi nga Partizani.
Titulli kampion? Matematika të jep shpresë. sot janë sytë nga Tirana dhe Partizani nuk ka probleme. Kastrioti ka rënë dhe sytë janë nga Tirana por ka eksperiencë dhe me rikthimit që ka, e vështirëson por shpresa vdes e fundit.
Kupa? Janë objektivat e klubit. Klubet kënaqen me pak në Shqipëri dhe kampionati është kryesori por në fund është Kupa që të çon në Europë. Është trofe për karrierën dhe historinë por kampionati është ndryshe. Tirana ka shansin t’i marrë të dyja. Ndoshta edhe asnjërën, pasi ka ndeshje. Kampionati është i hapur dhe Partizani të mos dorëzohet.
Egnatia? Në Europë nuk parashikohet pasi ka ekipe si Skënderbeu, Tirana, Partizani apo Vllaznia. Një qytet aq i vogël dhe me investim por pa akademi, është bërë punë e mirë dhe e drejtë. Janë marrë lojtarët e duhur me karakter. E kam parë Egnatian si surprizë dhe më bëhet qejfi që është aty ku është. Nëse punon dhe djersin e nuk bën hile ndaj fanellës, do të shkosh diku. Edhe nëse nuk shkonte në Europë, nuk ishte hap fals.
Kukësi dhe Vllaznia? Kam qenë pjesë e Kukësit në përgatitore dhe trajner në 4 ndeshje. Me 2 barazime dhe 2 humbje mendoja se do të rregulloheshin gjërat. Kam besim. Nuk e di çfarë ka ndodhur. Për aq kohë sa kam qenë, i ruaj gjërat e mira dhe kam besim se Kukësi nuk rrezikohet. Për Vllazninë kam pasur rezerva. Mënyra se si luanin në sulm do të kishte kosto. Lëvizja e Josës, pa dashur të ndërhyj në punët e klubit, nuk i di arsyet por mendoj u largua në moment të gabuar.
E ardhmja? Jam mes Amerikës dhe Tiranës. Po shoh me qetësi. Sot për sot çdo ekip ka trajner dhe po matem mirë për të parë gjërat siç duhet dhe për të qenë i qetë e i respektuar. Ky është profesioni ynë. Nuk kam profesion tjetër. Sporti është primar për mua dhe ia lëmë kohës”, u shpreh Gega.