SPAK ka dhënë ditën e sotme pretencën për të akuzuarit e dosjes së Inceneratorit të Elbasanit.
Në seancën që është zhvilluar në Gjykatën e Posaçme janë kërkuar në total 57 vite burg për personat e përfshirë në këtë aferë korruptive me vlerë 24 milionë euro.
Organi i akuzës ka kërkuar dënimin me 10 vite burg për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, I cili akuzohet për korrupsion duke përfituar rreth 3.6 milionë euro nga dy kompanitë koncesionar.
Gjithashtu kërkohet dënimi me 4 vite burg për ish-deputetin e Partisë Socialiste, Alqi Bllako.
Të dy të akuzuarit do të përfitojnë nga gjykimi i shkurtuar dhe në rast se GJKKO pranon kërkesën e SPAK, Kokës i takon të vuajë 6 vite e 8 muaj burg, ndërsa Bllako do të qëndrojë për 2 vite e 8 muaj pas hekurave.
Pas përfundimit të seancës për mediat foli avokati i Kokës, Saimir Vishaj, i cili tha se SPAK ka kaluar në ekstremitet për një vepër penale që nuk ekziston.
“Është rasti i parë që kërkon 10 vite burg. Akuzohen për abuzim me detyrën. Është për tu habitur me qëndrimet e ndryshme. Ka kaluar në ekstremitet për një vepër penale që nuk ekziston. Nuk mund të presësh masat e dënimit duke u dhënë nga 4 vite burgim”, u shpreh Vishaj.
Sakaq, Prokuroria e Posaçme kërkoi 10 vite burg (6.8 vite falë gjykimit të shkurtuar) për biznesmenët Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendore”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale”.
Shtatë vite burg është kërkuar për Stela Gugalljan (4.8 vite burg falë gjykimit të shkurtuar), pasi akuzohet për veprat penale ‘Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendore’, ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale’.
Po ashtu kërkohet dënimi me 4 vite burg për tre anëtarët e Komisionit për dhënien e koncesionit të inceneratorit nga Ministria e Mjedisit dhe Bashkia e Elbasanit. Serafin Papa, Jonida Zeqo dhe Bardhyl Çabiri akuzohen për “shpërdorimi të detyrës”, vepër e kryer në bashkëpunim.
I njëjti dënim, me 4 vite burg kërkohet edhe për Pëllumb Abeshin, ish-kryetar i Komisionit për dhënien e inceneratorit dhe ish-Drejtor i politikave në Ministrinë e Mjedisit.
Organi i akuzës gjithashtu ka kërkuar konfiskimin e dy kompanive kryesore, “Integrated Technology Sh.p.k” dhe “Alb Tech”, po ashtu dhe të 4 kompanive që i paguan ato.
Mes pasurive të tjera, është kërkuar konfiskimi i 8 apartamenteve, 3 pasurive të paluajtshme të Lefter Kokës dhe 88% të aksioneve në kantinnë e verës që ai ka në Durrës.
Përfundimet nga hetimet
Prokuroria e Posaçme bën me dije se ka provuar se procedurën e dhënies së koncensionit dhe në lidhjen e kontratës me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”, nuk janë kryer të plota veprimet përgatitore për dhënien e konçensionit, duke shkelur kështu ligjet për koncesionet dhe prokurimet publike.
Gjithashtu SPAK bën me dije se nga hetimet është provuar fakti se nuk është zbatuar procedura e rregullt ligjore lidhur me llojin e procedurës që është përdorur për dhënien e koncensionit, në kundërshtim me dokumentet standarde të tenderit të zbatueshme për koncensionet, në kundërshtim edhe me sugjerimet e Ministrisë së Financave dhe Agjencisë së Prokurimit Publik.
“Në rastin konkret, në proçedurën e ndjekur për dhënien e konçensionit dhe lidhjen e kontratës me shoqërinë “Albtek Energy” sh.p.k, është ndjekur procedura “me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit”, e rregulluar nga neni 33 e vijues të ligjit nr.9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, të ndryshuar. Procedura e ndjekur për dhënien e koncesionit “me negocim, pa shpallje paraprake të njoftimit”, nuk është një nga procedurat e parashikuara në nenin 22 të ligjit nr.125/2013, ku parashikohet se për dhënien e koncesionit munden të përdoren vetëm një nga tre procedurat: i) proçedura e hapur; ii) procedura e kufizuar; ose iii) procedura me negocim, me shpallje paraprake të njoftimit të kontratës”, njofton Prokuroria e Posaccme (SPAK).
Sipas prokurorëve veprimet dhe mosveprimet e mësipërme në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore, përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës, kanë dëmtuar interesat e ligjshme të shtetit, si dhe i kanë sjellë kompanisë “Albtek Energy” sh.p.k përfitime materiale të padrejta, pasi ka përfituar në kundërshtim me ligjin kontratën e koncensionit për ndërtimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane dhe prodhimin e energjisë.
“Lidhur me këto dy momente, i pandehuri Lefter Koka në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, i pandehuri Alqi Bllako në cilësinë e ish Sekretarit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mjedisit, si dhe të pandehurit Pëllumb Abeshi, Bardhul Çabiri, Serafin Papa, Etleva Kondi dhe Jonida Zeqo, janë akuzuar se kanë kryer veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 248 dhe 25 të Kodit Penal”, vijon njoftimi.
SPAK ka dalë në përfundim se ka mbledhur provat e nevojshme dhe është provuar fakti se nga shoqëritë tregtare“Albtek Energy” sh.p.k (shoqëria që ka përfituar konçensionin)dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k (shoqëria që ka zbatuar punimet për ndërtimin e objektit të konçensionit) janë pranuar fatura tatimore shitje dhe janë paguar detyrimet financiare për këto fatura tatimore për disa shoqëri tregtare të tjera, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer nga këto shoqëri tregtare. Shuma totale e faturave tatimore për punime të papaguara është në vlerën 331,920,918 lekë, ndërsa shumat monetare që janë paguar për shlyerjen e këtyre faturave tatimore është në vlerën 329,475,608 lekë.
Sipas SPAK Lefter Koka, në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, ka përfituar rreth mbi 308 mln lekë nga shuma monetare që janë paguar nga shoqëritë “Albtek Energy” sh.p.k dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. Kjo përbën një përfitim material të parregullt, që është marrë në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k në zhvillimin e proçedurës së dhënies së konçensionit dhe në lidhjen e kontratës së konçensionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”.
Prokuroria e Posaccme thotë se Stela Gugalla, në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k, Klodian Zoto në cilësinë e ortakut të vetëm dhe administratorit të shoqërisë “Integrated Technology Services” sh.p.k, si dhe i pandehuri Mirel Mërtiri në cilësinë e pronarit faktit të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k, në bashkëpunim me njëri tjetrin dhe në bashkëpunim me Lefter Kokën, kanë përdorur një skemë fiktive të kryerjes së pagesave, të realizuar nëpërmjet dy shoqërive tregtare respektive, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt” si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.
Sipas SPAK Lefter Koka ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëritë tregtare “Albtek Energy” sh.p.k dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k, që janë përfitueset e kontratës së konçensionit, përfitimet e parregullta monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë konçensionare, duke përdorur disa shoqëri tregtare të tjera të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij, të kontrolluara prej personave familjarë të tij, si dhe të kontrolluara prej subjekteve tregtare në zotërim të tij. Marrja e përfitimeve është realizuar nëpërmjet skemës fiktive të kryerjes së punimeve dhe të kryerjes së pagesave, për të mbuluar dhe për të fshehur natyrën e vërtetë të origjinës së paligjshme të shumave monetare, natyrën e vërtetë të transferimit dhe të zhvendosjes së tyre, të cilat në të vërtetë përbëjnë “përftim të parregullt” si rrjedhim edhe produkt të veprës penale të korrupsionit.
“Për veprimet e mësipërme, të pandehurit Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto janë akuzuar se kanë kryer veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim, si dhe “Pastrimi iprodukteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” , kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 245 e 25 dhe 287/2 iKodit Penal. Ndërsa, i pandehuri Leftër Koka është akuzuar se ka kryer edhe veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, si dhe “Pastrimi iprodukteve të veprës penale apo i veprimtarisë kriminale” , kryer në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 260 dhe 287/2 të Kodit Penal. Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit tëOrganizuar Tiranë ka përfunduar hetimet paraprake për të pandehurit Lefter Koka, Alqi Bllako, Etleva Kondi, Jonida Zeqo, Pëllumb Abeshi, Bardhul Çabiri, Serafin Papa, Mirel Mërtiri, Klodian Zoto, Stela Gugallja, shoqëria “Albtek Energy” sh.p.k, si dhe shoqëria “Integrated Technology Services” sh.p.k dhe ka paraqitur në datë 09.12.2022 në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për dërgimin e çështjes në gjyq”, përfundon njoftimi i SPAK.
Pretenca e SPAK për të akuzuarit:
Lefter Koka – 10 vite burg (6 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Alqi Bllako – 4 vite burg (2 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Mirel Mërtiri – 10 vite burg (6 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Stela Gugallja – 7 vite burg (4 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Klodjan Zoto – 10 vite burg (6 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Pëllumb Abeshi – 4 vite burg (2 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Jonida Zeqo – 4 vite burg (2 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Serafin Papa – 4 vite burg (2 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)
Bardhyl Çabiri – 4 vite burg (2 vite e 8 muaj prej gjykimit të shkurtuar)