Nga Boldnews.al
Paraqitja e Belind Këlliçit si kandidat për Bashkinë e Tiranës solli jo pak habi te vëzhguesit politikë, por jo vetëm. Dukej si një veprim jo i matur lënia e mandatit të deputetit dhe futja në një garë të pabarabartë për bashkinë e kryeqytetit, duke pasur kundër Shtet-Pushtetin e Rilindjes. Ishte si marrëzi të lësh një mandat të sigurt për të kandiduar në një vend që s’ka zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme së paku në 4 zgjedhjet e fundit rresht. Ngjan si një sakrificë e madhe. Po në fund të fundit politikanët e rinj për këtë punë janë, për t’u sakrifikuar nëse është e nevojshme. Por, gjithmonë ka një por në politikë! Belind Këlliçi ka bërë hesapet e tij. Në rast të një fitoreje në Tiranë ai do ishte automatikisht zëvendësuesi i Sali Berishës në krye të opozitës së vendit, rrjedhimisht kandidati i parë potencial për t’u bërë kryeministri i ardhshëm. Duket si logjikë e ftohtë biznesi, sa më i madh rreziku aq më i madh fitimi. Ai ka shfaqur besimin se mund të mundë Erion Veliajn në këto zgjedhje. Dhe nëse arrihet diçka e tillë, nuk është vetëm fitorja ndaj Veliajt, por fitore ndaj botës së errët të oligarkisë së ndërtimit, krimit të organizuar që paratë e pista i “lan” në “Lavatriçen e Rilindjes”, duke përdoruar kryesisht ndërtimet në Tiranë. Në kushtet aktuale, sfida e Këlliçit konsiderohet sakrificë, por edhe nëse në fund nuk do arrinte të mposhtte “përbindëshin pushtet”, goditja që do bënte duke i shkuar pranë fitores do i rrisë kredencialet vetë kandidatit Këlliçi.
Karriera
Belind Këlliçi është kandidati i koalicionit të firmosur mes PD së Sali Berishës, Partisë së Lirisë, PDK dhe PBDNJ për zgjedhjet lokale të 14 majit.
Ai është shkolluar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në “Coppin State University”, ku është diplomuar për shkenca menaxhimi.
Karrierën politike e ka nisur duke u angazhuar në Degën 10 të PD në Tiranë dhe si anëtar i Këshillit Kombëtar të PD.
Ai u zgjodh kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike në një garë tepër të fortë asokohe me deputetin aktual të PD, Ervin Salianji. Këlliçi drejtoi FRPD-në nga dhjetori i vitit 2015 dhe riorganizoi strukturat duke vendosur të rinjtë demokratë në gatishmëri të çdo proteste dhe aksioni politik, e duke i dhënë zë rinisë për çështje vendimtare për vendin e opozitën.
Këlliçi për herë të parë u bë pjesë e Kuvendit të Shqipërisë pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021.
Pas vendimit të Lulzim Bashës për të larguar nga Grupi Parlamentar i PD Sali Berishën, FRPD dhe Belind Këlliçi iu bashkuan “Foltores” dhe në 11 dhjetor 2021, ai u zgjodh nga delegatët si drejtuesi i Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, nga ku Lulzim Basha u shkarkua si kryetar.
Në 27 Tetor 2022, Belind Këlliçi shpalli zyrtarisht kandidaturën për kryetar të Bashkisë Tiranë, duke hyrë në “Primare”.
Më 4 dhjetor nga gara e brendshme Këlliçi doli kandidati më i votuar me 4040 vota duke lënë pas mjekun Ilir Alimehmeti me 2196 vota, me këtë të fundit që më pas u tërhoq nga raundi i dytë.
Këlliçi është një figurë e pastër politike, duke nisur nga mosha e re dhe fakti që asnjëherë nuk ka qenë në krye të institucioneve publike.
Dy premtimet kryesore të Këlliçit në fushatë janë transporti publik falas për banorët e kryeqytetit, për të cilën ka shpjeguar se do të shfrytëzojë miliona euro që shkojnë për inceneratorët për ta realizuar dhe furnizimi 24 orë me ujë të pijshëm, një premtim që nuk është mbajtur në dy mandate nga Erion Veliaj.
“Unë kam derdhur shumë mund dhe djersë por gjykoj se ky është një moment historik për të rrëzuar një model që është krijuar me Erion Veliajn. Do i japim një dorë qytetarëve që të përballojnë koston e jetesës. Kam bërë një premtim ditën e shtunë për transportin falas, me ekspertë që janë pjesë e ekipit tim. Ja vlen barra qiranë për të dhënë një shërbim pa pagesë, por që në fund të ditës paguhet nga qytetarët. Unë propozoj heqjen e biletës prej 400 lekësh”, është shprehur Këlliçi.
Avantazhet
1-Avantazhi kryesor në betejën për Tiranën është se Belind Këlliçi nuk është një figurë e përlyer. Nuk ka mbajtur asnjë post të lartë dhe padyshim që në krahasim me kundërshtarin politik pikët i ka maksimale.
2- Belind Këlliçi edhe brenda PD-së vjen si një figurë e ngritur vetë, krejt ndryshe nga rivali Veliaj i cili ka qëndruar gjithnjë i kapur pas xhaketës së Edi Ramës. Betejat e brendshme në parti Këlliçi i ka fituar gjithnjë, duke u konsideruar si një njohës i mirë i anëtarësisë por edhe elektoratit të djathtë.
3- Ndryshe nga rivali i tij, i cili u emërua nga Rama, Këlliçi kaloi në procesin e Primareve brenda partisë, duke zhvilluar një garë të fortë me Ilir Alimehmetin dhe Gerti Bogdanin.
4-Është një figurë e pakonsumuar dhe premton që do i ndryshojë pamjen Tiranës. Gjithashtu ka zgjedhur që të bëjë fushatë në çdo cep të kryeqytetit në takimet e drejtpërdrejta me qytetarët, ndryshe nga rivali i tij që takimet i ka vetëm me strukturat e PS-së dhe enturazhin që ka ngritur në bashki.
5-Politikisht Belind Këlliçi ka verb politik dhe shihet brenda së djathtës si një figurë që në të ardhmen mund të arrijë deri në kupolën e PD-së.
Disavantazhet
1-Paradoksalisht quhet disavantazh fakti që Këlliçi nuk është pjesë e oligarkisë apo i lidhur me botën e errët të krimit që nëpërmjet politikës kërkon të pastrojë paratë e trafiqeve. Kjo vlerë fatkeqësisht konsiderohet si “disavantazh”. Në fakt është e tillë nëse flasim për terrenin shqiptar dhe historikun e 4 zgjedhjeve të fundit.
2- Belind Këlliçi ende nuk e ka krijuar profilin e plotë të tij politik, ndonëse në një kohë të shkurtër ka ditur të ngjisë shkallët e karrierës mjaft shpejt. Nuk ka një grup pas tij nga ata që janë konturuar brenda PD-së.
3-Dizavantazhi kryesor është që PD-ja e vërtetë shkon në këto zgjedhje e përçarë dhe pa logon dhe simbolet që ka pasur që nga viti 1990 në formimin e saj. Pra mbështetet nga një opozitë e cila është e fragmentarizuar, dhe me energji të hedhura dëm duke u marrë me njëri tjetrin. Ndërkohë tufa e hienave të Rilindjes me Ramën dhe Veliajn fërkojnë duart të ekzaltuar.
4-Në një përballje kaq të ashpër dhe në kushte aspak të barabarta, sidomos monetare për fushatën Këlliçi ka në disfavor edhe copëzimin e votës së djathtë. Edhe pse rivalët e tjerë si Bejko dhe Përnaska që njihen si të djathtë nuk gëzojnë mbështetje të gjerë në elektorat, çdo votë sado e pakët që mund të shpërndahet tek e djathta e penalizon Këlliçin. Mungon rreshtimi në bllok kundër Veliajt.
5-Për disa është avantazh fakti që Këlliçi nuk po përmend dendur problemin e ndërtimeve në Tiranë dhe oligarkinë e kësaj fushe që ka mbytur kryeqytetin me kulla dhe pallate shumëkatëshe, por për elektoratin gri kjo ndikon. Në Tiranë besohet se ekziston një numër i konsiderueshëm “elektorat gri”, që është ende i pavendosur për të dhënë votën i cili është kundër mafies së ndërtimit. Këlliçi duhet të shkojë tek kjo pjesë dhe ndoshta në ditët në vijim do të synohet që ky elektorat të jetë një votë e bindur për kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, por deri tani ende nuk ka shkuar tek kjo kategori votuesish!
LEXO EDHE:
https://boldnews.al/2023/04/21/erion-veliaj-dhe-14-maji-si-beteja-e-tij-finale/
https://boldnews.al/2023/04/20/arlind-qori-idealisti-i-majte-kandidati-antisistem/
https://boldnews.al/2023/04/20/roland-bejko-desanti-i-amerikaneve-ne-tirane/