Zotërimi i aksioneve në një kompani të transportit të naftës nga prokurori Sokol Malaj u debatua gjatë të mërkurën në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
KPK në gjetjet e saj, në raportin e lexuar nga relatorja Brunilda Bekteshi, theksoi se dukej sikur Malaj “ka vepruar në papajtueshmëri me detyrën e prokurorit”. KPK i kishte kaluar barrë prove prokurorit sa i përket dyshimeve se ai kishte qenë në shkelje të ligjit “Për prokurorinë” deri në vitin 2016 dhe më pas në shkelje të ligjit 96/2016 për “Statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve” dhe me Kushtetutën.
Malaj dhe avokati i tij, Julian Mërtiri e kundërshtuan këtë gjetje në seancën dëgjimore. Malaj këmbënguli se zotërimi i aksioneve nuk ishte në shkelje të ligjit dhe se KPK kishte bërë një “interpretim të ngushtë të ligjit”. Ai tha se nuk u provua “asnjë rrethanë faktike” e konfliktit të interesit apo përdorimit të detyrës së tij e të ngjashme, që ta vendosnin në kushtet e ndalimit.
Veç këtij diskutimi, seanca dëgjimore që filloi 15 minuta me vonesë dhe zgjati 1 orë e 30 minuta më shumë se parashikimi u fokusua edhe te gjetja e KPK-së për një bilanc negativ prej 12.5 milionë lekësh nga disa transaksione për blerje pasurie, të cilat po ashtu u kundërshtuan nga Malaj dhe avokati i tij.
Malaj po ashtu dha shpjegime mbi një relacion të paqartë të Drejtorisë për Sigurimin e Informacionit të Klasifikuar, DSIK, dhe mbi disa denoncime përfshi një denoncim të ardhur pas shpalljes së seancës dëgjimore.
Trupa që hetoi rastin kryesohej nga Pamela Qirko, me anëtar Roland Ilia dhe relatore Brunilda Bekteshin. Vëzhguese e operacionit ndërkombëtar në seancë ishte Elka Ekmenkova.
Sokol Malaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2004 si prokuror i Krimeve të Rënda. Në vitin 2007, ai u emërua drejtues i Prokurorisë së Vlorës, ndërsa në vitet 2010-2012 ka ushtruar funksionin e drejtuesit të Prokurorisë së Tiranës. Prej vitit 2012, Malaj punon si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Tiranë.
Debati mbi aksionet
Sipas relatimit të KPK-së, prokurori Sokol Malaj ishte ortak me 50 për qind i aksioneve në kompaninë e transportit të hidrokarbureve “Oleum Transport” të krijuar prej tij në vitin 2014.
Bekteshi vuri në dukje se prej fillimit të kompanisë, Malaj kishte luajtur një rol aktiv në vendimmarrje. Ajo përmendi ndarje të dividentëve dhe vendimmarrje të tjera që u shpreh se dukeshin që binin në kundërshtim me legjislacionin në fuqi para vitit 2016 dhe me Kushtetutën dhe ligjet e miratuara në verë të vitit 2016.
Ndër veprimet e Malajt, Bekteshi nënvizoi nënshkrimin e një kredie me bankën për blerje mjetesh, zgjerimin e aktivitetit, hapjen e një adrese sekondare, shitjen e aksioneve, miratimin e pasqyrave financiare. Bekteshi tha se edhe pas miratimit të ligjit 96/2016 për “Statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”, Malaj vijoi të ishte aktiv në kompani dhe vetëm 18 muaj pas miratimit të ligjit caktoi një kujdestar për aksionet.
Sipas relatores, këto veprime ishin në kundërshtim me ligjin që ia ndalonte prokurorit marrjen pjesë në organet drejtuese të shoqërisë. Ajo tha se veprimet e Malajt deri në vitin 2016 dukej se binin ndesh me legjislacionin e kohës dhe pas këtij viti e në vijim ishin në kundërshtim me kushtetutën dhe me ligjin përkatës. “Subjekti nuk ka aplikuar për ta caktuar personin e besuar edhe 18 muaj pas hyrjes në fuqi të ligjit 96/2016”, tha Bekteshi, ndërsa shtoi se Malaj edhe në vijim “veproi si zotërues aktiv i aksioneve”. Bekteshi u shpreh se Malajt i ishte kaluar barrë prove për këtë situatë.
Në fjalën e tij, prokurori e cilësoi barrën e provës si një “interpretim të ngushtë të ligjit” nga ana e KPK-së, ndërsa këmbënguli se ky interpretim binte ndesh me të drejtat e tij kushtetuese për të pasur pronë private.
Malaj pretendoi se qenia e tij aksioner nuk ishte automatikisht shkelje e ligjit, ndërsa shtoi se legjislacioni lejonte mbajtjen e aksioneve dhe gëzimin e fruteve, për sa kohë ky zotërim nuk ishte në konflikt interesi, nuk cënonte pavarësinë dhe për sa kohë ai nuk kishte përdorur detyrën për përfitime.
“Konflikti krijohet jo kur përfiton të ardhura nga dividenti.. interesi privat krijon konflikt nesë cënon pavarësinë e tij apo krijon përshtypjen për përdorimin e detyrës,”, interpretoi Malaj.
Ai këmbënguli se KPK nuk kishte gjetur asnjë rast të shkeljeve që mund ta cënonin. Në vijim ai bëri një interpretim të legjislacionit dhe theksoi se nuk kishte përfituar fonde publike dhe se ishte kujdesur që edhe kompanitë me të cilat ai punonte të mos ishin përfituese të fondeve publike.
Sipas prokurorit, nuk kishte një ndalim të tillë në kushtetutë dhe se kjo e fundit i referohej vetëm ushtrimit të veprimtarive profesionale që binin ndesh me detyrën e prokurorit. Ai i cilësoi veprimet e kryera prej tij si procedurale që me detyrim i takonin aksionerit dhe që kishin të bënin vetëm me të drejtën e fitimit të frytave, por që sipas tij nuk përbën zotërim aktiv të kuotave.
Por vëzhguesja e ONM-së, Elka Ekmenkova në një parashtrim të gjatë para pyetjes së saj vuri në dukje se kompania ishte krijuar prej Malajt. Ekmenkova tha se ngritja e kompanisë, blerja e paisjeve, marrja e kredisë ishin një punë me kohë të plotë.
“Ju dukeni një person i organizuar, por nuk e kuptoj si mund ta keni bërë këtë”, tha ajo.
Por avokati Julian Mërtiri që iu përgjigj pyetjes tha se Malaj nuk kishte kryer asnjë nga këto veprimtari dhe se me këto procedura dhe punë ishte marrë administratori. Në mbrojtje të rastit, Mërtiri tha edhe se ky aktivitet ekonomik ndihmonte në fakt në pavarësinë financiare të prokurorit. Sipas tij, kjo pavarësi e kishte lejuar Malajn të punonte në një numër të madh çështjesh.
Problemet e pasurisë
Në analizë financiare, KPK e gjeti Malajn me një bilanc negativ prej 12.6 milion lekësh, që siç doli nga shtjellimi i rasteve, vinte kryesisht nga mosnjohja si të ardhura të ligjshme të një shume prej 2.3 milionë lekësh kontribute nga nëna dhe kthimin e një huaje nga vëllai në shumën 10 milionë lekë.
KPK vuri në dukje se bilancet negative kishin të bënin me transaksionet për blerjen e tre apartamenteve dhe disa garazheve në kohë të ndryshme.
Rasti i parë, siç theksoi Bekteshi kishte të bënte me mosnjohjen e të ardhurave që prindërit e Malajt kishin trashëguar pas vdekjes aksidentale të njërit prej djemve në Greqi. Siç doli në relatim, shumat në fjalë ishin ruajtur në bankë dhe po ashtu transferimi i tyre ishte bërë përmes bankës. Avokati Mërtiri kundërshtoi qëndrimin e KPK-së dhe vuri në dukje se kishin sjellë prova, përfshi librezën e punës së vëllait të ndjerë në Greqi, e cila dokumentonte punësimin e tij të ligjshëm.
Rasti i dytë kishte të bënte me blerjen e një apartamenti dhe dy garazheve në vitin 2016. Transaksionet e blerjes sipas KPK ishin të komplikuara. Sipas deklarimeve, apartamenti në fjalë ishte përfituar nga vëllai i subjektit në formë kleringu nga një kompani ndërtimi. Vëllai i subjektit kishte vendosur ta përdorte këtë apartament për të shlyer një hua 10 milion lekë që i kishte marrë subjektit më herët, por në transaksion ishte shënuar që Malaj e blinte apartamentin nga kompania.
Bekteshi vetë tha në seancë dhe në pyetje me subjektin se ishte e paqartë për arsyet e këtyre transaksioneve dhe mënyrën se si vëllai i kishte kthyer paratë. Ajo po ashtu vuri në dukje se vëllai nuk dukej të kishte pasur burime të ligjshme për kthimin e huasë.
Në përgjigje të kësaj barre prove, që po ashtu rëndonte subjektin edhe në blerjen e një apartamenti të dytë po në të njëjtën periudhë, avokati Julian Mërtiri bëri një shpjegim të gjatë të mënyrës se si kishte punuar vëllai i subjektit. Ai përmendi kontrata të ngjashme me persona të tjerë, përfshi motrën e subjektit dhe vuri në dukje se nëse të ardhurat konsideroheshin të ligjshme, bilanci rezultonte pozitiv.
Në përgjigje të dyshimeve nga KPK për mungesë të burimeve të ligjshme nga huamarrësi për kthimin e huasë, Mërtiri iu referua vendimit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që sipas tij nuk kërkonte që huamarrësi të provonte burimin e ligjshëm për kthimin e huasë, sa kohë që vetë huadhënësi, në këtë rast subjekti, kishte provuar që burimi për dhënien e huasë ishte i ligjshëm.
Vetë subjekti sqaroi se vëllai ia kishte kthyer borxhin në cash, për shkak se kompania kishte kërkuar që transaksioni të bëhej i tillë dhe pasi ai e kishte blerë apartamentin, kompania ia kishte kthyer paratë vëllait të tij.
Mërtiri po ashtu sqaroi një sërë dyshimesh të ngritura mbi sipërfaqet e pasurive të deklaruar dhe dia kontradikta të gjetura nga KPK në këto deklarime. Ai këmbënguli se ndryshimet ishin për shkak të kohës dhe formateve të ndryshme në deklarime. Subjekti mohoi të kishte pasur trajtim preferencial.
DSIK dhe denoncimet
Bekteshi relatoi ndër të tjera një përditësim të raportit të DSIK-së për subjektin, sipas të cilit ky i fundit ishte angazhuar në veprime të paligjshme. Në të njëjtin raport, DSIK thoshte se ai mbetej i përshtatshëm për detyrën dhe i takonte KPK-së që të vlerësonte rastin.
Malaj vetë e cilësoi të çuditshëm qëndrimin dhe këmbënguli se nuk ishte përfshirë në veprime të paligjshme. Ai aludoi se rasti kishte të bënte me denocimet ndaj tij dhe përpjekjet për ta intimiduar.
Malaj dha shpjegime edhe për 10 denoncime ndaj tij dhe gjetjet e KPK-së kryesisht mbi vendimet e gjykatës që kishin rrëzuar vendimet e tij të pushimit apo mosfillimit.
Prokurori u mbrojt duke vënë në dukje se në të gjitha rastet çështjet kishin përfunduar siç ai kishte proceduar, duke vënë në dukje se një pjesë e tyre ishin kallëzime pa baza dhe me qëllim për të ndikuar proceset civile.
Duke iu referuar një denoncimi të 26 prillit 2023, Malaj akuzoi një media që sipas tij kishte ndërmarrë një fushatë ndaj tij pas një vendimi mosfillimi. Malaj i cilësoi akuzat të neveritshme, ndërsa tha se personi që e denonconte i kishte kërkuar të hetonte si të falsifikuar një akt ekspertimi që ishte bërë nga SPAK dhe ishte shqyrtuar dhe gjetur i rregullt në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë të të Apelit, e cila kishte vendosur konfiskim të pasurive të denoncuesit.
Malaj tha se akuzat ndaj tij ishin shpifje dhe se ato po bëheshin për të intimiduar KPK-në, por kryesuesja e trupës replikoi se Komisioni nuk intimidohej dhe kjo ishte provuar në 6 vjet punë.
KPK njoftoi se do të shpallte vendimin për Malajn në 12 maj, në orën 9.45.
/Reporter.al