Emigrimi është plaga më e madhe që i është hapur vendit në 10 vitet e fundit, me mijëra të rinj e familjarë që zgjedhin të largohen nga Shqipëri në mungesë të alternative për punësimin apo shkollimin e duhur, por edhe në kërkim të pagave më të larta gjetkë në Europë.
Pikërisht kësaj plage iu adresua edhe mesazhi kryesor i kreut të Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu në fjalën e tij para mijëra besimtarëve që kryen faljen e namazit në orën 06:40 në “Sheshin Skënderbej”.
Në fjalën e tij gjatë ceremonisë që u zhvillua pas kryerjes së riteve përkatëse që përkojnë me përfundimin e muajit të madhërishëm të Ramazanit, Spahiu u ndal te largimi i të rinjve nga vendi dhe plakja e popullsisë si dy fenomene kryesore që duhet të ndalen.
Mesazhi i Spahiut iu drejtua kryesisht prindërve duke kërkuar prej tyre që të rrisin fëmijët në vendlindje dhe të forcojnë kombin që po mpaket dita-ditës.
“Motra dhe vëllezër, kujdesuni që Kombi jonë të rritet nëpërmjet virtytit! Secili nga ne e ka detyrë të kontribuojë për të frenuar mpakjen e kombit. Po pakësohemi dita-ditës. Ne që kemi qenë një nga popujt me moshën më të re në Europë po plakemi me ritme shumë të shpejta. Pse duhet të zgjedhim rrugën më të lehtë, braktisjen e vendit, në vend të qëndrimit këtu dhe të forcimit të kombit tonë.
Të lindim fëmijët këtu, t’i rrisim këtu në vendin tonë si qytetarë me virtyte dhe të dorës së parë në vend që t’i çojmë si qytetarë të dorës së dytë nëpër botë! Familja është bërthama e çdo shoqërie. Ta forcojmë atë ashtu siç e kemi traditën tonë të shkëlqyer. Vendin tonë e ka bekuar Zoti me gjithë të mirat, ta shohim si amanet që duhet ta mbajmë siç i takon amanetit të ruhet”, u shpreh kreu i KMSH-së.
Fjala e kreut të KMSH:
Të dashur agjërues,
Mëngjesi i kësaj dite është më i bukuri e më kuptimploti për të gjithë ne.
Kemi Bajram dhe kjo na qëllon në ditën më të bukur të javës, ditë bajrami e xhumaje.
Kemi përjetuar një muaj sakrifice dhe ngritje shpirtërore, e lusim Zotin të na ketë pranuar këtë sakrificë, Ai është shpërblyesi më i mirë.
Ky muaj na ka bashkuar në bamirësi e solidaritet, në paqe e dashuri me njëri-tjetrin.
Njeriu i sotëm ka rendur pas kësaj bote, pas pasurisë e pushtetit, duke harruar hyjnore dhe njerëzoren. Te Zoti i gjithësisë as njëra as tjetra nuk bëjnë dobi nëse nuk është devotshmëria.
Nuk është e askujt kjo botë, askush nuk e ka zotëruar e nuk do ta zotërojë kurrë.
Të dashur motra dhe vëllezër
Ramazani është adhurimi më intim i njeriut, ndaj edhe shpërblimin për të Zoti e ka vlerësuar shumë të madh.
Ramazani nuk është vetëm lënia e të ngrënit e të pirit. Ramazani është lënia e veseve, përgojimit, thashethemit, lënia e punëve të pa dobishme. Ashtu siç heqim një rrobë të pistë nga trupi për ta larë, ashtu shpreson edhe besimtari të ketë dalë sot, i pastër nga gjynahet, i falur e i mëshiruar nga Zoti.
Sfida fillon sot për çdonjërin prej nesh. Të vijojmë jetën me vitytet që kemi fituar në këtë muaj të begatë.
Ramazani na mëson që të bëhemi shërbëtor të së mirës dhe së drejtës.
Duhet të jetë virtyti themel i veprimtarisë sonë të përditshme.
Të dashur qytetarë,
virtyti nuk është fantazi.
Në ditët e sotme ndoshta ua thonë kështu, por mos harroni se ata që ua thonë janë të pasinqertë.
Ata duan qëllimisht t’ju sugjerojë dhe shtyjnë drejt maksimave të rreme, të cilat herët a vonë do të shkaktojnë dëm për vetet tuaja.
Krijoni raport të drejtë e të ndershëm me virtytin, le të jetë ai udhërrëfyesi i jetës tuaj. Sa më të shumtë të jenë njerëzit e virtytshëm, aq më shumë do të dekurajohet e keqja dhe shërbëtorët e saj.
Profeti Muhamed (a.s.) na porosit që të keqen ta largojmë në tre mënyra nga mesi jonë- ta largojmë me dorë, e nëse nuk mundemi me dorë, ta largojmë me fjalë, e nëse edhe me fjalë nuk mundemi, ta largojmë me zemër, por kjo është më e dobët se dy të parat.
Themeli i vitytit është drejtësia.
Motra dhe vëllezër,
kujdesuni që Kombi jonë të rritet nëpërmjet virtytit!
Secili nga ne e ka detyrë të kontribuojë për të frenuar mpakjen e kombit. Po pakësohemi dita-ditës. Ne që kemi qenë një nga popujt me moshën më të re në Europë po plakemi me ritme shumë të shpejta.
Pse duhet të zgjedhim rrugën më të lehtë, braktisjen e vendit, në vend të qëndrimit këtu dhe të forcimit të kombit tonë.
Të lindim fëmijët këtu, t’i rrisim këtu në vendin tonë si qytetarë me virtyte dhe të dorës së parë në vend që t’i çojmë si qytetarë të dorës së dytë nëpër botë!
Familja është bërthama e çdo shoqërie. Ta forcojmë atë ashtu siç e kemi traditën tonë të shkëlqyer.
Vendin tonë e ka bekuar Zoti me gjithë të mirat, ta shohim si amanet që duhet ta mbajmë siç i takon amanetit të ruhet.
Unë besoj se me ndihmën e Zotit ne do t’ia dalim ta bëjmë Shqipërinë më të mirë, për veten tonë dhe për fëmijët tanë.
E për ta bërë vendin më të mirë, kontributi parësorë është vendosja e një raporti të drejtë me të vërtetën dhe të drejtën nga secili prej nesh.
Të dashur qytetar,
ky vit shënon një ngjarje madhore për islamin dhe kombin shqiptar.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shënon 100-vjetorin e themelimit të tij.
Ka qenë një rrugëtim i mundimshëm, por i bukur. Unë personalisht dhe institucioni që drejtoj, jemi krenarë për historinë tonë. Jemi krenarë për paraardhësit tanë në këtë shekull.
Ne i kemi dhënë dhe vazhdojmë t’i japim kësaj shoqërie, këtij kombi vlerat më të larta e më të sinqerta.
Falë besimtarëve dhe drejtuesve të besimeve në Shqipëri ne i kemi kontribuar këtij kombi një nga vlerat me të cilat krenohemi të gjithë, kudo, harmoninë dhe dialogun ndër fetar.
I tillë do të vazhdojë ky kontribut edhe në të ardhmen me lejen e Zotit.
Për të patur vazhdimësi kjo vlerë e komuniteteve fetare, duhet që çdo komponent i shoqërisë tonë të kujdeset për të mbrojtur meritën dhe ta shpërblejë atë kudo që ajo ndodhet.
Motra dhe vëllezër,
ta lusim Zotin që ky muaj që po lemë pas të na ketë bërë njerëz më të mirë.
Të na ketë bërë më të vëmendshëm ndaj të varfërve, ndaj kategorive të margjinalizuara të shoqërisë. Të jemi më të ndjeshëm dhe më solidarë me njëri-tjetrin.
Të kujdesemi për miredukimin e fëmijëve. Të shtrijmë dorë e mëshirës dhe kujdesit ndaj prindërve, fqinjëve, e cilitdo që ka nevojë për ne.
Zoti na pastë fal mëkatet në këtë muaj të faljes!
Zoti u bekoftë ju, familjet tuaja dhe kombin tonë!
Amin!