Tendenca e pronësive të kompanive në sektorët strategjikë ka ndryshuar ndjeshëm gjatë dekadës së fundit.
Nëse më parë kapitali i tyre bazohej te vendet e Bashkimit Europian, një pjesë e mirë e firmave të njohura janë larguar, duke u zëvendësuar me shtete të tjera, me pronësi shqiptare, turke dhe kineze apo edhe kompani të regjistruara në parajsa fiskale.
Banka më e madhe në Shqipëri është turke dhe e dyta shqiptare. Në fushën e prodhimit të energjisë dy kompanitë më të mëdha që dominojnë tregun janë turke. Në fushën minerare, kompania që ka minierën më të madhe është turke. Prodhimi i naftës dominohet nga një kompani me bazë në Kinë dhe shpërndarja për konsum nga firma shqiptare. Në fushën porteve tregu ndahet mes sipërmarrësve shqiptare dhe kompanisë nga Emiratet e Bashkuara Arabe Eagle Hills Development, ndërsa aeroportet dominohen nga kompani shqiptare.
Asnjë nga sektorët strategjikë të vendit nuk dominohet nga firma me kapital të Bashkimit Europian apo Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe pse në politikën e jashtme të vendit këto shtete konsiderohen si partnerët tanë strategjikë!
“Janë kompani që vijnë nga vende jo të Bashkimit Europian të cilat korrupsionin e kanë kosto të aktivitetit dhe që i përshtaten kushteve të tregut sa i takon konkurrencës. Vendimarrja e lobistëve nga grupet e biznesit dhe politika është bërë më e kompromentuar së fundit.” thotë Zef Preçi, drejtor i Qendrës për kërkime Ekonomike.
Sektori më i madh që ka përjetuar ndryshime është ai bankar. Nga 16 banka në vitin 2018, sot numri i bankave që operojnë në Shqipëri është 11. Shumica e shitjeve është përqëndruar te bankat që kanë patur kapital grek, por dhe të vendeve të tjera të Bashkimit Europian.
Credit Agricole me kapital francez u ble nga ABI Bank, aksionet e të cilës zotërohen nga kompani të regjistruara në Delaëare dhe Ishujt Kajman, të dy vende të njohura si parajsa fiskale, por banka qëndrore e klasifikon kapitalin e saj si shqiptar. Më pas ABI Bank zgjerohet duke blerë edhe një bankë tjetër me kapital grek, Bankë Kombëtare të Greqisë NBG.
Veneto Bank me kapital italian u bashkua me një tjetër bankë italiane, Intesa San Paolo përmes një blerje që u realizua mes dy kompanive mëmë.
Banka e Tiranës e cila zotërohej më parë nga grupi i Pireut me bazë në Greqi, u ble nga kompania shqiptare Balfin dhe 10% të aksioneve nga një kompani në Maqedoninën e Veriut.
Banka me kapital francez Societe Generale iu shit bankës OTP me kapital hungarez e bazuar me degë më shumë në pjesën e Europës Lindore. OTP ble pas disa vitesh edhe Alpha Bank, e cila kishte 100% të kapitalit të saj me bazë në Greqi.
Shqiptarët e Union Bank kanë blerë para disa vitesh Bankën Ndërkombëtare Tregtare ICB me kapital zvicerian, dhe po ashtu edhe Banka e Bashkuar e Shqipërisë në zotërim të Bankës Islamike për Zhvillim ndryshon pronësinë, ku 66% të aksioneve të saj merren nga firma shqiptare Eurosig.
Sot në Shqipëri kemi 5 banka me kapital të Bashkimit Europian: Raiffeisen Bank me bazë Austrinë, Pro Credit me bazë Gjermaninë, Intesa San Paolo në Itali, Fibank me kapital bullgar dhe OTP hungarez.
Banka më e madhe është BKT e cila ka kapital turk, e ndjekur nga Credins Bank me kapital shqiptar dhe Raiffeisen me kapital austriak.
Në fushën e energjisë elektrike, shpërndarja dhe transmetimi i energjisë janë tërësisht shtetërore. Në prodhimin e energjisë elektrike janë 4 kompani të cilat bëjnë kanë peshën kryesore në treg: Devolli HydroPoëer i zotëruar nga kompania norvegjeze Statkraft, Ayen Energy nga shoqëri me kapital turk, Kurum Energy nga kompani turke dhe Ashta Energji e cila zotërohet nga kompani austriake. Hidrocentralet e vogla private ndahen mes kompanive shqiptare dhe italiane.
Tregu privat i prodhimit të energjisë dominohet nga firma me kapital turk, të cilat zinin gjysmën të prodhimit jo publik vitin e shkuar.
“Një tendencë që është vënë re gjatë dekadës së fundit është largimi i kompanive me origjinë nga vendet e bashkimit Europian dhe zëvendësimi i tyre me kompani turke, kineze, arabe dhe ndoshta indirekt nga Rusia apo vende sllave të rajonit.” thotë Zef Preçi, drejtor i Qendrës për kërkime Ekonomike.
“Kompanitë me marka të huaja janë të rëndësishme sepse vendosin standard dhe sjellin përvojën e mirë të qeverisjes korporative. Nëse një gjerman vjen dhe thotë unë do blej tokën nuk kam siguri nëse pronësia më mbetet mua, atëherë përse do të investoj në Shqipëri?!” thotë Arben Shkodra, sekretar i Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë.
Në fushën e prodhimit të naftës, firma e cila ka afërsisht 80% të prodhimit është Bankers Petroleum. Bankers zotërohej në fillimet e saj nga kompania Saxon e regjistruar në ishujt Kajman dhe më vonë u ble nga një grup kanadez. Prej vitit 2016 kapitali i saj kontrollohet tërësisht nga kompania kineze Geo Jade Petroleum.
Tregu i importit të naftës kontrollohet tërësisht nga shoqëri shqiptare. Shumicën e tij e zotëron Kastrati Group me 38.8% të tregut, ndërsa pjesa e mbetur ndahet me Gega Oil, Europetrol Durrës, Bolv Oil dhe Eroil.
Ndër vite tregu ka patur pjesëmarrje të aksionerëve dhe grupeve turke e greke, por tashmë zotërohet tërësisht nga firma shqiptare.
Në tregun minerar shumica e kompanive të licensuara janë shqiptare, ndërsa ndërmarrja më e madhe e prodhimit dhe përpunimit të kromit në Bulqizë, Përrenjas dhe Pojskë, Albchrome, dikur me pronësi italiane e më pas shqiptare, tashmë është në pronësi të grupit me kapital turk Yildirim Mining Investments.
Portet tregtare kanë qenë të gjitha të menaxhuara nga kompani shtetërore. Vitet e fundit fokusi është zhvendosur në dhënien e tyre me koncesion për kthimin në marina turistike nga grupe private.
Porti i Vlorës është marrë nga një konsorcium me kompani shqiptare dhe së fundi Porti i Durrësit do të shndërrohet në një kompleks rezidencial banimi me një marinë turistike nga një kompani me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe pjesërisht në pronësi të shtetit shqiptar.
Edhe pronësia e aeroporteve bazohet në pjesën dominuese nga firma shqiptare. Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës dikur në pronësi të një grupi gjerman, u ble më pas nga një kompani kineze e cila shiti dy vjet më parë aksionet te firma shqiptare Kastrati group.
Grupi Kastrati del i lidhur edhe me aeroportin e Kukësit, ku 100% të aksioneve të kompanisë sot e ka Ridgers Mema përmes kompanisë Global Technical Mechanics. Mema ka qënë më parë i punësuar në poste drejtuese të firmës Kastrati.
Kontrata e Aeroportit të Vlorës është në pronësi sot të biznesmenit nga Kosova, Behgjet Pacolli, ndërsa kompania turke YDA group, i shiti të gjitha aksionet që zotëronte vitin e shkuar te firma Mabco Construction e zotit Pacolli.
/MCN/