Gjashtë muaj në protestë për banorët e Bërxullës, nuk kanë sjellë asnjë zgjidhje, teksa qeveria ka vijuar punën me projektin për ndërtimin e autostradës së “florinjtë” Thumanë-Kashar, ku do të kushtojë 22 milionë euro kilometri.
Edhe pse gjatë kësaj kohe kanë bllokuar disa herë aksin Qafë Kashar-Rinas dhe herë të tjera i kanë shkuar poshtë zyrës kryeministrit Edi Rama dhe ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku, banorët nuk kanë marrë një plan konkret dëmshpërblimi për banesat e tyre.
Kjo ka bërë që ata t’i drejtohen sërish rrugës nacionale mëngjesin e kësaj të diele, për të kërkuar me protestë të drejtën e tyre për shpronësim të pronës me vlerën e tregut.
Duke qenë se kërkojnë shpronësimin e drejtë të pronave mbi të cilat kalon gjurma e aksit Thumanë-Kashar, banorët deklarojnë se nuk do lejojnë punimet pa parë dokumentacionin dhe se do përshkallëzojnë protestat.
Sipas banorëve çmimi për metër katrorë që qeveria synon t’i dëmshpërblejë është qesharak, aq sa edhe vetë kryebashkiaku i Vorës sipas tyre është shokuar nga njoftimi.
“Ky projekt nuk është bërë në terren, si është gjurma e rrugës në terren, është bërë në Itali nga Google. Na ka ardhur një çmim, 517 mijë lekë për metër katror për banesa. Kreu i Bashkisë Vorë dhe ai vetë është shokuar kur mori vesh çmimet që solli firma. Ne nuk do t’i lëmë deri sa të vijë dhe të na prezantohet çdo gjë me dokumente. Duhet të vijnë me dokumente sa nënkalime do bëhen, rrugët dytësore. Ne do t’i përshkallëzojmë protestat, do rrimë dhe me ditë”, u shpreh një përfaqësues i banorëve për mediat.
Ndërkohë, panorama e protestës së sotme, është e përbërë nga burra, gra e fëmijë, të cilët nuk dorëzohen për të mbrojtur investimet e një jetë dhe janë ulur në asfalt për të bllokuar klaimin e mjeteve.
“Rama dhe Balluku janë fajtorë”, shprehen të indinjuar banorët e Bërxullës, teksa nënvizojnë se shteti po i mashtron.
“Fajtor kryesor është shteti dhe ministrja Belinda Balluku. 6 muaj nuk sjell një përfaqësues, nuk ka asnjë reagim. Çfarë po pret nga banorët? Po pret qetësi? Përderisa nuk më jep zgjidhje unë e di si do reagoj”, nënvizoi një protesues.
“Na ka mashtruar shteti. Nuk ka zgjidhje për ne. Shteti po na mashtron. Po kërkojmë diçka legjitime. Po kërkojmë shpronësimin, rrugën. Të vijnë të ulen. Kërkojmë atë që na takon me të drejtën e Zotit, me të drejtën e ligjit. Çfarë është ky shtet, kryeministri nuk mban përgjegjësi, ministrja nuk mban përgjegjësi”, shtoi një qytetare.
Ndërkohë, një e moshuar akuzon kryeministrin se po i procedojnë penalisht vetëm se kërkojnë të drejtat e tyre.
63-vjeçarja shprehet se ka tentuar të vetëflijohet, pasi nuk sheh zgjidhje për këtë problem dhe përmend me emër Edi Ramën, ministren Balluku dhe kreun e ARRSH-së, Ervis Berberi si përgjegjësit kryesor për gjendjen e banorëve të Bërxullës.
“Kemi 6 muaj që protestojmë. Jemi të lodhur. Nuk do ta lirojmë rrugën. Nuk i do qejfi se i prishet interesi, leku. Ky shtet për kë punon. Edi Rama shkoi në Angli, këtej i ka masakruar shqiptarët. Kush do përgjigjet për ne. Unë jam invalide, rajoni i policisë më çoi në prokurori për ndjekje penale. Hipa në shtyllë për t’u vetëflijuar. Ja letrat që më ka sjellë prokuroria, se më ka çuar për ndjekje penale. Turp e faqe e zezë! Një nënë 63-vjeçare. Edi Rama, Belinda Balluku, Ervis Berberi ku është. Këtu është një masakër e vërtetë. Turp e faqe e zezë për këta ministra. Me votat e qytetarëve erdhi në pushtet Edi Rama. Dikur thoshte nuk zbret Sala nga kali, tani nuk po zbret vetë”, deklaroi ajo.
Më tej me një mesazh drejtuar qeverisë, banorja e Bërxullës theksoi se nuk do t’i lëshojnë pronat e tyre.
“Ta heqë nga mendja qeveria, bashkë me Ballukun se ne nuk i lëmë. Ta anulojë rrugën. Mos të kujtojë Belinda Balluku se ka ngjitur majat, por atëherë kur je në majë të hedh Zoti poshtë. Turp të ketë, është dhe grua dhe nënë. U bënë 6 muaj që protestojmë. Edi Ramës iu shoftë çdo gjë! Edhe asaj Belinda Balluku. Kanë ngrënë e kanë pirë në këtë fshat sa u ka dashur qejfi. Të vret, të merr pronën, nuk lë gjë pa bërë. Ku është ky SPAK, kjo gjykatë”, tha protestuesja.
Ndërkohë, në një moment situate është tensionuar ndjeshëm teksa njëri prej protestuesve ka nxjerrë një shishe me benzinë teksa fliste para mediave, duke thënë se ka menduar të vetëflijohet, por vetëm “besa e dhënë” ndaj vajzave e ka ndaluar ta bëjë këtë gjë sot.
“Rracë më të poshtër nuk ka. Ky është ai që vret. Ky të merr pronën. Nuk lë gjë pa bërë. Zoti e ka bërë këtë muaj. Por këto nuk duan asgjë. Ky popull është i gjithi në agjërim përveç atyre që janë sëmurë. Shtetit po ia numërojnë përditë për këtë masakër që bën. Ku është prokuroria, gjykata, SPAK-u?! Tallen atje në karrige. Radhën tjetër thashë do flijoj veten. Sot nuk e bëj. I kam dhënë besën vajzave të mia në Itali. Është krim të vrasësh veten për këta. Por të detyrojnë duke u tallur me popullin. Nuk është dhënë as dëmshpërblimi i asaj rruge”, tha ai.
Ndërkohë, shishja e benzinës që mbante në dorë i është rrëmbyer me shpejtësi nga një efektiv policie, në momentin që e tregoi nga kamerat.
Kjo e revoltoi më tepër protestuesin, i cili u shpreh se “nuk k eçe do jetën” kur shteti bën masakër dhe nuk u thotë banorëve që humbasin gjithçka kanë ndërtuar, që të ulen të gjejnë një zgjidhje për çështjen.
“Të kesh turpin më të madh. Ja vëllezër shikoni se çfarë bëhet. Të bësh masakër, nuk ke çe do jetën. Nuk thotë kush hajde flasim. Nuk ka më keq më. O vëllezër o motra le të na vrasin. Ne do ta ndjekim rrugën tonë ligjore. Do i drejtohemi Strasburgut”, u shpreh ai.
Ndërkohë që nesër qytetarët kanë deklaruar se nga ora 10:00 do të bllokojnë rrugën deri në plotësimin e kërkesave që kanë.
Projekti i autostradës Thumanë-Kashar
Sa i përket projektit për ndërtimin e autostradës Thumanë-Kashar, qeveria ka zgjedhur formatin e Partneriteti Publik-Privat, që do t’i kushtojë Shqipërisë, plot 1.3 miliardë euro për 35 vite.
Koncesioni është fituar në muajin maj të vitit 2022 nga kompanitë “G2 INFRA” dhe “Gener 2” dhe do të kushtojë katër herë më shumë se rrugët që ndërtohen në Bashkimin Europian.
Vlera është shumë më e lartë krahasuar edhe me vetë shifrat e qeverisë shqiptare, e cila në Listën e Investimeve Strategjike 2019-2020 zbulonte se me fondet e veta rruga do të ndërtohej për 169 milionë euro.
Me marrëveshjen e re të negociuar nga qeveria, tarifa për rrugën do të indeksohet me inflacionin dhe në 8 vitet e para shteti vendos garanci prej 22.8 milionë eurosh që të mblidhen të ardhurat e planifikuara. Koncesionarit i njihet dhe e drejta për të mbledhur të ardhurat shtesë, për të cilat do paguajë vetëm një tatim-fitim.
Rruga me një gjatësi 21 kilometra fillon në Thumanë dhe sipas raportit vazhdon deri në autostradën Tiranë – Durrës, me te cilën lidhet me anë të një nyje të re në disnivel.
Autostrada e re do të kalojë në zonat urbane dhe gjysmë-urbane të Thumanës, Fushë Krujës, Rinasit dhe Vores dhe do të lidhë 2 pika: segmentin me 4 korsi në Thumanë në veri (Fillimi i projektit) me autostradën Tiranë-Durrës në jug (Fundi i projektit).
“Shpejtësia e projektuar për këtë kategori rruge do të jetë nga 90 në 140 km/ore (me tabela kufizimi shpejtësie për 130 km/ore. Përsa i përket funksionit kryesor që do të kryeje kjo autostradë në te ardhmen, ajo i përket Kategorisë A -Autostradë. Kategoria A, përbehet nga dy karrexhata te pavarura të ndara nga një barrierë sigurie e pakalueshme, secila me të paktën dy korsi, bankinë të shtruar në të majtë dhe korsi emergjence në të djathtë, pa kryqëzime në nivel, dhe me kontroll strikt të aksesit” thuhet në raport.
Gjurma ku kalon rruga
Rruga fillon nga Thumana, 150 m në brendësi të Rrugës me 4-korsi që lidh Milotin me Thumanën në drejtim të Fushë – Krujës. Rruga vijon me një kthesë djathtas dhe vazhdon e drejtë deri në afërsi të Fushë-Krujës.
Më pas me anë të një kthese të dyfishtë i afrohet Aeroportit të Rinasit. Rruga vazhdon në krahë të djathtë të rrugës automobilistike të Rinasit, deri në lidhjen e saj me Autostradën Tiranë-Durrës në Kashar.
Janë identifikuar 13 fshatra/zona kadastrale në të cilat kalon gjurma e projektit , të cilat janë pjesë e bashkive të Tiranës, Vorës, dhe Krujës. Nga të cilat rreth 90 % e saj është toke bujqësore, pra vlerësohet rreth 90 ha tokë bujqësore e ndikuar nga projekti.
Segmenti i ri rrugor kalon përgjatë disa qendrave të banuara të cilat përfshihen në disa njësi administrative dhe bashki. Traseja e ka pikënisjen në zonën e Kasharit (Bashkia Tiranë) për të vazhduar nëpër njësitë Bërxullë dhe Prezë (Bashkia Vorë) dhe kryesisht në territoret e Niklës, Fushë Krujës, Bubqit dhe Kodër Thumanës (të Bashkisë Krujë).
Qendrat kryesore të banuara përgjatë aksit rrugor janë fshatrat: Bërxullë, Gjeç Fushë, Rinas, Breg Shkozë, Bilaj, Bilaj 1 dhe Thumanë. Largësia e këtyre fshatrave nga traseja e rrugës varion nga 10 deri në 250 m në të dy anët e saj.
Nga inspektimi është vënë re se përgjatë aksit ka banesa të shpërndara por që nuk formojnë qendra të përqendruara banimi dhe nuk pasqyrohen as në sistemin e hartave ekzistuese” thuhet në dokument.
LEXO EDHE:
Aksi Thumanë-Kashar/ Banorët e Bërxullës sërish në protestë, bllokojnë rrugën e Rinasit
Bërxulla proteston/ “I dhashë besën vajzave”, banori nxjerr shishen e benzinës për t’u vetëflijuar
“Rama nuk zbret nga kali”/ Banorët e Bërxullës të revoltuar: Turp për këtë qeveri