Deputetja demokrate Albana Vokshi u ndal te raporti i fundit DASH gjatë fjalës në Kuvend, duke cituar se korrupsioni është i përhapur në çdo nivel qeverisje.
“U mahnita nga fjala e ministres, zv.kryeministres. Më solli në mend fjalimet në pleniumet e Partisë Komuniste, që i thurnin lavde diktatorit Enver Hoxha”, tha Vokshi, duke iu referuar një fjalimi të mëparshëm të Belinda Ballukut nga flotja e Kuvendit, e cila u rrek ta pasqyronte raportin si pozitiv për qeverinë.
“Energjia, një nga sektorët më të rëndësishëm, por ku vjedhja e korrupsioni kanë qenë në nivelet më të larta. E keni shndërruar energjinë në sektorin nga i cili përfitohet dhe abuzohet më shumë. Korrupsioni, një nga problemet kryesore, madhore të ngritura nga raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut 2022. Nëse përtoni ta lexoni, dëgjoni kronikën ose lexoni përmbledhjen në shqip të Zërit të Amerikës, media zyrtare në Amerikë. Cfarë thotë raporti? Mangësitë në pavarësinë e gjyqësorit, mungesa e pavarësisë në media, korrupsioni, janë problemet kryesore në Shqipëri. Korrupsioni i përhapur në çdo nivel qeverisje – thotë raporti. Media e kërcënuar, media jo e lirë – thotë raporti”, tha Vokshi.
Biznesi
Më tej, u ndal te qasja e qeverisë ndaj bizneseve në pronësi të personave kritikëve të Ramës.
“Bizneset mbyllen me urdhër dhe me tritol. Aty përmenden si shembuj, mbyllja me forcë e një ambienti biznesi të një deputeti të opozitës (AgronShehaj). Raporti përmend: ‘Disa pronarë biznesesh, aktivistë të shoqërisë civile dhe politikanë akuzuan qeverinë për aplikim selektiv të ligjit për sekuestrimin e pronave për qëllime politike. Në tetor, IKMT dhe Policia e Shtetit Shqiptar mbyllën me forcë ambientet e biznesit të një deputeti të opozitës, duke përmendur shkeljen e kërkesave të ndërtimit. Por, deputeti është vënë në shënjestër, pasi akuzoi vazhdimisht dhe publikisht zyrtarët të lartë të qeverisë për korrupsion’. Si asnjëherë më parë, sulmet ndaj bizneseve përmenden specifikisht, e si presion mbi mediat. Përmendet shembja në dhjetor e një hoteli nga Inspektorati Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit, duke përmendur edhe që pronari i hotelit ishte edhe pronar i disa mediave dhe bizneseve të tjera, pretendon se hoteli i tij u shkatërrua për të heshtur kritikat dhe kundërshtimet”, tha deputetja.
Media
Albana Vokshi, kryetare e komisionit të medias u ndal dhe te sulmet e qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama ndaj mediave që pasqyrojnë skandalet e qeverisjes së tij.
Prej kohësh, tha Vokshi, PD ka denoncuar situatën alarmante të lirisë së medias në Shqipëri.
Deputetja solli në vëmendje raporte të mëparshme për këtë çështje, ndërsa solli në vëmendje edhe veprimet konretete të kreut të qeverisë, Edi Rama.
“A ka transparencë pa media të lirë?? JO! A ka llogaridhënie pa media të lirë?? JO! Sepse pa media të lirë nuk ka informim të publikut, e për rrjedhojë nuk ka zgjedhje të duhura e të lira nga qytetarët për qeverisjen e tyre. Media e Lirë ka qenë dhe mbetet kusht i panegociushëm për hapjen e negociatave. Për situatën e rënduar për mediat dhe gazetarët, kanë folur të gjitha organizatat ndërkombëtare e kombëtare që trajtojnë çështje të mediave e të lirive e të drejtave.
Ka reaguar në të gjitha raportet e viteve të fundit. Reporterët pa kufij që kanë ngritur alarmin që pa liri të medias, “Rruga për në Bashkimin Europian është e gjatë”. “Sulmet ndaj medias si nga qeveria, ashtu edhenga krimi i organizuar arritën në një nivel të paprecedentë.” Situata e lirisë së medias paraqitet e rrezikuar nga “kërcënimi i pavarësisë editorial”. Shqipëria ka zbritur nga vendi i 83, në vendin e 103, pra ka rënë plot 20 vende në renditjen e indeksit të lirisë së medias. Shteti shqiptar ka dështuar t’i mbrojë gazetarët edhe nga dhuna policore.
“Klasa politike kërcënon pavarësinë e redaksive nëpërmjet institucioneve shumë të politizuara. Gazetarët kritikë ndaj qeverisë përballen me sulme të rregullta politike që synojnë t’i diskreditojnë ata dhe ata kanë vështirësi në aksesin e informacionit publik, gjë që rrezikon kufizime të mëtejshme nga një centralizim i fundit i komunikimit të qeverisë”. “Si pasojë e të gjithë këtyre kushteve është përhapur vetë-censura”. Raporti i Komisionit European, tetor 2022, trajton cënimin e lirisë së mediave, problemet më korrupsionindhe shoqërinë civile. FREEDOM HOUSE ndalet po ashtu gjatë në rrezikimin e lirisë së mediave në Shqipëri. Kjo ndodh sepse Kryeministri Edi Rama e urren median e lirë, urren mendimin e lirë, urren fjalën e lirë, urren opozitën. Ndaj i sulmon e i shantazhon në të gjitha mënyrat”, tha Vokshi.
Sipas saj, Edi Rama është shndërruar në një diktator të medias Edi Rama, kërkon të kontrollojë plotësisht atë.
“Parimi i Edi Ramës është: atë që nuk e blen dot me tendera, koncesione, licensa – e kërcënon, shantazhon, fyen, përçmon, e kallëzon, e padit. E së fundi edhe e shkatërron, duke vepruar jo si shtet, por pushtet, duke vepruar si bandë, si organizatë kriminale që nuk pyet për kushtetutë, për ligje, për gjykata, për procedura… Liria e shtypit pra në Shqipëri ditë pas dite.. Vetëm pak javë më parë Edi Rama është drejtuar, nga kjo sallë parlamenti, me nota kërcënuese dhe përçmuese drejtuesve dhe medias, Syri. I kujtojmë organizatave të lirisë së shtypit, në Shqipëri dhe Europë, se vetëm para disa javësh u hodh në erë prona me leje e një prej botuesve më të mëdhenj në Shqipëri, mediat e të cilit kishin filluar të zbatonin një linjë editoriale kritike me qeverinë. Edi Rama përbën një këcënim të hapur, dhe armikun publik numër 1 të medias së lirë, lirisë së fjalës, pluralizmit dhe idesë së integrimit europian të vendit.
Kujtojmë Agon Channel, që u mbyll dhe u kushtoi taksapaguesve shqiptarë 120 milion euro, pasi pronari i tv fitoi gjyqin në Strasburg. Jam e sigurt që ky fat do të ndiqet edhe në rastin e fundit të Prestige Resort. RTV Ora, u kontrollua, intimidua dhe konfiksua, dhe me gjasë, një faturë të ngjashme do paguhet edhe për të. Nëse reagimi nuk është i përgjithshëm dhe i fuqishëm, i të gjithë qytetarëve si brenda dhe jashtë vendit, Shqipëria do të jetë një Kore Veriu në mes të Europës. Politika e Ramës “o me mua, ose kundër meje dhe i përcaktuar për asgjësim’, si në rastin e Prestige Resort, është një metodë staliniste dhe enveriste. Akti i djeshëm i Edi Ramës për sekuestrimin të Prestige Resort, është kambanë alarmi, që duhet të na zgjojë të gjithëve. Akt që nuk ka lidhje me zbatimin e ligjit. Por bëhet për ndëshkimin e mediave që nuk i binden Edi Ramës! Po, a i kemi bërë një pyetje vetes? A mund të konfiskojë qeveria pasuritë private? Në cilin vend të BE apo edhjashtë BE, vijnë si bandë, pa urdhër, ose vetëm me urdhër të Edi Ramës, për konfiskim apo për shembje? Pa pritur vendimin e gjykatave? Pa pasur asnjë dokumentacion?! Jam ndodhur aty kur tentohej të konfiskohej godina e një kompanie të deputetit të Partisë Demokratike, Agron Shehaj. Asnjë procedurë e ndjekur, asnjë dokumentacion. Kishin ardhur si bandë, dhjetëra makina policie, kishin vënë shiritin si skenë krimi, dhjetëra policë. Për çfarë? Vetëm pse Agron Shehaj ka denoncuar raste skandaloze korruptive të kësaj qeverie”, tha deputetja.
“Akti i djeshëm i Edi Ramës përbën një kërcënim serioz për të gjithë ne. Nuk është vetëm Prestige Resort i kërcënuar. Është prona e çdo qytetari shqiptar e kërcënuar. Tashmë në Shqipëri, shteti ligjor ka rënë! Nuk kemi asnjë siguri ligjore! Nuk siguri juridike! Nuk ke siguri prone! Sot mund të të vijnë, të trokasin në derë e të të thonë: dil përjashta se më duhet prona jote. Ashtu siç vepruan me shtëpitë e legalizuara, apo në proces legalizimi në Astir, Bregun e Lumit etj. Sot liria e fjalës është në rrezik. Sot liria e mendimit është në rrezik. Sot liria e veprimit është në rrezik. Sot liria e votimit është në rrezik”, shtoi.
Apeli
Deklaratën e mbylli me një apel për qytetarët:
Sot kam një thirrje për çdo qytetar shqiptar: Të bëhemi bashkë! Reagojmë, sepse Bashkë fitojmë!!! Bashkë fitojmë, ndaj këtij monizmi të instaluar nga Edi Rama, duke u mbështetur mbi bandat, krimin dhe korrupsionin. Fitojmë ndaj kësaj të keqe të madhe për Shqipërinë e për shqiptarët!