Deputeti shqiptar në parlamentin e Suedisë, Adnan Dibrani është shpallur hero në Malin e Zi, pasi shpëtoi nga mbytja një foshnjë në lumin “Moraça”.
Në një lidhje me “Shqipëria Live”, ai rrëfeu se ishte rastësisht në atë moment në rrugë, kur foshnja ishte mbi ujë, ndërsa gjyshja e tij ishte mbytur.
“Po e mbante sipër uji. Nuk e di çfarë kam bërë, nuk e di si, por fëmija ka shpëtuar, kur doli uji nga organet atëherë hapi sytë. Shkova shpejt për tek ambulanca, për ne na u duk koha e një jete, janë minuta, kur e kam parë atë gruan, një minutë kemi parë çfarë po bëhej, ka bebe apo kukull. Kur ka nisur të jepte zë, doja vetëm t’i jepja oksigjen, në atë moment nuk kam menduar asgjë. Kam folur me qeverinë në Mal të Zi, me kreun e parlamentit, ende nuk kam komunikuar me prindërit, më kanë treguar se si është puna. Është djalë, ka dy muaj, deri tani po shpresojnë që mos të ketë marrë lëndime”, tha Dibrani.
Sa i përket ngjarjes, media malazeze “Vijesti” raporton se 62-vjeçarja me inicialet K.K. (gjyshja e foshnjës) ka ndërruar jetë dje rreth orës 11:20 pasi u hodh në lumin Moraça bashkë me nipin e saj dy muajsh në krahë.
Foshnja u shpëtua dhe trupi i pajetë i gjyshes së saj u nxor nga uji pak pasi, jozyrtarisht, pohon policia, ajo vendosi të shkonte në vdekje me të.
Nipin e saj e nxorën nga uji punëtorët e ndërmarrjes së Podgoricës “Zelenilo” Aldin Ibrahimoviq dhe Almir Mujak , të cilët u ndihmuan nga Demaj Spejtimi.
Tre punonjësit ishin duke punuar në afërsi të urës “Bllazh Jovanoviç” kur kanë parë se foshnja ishte në ujë. Ibrahimoviç dhe Mujak kanë vrapuar drejt lumit dhe e kanë tërhequr djalin në breg, ndërsa Adnan Dibrani ka rikthyer ne jetë foshnjën që kishte humbur ndjenjat.
Pak kohë më pas, në bregun e Moraçës mbërriti një ekip i Shërbimit Mjekësor të Urgjencës, i cili e transportoi foshnjën në spitalin e fëmijëve.
Sipas informacioneve jozyrtare të “Vijesti”, foshnja ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në të njëjtën kohë kur lufta për jetë po zhvillohej nën urë, prindërit e fëmijës dy muajsh po e kërkonin atë. Ata dolën me vrap nga shtëpia pasi nëna e djalit dyshohet se mori një mesazh shqetësues nga gjyshja e foshnjës.
Ndërkohë, vetë Dibrani zbuloi se ndodhej në Podgoricë si pjesë e misionit vëzhgues të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës ditën e zgjedhjeve presidenciale në Mal të Zi.
Ai është me origjinë nga Mitrovica dhe ka emigruar në Suedi në vitin 1992. Ai është deputet i Parlamentit të Suedisë nga radhët e Socialdemokratëve.