Në një kohë kur Europa, disa shtete të Azisë dhe SHBA-së po vuajnë pasojat e valës së gripit të shpendëve, prodhimi shqiptar është i shëruar një vit pas epidemisë. Sektori i shpendarisë, i goditur vjet nga influenca aviare e gripit H5N8 ka arritur të zëvendësojë pa ndihmën e subvencioneve të shtetit 90% të shpendëve të dëmtuar, sipas ekspertëve të sigurisë ushqimore.
Rikuperimi i industrisë ka rikthyer prodhimin e lartë (kujtojmë se ndër vite, veza në Shqipëri ka pasur mbiprodhim). Por në tregun e brendshëm, kërkesa është tkurrur deri në 40% krahasuar me vjet nga emigracioni, ndërsa në tregun ndërkombëtar, çmimi i lartë i vezëve në bursë ka ndikuar në rritjen e eksporteve. Vite më parë, sipas ekspertëve, eksporti i vezëve shqiptare drejt Bashkimit Europian përdorej për reduktim të stokut, pra për të zbrazur magazinat për shkak të natyrës së produktit.
Aktualisht, kompanitë shqiptare pasi plotësojnë kërkesën vendase, po e eksportojnë pjesën tjetër të vezëve të freskëta në shtete, si Kroacia, Greqia dhe Serbia. Nga të dhënat e kompanive rezulton se në rang vendi, prodhimi vjetor i vezëve varion nga 270 deri në 300 milionë kokrra vezë në vit. Në vitin 2021, prodhimi i vezëve ka qenë me rritje krahasuar me vitin paraardhës.
Sipas bilanceve të dorëzuara në QKB, të ardhurat e shtatë kompanive kryesore të prodhimit të vezëve arrinin në 2,5 miliardë lekë, apo rreth 22 milionë euro. Xhiroja e kompanive në vitin 2021 u rrit rreth 3,5% më shumë se në 2020-n.
Prodhuesit ngrenë shqetësimin për tkurrje të lartë të konsumit në tregun e brendshëm, për shkak të emigracionit. Rënia e konsumit e ndikuar nga largimet, konsiderohet më e larta nga operatorët në 30 vitet e fundit.
“Konsumi brendshëm është në nivelet më të ulëta në këto 30 vjet si pasojë e emigrimit. Në raportet tona, rënia e konsumit shkon rreth 40%. Veza është produkt bazë. Shporta e artikujve ushqimorë ka shënuar rritje dhe për këtë arsye, konsumi i të gjithë artikujve ka pësuar rënie.
Edhe ndryshimi i çmimit të vezës ka ndikuar te konsumi, por jo tërësisht për këtë nivel të lartë rënie. Kryesisht vezët konsumohen nga të rinjtë dhe largimi i tyre reflektohet te konsumi i vezëve. Kjo dukuri nuk është vënë re vetëm te vezët, por edhe në industri të tjera në sektorin e produkteve ushqimore”, pohon Lilo Seraj nga kompania e vezëve “Ovvital”.
Rënia e konsumit theksohet edhe nga kompani të tjera, sipas të cilave, konsumi në Europë gjithmonë ka tendencë rritëse në raport me Shqipërinë, pasi konsumi për frymë i vezëve i europianëve është 3 herë më i lartë se ai i shqiptarëve dhe numri i popullsisë në këto shtete është më i lartë.
Rikuperimi i dëmeve të epidemisë
Në vitin 2022, pularitë nuk u mbështetën me subvencione nga shteti pas dëmit që shkaktoi në mars pandemia e gripit të shpendëve. Një nga operatorët u shpreh se dëmi i shkaktuar nga gripi i shpendëve llogaritet në 1,5
milionë euro.
Më herët, eksperti i menaxhimit të fermave blegtorale, Edi Ferro, vlerësoi se gripi i shpendëve shkaktoi ngordhjen e 500 mijë pulave në rang vendi, apo rreth 50% të pulave në stabilimentet e prodhimit të kompanive. Z.
Ferro rekomandoi se në këtë situatë ishte e nevojshme shpërndarja e subvencioneve nga shteti, me qëllim zëvendësimin e pulave, siç po veprohej në shtetet e tjera të prekura. Kompanitë paralajmëruan se koha e përshtatshme e zëvendësimit të pulave për prodhim varion nga 6 muaj deri në 1 vit, me kosto 3 deri në 5 euro për pulë.
Në total, sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2021 numëroheshin rreth 5,2 milionë pula në vend. Deri në mesin e muajit mars, nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit rural u raportuan 380 mijë pula të ngordhura, apo rreth 8% humbje të pulave të gjalla.
Kompanitë llogarisin se në total, dëmi i shkaktuar nga gripi i shpendëve arrin në 20 milionë euro. “Dëmet e kompanisë sonë shkojnë mbi 1,5 milionë euro, pa llogaritur operatorët e tjerë që patën dëme të larta. Duhet kohë të rikuperohet ky dëm, pasi asnjë operator nuk mori kompensim nga shteti”, pohoi drejtuesi i një prej kompanive prodhuese.
Eksperti i sigurisë ushqimore, Artan Belegu, tha për “Monitor” se gati një vit pas valës së epidemisë së gripit të shpendëve që preku Shqipërinë, pularitë shqiptare kanë arritur të zëvendësojnë 90% të shpendëve të ngordhur.
“Kompanitë e prekura pastruan dhe dezinfektuan rrënjësisht të gjithë mjediset e mbarështimit të shpendëve, ritrajnuan punonjësit dhe kryen investime të rëndësishme për rimbushjen e kapanoneve të zbrazur me shpendë dhe prodhimit të vezëve.
Nga informacionet që zotërojmë sot janë zëvendësuar mbi 90% e shpendëve të dëmtuar. Aktualisht në të gjithë stabilimentet e prodhimit të vezëve janë rreth 1,100,000 shpendë në prodhim”.
- Belegu thotë se prodhimi shqiptar është shumë i sigurt, pasi fermat e prodhimit të vezëve monitorohen rregullisht nga Shërbimi Veterinar shoqëruar dhe me marrje mostrash e kryerje analizash për verifikimin e sëmundjeve që mund të kalojnë nga shpendët te njerëzit, nëpërmjet vezëve apo mishit të shpendëve.
Nga se po vjen rritja e lartë e eksporteve
Në vitin 2022, eksporti i vezëve në sasi u rrit 80% më shumë se në vitin 2021 dhe rreth 2,5 herë më shumë në vlerë. Rritja e eksporteve vijon edhe gjatë këtij viti.
Në muajin janar 2023, eksportet e vezëve janë trefishuar në raport me muajin janar 2022. Në 10 vitet e fundit, sipas të dhënave të Doganave, kjo është sasia më e lartë e eksportit të vezëve e shënuar në janar.
Për shkak të shtrenjtimit në vlerë të çmimit të vezëve në Europë, eksportet e janarit janë 4 herë më të larta se vjet.
Burimi: Doganat
Tendenca rritëse e eksporteve nisi që në dhjetor 2022. Krahasuar me të njëjtën periudhë të 2021, sasia e eksporteve është 24 herë më e lartë. Në vlerë, eksportet janë 27 herë më të larta.
Shkak i rritjes së eksporteve është mungesa e vezëve në tregun europian nga dëmet që ka shkaktuar gripi i shpendëve. Mungesa e prodhimit ka rritur ndjeshëm çmimin e vezëve në bursë.
Sipas të dhënave të Doganave, rreth 50% e eksporteve të muajit janar 2023 janë në Kroaci, ndjekur nga Greqia dhe Serbia. Eksportet janë kryer nga 4 kompani prodhuese, si:” Rea’s sh.p.k.”, “Veza e Mëngjesit”, AIBA dhe “Ovvital”.
Lilo Seraj, nga kompania prodhuese “Ovvital”, tha se ky operator po eksporton vezë të freskëta në Kroaci dhe Greqi. “Europa, Azia dhe Amerika e Veriut po kalon një pandemi në shpendari. Miliona shpendë janë asgjësuar dhe si pasojë, çmimi i vezës në bursë është rritur ndjeshëm.
Për ne aktualisht ka më shumë interes eksporti, edhe për shkak të tkurrjes së konsumit të brendshëm nga emigracioni. Konsumi i brendshëm pritet të ketë rritje në muajt e sezonit turistik.
Ndërkohë edhe eksportet do të vijojnë të kenë interes, pasi situata globale e influencës aviare kërkon të paktën 10-12 muaj që të stabilizohet. Duhen 10-12 muaj që fermat e prekura të arrijnë nivelin e prodhimit.
Edhe përfaqësues të kompanisë “Veza e Mëngjesit” thanë për “Monitor” se po eksportojnë vezë për industrinë e ushqimit në Kroaci dhe Greqi, si dhe për konsum në Serbi. Në raport me vitet e kaluara, sipas tyre, eksportet nuk janë nën kostot e prodhimit, për shkak të çmimit të lartë në vezës në Europë nga mungesa e ofertës.
Edhe për ekspertin e sigurisë ushqimore, Artan Belegu, rritja e eksporteve është ndikuar nga mungesa e prodhimit në Europë, për shkak të gripit të shpendëve.
“Prodhuesit kryesorë të vezëve janë disa nga vendet e BE-së dhe SHBA-së. Përhapja e Gripit të Shpendëve ka prekur një numër të konsiderueshëm të stabilimenteve të prodhimit të vezëve në këto vende.
Masat kundër kësaj sëmundjeje janë radikale dhe shoqërohen me eliminimin e të gjithë shpendëve të prekur apo dyshuar. Kjo ka sjellë uljen e prodhimit të vezëve dhe rritjen e çmimit të tyre.
Këto vende kanë industri ushqimore shumë të zhvilluar dhe përdorin vezë Klasa B për prodhimin e produkteve ushqimore që përmbajnë vezë. Nga ana tjetër, Shqipëria është në prodhim maksimal të prodhimit të vezëve, kërkesa në tregun ndërkombëtar e shoqëruar me çmim të favorshëm ka ndikuar në rritjen e eksporteve. (Kujtojmë se para shumë vitesh, eksporti vezëve në BE përdorej për të eliminuar stokun)”, pohon ai.
Çfarë kategorish vezësh eksportohet në BE; Sa i plotësojnë kushtet e sigurisë ushqimore kompanitë shqiptare?
Kompanitë shqiptare eksportojnë vezë duke i klasifikuar ato si vezë të klasës B, të cilat përdoren në industri. Artan Belegu, eksperti i sigurisë ushqimore, thotë se Shqipëria është në procesin e përafrimit të legjislacionit të sigurisë ushqimore me atë të Bashkimit Europian.
“Në këtë kuadër, edhe për kontrollin e sigurisë ushqimore, përafrimi i legjislacionit ka përparuar dhe kemi në fuqi udhëzime e rregullore të përafruara me kërkesat e BE-së.
Vezët klasifikohen sipas cilësisë më poshtë:
- a) vezët e Klasës A ose të “freskëta” janë për konsum të drejtpërdrejtë nga njerëzit dhe për t’u përdorur në industritë ushqimore ose joushqimore;
- b) vezët e Klasës B dorëzohen vetëm në industrinë ushqimore për përpunim termik (përpunimi termik në industrinë ushqimore nëpërmjet linjave teknologjike të kontrolluara eliminon mikroorganizmat që mund të jenë të dëmshme për njerëzit).
Shqipëria eksporton vezë “Klasa B” në BE prej shumë vitesh.
Ky aktivitet është kontrolluar disa herë nga ekspertët e BE-së (Food and Veterinary Office) dhe kanë konstatuar se plotësohen kërkesat e legjislacionit të BE-së për këto produkte. Aktualisht janë 5 kompani në 6 vendndodhje që kanë të drejtën të eksportojnë vezë Klasa B, Vezë të lëngët dhe produkte vezë në BE”, pohoi ai.
Pse Shqipëria nuk eksporton vezë “Klasa A” në BE? “Që të eksportohet vezë “Klasa A” në BE duhet të plotësohen kërkesat e legjislacionit të BE dhe konkretisht zbatimi i rregullores 2160/2003 të BE “Për kontrollin e salmonelozës dhe shkaktarëve të tjerë të sëmundjeve zoonotike nga ushqimet”.
Një program i bazuar dhe zbatuar në mbështetje të kësaj rregulloreje nga Shqipëria duhet të miratohet nga Komisioni Europian. Kjo është arsyeja që nuk mund të eksportojmë vezë Klasa A në BE”, nënvizon eksperti i sigurisë ushqimore z. Belegu.
Importet e vezëve arritën rekord në vitin 2022
Rënia e prodhimit vendas për shkak të influencës aviare te shpendët që preku Shqipërinë në mars të vitit të kaluar ka çuar në shifra rekord importin e vezëve. Në vitin 2022, importet e vezëve u rritën rreth 5 herë më shumë se në vitin 2021. Në 10 vitet e fundit, kjo është rritja më e lartë e importit të vezëve.
Nga të dhënat e Doganave rezulton se importi më i lartë është nga rrjetet e supermarketeve dhe industri të përpunimit ushqimor që përdorin vezën.
Çmimi i vezës në treg shënon rritje të lehtë
Në muajin janar 2023, eksportet në vlerë u rritën 5 herë më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, sipas të dhënave të Doganave. Operatorë të tregut pohuan se krahasuar me vitet e kaluara, eksportet janë me çmim më të lartë, duke u mundësuar atyre të kompensojnë kostot e larta nga TVSH-ja dhe për herë të parë, të rrisin fitimet. Në bazë të sasisë së eksportuar dhe vlerës së tyre, në muajin janar 2023 rezulton se një kokërr vezë për eksport është shitur 26.3 lekë.
Por rritja e çmimit të vezëve për eksport ka sjellë rritje të lehtë të çmimit edhe në tregun vendas. Kompanitë thonë se çmimi maksimal i vezëve nga pularitë ka arritur në 19 lekë për kokërr nga 17,5 deri në 18 lekë që shitej më parë. Në tregun e pakicës, veza e hapur po tregtohet me 25 lekë nga 23-24 lekë më parë (4 deri në 8,6% rritja).
Para valës së rritjes së drithërave, për shkak të luftës Rusi-Ukrainë, çmimi i vezës me shumicë nga fermat blegtorale ishte 13 lekë për kokërr, ndërsa në tregun e pakicës, 16 lekë për kokërr.
Ndërsa çmimet e vezëve të paketuara në supermarkete janë 23 – 27 lekë për kokërr që është çmimi i vezës së kategorisë A. Rritja e çmimit të vezës në Shqipëri, që nisi nga vjet, u ndikua nga dyfishimi i lëndës ushqimore për shpendët, por edhe mungesa e produktit për shkak të ngordhjes së shpendëve nga influence aviare.
Sipas ekspertëve, prodhimi në ferma përpara virusit ishte 1,350,000 vezë/ditë. Kompanitë pohuan se në atë periudhë, prodhimi u reduktua 50% nga ngordhja e shpendëve.
Gripi i shpendëve ka shtuar mungesën dhe rritur çmimet e vezëve në Europë dhe SHBA. Prej dy muajsh, kutia e vezëve po kthehet në simbolin e inflacionit të çmimeve në SHBA dhe për disa shtete të Europës. Reduktimi i ofertës ka sjellë rritjen e çmimeve.
Shkaku kryesor i mungesës së vezëve duket të jetë gripi i shpendëve, më formalisht i referuar si gripi patogjen i shpendëve (HPAI). Që nga 23 janari 2023, shifrat e fundit të publikuara nga Departamenti Amerikan i Bujqësisë tregojnë se 58,1 milionë pula janë prekur nga gripi i shpendëve në 47 shtete të SHBA-së.
Në fund të nëntorit 2022, BBC e përshkroi valën aktuale të gripit të shpendëve si “më e keqja ndonjëherë në Europë dhe në SHBA”.
Reduktimi i ofertës së shpendëve që bëjnë vezë ka sjellë rritje të çmimeve. Në fillim të muajit janar, në SHBA është shënuar çmimi më i lartë i vezëve, duke arritur në 5,3 USD nga 1,93 USD/dozën që ishte në janar 2022. Çmimi ishte gati dyfish më i lartë. Prej tre ditësh në SHBA çmimi i vezëve është ulur 50% në raport me fillimin e muajit janar.
Shkak i rënies së çmimit janë eksportet e vezëve nga Meksika, ku në shumë raste u tentuan të hyjnë edhe kontrabandë. Në BE, vendet më të prekura nga rritja e çmimeve janë Hungaria (125.4%), Gjermania (106%) dhe Holanda (90.6%). Përveç gripit të shpendëve, industria në botë është prekur nga rritja e kostove të prodhimit, duke përfshirë ushqimin e pulave, për shkak të luftës Rusi-Ukrainë.
Të ardhurat e kompanive
Të ardhurat e kompanisë AIBA në vitin 2021 u ulën 6% ndërsa fitimet u rritën 3 herë më shumë se në 2020-n, sipas bilanceve zyrtare të dorëzuara në QKB. Për kompaninë “Rea’s”, të ardhurat ranë 6% në vitin 2021 në raport me vitin paraardhës. Fitimet e kompanisë u tkurrën 46%.
Operatori “Ovvital” në 2021 rriti të ardhurat 5.6%, ndërsa fitimet, 14%. Ecuri pozitive në vitin 2021 pati edhe kompania e prodhimit të vezëve “Beata”. Krahasuar me 2020-n, fitimet e kompanisë u zgjeruan 22% dhe fitimet, 34%.
Për kompaninë “Veza e Mëngjesit”, xhiroja vjetore e 2022 ra 19% krahasuar me 2020-n. Rënie shënuan edhe fitimet me 5%. Të ardhurat dhe fitimet e operatorit “Cocoal” në vitin 2021 u rritën përkatësisht 2% dhe 12%. Kompania “A-K-Kanina” pati rënie të të ardhurave me 22% dhe të fitimeve 61%.
Paqartësitë me të dhënat, sa vezë prodhohen në Shqipëri
Nga kërkimet e operatorëve të tregut, prodhimi vjetor i vezëve varion nga 260 milionë deri në 300 milionë kokrra vezë. Nga të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë për vitin 2021, prodhimi i vezëve arrin në 899 milionë kokrra, ndërsa në 2020-n, prodhimi ishte 861 milionë kokrra.
Pavarësisht se mungon matrikulimi dhe nuk mund të flasim për një llogaritje të saktë të pulave të oborrit, nga operatorët theksohet se prodhimi i vezëve, sipas shifrave zyrtare, mbetet i fryrë. Pulat e fshatit kanë prodhim më të ulët të vezëve sesa pulat e pularive dhe numri i tyre është shumë i ulët.
Edhe sipas ekspertëve të prodhimit bujqësor, shifrat zyrtare të prodhimit të vezëve konsiderohen të fryra ose paraqiten si të tilla, për arsye suksesi. Ekspertët theksojnë se mesatarisht, cikli i prodhimit të pulave arrin deri në 300 kokrra në vit. Në total, prej vitesh, sipas tyre, numri i pulave në pulari nuk tejkalon nivelin e 1 milion apo 1 milionë e 100 mijë pulave, pasi edhe kompanitë nuk disponojnë kapacitete stabilimenti për më shumë shpendë.
Po ku shkon ky superprodhim? Të dhënat zyrtare krijojnë paqartësi edhe për konsumin e vezëve. Operatorët, por edhe ekspertë të tregut, referuar konsumit, pohojnë se nëse Shqipëria do të prodhonte 899 milionë kokrra vezë në vit, konsumi do të duhej të ishte më i lartë nga sa është. Për sa u përket eksporteve, ecuria e tyre ndër vite ka qenë shumë e ulët, me përjashtim të këtij viti, për shkak të mungesës së prodhimit në Europë.
Të dhënat zyrtare në disa raste, jo vetëm kanë treguar përplasje me treguesit e konsumit për tregun vendas, por edhe për referencat e agjencive ndërkombëtare për konsumin në Europë dhe rajonin.
Bazuar nga të dhënat e FAO-s për konsumin e vezëve në Europë në vitin 2019 rezulton se shqiptarët janë konsumatorët më të mëdhenj të vezëve, pas holandezëve që renditen të parët./Monitor