Eksportet kanë ngadalësuar ndjeshëm ritmet e rritjes në vlerë në muajin shkurt, duke reflektuar kryesisht pasojat që po sjell te bizneset rritja e kostove.
Sipas INSTAT, në shkurt, eksportet e mallrave arritën vlerën 38 mld lekë, duke u rritur me 2,8%, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe duke u ulur me -8,9%, në krahasim me Janar 2023.
Ritmet e ritmet së eksporteve në vlerë janë ngadalësuar ndjeshëm në krahasim me janarin, kur shitjet jashtë vendit u zgjeruan me 20.2% me bazë vjetore. Si rrjedhojë, për dymujorin eksportet e mallrave arritën vlerën 80 mld lekë, duke u rritur me 11,2%.
Ndryshe nga viti i kaluar, kur të gjitha grupet po rriteshin me ritme të shpejta në vlerë, për shkak si të rikuperimit pas pandemisë ashtu dhe të çmimeve të larta, këtë vit grupet më të mëdha po shfaqin ecuri të dobët, ndërsa po mbajnë ritmin produktet bujqësore dhe industria automotive.
Sipas INSTAT, gjatë muajit shkurt 2023, në rritjen e eksporteve prej 2,8%, pozitivisht kanë ndikuar grupet: “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” me +2,6 pikë përqindje, Ushqime, pije, duhan” me +2,0 pikë përqindje, dhe “Tekstile dhe këpucë” me +1,2 pikë përqindje.
Ndërsa grupet: që kanë pasur ulje janë: “Minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” me -1,9 pikë përqindje, “Produkte kimike dhe plastike” me -1,0 pikë përqindje.
Industria tekstile ngadalësohet ndjeshëm nga rritja e kostove
Në shkurt, eksportet e “Tekstile dhe këpucë”, duke u rritur me vetëm 4.2% me bazë vjetore, nga 12.8% që kishte qenë zgjerimi në shkurt.
Kryetari i ProEksport Albania, Edvin Prençe, pohoi për “Monitor” se ecuria e dobët e eksporteve është ndikuar nga rënia e shitjeve për shkak të shtimit të kostove. “Kostot e lëndëve të para janë rritur mbi 10%. Këtë muaj ka filluar një rënie e porosive që do të vazhdojë edhe në muajt e ardhshëm. Pra materialet prodhuese janë ulur. Tendenca do të vijojë”.
Tekstilet dhe këpucët kanë qenë historikisht grupi më i madh eksportues në vend, ndërsa në janar-shkurt u renditën të dytët me 28% të totalit, me një diferencë të vogël me “mineralet e lëndët djegëse” (28.4%).
Eva Laro, nga kompania e prodhimit të këpucëve “Pro Dyn” tha se rritja e çmimeve po e bën industrinë jo konkurruese dhe po nxit ikjen e partnerëve europianë drejt vende të tjera jashtë Europës, si Indi apo Lindjen e Mesme.
Bien dhe mineralet e lëndët djegëse
“Mineralet dhe lëndët djegëse” ranë me 7.2% në shkurt. Burime nga Bankers Petroleum thanë se ndonëse ata të gjithë prodhimin po e çojnë për eksport, rënia ka ardhur si rrjedhojë e çmimeve më të ulëta të naftës, por edhe tkurrjes së prodhimit në fushë për shkak të problemeve teknike.
Materialet e ndërtimit dhe metalet në stanjacion
Materialet e ndërtimit dhe metalet, grupi i tretë më i madhe eksportues në vend, me 18% të totalit, ishin pothuajse në të njëjtin nivel të një viti më parë. Sektori ka shfaqur probleme që në gjysmën e dytë të vitit të kaluar për shkak të rritjes së kostove të energjisë dhe rënies së çmimeve të produktit final në bursa, duke e detyruar Kurum, eksportuesin më të madh në vend që të reduktojnë aktivitetin.
Ushqimet, pijet dhe duhani me rritje
“Ushqimet, pijet dhe duhani” u rritën me 25% në shkurt, duke vijuar ecurinë pozitive. Përfaqësuesit e sektorit thonë se janë favorizuar nga rritja e çmimeve në tregjet ndërkombëtare dhe nga shtimi i kërkesës, që ka nxitur rritjen e sipërfaqeve të mbjella. Edhe moti i ngrohtë ka nxitur prodhimin. Ky grup zuri 9.1% të totalit të eksporteve për janar-shkurt.
Industria automotive, me rritjen më të lartë
Eksportet e Makineri, pajisje, pjesë këmbimi janë grupi që po shënon ecurinë më të mirë të eksporteve si rrjedhojë e zgjerimit të fabrikave që punojnë në industrinë mbështetëse automotive. Në shkurt, eksportet u rritën ndjeshëm me 35%, duke udhëhequr dhe zgjerimin në vlerë. Industria automotive parashikonte në fund të vitit 2022 ecuri pozitive të sektorit për vitin 2023 dhe duket se kjo është materializuar që në dy muajt e parë të këtij viti.
Rritja me 35% e eksporteve në grupin ku bëjnë pjesë edhe produktet e këtyre kompanive vjen si efekt i zgjerimit të fabrikave në vend, numri i të cilave ka vazhduar të rritet si dhe zgjidhjes së ngërçit në zinxhirët e furnizimit duke bërë që industria e automobilave të ketë kërkesë të shtuar për pjesë. Kjo pritshmëri pozitive pritet që të jetë përgjatë gjithë vitit 2023.
Pesha e këtij grupi është rritur ndjeshëm vitet e fundit, duke arritur në 9.1% në janar-shkurt 2023.
Ulet deficiti tregtar
Importet e mallrave arritën vlerën 69 mld lekë, duke u rritur me 1,1%, në krahasim me një vit më parë dhe me 19,4%, në krahasim me Janar 2023. Deficiti tregtar i këtij muaji është 31 mld lekë, duke u ulur me -0,8%, krahasuar me Shkurt 2022 dhe duke u rritur me 93,2%, në krahasim me Janar 2023.
Në këtë dymujor eksportet e mallrave arritën vlerën 80 mld lekë, duke u rritur me 11,2%, ndërkohë importet e mallrave arritën vlerën 128 mld lekë, duke u rritur me 3,2%, krahasuar me një vit më parë. Deficiti tregtar arriti vlerën 47 mld lekë, duke u ulur me 8,1%, krahasuar me të njëjtën periudhë të 2022.
Rriten eksportet në Greqi e Spanjë, ulen në Itali
Në muajin shkurt 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me shkurt 2022 janë: Greqia (92,6%), Spanja (640,3%) dhe Austria (34,6%). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, janë: Italia (1,2%), Kosova (20,4%) dhe Gjermania (30,9%).
Gjatë këtij dymujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, janë: Greqia (87,1%), Kosova (2,8%) dhe Maqedonia e Veriut (61,2%). Ndërsa vendi me të cilin eksportet kanë pasur uljen më të madhe, është: Italia (2,6%), Gjermania (23,8%) dhe Kina (27,3%).
Në muajin Shkurt 2023, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe te importeve, janë: Italia (0,9%), Kina (63,5%) dhe Gjermania (8,1%). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe të importeve, në krahasim me shkurt 2022 janë: Turqia (0,9%), Greqia (19,7%) dhe Maqedonia e Veriut (10,9%).
Gjatë këtij dymujori, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, janë: Gjermania (11,4%), Kina (46,2%) dhe SHBA (50,8%). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: Italia (5,0%), Turqia (2,6 %) dhe Greqia (14,3%).
Shkëmbimet tregtare me vendet e BE-së zënë 61,5%, të gjithë tregtisë. Në Shkurt 2022, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 76,9% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 52,9% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (31,6%), Kina (8,1%), Turqia (7,5%) dhe Greqia (7,2%).
Shkëmbimet tregtare, për dymujorin e parë 2023, me vendet e BE-së zënë 59,4% të gjithë tregtisë. Në periudhën janar – shkurt 2022, eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 72,7% të eksporteve gjithsej dhe importet nga vendet e BE-së zënë 51,1% të importeve gjithsej. Partnerët kryesorë tregtarë janë: Italia (29,6%), Turqia (7,4%), Kina (7,3%) dhe Greqia (7,1%)./Monitor