Ylli hollivudian Leonardo DiCaprio i cili prej shumë kohësh ka këmbëngulur që Lumi Vjosa të shpallej Park Kombëtar ka reaguar pas këtij finalizimi. Ai e ka konsideruar historike shpalljen e lumit një Park Kombëtar.
Në një postim në Instagram, DiCaprio shkruan se tashmë Vjosa do të rrjedhë e lirë përgjithmonë.
Aktori shton se ky është një vizion i ri për ruajtjen globale të ujit dhe përgëzon bashkëpunimin mes qeverisë shqipare e shoqërisë civile.
“Sot është shkruar historia. Bashkëpunimi mes qeverisë shqiptare, shoqërisë civile dhe biznesit dhe ka krijuar Parkun e parë Kombëtar të Lumit të Egër në Evropë. Lumi Vjosa do të rrjedhë i lirë përgjithmonë, nga burimi në det, për ta shijuar brezat e ardhshëm. Një vizion i ri për ruajtjen globale të ujit është këtu. Urime për të gjithë ata që e bënë realitet këtë përpjekje të mahnitshme!”, shkruan ylli hollivudian.
View this post on Instagram
Këshilli i Ministrave ka miratuar në 13 mars vendimin për shpalljen e Lumit Vjosa Park Kombëtar, kategoria e dytë e mbrojtjes. Lumi Vjosa është lumi i fundit i egër në Evropë.
Ky vendim u mor gjatë mbledhjes së ekzekutivit shqiptar dhe u bë publik nga ministrja e Mjedisit, Mirela Kumbaro.
Kumbaro tha se sipërfaqja totale e shpallur Park Kombëtar është 12 727 ha.
“Shpallja Park Kombëtar është kategoria e dytë e mbrojtjes që është shumë më e lartë se ajo që kishte një vit më parë si Park Natyror. E kemi shtrirë këtë sipërfaqe mbrojtje në 12.727 hektarë që është gjithë sipërfaqja ujore, bregore e lumit bashkë me sipërfaqen tokësore dhe tre degët e lumit Vjosë, Drino, Bënçë, Shushicë, bëjnë atë që duhet atë që është sot parku i parë i një lumi të egër në Evropë”, tha Kumbaro.
Leonardo DiCaprio, përveçse është një nga aktorët më të mirë në botë, vitet e fundit është shndërruar gjithmonë e më shumë në një “avokat” të natyrës, ekosistemeve dhe klimës së planetit tonë.
Ai shfrytëzon jo vetëm rrjetet e tij sociale si platforma për të folur mbi problemet e ruajtjes së natyrës, por edhe daljet publike apo fjalimet në eventet e rëndësishme.