14 marsi nuk përfaqëson vetëm Ditën e Verës. Kjo datë është rrënjosur në histori pasi ka lindur dhe një prej gjenive më të mëdhenj të të gjitha kohrave, Albert Ajnshtajn.
Ajnshtajn ka lindur në Ulm të Gjermanisë më 14 mars të vitit 1879, në një familje hebrenjsh.
Kur ai ka mbushur pesë vjeç i ati i ka dhënë një busull, e cila menjëherë i ka krijuar Albertit një interes për gjilpërën magnetike dhe fenomenet natyrore që shkaktonin lëvizjen e saj në të njëjtin drejtim. I ati i ka shpjeguar atij se ajo shkaktohej nga fusha magnetike dhe forca e rëndesës.
Për jetën e tij në vitet e fëmijërisë, Albert Ajnshtajn ka treguar se nuk e ka pasur me qejf shkollimin. Metoda mësimore, ku nxënësve nuk u ishte lejuar të bënin pyetje, e ka bërë atë të ndihej si i burgosur. Teoria më e rëndësishme e tij është ajo e relativitetit.
Ajnshtajni ka shpjeguar se drita lëviz gjithmonë me të njëjtën shpejtësi, pavarësisht nga burimi i saj. Ai ka shtuar se koha dhe masa mund të ndryshojnë dhe varen nga vendndodhja e një njeriu ne raport me një objekt apo një ngjarje.
Ajnshtajn ka botuar në vitin 1905 veprën e tij më të rëndësishme dhe një nga dokumentet më të rëndësishme shkencore në histori të titulluar “Teoria e Relativitetit”.
Dhjetë vjet më pas, ai ka botuar një vëllim të zgjeruar të kësaj vepre me titullin “Teoria e Përgjithshme e Relativitetit”, që përfshin ide themelore, që përdoren për të përshkruar fenomene natyrore lidhur me kohën, hapësirën, masën, lëvizjen dhe forcën e rëndesës.
Më pas Ajnshtajni fitoi çmimin Nobel në Fizikë në vitin 1921 për zbulimin e ligjit të efektit fotoelektrik.
Ky ligj shkencor shpjegon përse disa metale emetojnë elektrone kur mbi sipërfaqen e tyre bie drita. Ky zbulim ka çuar në zhvillimin e elektronikës, përfshirë edhe radion apo televizionin.
Albert Ajnshtajn ndërroi jetë në moshën 76-vjeçare më 18 prill të vitit 1955 në SHBA.