Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk tërhiqet nga vendosja e tatimit progresiv në fashën e 15 deri në 23% për bizneset e profesioneve të lira dhe dyqanet tregtare. Në draftin e rishikuar edhe me deputetët e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, që do të nisë zbatimin nga 1 janari 2024, nuk ndryshon skema e re për taksimin e bizneseve. Projektligji kundërshtohet sërish ashpër nga kontabilistët dhe avokatët, pasi krijon pabarazi mes tatimpaguesve dhe do të nxisë evazionin. Grupet e interesit paralajmërojnë dërgimin e tij në Gjykatën Kushtetuese
Dorina Azo
Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk tërhiqet nga zbatimi i tatimit progresiv nga 15 deri në 23% te profesionet e lira dhe biznesi i vogël. Kontabilistë, ekspertët fiskalë dhe avokatët ngrenë shqetësimin se rishikimet e fundit në draft nuk sjellin asnjë ndryshim, përveçse disa përmirësimeve teknike.
Sipas tyre, projektligji nxit pabarazinë mes tatimpaguesve dhe evazionin. Juristët pohojnë se drafti është antikushtetues, për shkak të trajtimit të pabarabartë tatimor.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk pranoi të flasë për ndryshimet e reja në draftin për të ardhurat, duke referuar si version përfundimtar zyrtar atë të miratuar në Këshillin e Ministrave. Edhe drafti i tatimit për të ardhurat i rishikuar nga MFE dhe deputetët e Komisionit Parlamentar të Ekonomisë, që pritej të hynte në fuqi këtë vit, por u shty për në 1 janar të 2024-s, mban të pandryshuar taksimin për të ardhurat neto (fitimi) për të vetëpunësuarit në normat progresive 15 deri 23%.
Norma tatimore do të jetë 15% për bizneset me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë. Për subjektet me xhiro mbi 14 milionë lekë, norma e tatimit do të jetë 23%. Nisma përcakton dy afate zbatimi. Për të vetëpunësuarit e profesioneve të lira, tatimi progresiv nga 15% deri në 23% do të nisë zbatimin nga 1 janari 2024, ndërsa për biznesin e vogël (duke përfshirë kategoritë e të vetëpunësuarit), efektet e ligjit do të fillojnë të zbatohen nga 1 janari 2029.
Drejtori Ekzekutiv i Dhomës Amerikane të Tregtisë, z. Neritan Mullaj, kërkoi pak ditë më parë në rrjetet sociale që ky projektligj, që është baza e sistemit tatimor, duhet të garantojë nxitjen e produktivitetit të ekonomisë dhe punës së kualifikuar.
“Korniza e re ligjore për tatimin mbi të ardhurat ka qenë në qendër të vëmendjes së ekspertëve të Komitetit të Taksave dhe Doganave, të cilët kanë ofruar një analizë të thelluar dhe objektive mbi projektligjin e propozuar nga Qeveria.
Për shumë vite, Dhoma Amerikane ka rekomanduar, përmes Axhendës së Investimeve, hartimin e një ligji të ri për të ardhurat, të harmonizuar me standardet ndërkombëtare dhe kombëtare të kontabilitetit, i cili duhet të sjellë ristrukturim efektiv të sistemit tatimor, që garanton qëndrueshmërinë e tij.
Projektligji duhet të sigurojë, përmes mekanizmave, luftën kundër informalitetit, duke krijuar një sistem të drejtë dhe të barabartë për tatimpaguesit pavarësisht statusit të tyre të regjistrimit. Jam i bindur se, nëse zëri i tatimpaguesve shqiptarë do të dëgjohet dhe ky projektligj (së bashku me aktet nënligjore të tij) del si rezultat i diskutimeve dhe konsultimeve efektive me ekspertët fiskalë dhe biznesin, do të jetë një fitore për të gjithë ne.
Dhoma Amerikane
Projektligji duhet të sigurojë, përmes mekanizmave, luftën kundër informalitetit, duke krijuar një sistem të drejtë dhe të barabartë për tatimpaguesit pavarësisht statusit të tyre të regjistrimit.
Debati për taksimin e ri te profesionet e lira
Në lidhje me projektligjin e rishikuar, kontabilisti Sotiraq Dhamo theksoi për “Monitor” se vërejtjet e tyre nuk janë marrë në konsideratë dhe MFE s’ka bërë ndryshime për profesionet e lira nga varianti që është diskutuar në dhjetor.
“Drafti i rishikuar nuk rezulton të ketë ndonjë ndryshim thelbësor në raport me projektligjin e muajit dhjetor. Pra Ministria e Financave dhe Ekonomisë i ka qëndruar variantit të mëparshëm, gjithnjë nëse do të jetë ky drafti që do të miratohet nga komisioni parlamentar.
Në thelb profesionet e lira i tatojnë 15%. Tregtarët e dyqaneve i lë me tatim 0 deri në vitin 2029. Taton profesionistët e vetëpunësuar, si të ardhura nga pagat me 23%”, u shpreh z. Dhamo. Ai shtoi se përveç rishikimeve teknike, kur thelbi mbetet ende i njëjtë, tregon se qeveria vazhdon “të ngulë këmbë” për të zbatuar variantin e saj.
Kontabilistë të tjerë, ekspertët fiskalë dhe avokatë kundërshtojnë sërish ashpër projektligjin e rishikuar për shkak të barazisë që krijon mes tatimpaguesve, kryesisht me profesionet e lira.
Gjatë diskutimeve në muajin dhjetor në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave, kryetari i Këshillit Drejtues të Institutit të Kontabilistëve të Miratuar (IKM) z. Sotiraq Dhamo, ngriti shqetësimin se projektligji i ri është antiligjor, krijon pabarazi mes tatimpaguesve dhe nxit evazionin.
“Trajtimi i të ardhurave të të vetëpunësuarvë si të ardhura nga paga është antiligjore. Shtrirja e ligjit te të vetëpunësuarit e profesioneve të lira, për shumë arsye, do të sjellë efekte negative. Të vetëpunësuarit janë biznese, marrin përsipër rreziqe, nuk kanë të ardhura të fikse dhe nuk mund të quhen të ardhura nga paga. Projektligji është evaziv, pasi i konsideron të njëjtë të vetëpunësuarit me kategorinë e të vetëpunësuarve me të punësuar të tjerë.
Si mund të tatohen të ardhurat e tyre, si të ardhura nga paga kur ka të tjerë të punësuar. Klasifikimi është i gabuar. Gjithashtu trajtimi i të vetëpunësuarve me tarifa deri në 2,040,000 lekë 15% dhe mbi këtë nivel, 23%, nuk i vë në kushte të barabarta me bizneset e tjera. Një biznes sh.p.k. që mund të fitojë të ardhura deri në 5 milionë lekë dhe paguan 15% tatim mbi fitim, ndërsa një i vetëpunësuar për të ardhurat mbi 2,040,000, do të paguajë 23%.
Ndryshimet gjithashtu krijojnë pabarazi mes tatimpaguesve. Nuk jemi kundër pagesës së taksës te profesionet e lira, por nëse nuk paguan një kategori biznesesh, nuk kanë pse të paguajnë profesionet e lira.
Siç përcaktohet në projektligj, bizneset e vogla tregtare do të jenë me tatim zero deri në 2029. Ne jemi dëshmitarë që shumë biznese të vogla hapin dyqane tregtare të çuditshme, që punojnë 6 muaj apo 1 vit dhe më pas mbyllen, rihapen apo mbyllen sërish. Këto lloj biznesesh me xhiro deri në 14 milionë lekë do ta kenë tatimin zero, ndërsa të gjitha profesionet e lira duhet të paguajnë tatim 15 apo 23%”, pohoi më herët ai.
Pavarësisht përmirësimeve që i janë bërë projektligjit, për kontabilistin Armand Mala çështja e tatimit të profesioneve të lira do të jetë sërish një pikë e nxehtë, pasi barazohet me tatimfitimin e korporatave dhe mbajnë të vetëm barrën e ndryshimeve të taksimit, në një kohë kur në draft përcaktohet se biznesi i vogël do të vazhdojë me tatim 0% deri në dhjetor 2029.
“Një ndër argumentet kryesore me të cilin u motivua ndryshimi për këto kategori të ardhurash ishte fakti që të kapeshin në grackë personat të cilët praktikisht ishin të punësuar me paga shumë të larta (si prezantues televizivë, konsultë, etj.) por që për të shmangur tatimin kishin hapur NIPT e lëshonin fatura, në vend që të ishin në listëpagesë.
Edhe në draft-ligjin aktual, ashtu si dhe në variantin që do të hynte në fuqi në janar 2023 për personat e vetëpunësuar apo individët tregtarë do të tatohen me 15% për ato subjekte që realizojnë një fitim deri në 14 milionë lekë dhe 23% për ato me fitim mbi 14 milionë lekë. Në këtë formë, kjo kategori biznesi barazohet me tatiminfitimin e korporatave nëse i gjithë fitimi i tyre do të shpërndahej si dividend (15% tatimfitimi + 8% tatim dividenti).
Pothuajse të gjithë njëzëri biem dakord që norma 0% e tatimit është një dhuratë shumë e mirë nga qeveria, por besoj që edhe këtu të gjithë njëzëri mund të konfirmojnë se kjo normë tatimi është shumë e lartë. Biznese të tilla janë promotorë të ekonomisë, dhe mendoj që nuk duhet të trajtohen me norma tatimore të barabarta me ato të korporatave, pasi kurrsesi nuk mund t’i konkurrojnë ato.
Përpos premtimit të dhënë për 0% tatim për biznesin e vogël deri në vitin 2029 (ku sërish në ligjin e ri i qëndrohet premtimit, por duke përjashtuar profesionet e lira), mendoj që për të shpërndarë barrën tatimore te vetëm një grup të vetëpunësuarish (profesionet e lira), do të ishte më e drejtë të kontribuonin të gjithë nga pak, gjë e cila nuk kundërshtohet as nga palët që mund të preken dhe të mos rëndoheshin vetëm profesionistët e lirë e të mos shkonim në këto nivele tatimi. Aq më tepër në një situatë ku vala e emigracionit nuk po ndalet, nuk iu duhet dhënë motiv që të mendojmë largimin edhe nga kjo kategori profesionistësh”.
Qasja është e njëjtë edhe për ekspertin fiskal Ahmet Gjinishi. Ai pohoi për “Monitor” se drafti i ri godet 10% të vëtëpunësuarve që janë profesionet e lira.
“Gjithmonë trumbetohet se punë ka, por nuk ka profesionistë, dhe kur vjen puna te taksimi duam t’i detyrojmë të paguajnë aq sa paguajnë dhe kolegët europianë. Profesionet e lira kanë filluar të formohen në sektorin privat pas viteve 2000. Të gjithë individët që ushtrojnë profesionet e tyre, si të vetëpunësuar, janë ata që kanë kaluar periudhën e gjatë të tranzicionit si edhe shteti ynë shqiptar. Pak komunizëm, pak demokraci, liberalizim dhe globalizimin e tregjeve.
Janë formuar dhe ngritur profesionalisht pa pasur mbështetjen e një shteti të brishtë siç është Shqipëria, e cila në ecejaket e 30 viteve të fundit, po mundohet të riformohet më në fund, sipas ligjeve të BE-së. Sot, këta profesionistë kërkojnë të institucionalizohen dhe përparësitë e tyre t’i kthejnë në vlera konkurruese. Taksimi i tyre, duke harruar premtimin 10-vjeçar të qeverisë, sjell deformim të strukturës të biznesit të vogël.
Ky biznes sot mban një barrë të rëndësishme në vetëpunësimin, në punësimin familjar dhe të punëmarrësve të tjerë. I vetëpunësuari me apo jo punëmarrës ka përgjegjësi ligjore për sipërmarrjen e tij. Të vetëpunësuarit zënë një peshë rreth 33% të bizneseve dhe nga këto, rreth 10% janë profesionet e lira.
Sezoni i gjuetisë së shtrigave duket sikur u çel sërish. Trajtimi ndryshe në tatim i profesioneve të lira bëhet në një kohë kur Shqipërisë, çdo vit i ikin mijëra intelektualë e profesionistë në tregjet e punës europiane, si në Gjermani apo Itali, por kemi edhe flukse dalëse elitare për në Kanada e SHBA. Duket më tepër si një luftë klasash, e cila po na mban ende të lidhur e me vështirësi po shkëputemi nga ky realitet i shëmtuar i një të kaluare të turpshme shqiptare”.
“Profesionistët e lirë e përfaqësojnë po aq denjësisht Shqipërinë sa shoqëritë softuerike, që paguajnë 5%, po aq sa investitorët strategjikë me subvencione e taksim zero, agrobizneset e bujtinat, agroturizëm i produkteve detare rrëzë kodrave në Korçë e Elbasan, me subvencione të naftës e tokës shtet me qira, industria automotive e trajtuar me 5%, bashkëpunimi koperativ bujqësor me prodhim fruta e perime.
Nuk kuptohet pse për qeverinë, rrepat e speci i Savrës, prasi e bostani i Çermës, açuget e kastraveci i Korçës qenka më i prezantueshëm se sa aseti intelektual shqiptar. Mostransparenca në vendime dhe mospërfshirja e grupeve të interesit i bëjnë lehtësisht të cenueshme këto projektligje si klienteliste e aspak gjithëpërfshirëse.
Në një kohë që sektori i ndërtimit lulëzon e çmimet për metër katror janë dyfishuar, në treg duket sikur kërkesa është edhe më e lartë se oferta e mbi 80 kantiereve të hapura në Tiranë. Çuditërisht kreditë bankare janë në stanjacion dhe emetimi i letrave me vlerë nga Banka e Shqipërisë po kërkon të tërheqë një pjesë të këtij kapitali të ardhur nga amnistia e parealizuar e remitancave të emigrantëve shqiptarë të shumëvuajtur.
Individë në posedim të dhjetëra apartamenteve nuk paguajnë taksim progresiv mbi pasurinë e patundshme dhe në të njëjtën kohë nëse i jep me qira si individ, tatohet veç 15%, por nëse do të tentonte të krijonte një sipërmarrje, do të tatohet me 23%.
Me këtë ligj duhet të kërkohet reduktim i pabarazisë në të ardhura e jo një padrejtësi e ndarjes së pasurisë. Këto reforma nuk sjellin përmirësim por tkurrje progresiviteti dhe orientim të pabarazisë gjithëpërfshirëse të tatimpaguesve.
Suksesi i një qeverie matet nga mbajtja dhe realizimi në afat i premtimeve të dhëna. Kontrata e qeverisë me votëbesuesit e saj duhet të mbetet e paprekur e jo të bëhet objekt pazari sa herë që mendojnë se taksapaguesit nuk janë të vëmendshëm”.
Eksperti fiskal Ahmet Gjinishi
Trajtimi ndryshe në tatim i profesioneve të lira bëhet në një kohë kur Shqipërisë, çdo vit i ikin mijëra intelektualë e profesionistë në tregjet e punës europiane, si në Gjermani apo Itali, por kemi edhe flukse dalëse elitare për në Kanada e SHBA. Duket më tepër si një luftë klasash, e cila po na mban ende të lidhur e me vështirësi po shkëputemi nga ky realitet i shëmtuar i një të kaluare të turpshme shqiptare
Shpenzimet e zbritshme do të nxisin evazion
Edhe në draftin e rishikuar parashikohet se individët tregtarë dhe të vetëpunësuarit do të tatohen mbi të ardhurat nga biznesi, pasi t’u njihen shpenzimet nga 30% deri në 90%, sipas llojit të biznesit.
Nëse qarkullimi i individit tregtar ose të vetëpunësuar nuk i kalon 10 milionë lekë në vit, ai ka të drejtë që nga të ardhurat e biznesit, të zbresë shpenzimet e supozuara në një shumë të vetme si më poshtë, pa mbajtur regjistrime në kontabilitet, si: 60% të të ardhurave për veprimtaritë prodhuese; 90% të të ardhurave për veprimtaritë e tregtimit me shumicë; 70% të të ardhurave për veprimtaritë e tregtimit me pakicë të mallrave dhe transportit individual; 60% të të ardhurave për veprimtaritë bare, restorante, disko etj., të kësaj natyre; 50% të të ardhurave për veprimtaritë e shërbimeve, veprimtaritë artizanale dhe atyre zejtare; 30% të të ardhurave për individët e vetëpunësuar.
Tek shpenzimet e zbritshme, përveç pranimit apriori të tyre, përfshihet edhe përllogaritja e shpenzimeve të zbritshme bazuar në dokumentacionin dhe faturat përkatëse për çdo shpenzim. Personat fizikë, individ tregtar apo individ i vetëpunësuar, sipas pikës 1 të këtij neni, zgjedhin dhe deklarojnë pranë administratës tatimore, metodën të cilën do të zgjedhin. Kalimi nga një metodë në tjetrën nuk mund të bëhet më shpesh se një herë në 5 vjet.
Për kontabilistët kjo masë do të nxisë mosdeklarimin e të ardhurave.
“Shqetësimi tjetër është edhe vendosja e një regjimi i veçantë te të vetëpunësuarit, siç është zbritja e shpenzimeve te biznesi i vogël nga 30 deri në 90%. Kjo është e gabuar për disa arsye.
Së pari nuk specifikohet ndarja e shpenzimeve për bizneset që kryejnë aktivitet të përzier.
Së dyti, vlerësohet si masë negative pasi bie në kundërshtim me ligjin ekzistues të kontabilitetit që përcakton kufijtë e mikrobizneseve deri te bizneset e mëdha dhe detyrimin për deklarimin e bizneseve me xhiro mbi 5 milionë lekë.
Duke i hequr nga detyrimi për të mbajtur shpenzime, krijohet mundësia për mosdorëzimin e deklaratave tatimore për bizneset me xhiro nga 5 deri në 10 milionë lekë. Do të krijojë probleme edhe te bizneset e mëdha, të cilat nuk do të pranojnë të lëshojnë fatura.
Nga ana tjetër do të rrisë presionin e bizneseve për mosdeklarimin e të ardhurave për të mbetur brenda këtij kufiri. Kjo masë duket si lehtësi për biznesin e vogël, por nuk është e tillë, do të ketë pasoja negative”, ka theksuar më parë Sotiraq dhamo.
Edhe për kontabilistin Armand Mala, regjimi për zbritjen e shpenzimeve do të nxisë dy probleme.
“E para, duke zbritur shpenzime në një përqindje të paracaktuar pa pasur nevojë t’i nënshtrohet kontrollit të regjistrimeve kontabël, do të nxisë po themi papërgjegjshmëri nga bizneset për të dokumentuar shpenzimet e tyre e cila lidhet drejtpërdrejt me neglizhencë në pranimin e faturave tatimore, apo edhe më keq në refuzimin e tyre, duke vënë në vështirësi biznesin e madh që kërkon të faturojë në mënyrë të drejtë.
E dyta, ligji parashikon që bizneset mund të zgjedhin vetëm 1 herë në 5 vjet metodën sesi do të veprojnë (me shpenzime të dokumentuara apo me % të paracaktuar). Ç’ndodh nëse një biznes ndryshon fushën e aktivitetit, shton apo pakëson disa aktivitete dhe i ndryshohet struktura, në këtë formë dëshiron të ndryshojë metodën, duhet që të presë 5 vjet?”, thekson ai.
Avokatët: Ndryshimet janë antikushtetuese
Përveç nxitjes së evazionit, projektligji i ri për tatimin e të ardhurave krijon pabarazi tatimore. Për avokatin Klodian Gjermeni ka shkelje të të drejtave kushtetuese, për shkak të trajtimit të pabarabartë tatimor që u bëhet kategorive të cilat përfshihen në këtë lloj biznesi. Sipas tij, kjo mund të jetë një ndër arsyet e Dhomës së Avokatëve për dërgimin e ligjit në Gjykatën Kushtetuese.
Shqetësim për juristët është edhe nxitja e evazionit apo dhënies së ryshfetit. “Zbritja e 30% të shpenzimeve të supozuara për një person fizik i vetëpunësuar që ofron shërbime, me qarkullim vjetor deri në 10,000,000 lekë, do të çonte në mosdeklarimin e plotë. Pra do të shikonin mundësinë e përfitimeve financiare me para nën dorë, për të ulur pagesën e të ardhurave të tatueshme të mbetura pas zbritjes së shpenzimeve.
Por edhe në rastin kur personi fizik do t’i deklaronte tërësisht faturat e shitjes së lëshuara prej tij, normalisht me shtimin e këtij tatimi, ose do të rriste çmimet e shërbimeve të ofruara prej tij, ose do të alternonte mënyrën e pagës (një pjesë me anë të faturës dhe një pjesë nën dorë)”, pohoi ai, duke theksuar që shtimi i çdo tatimi në drejtim të biznesit të vogël, në përgjithësi, dhe subjekteve të vetëpunësuara në veçanti, do të sillte edhe falimentin e një pjesë të tyre, kjo duke marrë parasysh faktin që një pjesë e kësaj kategorie biznesi nuk ka ushtruar aktivitetin e saj gjatë pandemisë dhe nuk përfitoi asnjë ndihmë ekonomike nga qeveria.
Z.Gjermeni shton se vendosja e çdo tatimi mbi të ardhurat e biznesit të vogël dhe të vetëpunësuarve është një hap i nxituar, duke marrë në konsideratë efektet e pandemisë, rritjen e çmimeve për shkak të luftës në Ukrainë dhe mosfunksionin eficient të institucioneve gjyqësore.
“Nëse do të vendosej një lloj tatimi, ky duhet të ishte i përcaktuar në bazë të xhiros vjetore të mbetur të personit fizik, pasi të jenë zbritur shpenzimet e supozuara. Pra nën një tavan p.sh., prej 5,000,000 lekë të mos kishte asnjë lloj tatimi, dhe mbi këtë shumë të ishte një tatim i përcaktuar në varësi të xhiros vjetore të mbetur të personit fizik, pasi të jenë zbritur shpenzimet e supozuara.”
Çfarë përmirëson drafti në raport me ligjin ekzistues të hartuar që në ’98?
Sipas kontabilistit Armand Mala, ligji sjell edhe përmirësime nga ligji aktual i hartuar që në vitin 1998.
“Nevoja për një ligj të ri është e dukshme, ligji aktual i tatimit mbi të ardhurat është shumë i vjetër dhe pavarësisht arnimeve që i janë bërë, ka mangësi për t’iu përgjigjur dinamikave e risive që tregu ka pësuar që nga dalja e ligjit.
Drafti i ri ka disa ndryshime për mirë në krahasim me versionin e parë të ligjit, por nuk gjej ndonjë ndryshim domethënës në krahasim me draft-ligjin, i cili pritej që të hynte në fuqi nga 1 janari 2023 por u shty për t’u konsultuar më tej me grupet e interesit.
Është pozitiv fakti që në projektligj janë përfshirë disa terma si “Mjet Virtual” apo “Përftimi nga mjetet virtuale (mining)” të cilat gjerësisht sot janë të përdorur, por nuk ka një kornizë të mirëpërcaktuar ligjore.
Në këtë ligj trajtohen edhe të ardhurat nga këto mjete. Ka një shpjegim më të mirë të terminologjisë së përdorur në ligj, të tillë si: “Person Fizik”, “Entitet”, “Shoqëri”, etj., por do ishte më mirë nëse do të kishim një harmonizim total të terminologjisë, për të zvogëluar konfuzionin me këto terma.
Kur them një harmonizim më të mirë, u referohem gjithë ligjeve të fushës, si ligjet tatimore, ligji për tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare, Ligji për QKB, Ligji për Kontabilitetin, auditimin, standardet e kontabilitetit e cilido ligj lidhet me të ardhurat apo të bërit biznes”.
Një tjetër përmirësim, që sjell ligji sipas Armand Malas është lejimi për mbartjen e humbjeve në 5 vjet nga 3 që është aktualisht, duke u dhënë mundësinë bizneseve të reja që të mund të mbartin më gjatë humbjet e viteve të para të jetës së biznesit deri në konsolidimin e tij.
Për sa u përket të ardhurave nga punësimi, z. Mala tha se ka një lehtësim për pagat e ulëta në krahasim me ligjin aktual. “Ligji sërish parashikon tre fasha të tatimit nga 0%, 13% dhe 23% por tatimi 0% tashmë sipas këtij ligji shtrihet deri në një nivel page deri në 50,000 lekë (pra për paga deri në 50,000 lekë, tatimi do të jetë 0%), si edhe për pagat deri në 60,000 lekë, tatimi do të ndryshojë nga 3,900 lekë që është tani (60,000-30,000)*13% në 3,250 lekë (60,000-35,000)*13%.
Lehtësim sado i vogël, por duhet parë, si diçka pozitive duke menduar që ky lehtësim shkon pikërisht për ata që kanë më shumë nevojë. Por duke qenë se në përgjithësi, ndryshimet ligjore kanë qenë shtrënguese kohët e fundit (kujtojmë ashpërsimin e disa gjobave, rritjen e shpeshtë të pagës minimale, e cila shoqërohet dhe me rritjen e kufirit të poshtëm dhe të sipërm për efekt të sigurimeve shoqërore, etj.).
Prisja që të kishte lehtësim edhe për të ashtuquajturën shtresë e mesme. Një vit më parë, qeveria rriti pragun e pagave që tatohen me 23%, por me ndryshimet e shpeshta të pagës minimale, e cila sjell ndryshimin e tavanit për pagesën e kontributeve, ky efekt është zhbërë totalisht.
Mendoj se ky prag duhet të jetë më i lartë. Me ndryshimet drastike të indeksit të fuqisë blerëse, nuk mendoj se paga 200,000 lekë duhet të konsiderohet si pagë luksi, ashtu si u quajt kur u miratua ky nivel tatimi, madje nëse vetëm njëri nga familjaret është i punësuar, kjo pagë shndërrohet në pothuajse mbijetesë e nuk mund të jetë luksi.
Nuk e di efektin që mund të ketë në buxhet, por mendoj se kufiri nga i cili pagat duhet të fillojnë të tatohen me 23% nuk duhet të jetë më pak se 300,000 lekë”.
Shkurtohet me 4 vjet afati i lehtësisë fiskale për kompanitë IT
Drafti i ri për tatimin mbi të ardhurat ndryshon afatet për lehtësitë fiskale, duke i shkurtuar ato. Shkalla e tatimit mbi fitimit 5% te kompanitë që kryejnë aktivitet në prodhimin dhe zhvillimin software pritet të zgjasë deri në vitin 2025.
Tatim mbi fitimin 5% për kompanitë e sektorit IT në projektligjin e ri “Për tatimin mbi të ardhurat”, i prezantuar në muajin dhjetor, në konsultimet publike nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, parashikonte se përjashtimet tatimore për këtë sektor do të zbatoheshin deri në dhjetor 2029.
Së fundmi, drafti i rishikuar parashikon zbatimin e kësaj lehtësie deri në fund të 2025-s. “Për personat juridikë, të regjistruar deri në 31 dhjetor 2022, të cilët ushtrojnë veprimtari ekonomike për prodhimin apo zhvillimin e software-ve, tatimi mbi fitimin me normën 5% do zbatohet deri më 31 dhjetor 2025”, citohet në pikën ç të Nenit 69. Shkalla e tatimfitimit 5% për kompanitë në fushën e prodhimit dhe zhvillimit të software-ve, u miratua në vitin 2018 dhe nisi zbatimin në 2019.
Afati i zbatimit të lehtësisë fiskale parashikohej për 10 vjet. 7 janë kategoritë përfituese të lehtësisë fiskale, duke përfshirë aktivitetet për:
a) Dizenjim software-i. Këtu përfshihet analiza e kërkesave të sistemit software, projektimi i arkitekturës dhe projektimi i detajuar i sistemit software;
b) Zhvillim dhe mirëmbajtje sistemesh software. Këtu përfshihet programimi i sistemeve software, kodimi, instalimi, integrimi i të gjithë komponentëve, dokumentimi, identifikimi dhe korrigjimi i gabimeve, modifikimet (pas momentit që software-i është vendosur në operim), mirëmbajtja e të gjithë komponentëve, suporti i sistemit si një tërësi komponentësh, që, në funksionimin e tyre, realizojnë qëllimin e Zgjidhjes Informatike;
c) Testim software. Këtu përfshihet testimi i funksionaliteteve, të ngarkesës në punë, të performancës, të pranimit, të disponueshmërisë dhe të sigurisë së sistemit software;
ç) Dizenjim dhe zhvillim sistemesh të komunikimit. Këtu përfshihet analiza, planifikimi, projektimi, zbatimi, vendosja në punë dhe mirëmbajtja e sistemeve të komunikimit të rrjeteve të pajisjeve informatike (LAN/ WAN/ WLAN/ MAN/ SAN/ CAN);
d) Dizenjim dhe zhvillim sistemesh të sigurisë. Këtu përfshihet analiza e kërkesave të sigurisë së klientit, projektimi i arkitekturës, instalimet dhe konfigurimet e komponentëve, vendosja në punë, testimet e sigurisë dhe mirëmbajtja përkatëse;
dh) Zhvillim sistemesh migrimi. Këtu përfshihet transferimi i të dhënave dhe infrastrukturës përkatëse nga një teknologji e vjetër në një teknologji të re; e) Përmirësim/upgrade sistemesh informatike;
ë) Operimi, menaxhimi, suporti i përdorimit, trajnimi dhe auditimi teknik/informatik për sistemet software.
Norma e reduktuar e tatimit mbi fitimin 5% zbatohet edhe te subjektet e certifikuar si agroturizëm, për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor dhe industrinë automotive. Lehtësia fiskale për këta sektorë parashikohet të vijojë të zbatohet deri më 31 dhjetor 2029 sipas draftit të MFE.
Nenet më të debatuara
Neni 10
E ardhura e tatueshme
Të ardhurat e mëposhtme konsiderohen si të ardhura të tatueshme të një tatimpaguesi të tatimit mbi të ardhurat personale:
a) Të ardhura nga punësimi;
b) Të ardhura nga biznesi;
c) Të ardhura nga investimet.
Të ardhurat janë të tatueshme, pavarësisht nëse paguhen në të holla ose në natyrë.
Të ardhurat në natyrë vlerësohen me vlerën e tregut, për aq sa nuk përcaktohet ndryshe në këtë ligj, ose aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.
Parimi i tregut, siç përcaktohet në nenin 44, të këtij ligji, zbatohet për transaksionet ndërmjet palëve të lidhura.
Neni 14
Regjimi i veçantë për individët tregtarë dhe të vetëpunësuar
Personat fizikë, individ tregtar apo individ i vetëpunësuar, me qarkullim vjetor deri në 10,000,000 lekë, për qëllime të njohjes së shpenzimeve të zbritshme kanë të drejtë të zgjedhin një nga metodat e mëposhtme:
Pranimin e një regjimi të veçantë, përmes të cilit shpenzimet e supozuara zbriten apriori sipas shumave të specifikuara në këtë shkronjë dhe pa iu nënshtruar kontrollit të regjistrimeve kontabël lidhur me to nga administrata tatimore;
60% të të ardhurave për veprimtaritë prodhuese;
90% të të ardhurave për veprimtaritë e tregtimit me shumicë;
70% të të ardhurave për veprimtaritë e tregtimit me pakicë të mallrave dhe transportit individual;
60% të të ardhurave për veprimtaritë bare, restorante, disko etj., të kësaj natyre;
50% të të ardhurave për veprimtaritë e shërbimeve, veprimtaritë artizanale dhe atyre zejtare;
30% të të ardhurave për individët e vetëpunësuar; ose
Përllogaritjen e shpenzimeve të zbritshme, bazuar në dokumentacionin dhe faturat përkatëse për çdo shpenzim.
Personat fizikë, individ tregtar apo individ i vetëpunësuar sipas pikës 1 të këtij neni zgjedhin dhe deklarojnë pranë administratës tatimore, metodën të cilën do të zgjedhin. Kalimi nga një metodë në tjetrën nuk mund të bëhet më shpesh se një herë në pesë vjet.
Lloji i veprimtarive të kryera nga personat fizikë, individ tregtar apo individ i vetëpunësuar, sipas pikës 1 të këtij neni përcaktohet sipas aneksit nr. 1 bashkëlidhur këtij ligji.
Personave fizikë, individ tregtar apo individ i vetëpunësuar, të cilët kanë aplikuar regjimin e veçantë sipas shkronjës “a” të pikës 1 të këtij neni, nuk u lejohet të kërkojnë zbritje apo kompensim tjetër përveç kompensimit personal sipas nenit 22, të këtij ligji.
Neni 24
Norma tatimore
Të ardhurat e tatueshme nga punësimi tatohen me normat progresive të mëposhtme:
Baza tatimore vjetore Norma tatimore
0 – 2,040,000 lekë
13%
Mbi 2 040 000 lekë 23%
Të ardhurat neto (fitimi) nga biznesi për individët tregtarë dhe të vetëpunësuarit tatohen me normat progresive të mëposhtme:
Baza tatimore vjetore Norma tatimore
0 – 14 000 000 lekë
15%
Mbi 14 000 000 lekë 23%
Të ardhurat nga investimi tatohen me normat e mëposhtme: të ardhurat nga dividentët 8%;
çdo zë tjetër i të ardhurave nga investimi 15%. Përveçse kur parashikohet ndryshe në këtë ligj, asnjë kosto nuk zbritet kundrejt të ardhurave nga investimi.
Neni 69
Dispozitë kalimtare
Lehtësitë dhe përjashtimet tatimore të parashikuara në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar, vazhdojnë të zbatohen si më poshtë:
Për personat, të cilët zhvillojnë veprimtari pritëse të certifikuar si “agroturizëm”, sipas legjislacionit në fuqi në fushën e turizmit, shkalla e tatimit mbi të ardhurat 5% do të zbatohet deri më 31 dhjetor 2029.
Për entitetet, që operojnë në struktura akomoduese “Hotel/Resort me katër dhe pesë yje, status special”, sipas përcaktimit në legjislacionin e fushës së turizmit dhe që janë mbajtës të një marke tregtare të regjistruar dhe njohur ndërkombëtarisht “brand name”, përjashtimi nga tatimi mbi të ardhurat korporative do të vazhdojë të zbatohet sipas përcaktimeve të shkronjës “g”, të nenit 18, të ligjit nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, i ndryshuar.
Për entitetet, të cilat zhvillojnë veprimtari ekonomike sipas ligjit nr.38/2012, “Për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor”, shkalla e tatimit mbi të ardhurat në normën 5% do të zbatohet deri më 31 dhjetor 2029.
ç) Për personat juridikë, të regjistruar deri në 31 dhjetor 2022, të cilët ushtrojnë veprimtari ekonomike për prodhimin apo zhvillimin e software-ve, tatimi mbi fitimin me normën 5% do zbatohet deri më 31 dhjetor 2025.
Për entitetet, të cilat ushtrojnë veprimtari ekonomike në industrinë automotive, shkalla e tatimit mbi të ardhurat 5% do të zbatohet deri më 31 dhjetor 2029.
dh) Për:
I.individët tregtarë;
II.të vetëpunësuarit, si dhe;
III.entitetet, me të ardhura bruto deri në 14 milionë lekë në vit, norma e tatimit mbi të ardhurat 0% do të aplikohet deri më 31 dhjetor 2029.
Norma e tatimit 0% nuk aplikohet për tatimpaguesit e përcaktuar në nënndarjet “II” dhe “III” më sipër, të cilët furnizojnë shërbime profesionale. Lista analitike e shërbimeve profesionale përcaktohet sipas aneksit nr. 2 bashkëlidhur dhe pjesë e këtij ligji.
Neni 72
Hyrja në fuqi
Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren Zyrtare” dhe i shtrin efektet nga data 1 janar 2024, me përjashtim të shkronjës “ç” të pikës 1, që i fillon efektet me hyrjen në fuqi të këtij ligji dhe pikës 2 të nenit 69, që i fillon efektet nga 1 korriku 2023.
Shpjegim i termave:
“Individ i vetëpunësuar”, është çdo person fizik i angazhuar në furnizimin e çdo lloj shërbimi apo i angazhuar në veprimtari të tjera profesionale, të ndryshme nga veprimtaria tregtare.
“Individ tregtar”, është çdo person fizik i angazhuar në veprimtari tregtare.
“Entitet” nënkupton çdo shoqëri apo çdo strukturë të organizimeve të korporuara apo të jokorporuara, pavarësisht formës, të natyrës fitimprurëse ose jofitimprurëse, ku përfshihen, por pa u kufizuar sa më poshtë:
a) çdo formë e kompanive sipas Kodit Civil ose legjislacionit në fuqi për shoqëritë tregtare; organizatat fitimprurëse dhe jofitimprurëse;
b) ndonjë formë “trusti” i huaj apo strukture të ngjashme;
ç) ndonjë formë bashkëpunimi/partneriteti, që ka një formë juridike dhe mund të trajtohet si një tatimpagues i vetëm; çdo formë bashkimi ndërmarrjesh (shoqëri e përbashkët);
dh) çdo formë kompanie menaxhimi kapitalesh apo asetesh;
e)çdo formë bashkëpunimi/partneritetet pasiv.
ë) çdo shoqëri tjetër e krijuar me ligj të veçantë./ MONITOR