Menaxherët e lokaleve ankohen se nuk gjejnë punonjës e konkretisht kamarierë. Ose edhe kur gjejnë, ata ikin shpejt. Por sot, emisioni investigativ “Stop” në Tv Klan sjell anën tjetër të medaljes. Kamarierët paguhen shumë pak dhe nuk kanë sigurime shoqërore, shëndetsore e kontrata pune.
Erion Muça, ekspert karriere dhe Erald Pashaj, ekspert punësimi shprehen se stafet e shërbimit janë ndër më të pakënaqurit, për shkak të kushteve të punës. Sipas tyre, sipërmarrësit kanë ngelur keq sepse janë sjellë keq.
Gladiona Dona, trajnuese dhe konsulente hotelerie thotë se së fundmi stafet po bëhen me shkollë dhe duhet që edhe sipërmarrësit të trajnohen.
Erion Muça, ekspert karriere: Arsyet e largimit të punonjësve, ndër kryesoret është niveli i ulët i pagave. Së dyti, është niveli shumë i lartë i informalitetit ku shumë punonjës janë të kushtëzuar nga rrethanat ekonomike për të punuar dhe pa kontrata pune. Së treti, lidhet shumë me klimën dhe ambientin miqësor dhe motivues brenda ambientit të kompanive. Mungesa e meritokracisë dhe konkurrencës së ndershme, është një tregues i rëndësishëm është që në Shqipëri mungon sistemi i matjes dhe vlerësimit të performancës dhe eficencës së punonjësve në punë, apo edhe pagesës progresive mbi bazën e rezultateve që ata arrijnë brenda procesit të punës, duke u kthyer në partner bashkëpunëtor dhe aksioner të rëndësishëm në kontributin që japin në një kompani se sa si një mjet për të përmbushur objektiva dhe qëllime të rritjes së të ardhurave nga ana e njësisë së biznesit.
Erald Pashaj, ekspert punësimi: Aktualisht, në vendin tonë ka një nivel pakënaqësie nga punonjësit përkundrejt punës që bëjnë në nivelin 60 për qind. Sipas sondazhit që në bëmë para 2 muajsh, pakënaqësia më e lartë është në sektorin e ndërtimit. Ka edhe të dytë e të tretë, por edhe sektori i hoteleri-turizmit ka nivel shumë të lartë pakënaqësie. Kjo për shkak të mosformalizimit të tyre. Pagat e tyre janë në pagë minimale, kur nuk janë ashtu edhe ato i marrin pagesat në cash ose nuk paguajnë sigurime shoqërore. Këtu shtohen edhe orët e gjata të punës. Ditët e pushimit i kanë të limituara. Të gjitha këto bëjnë që puna të jetë një tmerr i vërtetë.
Gladiona Doda, trajnuese hotelerie: Si duket tregu ka lëvizur, pra kërkesat janë shtuar për njerëz të kualifikuar. Qëndrat e trajnimit profesional kanë filluar të funksionojnë. Ky profesion kërkon njerëz të trajnuar. Kamarier nuk do të thotë thjesht të dish të mbash pjatat, por duhet të dish shumë. Shumë kamarierë, të cilët dalin me shkollë, punojnë për sipërmarrës që mbase nuk e kanë formimin e duhur, por një kamarier, i cili futet me trajnim dhe me shkollë ka gjasa që të rritet në detyrë. Ka shumë raste kur kamarieri di shumë më shumë se sa menaxheri. Ka shumë njerëz që futen kamaierë dhe menjëherë kalojnë në nivele të larta. Kalojnë sepse diferencohen pikërisht nga trajnimet që kanë dhe trajnimi është i rëndësishëm. Gjithë sfida është që gjithë sipërmarrësit që futen në këtë fushë, pra investojnë shumë para, le të investojnë para edhe në mendësinë e tyre. Pra të dinë se në cilën industri janë futur. Këtë vit kemi në auditor 80 sipërmarrës, të cilët po hapin një restorant, një hotel, të cilët duan të kuptojnë se në cilën industri janë futur dhe kush janë njerëzit që ata duhet të zgjedhin, si t’i motivojnë dhe si t’i trajnojnë dhe kështu që jemi në rrugën e duhur. Nëse sipërmarrësit do ta kuptojnë se investimi i vërtetë janë njerëzit, nuk janë se s’bën godinat, atëherë as njerëzit nuk do të mungojnë sepse do të ndihen të motivuar dhe të vlerësuar dhe do të qëndrojnë në Shqipëri.
RASTI 1: Jemi 2 shoqe, të cilat punojmë në një lokal në Ali Dem, por nuk kemi kontratë pune. Mendonim se ishim me siguracione sepse pronari na kishte thënë që keni siguracione, por realisht nuk na ishin paguar siguracionet. Pastaj erdhi Viti i Ri, morëm pushimet me datë 31, e dinim që do të vinim në punë në datën 3. Na merr menaxherja në telefon dhe na thotë që në datën 2, njëra të vijë në punë. Por andej nga jemi ne nuk ka furgona për të ardhur në Tiranë në atë datë. Na tha se nëse nuk do të vini, lekët nuk do t’i merrni. Pronari nuk na jep lekët tona. “Nuk dua që t’i jap” thotë. Mua më ka 230, ndërsa shoqes 370.
RASTI 2: Barist. Atje kam filluar punë që në Shtator domethënë. Në fakt jam pa siguracione me thënë të drejtën. E kam marrë rrogën 700 mijë Lekë. Po në Dhjetor për shkak se kemi pasur mungesë për një barist. Unë punoj që bëj kokteile kam punuar 12 orë me pak fjalë dhe më shtoi dhe 300 mijë Lekë domethënë ma çoi rrogën diku tek 1 milionë e 50 mijë Lekë. Këtë muajin e fundit filloi domethënë, më bëri jo s’ke për të marrë asnjë lekë, jo do të heq kaq ditë. I thashë, përfito nga fakti që jam pa siguracione.
RASTI 3: Jam një vajzë që punoj si banakiere në një lokal në Tiranë. Pronari ka 4 lokale dhe të gjithë jemi të pasiguruar. Punojmë nga 8 orë për 200 mijë Lekë. Jemi ndjerë aq të pavlerë sepse përveç se jemi pa siguracion, na kanë trajtuar edhe në mënyrën më vulgare sa një ditë ka qenë një rast sa mamaja e tij më shtyu nga shkallët dhe nuk mbajti njeri asnjë përgjegjësi dhe as nuk më tha njeri “më fal”. Jam larguar, nuk punoj më aty. Nuk e kam marrë pagesën. Do ta denoncoj këtë fakt se tani që kam ikur nga puna, kuptoj se jam trajtuar si një skllave.
“Stop” është ndalur në disa lokale dhe ka takuar edhe menaxherët e tyre dhe kushtet që ata ofrojnë janë skandaloze.
Qytetarja: Pashë atë njoftimin për kamariere/banakiere.
Qytetarja: I kam bërë të dyja. Aktualisht, jam në punë. Si janë kushtet e punës, sa të krijoj një ide?
Qytetarja: Rroga na kalon me bankë, apo në dorë?
Qytetarja: Jam e interesuar për këtë njoftimin për kamariere. Me kë mund të flas, ju lutem?
Kamarieri: Tani sa iku ajo (pronarja).
Qytetarja: Po për pagën, kushtet e punës?
Kamarieri: Mirë i ka, 300 mijë lekë 8 orarsh.
Qytetari: Në bankë, apo në dorë?
Qytetarja: Sa është baza për kamarier?
Banakierja: Për kamarierë, në qoftë se je me eksperiencë, është 300. Normal, që një pjesë mund të jepet në dorë, një pjesë mund të jepet me bankë. E merr çdo 15 ditë.
Qytetarja: Po pra e merr në dorë.
Qytetarja: Pashë këtë njoftimin për kamarierë?
Qytetarja: Dhe jam e interesuar! Me kë mund të flas të lutem?
Punonjësja: Flisni me pronarin!
Qytetarja: Ndjesë që ju shqetësova!
Pronari: Hajde ulu! S’prish punë!
Qytetarja: Doja të dija paraprakisht, si janë kushtet e punës?
Pronari: E marr vesh! Rroga 300 mijë lekë, nëse di me ba banak dhe kamariere.
Pronari: Nuk është se ka ndonjë fluks të madh pune. Darkave alternohena për shembull, me ken unë nga ora 9 e gjys ktu, se mblidhna me shokët. I kam miq, se i mbaj vetë.
Qytetarja: Kuptoj! Po si pagesë?
Pronari: Po, po, po! Kjo pjesa e sigurimeve është pak problem, është pak problem për pagat, do i çojnë 420 mijë lekë, kjo godet biznesin privat.
Qytetarja: Përshëndetje, si kalove?
Qytetarja: Po kaloja rastësisht dhe pashë atë letrën dhe thashë po futem të pyes njëherë.
Pronari: Për çfarë je e interesuar?
Qytetarja: Për kamariere. Unë e kam bërë edhe banakun.
Qytetarja: Aktualisht, punoj tek “Nxx”, në Porcelan. Thjesht doja të dija mē tepër domethënë, si janë kushtet e punës për pjesën e pagesës!
Pronari: Është 300 mijë lekë.
Qytetarja: Janë të deklaruara 30 domethënë ju, apo i marrim me pjesë në bankë?
Pronari: Nuk i jap në bankë, për arsye se të gjithë kanë probleme, janë qiraxhinj më jep lekët sot, më jep lekët nesër, si janë të gjithë njerëzit.
Për këtë problematikë, “Stop” iu drejtua Zyrës së Inspektoriatit Shtetëror të Punës, ku drejtori Ardit Shabanaj ngriti një grup pune për kontrolle në terren.
Pas inspektimit, Inspektoriati gjobiti subjektet në fjalë dhe u pezulloi aktivitetin, duke u lënë detyrë që zbatojnë kushtet e të lidhin kontrata për punonjësit./ tvklan