Imagjinoni një punëtor të ngathët, të keqarsimuar apo të nënarsimuar, i cili, pavarësisht se sa lodhet, nuk është në gjendje të prodhojë më shumë se sa 30 mijë lekë në muaj vlerë të shtuar. Ose një nënë që ka nevojë për punë me orar të reduktuar sepse ka shumë fëmijë për të rritur.
Përgjatë shekullit të njëzetë, kur njerëzit punonin të ngjeshur në fabrika të stërmëdha, në kompani që punësonin me mijëra njerëz njëkohësisht, shumë vende gjetën zgjidhje për t’i dhënë punëtorëve me rendiment të ulët një pagesë më të lartë se sa rendimenti, duke ia ulur këtë nga paga punëtorëve me rendiment më të lartë, një lloj transferimi social ky brenda një fabrike të madhe. Kjo është ajo që njihet si paga minimale. Merrja një punëtori të mirë por të varfër, jepja një punëtori të keq, gjithashtu të varfër.
Kjo lloj skeme është e mundur dhe funksionon relativisht mirë vetëm në rastet e kompanive të mëdha, ku numri i punëtorëve është i lartë dhe ku transferimi nga punëtori me produktivitet të lartë te ai me produktivitet të ulët nuk bie shumë në sy. Por për ndërmarrjet e vogla, fjala vjen, një kafene, me tre apo katër punëtorë, skema nuk funksionon sepse bie në sy. Skema gjithashtu nuk funksionon në rast se paga minimale rritet në një masë të tillë sa shkalla e transferimit bëhet aq e lartë sa të bindë punëtorin e aftë se puna e tij nuk njihet dhe nuk respektohet.
Paga minimale, kur është anomalisht e lartë, shkakton një problem shumë më të tmerrshëm se sa varfëria; ajo shkakton papunësi kronike. Me pak fjalë, nëse një punëtor e ka vlerën e tij të shtuar 20 mijë lekë, por punëdhënësit janë të detyruar t’i paguajnë 40 mijë lekë, atëhere zgjidhja normale për punëdhënësin është që të mos e punësojnë atë. Kjo praktikisht e përzë punëtorin e pakualifikuar nga tregu i punës dhe e dënon me varfëri dhe papunësi të përhershme.
Përgjatë dekadave të fundit, vendet normale janë përpjekur të zgjidhin këtë problem të pagës minimale duke e zëvendësuar apo plotësuar atë me kredite fiskale. Kjo do të thotë që, ndërsa një punëtor i pakualifikuar punësohet për një pagë të ulët, në përputhje me produktivitetin e tij të punës, shoqëria e ndihmon për t’u ngritur mbi nivelin e varfërisë jo duke detyruar punëdhënësin e tij që t’i paguajë 40 mijë lekë, por duke marrë para nga buxheti i shtetit. Me pak fjalë, një transferim nga të pasurit te të varfrit brenda një kombi, jo brenda një kompanie.
Disa vende janë duke eksperimentuar me një ide akoma më novatore: quhet Të Ardhura Personale Universale dhe nënkupton një pagesë minimale nga taksat për të gjithë popullsinë maxhorene pa kushte dhe pa komplikacione burrokratike.
Përkundër këtyre koncepteve shumë interesante, të mërkurën erdhi lajmi që qeveria e kryeministrit Edi Rama ka vendosur të rrisë pagën minimale, nga 34 mijë në 40 mijë lekë. Rritja prej 16.7%, nëse do të ishte reale, do të ishte katastrofike sepse do të shkaktonte inflacion. Nëse në një ekonomi që rritet me 2-3% reale, (5-7) nominale, siç është parashikimi i rritjes për këtë vit, pagat rriten me 16.7%, kjo natyrisht që sjell pushime masive nga puna, ose inflacion të lartë.
Në ekonominë reale, ndryshe nga ajo e shtëpive të barit apo e korrupsionit qeveritar, paratë nxirren me shumë mund nga produktiviteti i punës. Dhe nëse produktiviteti i ekonomisë së vendit sjell rritje ekonomike 5 apo 7%, pagat vështirë se mund të rriten me 16.7%. Paratë duhet të dalin nga diku, nuk rriten në pemë.
Vetëm se katastrofa që duhej të kishte ndodhur nga lëvizje të tilla administrative nuk do të ndodhë për shkak se paga minimale në Shqipëri nuk është reale. Ajo është një çmim referencë për taksat minimale që qeveria kërkon nga të punësuarit.
Sa për ilustrim po ju tregoj një bisedë që dëgjova mes dy punonjësve të pastrim gjelbërimit në Tiranë.
Punonjësi i parë: “Ti e merr rrogën në bankë apo ta jep Kadriu?”
Punonjësi i dytë: “Ma jep Kadriu.”
Punonjësi i parë: “Sa të mban, pesëdhjetë apo njëqind?”
Punonjësi i dytë: “Njëqind.”
Fabula është e thjeshtë. Punëtori i pastrim gjelbërimit në Tiranë, punëtori i pakualifikuar pa ndonjë produktivitet të lartë, duhet të marrë, sipas rregullave të qeverisë, 34 mijë lekë në muaj. Por rrogën ai nuk e merr në bankë. Në bankë për të e merr Kadriu, i cili i jep 24 mijë dhe i mban 10 mijë.
Kadrinj të tillë ka në të gjithë vendin dhe të dhëna anektodale tregojnë se nëpër fabrikat fason ky është një fenomen në masë. Të dhëna të tjera anektodale tregojnë për mënyra më të pista të përdorura nga kompanitë për të ulur pagën reale të përfituar nga punonjësit nën pagën minimale zyrtare. Pronarët e fabrikave u kërkojnë punonjësve të kthejnë në arkë një shumë parash nga paga minimale zyrtare që marrin në bankë. Në një supermarket lodrash, p.sh., administratorët vazhdimisht akuzojnë punonjësit për humbjen e ndonjë arushi, duke i mbajtur shitësve nga paga një shumë parash çdo muaj.
Dhe për sa kohë ka Kadrinj të tillë, rritja e pagës minimale nuk sjell ndonjë lehtësim të varfërisë së punëtorit, ajo sjell thjeshtë rritje të barrës fiskale.
Vendimi i qeverisë për të rritur në mënyrë masive pagën minimale do të sjellë një rritje dramatike të kostos së punës në një vit që pritet të jetë krizë. Kriza është shkaktuar nga politikat e bankave qendrore për të ulur inflacionin. Ulja e inflacionit kërkon që të ketë më pak para në qarkullim dhe jo më shumë. Rritja e pagës minimale teorikisht do të thotë që do të ketë më shumë para në qarkullim dhe rrjedhimisht, më shumë inflacion.
Qeveria pritet të marrë më shumë të ardhura. Nëse paga minimale rritet me 6 mijë lekë, qeveria merr 25% të kësaj shume. Për çdo punëtor me pagë të ulët, (afërsisht gjysma e të punësuarve), qeveria ka në plan të arkëtojë 1,500 lekë sigurime shoqërore e shëndetësore më shumë në muaj. Këto para i nevojiten qeverisë për shkak se të ardhurat nga çmimet e larta që mbushën buxhetin dy vitet e kaluara ka gjasa këtë vit nuk do të vijnë. Zgjidhja që ka gjetur qeveria për këtë problem të vetin është jo që të ulë shpenzimet, por që të rrisë taksat. Dhe taksat nuk po i rrit për të gjithë, por vetëm për të varfrit. Pronari i një koncesioni qeveritar paguan sot e të gjithë ditën 8% tatim mbi dividentin ndërsa shqiptarit të varfër u kërkohet minimalisht 25% mbi të ardhurat, një pjesë të të cilave, ia merr Kadriu. / BIRN