Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi është shprehur se qëndrimi për një kohë të gjatë në pushtet i një grup njerëzish ka prodhuar një helmim të dyfishtë të shoqërisë shqiptare.
“Në një krah është dëmi shpirtëror dhe ndjesia e neverisë..Helmimi i dytë i njerëzve dhe i shoqërisë në tërësi ka të bëjë me fatin personal”, thotë deputeti i PD.
Boçi thotë se shoqëria shqiptare ka arritur prej kohësh fazën e plotë të helmimit nga qeverisja e majtë.
“Sikur të mos mjaftonte “çizmja në fyt” e qeverisë Rama, pushteti vendor në shkallë vendi ka shpalosur një filozofi të njëjtë, poshtëruese dhe fyese”, shprehet Boçi.
Komenti i Luçiano Boçit
Çdo trup njerëzor ka nevojë për detoks pas periudhash stresi, helmimi shpirtëror, shtrëngese apo lodhjeje. Kjo vlen edhe për shoqëritë.
Qëndrimi i stërzgjatur në pushtet i një grushti njerëzish, të cilët i bashkojnë parime, vizione, qëllime dhe sjellje shumë të largëta nga interesi parësor i qytetarëve ka prodhuar një helmim të dyfishtë të shoqërisë shqiptare.
Në një krah është dëmi shpirtëror dhe ndjesia e neverisë, e vetëposhtërimit, e zhvlerësimit që njerëzit ndjejnë kur bie fjala për veten e tyre dhe jetët e tyre në Shqipëri. Ky pushtet – në qendër dhe në bazë- i ka bërë ata të ndjehen të pavlerë, të pakonsideruar, të paaftë për të nxitur çfarëdo ndryshimi pozitiv. Kjo ndjesi – po aq sa varfëria, i shtyn njerëzit të ikin pa e kthyer kokën pas.
Helmimi i dytë i njerëzve dhe i shoqërisë në tërësi ka të bëjë me fatin personal: çfarëdo arritje që të shënosh në Shqipëri, asgjë nuk është as e qëndrueshme, as e sigurt dhe as e vlerë. Kjo ndjesi pasigurie që veçsa rritet kur njerëzit fillojnë të konsolidojnë pozita shoqërore apo ekonomike, i bën të gjithë që të rrëzojnë çdo iluzion ndërsa ndjehen të zhveshur nga çdo mbrojtje. Shteti nuk i numëron si njerëz.
Shoqëria shqiptare ka arritur prej kohësh fazën e plotë të helmimit nga qeverisja e majtë. Sikur të mos mjaftonte “çizmja në fyt” e qeverisë Rama, pushteti vendor në shkallë vendi ka shpalosur një filozofi të njëjtë, poshtëruese dhe fyese.
Ka ardhur çasti që njerëzit të vendosin kundër helmit të përditshëm, të cilin janë të detyruar ta pranojnë në emër të mbijetesës. Shqipërisë i duhet një periudhë detoksi nga dhuna psikologjike, një çast i gjatë çlirimi nga frika dhe pasiguria, derisa publiku të rifitojë shprehitë njerëzore të vetë-respektit dhe të guximit qytetar, mbi të cilin ndërtohet sjellja e përgjegjshme dhe qëndrimi vetë-kritik.
Anormaliteti i zgjatur i disa mandateve qeverisëse, eksperimentet sociale mizore të zbatuar mbi shoqërinë shqiptare dhe modeli personal i Edi Ramës rrezikojnë të shkallmojë totalisht optikën etike të një shoqërie të tërë. Eshtë çasti që ky kërcënim të përballet me dinjitet nga qytetarët, të neutralizohet me votë dhe të demantohet njëherë e përgjithmonë.
Opozita duhet të njohë dhe të kuptojë nevojën e publikut për një periudhë dezintoksimi nga dhuna, shpërfytyrimi moral dhe pabarazia ekonomike. Humanizimi i politikës dhe ri-aftësimi i shërbimeve publike në ndihmë të këtij procesi janë rruga më e mirë për të ringritur shoqërinë.