Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka paralajmëruar kryeministrin Edi Rama dhe Taulant Ballën se do të jenë përgjegjës personal për çdo akt armiqësor ndaj PD.
Duke folur përballë protestuesve përballë Kuvendit, Berisha u betua se situata do të përshkallëzohet nëse më 3 mars Rama merr “peng” vulën e Partisë Demokratike.
“Sot Taulant Balla njoftoi vendimin që do japë gjykata më datën 3, unë i them Ballës, meqë ti je i pari që njofton vendimin. Ja ku janë këta burra dhe unë të betohem para tyre e mbarë shqiptarëve dhe ti dhe Rama do bëheni përgjegjës personal për cdo akt armiqësor ndaj PD dhe opozitës shqiptare. Shko ku të duash, do të të çojmë kudo që të ndodhesh në çdo vrimë miu që të futesh do të të kapim e do të të cojmë te Gentian Sharra miku yt”, tha fillimisht Berisha.
Ish-kryeministri paralajmëroi socialistët nga protesta duke thënë se qëllimi i tyre nuk është të futen brenda në parlament. Berisha me një deklaratë të fortë tha se protestuesit nëse duan futen për 3 minuta brenda Kuvendit, ndërsa shtoi se marshi i demokratëve do të jetë drejt Surrelit.
“Po të duam brenda tre minutash, jemi brenda në Parlament. Prandaj ikni. Po vendosëm, jemi në sallë! Po vendosëm, jemi në sallë, asgjë nuk na pengon! 3 marsi është dita e madhe, 3 marsi është ditë fitoreje për revolucionin. 3 marsi është dita e çdo shqiptari, është dita në të cilën bëjmë betejën për të sotmen dhe të ardhmen tonë. Edhe njëherë ju përshëndes shumë përzemërsisht, ta vazhdojmë betejën tonë. Në çdo rast, marshi drejt Surrelit, do jetë marshi ynë”, deklaroi Berisha.
- Berisha: “Vrasësi i kenianes fshihet në qeveri”
Vdekja e 22-vjeçares keniane Joy Ayoko pas dhunimit barbar dhe qëndrimit për mbi 5 muaj në gjendje kome në spitalin e Traumës, u përmend edhe sot në protestën e Partisë Demokratike para Kuvendit.
Kreu i PD, Sali Berisha hodhi akuza të forta në drejtim të Partisë Socialiste duke thënë se vrasësit e të resë, e cila ishte e punësuar në një kazino në kryeqytet, fshihen në qeverinë e Shqipërisë.
Joy e cila ndërroi jetë pasi u dhunua barbarisht në banesën e saj, sipas Berishës janë persona me pushtet në qeverinë Rama, ndaj edhe janë zvarritur hetimet nga Policia e Shtetit dhe asnjë person përgjegjës nuk është vënë në pranga.
“Edi Rama, i verbuar nga pushteti shkon deri aty sa blen vazo druri për 4 milionë euro, çka nuk e bën kush në Europë përveç sulltanëve në Arabi? Zoti Meta foli këtu për rroga dhe pensione. Në vitin 2013, shqiptarët kishin rrogat dhe pensionet më të mëdha në rajon. Sot janë 40 deri 50 përqind më të ulëta në Kosovë. A e dini ju se këta janë një bandë që strehojnë vrasës? Ku fshihen vrasësit e kenianes? Në qeveri, në qeveri, në qeveri”, tha Berisha.
Më tej, lideri i opozitës shtoi akuzoi edhe kreun e Grupit të PS, Taulant Balla si trafikant qeniesh njerëzore.
“Shikojeni pak atë kriminelin Taulant Balla, e kam denoncuar dhe e denoncoj sërish, vendi i tij është në burg si trafikant femrash. Prandaj ata fshehin Xhoin. Ai është denoncuar nga diplomatët shqiptarë se ka nxjerrë viza për prostituta moldave që t’i sillte në Shqipëri. Fatos Nano, në vend që ta çonte në prokurori, e bëri këshilltar. Ai është denoncuar nga delinkuentë se ka porositur vrasje. Ky është eksponenti parlamentar kryesor i mazhorancës”, u shpreh Berisha.
- Çfarë ndodhi në protestën e sotme përballë Kuvendit? Berisha thirrje për qytetarët!
Dita e sotme nisi me përplasje të ashpra mes opozitës dhe mazhorancës brenda dhe jashtë Kuvendit pasi kreu i Partisë Demokratike kishte thirrur protestë përballë institucionit ligjvënës.
Nisja e seancës plenare të kësja të enjte në Kuvend ka sjellë të njëjtën panoramë si në dy seancat e shkuara, teksa deputetë demokratë të përjashtuar nga punimet e Kuvendit por edhe të tjerë, të cilëve u ka përfunduar masa disiplinore, janë ndaluar nga oficerët e Gardës që të hyjnë në Parlament.
Në derën kryesore të Kuvendit ka pasur tension të shtuar, teksa në momente të caktuara gardistët kanë pasur kontakt fizik me deputetët Edmond Spaho, Luan Baçi dhe Luçiano Boçi, duke i shtyrë me forcë për t’u penguar hyrjen në sallë.
Për të treguar se çfarë ndodhi, deputeti Tritan Shehu është kthyer nga kamerat dhe dha mesazhin e tij duke thënë: “Ky është grusht shteti”.
Ndërkohë, deputetja Albana Vokshi e quajti të turpshëm reagimin e efektivëve të Gardës, duke dënuar atë që e quajti “ngritje e dorës” përkundrejt një deputeti.
“Duhet të jenë brenda mbledhjes së byrosë. Hape rrugën. Fola me sekretaren. Çfarë po bën, mos prek deputetët me dorë. Po e bëni pis këtë kostum. Guxoni ju vini dorë mbi deputetin”, u shpreh deputetja Vokshi.
Byroja e Kuvendit nuk ka ndryshuar vendimin për përjashtimin e deputetëve demokratë. Deputetët demokratë akuzohen se bllokuan foltoren, i ranë bilbilit dhe vunë zhurmues në seancë.
Rreth 1 orë pasi kishte nisur protesta, Sali Berisha nga selia e Partisë Demokratike iu drejtua protestuesve përballë Kuvendit. Me tone të ashpra Berisha “kërcënoi” se në rast se vula e PD-së merret peng nga Edi Rama atëherë populli opozitar do të futet në Kuvend dhe do të marshojë më pas drejt Surrelit.
Në fund të fjalës Berisha i bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë masivisht në protestën e 3 marsit ditën kur Gjykata do të përcaktojë se kujt do t’i përkasë vula e Partisë Demokratike. Berisha ftoi qytetarët që të marrin pjesë në atë që e quajti fillim të revolucionit.
Kujtojmë që prej disa javësh tashmë nuk zhvillohet një seancë normale, pasi jashtë Kuvendit protestojnë mbështetësit e Berishës, ndërsa brenda deputetët e opozitës të cilët bllokojnë foltoren dhe fishkëllejnë me bilbila, teksa kërkojnë që kryeministri Edi Rama të paraqitet në Kuvend për të dhënë “llogari” për implikimin e tij në aferën “McGonigal”. Berisha ka bërë të qartë që demokratët do të vijojnë aksionin opozitar brenda dhe jashtë parlamentit.