Detaje të reja kanë dalë në dritë për ngjarjen e raportuar nga policia si një konflikt për motive të dobëta në Durrës, ku një 44-vjeçar ka goditur me shkop bejsbolli një 46-vjeçar, duke i shkaktuar plagë të rënda.
Mësohet se ngjarja e ndodhur në fshatin Shkafane, ka për protagonist shtetasin Artan Paja, i cili është konfliktuar me 46-vjeçarin me iniciale K.S. për disa para që i kishte borxh.
Ky i fundit ishte i punësuar pranë një karburanti dhe Paja pavarësisht parave borxh që i kishte marrë, ka shkuar sërish për të furnizuar makinën me naftë në pikën ku punonte 46-vjeçari.
Në këtë moment ata janë përplasur fizikisht, pasi punëtori i karburantit i ka kërkuar paratë, por Artan Paja nuk ka pranuar t’ia kthejë borxhin.
Në kulmin e tensionit dhe përleshjes autori ka nxjerrë shkopin e bejsbollit nga makina dhe e ka goditur duke tentuar ta vrasë 46-vjeçarin.
“Tentoi të vriste me send të fortë, një shtetas, pas një konflikti për motive të dobëta, falë reagimit të menjëhershëm nga Policia, kapet dhe arrestohet 44-vjeçari. Si rezultat i kontrolleve të ushtruara nga Policia, u bë e munduar kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit A. P., 44 vjeç, banues në fshatin Shkafane, Durrës. Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, pas një konflikti për motive të dobëta, në fshatin Shkafane, Durrës, ka tentuar të vrasë me send të fortë (shkop bejsbolli), shtetasin K. S., 46 vjeç, banues në fshatin Kullë, Durrës, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentative”, njofton policia.
Ndërkohë, nga spitali konfirmohet se 46-vjeçari i dhunuar ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes së rëndë.