Nga viti 2014 deri në fund të vitit 2022, qeveria e Shqipërisë nëpërmjet buxhetit të shtetit ka injektuar në ekonominë e vendit 1,1 trilionë lekë (9,7 miliardë euro) në formën e investimeve kapitale dhe shpenzimeve operative, referuar të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave.
Këto dy zëra, sipas përcaktimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar, përfaqësojnë investimet që shteti kryen në ekonomi, duke ndërtuar dhe duke mirëmbajtur asetet fizike ose teknologjike që e zhvillojnë ekonominë.
Po sipas FMN, mënyra për të matur më saktë nëse po shpenzon si duhet qeveria janë rezultatet që ato sjellin, p.sh. të ardhurat për frymë të popullatës, përmirësimi i sistemeve shëndetësore, arsimore, infrastrukturës rrugore, ujë të pijshëm me kosto të ulët etj. FMN udhëzon se, qeveritë me buxhetet e tyre janë një operator i madh në ekonomi dhe nëpërmjet investimeve kapitale ndikojnë në rritjen ekonomike të vendit.
P.sh. nga viti 2014 në vitin 2022, qeveria ka injektuar në ekonomi, nëpërmjet investimeve operative dhe kapitale, mbi 9,7 miliardë euro, por PBB-ja e vendit është shtuar gjatë kësaj periudhe me vetëm 3.4 miliardë euro, ndërsa borxhi publik, nga ana tjetër, është rritur me po 3 miliardë euro.
Studimet e FMN për eficiencën e investimeve publike tregojnë se në vende si Shqipëria, ka një hendek rreth 50% ndërmjet shumës që qeveria jep në formën e investimit dhe produktit final (shiko “Getting the Most from Public investment”).
Pano Soko, ekonomist, i cili më parë ka punuar në programimin e buxhetit, tha se në fillim të viteve 2000, sasia e abuzimit apo ryshfetit brenda vlerës së një shpenzimi apo investimi qeveritar filloi të rritej nga “10 përqindëshi”, i cili më pas u bë 20% e me radhë.
“Sot, bazuar në raportet e KLSH-së dhe krahasimeve empirike, korrupsioni zë mesatarisht 30-50% të veprave apo shërbimeve të tenderuara ku abuzohet. Por në raste të veçanta abuzimi shkon edhe 70-80% apo dhe 90% të vlerës. Pra nëse vlera e një tenderi ku abuzohet është 100 lekë, abuzimi zë mesatarisht 30-50 lekë”, – tha Soko.
Ministria e Financave sqaroi se gjatë zbatimit të buxhetit monitorohen në mënyrë sistematike ecuria financiare e projekteve, problematikat që mund të ndikojnë ecurinë dhe arritjen e treguesve të performancës.
Më tej dikasteri sqaroi se, në zbatim të përcaktimeve ligjore, ndërmerr hapa të mëtejshëm në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse për projektet në rialokimin e fondeve në kuadër të mirëmenaxhimit të fondeve buxhetore.
Investimet shumëvjeçare rrisin kostot e projekteve me 100%
Qeveria i ka rritur ndjeshëm fondet për investimet në infrastrukturë të tilla si rrugë, ujësjellës dhe infrastrukturë dixhitale, por ndërkohë mungojnë produktet finale.
P.sh. në infrastrukturën rrugore, në akset e rëndësishme, si Kardhiq-Delvinë, Rruga e Arbrit, Qukës – Qafë-Thanë, Rruga e Kombit punimet kanë hyrë në dekadën e dytë dhe projektet nuk kanë përfunduar.
Metodologjitë e FMN vlerësojnë se, nëse punimet në një objekt publik zgjasin më shumë se tre vjet, atëherë kostot e amortizimit janë shumë të larta.
Nëse punimet zgjasin më shumë se pesë vjet, investimi zhvlerësohet me 50% dhe kuptohet nëse zgjat më shumë se 10 vjet, investimi zhvlerësohet totalisht nga amortizimi i pjesës së përfunduar dhe investimeve të kryera të papërdorura.
Shembulli më tipik në këtë është Rruga e Arbrit, në të cilën qeveria shqiptare ka hyrë në vitin e 14 të ndërtimit të saj. Projekti, i cili nisi në vitin 2008 me kosto fillestare rreth 75 milionë euro, me gjithë tenderët e fundit për skarpatet, pritet të arrijë mbi 38 miliardë lekë (350 milionë euro).
Por ndërkohë që tuneli, vepra kryesore e rrugës ende është në ndërtim, shirat e ditëve të fundit kanë përkeqësuar investimet ekzistuese.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Infrastrukturës, kur nisi koncesioni, ishin ndërtuar plotësisht 20.12 kilometra, pjesërisht në 15.17 kilometra dhe ishin të paprekura nga punimet 26.3 kilometra.
Për ndërtimin e rreth 35 kilometrave (20 nga e para dhe 15 rindërtim), qeveria kontraktoi me PPP kompaninë “Gjoka Konstruksion”, me 36 miliardë lekë që kompania do të ndërtonte rrugën sipas një kontrate me çelësa në dorë.
Qeveria përuroi punimet dhe rruga u hap për trafikun në nëntor të vitit 202. Punimet nuk ishin përfunduar as në gjysmën e tyre, pasi koncesionari nuk kishte përfunduar veprën kryesore tunelin e Murrizit, nuk kishte ndërtuar skarpatet etj.
Megjithëse koncesionari kishte në kontratë përfundimin e rrugës që nga ndërtimi e deri te sinjalistika, qeveria vitin e kaluar prokuroi ndërtimin e skarpateve me rreth 20 milionë euro fonde publike, duke shkelur, në dëm të qytetarëve, kontratën me koncesionarin.
Zgjatja e punimeve në akse rrugore për më shumë se një dekadë ka rritur kostot në mënyrë artificiale, nëpërmjet shtesave të punimeve. Deri më tani, kostot për kilometër në Rrugën e Arbrit përllogariten 11 milionë euro me gjithë mirëmbajtjen për vitet e koncesionet.
Një inxhinier i konstruksioneve rrugore, i angazhuar me projektet e ndërtimit të rrugëve tha se, kostot e ndërtimit të një kilometri rrugë si ajo e Arbrit në zonë malore dhe në vepra arti nuk janë më shumë se 750 mijë euro për kilometër.
Inxhinieri, i cili zgjodhi të ruajë anonimatin, tha se kostot e ndërtimit të rrugëve në Shqipëri aktualisht janë disa herë më të larta se në rajon, në një kohë që duhet të jenë disa herë më të ulëta. Fuqia punëtore e Shqipërisë kushton gati 40% më pak se në rajon dhe gjithashtu lëndët e para, pasi bitumi prodhohet në vend.
Korrupsioni i lartë gërryen rentabilitetin e investimeve publike
Transparency International (TI), organizata më e madhe globale antikorrupsion, në indekset e përvitshme tregon se korrupsioni në Shqipëri është përkeqësuar më tej që nga viti 2014 në vitin 2021.
Sipas Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2021, Shqipëria grumbulloi vetëm 35 pikë nga 100 pikë në total (ku 0 është vlerësimi më i ulët dhe 100 më i lartë) në total, duke u renditur në vendin e 110, si ndër vendet më të korruptuara nga 180 vende të marra në studim.
Krahasuar me 2020, Shqipëria ka rënë 6 vende në renditjen globale, ndërsa grumbulloi 4 pikë më pak se në vitin 2016.
Korrupsioni është një ndër elementet kryesore që gërryen aftësinë e investimeve publike për të qenë eficientë. FMN thotë në udhëzimet për shpenzimet buxhetore, se zëri i investimeve publike është më i ekspozuar ndaj korrupsionit të qeveritarëve, pasi në zërat e tjerë si pagat, pensionet, interesat e borxhit, mundësitë janë të kufizuara.
Në Shqipëri investimet publike janë korruptive që në gjenezë nga mënyra se si zgjidhen.
Pothuajse të gjitha projektet e investimeve janë zgjedhur me lobim të grupeve të interesit, pa pasur analizë të kosto-përfitimeve. Shumë projekte investimi të viteve të fundit janë prokuruar pa studim fizibiliteti.
Burime të sigurta nga Autoriteti Rrugor Shqiptar thanë se vitet e fundit, jo vetëm që nuk po bëhen projekte me studime fizibiliteti, por po prokurohen punime pa projekt fare, të tilla janë tuneli i Skërficës në rrugën Kardhiq-Delvinë, projekti aktual i nënkalimit tek ish-sheshi Shqiponja, ndërsa prokurimet e dyshimta me Partneritet Publik-Privat e kanë përkeqësuar më tej fenomenin.
Transparency International gjen 8 raste korrupsioni të nivelit të lartë në Shqipëri, PPP në fokus
Transparency International (TI), organizata më e madhe globale antikorrupsion, publikoi vitin e kaluar një studim të posaçëm për rastet e korrupsionit të nivelit të lartë në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi.
Botimi zbardh rreth 34 raste të vlerësuara si korrupsion i nivelit të lartë në të gjitha vendet (Kosovë, Maqedoni e Veriut, Serbi, Mal i Zi, Bosnjë, Turqi dhe Shqipëri), por 8 prej tyre (20%) i përkasin vetëm Shqipërisë.
Ndër rastet më përfaqësuese janë kontratat PPP të inceneratorëve dhe ato në shëndetësi.
Qeveria shqiptare dha kontrata për ndërtimin e tre inceneratorëve të mbetjeve në energji, nëpërmjet skemave të investimeve të Partneritetit Publik-Privat në Bashkitë Elbasan (2014), Fier (2016) dhe Tiranë (2017). Vlera totale e tre inceneratorëve arrin në rreth 178 milionë euro.
Transparency International vë në dukje se në të tria rastet, kompanitë që fituan kontratat nga qeveria ishin ofertuesit e vetëm dhe fituesi për Elbasanin paraqiti propozime të pakërkuara dhe arriti një kontratë pa proces tenderimi. Individët kryesorë në secilën kompani janë të lidhur ngushtë me njëri-tjetrin, nëpërmjet partneriteteve të biznesit, vuri në dukje TI.
Transparency International renditi si raste madhore të nivelit të lartë edhe PPP në shëndetësi. TI referon se, gjatë mandatit të parë të kryeministrit Edi Rama (2013-2017), qeveria shqiptare prokuroi katër shërbime kryesore për sistemin shëndetësor publik nëpërmjet Partneriteteve Publike-Private.
Ministria e Shëndetësisë, e drejtuar nga Ilir Beqaj, ka organizuar prokurimin. Shërbimet e prokuruara ishin për (1) kontroll shëndetësor për të rriturit nga mosha 40 deri në 65 vjeç, (2) sterilizimi i pajisjeve spitalore, (3) shërbimet laboratorike dhe (4) hemodializa. Kontratat kishin vlerë totale minimale prej rreth 310 milionë eurosh dhe secila kontratë ishte e vlefshme për dhjetë vjet.
TI i vlerësoi raste korrupsioni të nivelit të lartë, për shkak se u dhanë ndaj kompanive që nuk kishin përvojë, pa transparencë dhe pa studime kosto-përfitime. TI vëren se, për disa shërbime, kostoja u rrit gati me 80 herë.
Raste të tjera të korrupsionit në nivel madhor Transparency International rendit privatizimin e Kompanisë së Shpërndarjes ndaj CEZ, rastin e trafikut të narkotikëve nga ish-ministri Tahiri etj.
Investimet e gabuara me kosto, rast krahasimi me Kroacinë
Në dhjetor të vitit të kaluar, qeveria kroate përuroi punimet në aksin 17 kilometra të Autostradës A5 “Beli Manastir-Osijek-Svilaj”, me gjatësi 88.6 kilometra në territorin kroat, pjesë e rrjetit kryesor europian. Shiko linkun
Rruga u bë me standardin më të lartë autostradë me 29 metra gjerësi dhe ndërtimi kushtoi gjithsej 206 milionë kuna (1 kuna-7.5 euro) 27 milionë euro. Kroacia shpenzoi për ndërtimin e një autostrade në territorin e saj, pjesë e rrjetit europian, 27 milionë euro, për 17 kilometra, ose 1.5 milionë euro për kilometër.
Kosto tërësore e këtij segmenti është më e lartë, por kur ndërton autostradat, Kroacia shpenzon për shpronësimin shumë më tepër se sa për ndërtimin, pra procesi më i kushtueshëm është toka, blerja e saj, ndërtimi kushton më pak.
Në buxhetin e vitit 2023, “Hrvatskih autocesta”, kompania publike kroate që menaxhon rrugët, njoftoi se është llogaritur një buxhet prej 18 milionë eurosh për ndërtimin e rreth 5 kilometrave të autostradës që përmbyll të gjithë seksionin në pjesën kroate. Shiko linkun
Në Shqipëri, edhe pse kostot e fuqisë punëtore dhe lëndëve të para janë më të ulëta, punimet në akset rrugore janë me kosto disa herë më të larta dhe me punime jocilësore.
Ndërsa Shqipëria, vitin e kaluar, raportoi se një kilometër autostradë e kategorisë A që i përket sheshit “Shqiponja”, kushtoi rreth 3 miliardë lekë, 27 milionë euro për kilometër, sipas të dhënave të Ministrisë së Infrastrukturës, ndërsa rrugët interurbane të tipit C po kapin vlerat 10 mln për kilometër.
Në buletinin e kostove të ndërtimit të autostradave në SHBA, për 2023, llogaritet që kategoria A me gjerësi 27 metër do të kushtojnë 12,6 milionë dollar.
Përveçse me kosto të larta, projektet e investimeve në Shqipëri janë hartuar gabim.
Nënkalimi tek ish-sheshi “Shqiponja” u bë dhuratë nga një kompani private brenda natës, pasi dështoi projekti i parë për shkak të lidhjes korruptive që u zbulua nga mediat. Inxhinierët e rrugëve pohojnë se projekti është problematik, nuk ndikon në lehtësimin e lëvizjes, madje është shkak për aksidente dhe kjo po vërehet gjatë përdorimit.
Krahasime, kostot për 1 km rruge me 2021
-Autostrada “Beli Manastir-Osijek-Svilaj, kategoria A pjesë e rrjetit Paneuropian, 1 km =1,5 milionë euro (pa shpronësimin)
-Rrugë kategoria A në Shqipëri që i përket sheshit “Shqiponja” 1 km= 27 milionë euro.
-Kosto mesatare zyrtare për ndërtimin e autostradave me gjerësi 29 metër në SHBA përfshire veprat e artit 12,6 milionë dollarë.
Eficienca e investimeve zbehet nga mungesa e rezultateve në mirëqenie
Udhëzimet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar tregojnë se eficienca e investimeve publike tregohet në standardet e shërbimeve publike, arsim, shëndetësi, infrastrukturë etj. Zakonisht qeveritë
e përgjegjshme, p.sh., kur thonë se do të harxhojmë 50 milionë euro në arsim presin të rrisin pjesëmarrjen në shkollë me 3% (shembull). Zakonisht qeveritë serioze raportojnë investimet me produkte finale, duke analizuar kostot, përfitimet dhe kohëzgjatjen.
“P.sh., do të ndërtojmë 10 kilometra rrugë për 3 vite, me kosto 50 milionë euro”, ndërkohë përfitimet për 10 vite do të jetë 100 mln euro”. Në Shqipëri, investimet nuk bëhen mbi këto raportime të rekomanduara.
Qeveria i ka investuar 9.7 miliardë dollarë nga viti 2014 në vitin 2022, por ndërkohë, mirëqenia e shqiptarëve ka mbetur në vendnumëro. Të ardhurat mesatare në Shqipëri, në raport me BE, mbetën 32%, një nivel i pandryshuar për vite me radhë, niveli më i ulët rajonal.
Si rezultat i varfërisë së lartë, Shqipëria ka normat më të larta të emigracionit në botë. Cikli i emigracionit po përkeqësohet nga viti në vit, prej ikjes masive të të rinjve. Emigrimi masiv vlerësohet si tregues kryesor i dështimit të politikave publike.
Gjatë 9-mujorit 2022, rreth 20 mijë shqiptarë kanë kërkuar azil në Britani dhe në BE, ndërsa mijëra të tjerë janë larguar me studime, lotari, kontrata pune dhe bashkim familjar.
Mungesa e eficiencës së investimeve publike vërehet më së shumti në rezultatet e dobëta në arsim dhe shëndetësi. Shqipëria kishte 16.47 mjekë për 10 mijë banorë në Europë në vitin 2019, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), të përditësuara në shkurt 2021, më e ulëta në Europë. Shiko linkun
Ndonëse me rritje, në krahasim me vitin 2016, kur ky tregues ishte 12.2, sërish Shqipëria ka më pak mjekë në dispozicion të popullatës, të paktën dy herë më pak se mesatarja e Europës prej 47.6 mjekësh për 10 mijë banorë.
Rezultatet e PISA 2018 treguan se 15-vjeçarët e Shqipërisë morën 437 pikë nga 600 pikët e mundshme në testin e matematikës. Në aftësitë e të lexuarit, Shqipëria u vlerësua me 405 pikë nga 600 të mundshme, duke mbajtur të njëjtin rezultatet me vitin 2015. Niveli i nxënësve në Shqipëri është poshtë mesatares europiane.
Ministria e Transportit raportoi se gjatë katër viteve 2016-2020, ka investuar në infrastrukturën rrugore rreth 830 milionë euro, por të dhënat e reja të INSTAT, të cilat u publikuan në një raport për transportin, tregojnë se densiteti i rrjetit rrugor për kilometër katror në vend ka rënë.
Në vitin 2021, dendësia e rrugëve ishte 12,5 kilometër për 100 kilometër katror. Në vitin 2020, ky tregues ishte 12.8 kilometër për 100 kilometër katror dhe në vitin 2019 ishte 12,9 kilometër katror. Siç tregojnë të dhënat, me gjithë përqendrimin e lartë të investimeve në rrugë, dendësia e rrjetit rrugor në vitin 2021 ka rënë.
/Monitor.al/