Dy tërmetet shkatërrimtar që kanë shkaktuar rreth 21 mijë viktima dhe mbi 70 mijë të plagosur në Turqi, mund të cilësohen hapur si fatkeqësia e shekullit.
Sikur të mos mjaftonin humbjet e jetëve dhe prekja në mënyrë direkte dhe indirekte e rreth 13 milionë personave në rajonet e goditura, gjurmët e tërmetit në Turqi janë gjithashtu apokaliptike dhe të frikshme.
Në provincën e Hatay (më e goditura nga tërmeti) raportohet nga mediat se është krijuar një çarje gjigante me një thellësi 30 metra dhe gjerësi rreth 200 metra.
Toka e hapur ka ndarë një fushë të mbjellë me ullinj në mes të fshatit Tepehan.
Banorët vendas rrëfyen se tërmeti u ndje shumë në zonë dhe u shoqërua edhe me zhurmë, por kjo gropë e krijuar ka frikësuar banorët të cilët përveç dëmit ekonomik, ndihen të pasigurtë.
Sipas CNN Turk, të tjerë banorë thanë se gjatë tërmetit kanë dëgjuar një shpërthim dhe kanë parë një dritë jeshile në të njëjtën zonë.
“Ishte një shpërthim i madh, nuk e pashë, por dëgjova një zë. Kur shkova të shihja këtë mëngjes, për fat të keq, pashë një gërmadhë të tillë nga kjo anë. Nuk e di se çfarë ka ndodhur”, tha Aziz Gunduz, një nga banorët.
Sakaq, në fshatin Tevekkeli të Kahramanmaraş një e çarë që shtrihet për mijëra metra është shfaqur duke tronditur edhe studiuesit.
Plasaritja e krijuar pas tërmeteve, epiqendër të së cilave ishin qytetet Pazarcık dhe Elbistan dhe ka prekur 10 provinca, mund të shihet edhe nga ajri, ndërsa pamjet tronditëse zbulojnë shkallën e tërmetit.
Eksperti britanik i tërmeteve Stephen Hicks referuar kësaj çarje në tokë tha: “Për t’ju dhënë një ide të magnitudës së tërmetit në Turqi, nëse do të vendosnim USGS ShakeMap mbi Ishujt Britanikë, Anglia në thelb do të ishte ndarë në dysh nga forca”.
Ndërkohë, sizmologu amerikan, profesor Harold Tobin tha: “Këta nuk janë vetëm tërmetet më të mëdhenj që kemi përjetuar në Turqi në vitet e fundit, por edhe tërmetet më të mëdhenj në botë në shekullin e kaluar. Ne nuk kemi parë një ngjarje të tillë që nga shpikja e instrumenteve sizmologjike.“