Në 24 Korrik të vitit 2000 Arben Ahmetaj krijoi Kompaninë “Hermes” që operonte në fushën e telekomunikacionit. Fillimisht ai është aksioner i vetëm dhe administrator. Më pas, tërhoqi në ortakëri emra të njohur që zotërojnë sot konçesione dhjetëra miliona euro.
“Hermes” ishte një ndër kompanitë “rurale” të telefonisë fikse që bënte interkonjeksionin me Albtelecomin e asaj kohe. Subjekti ofronte shërbimin në rrethinat e Tiranës dhe Durrësit. Një kompani që do ti siguronte Ahmetajt miliona dollarë fitime dhe një njollë të madhe korrupsioni. Një histori që me gjithë përpjekjet për ta mbuluar, vijon ta përndjekë. Por, le ti marrim gjërat me radhë.
Në 16 Gusht të vitit 2000, kompania e Ahmetajt regjistrohet në QKB. Edhe pse pa eksperiencën e nevojshme, vetëm dy javë më vonë, në 31 Gusht 2000 biznesmeni Ahmetaj arrin të sigurojë një kontratë të majme me Albtelecom për shkëmbimin e trafikut të telefonisë. Kontrata u firmos nga drejtori i atëhershëm i Albtelecom Dhimitraq Rafti, i konsideruar një prej njerëzve të afërt të Arben Ahmetajt dhe kryeministrit të kohës Ilir Meta.
Pas debateve dhe akuzave të shumta që shkaktoi aso kohe skandali i kontratës së interkonjeksionit me “Hermes”, Rafti do të shkarkohej nga detyra. Kontrata pasoi edhe nënshkrimin e 4 shtojcave. Këtu fshihet edhe abuzimi që favorizonte hapur kompaninë e Ahmetajt dhe i sillte shtetit dhjetëra milionë dollarë dëm.
“Afera e tij e pandëshkuar nga drejtësia edhe për shkak të kalimit të afateve daton me çështjen e Albtelecom ku është finalizuar si aferë në 2004, afera denoncohej shumë nga ish presidenti Berisha dhe paralajmëronte për ngritjen e një komisioni hetimor, u ngrit, u faktuan dhjetëra milionë euro të vjedhura përmes shitjes së impulsive telefonike që Albtelecomi i bënte kompanisë “Hermes” Arben Ahmetaj dhe impulset i shiteshin me një çmim 40 herë më lirë kompanisë Hermes dhe kompania përmes rishitjes përfitonte miliona euro” u shpreh gazetari, Adriatik Doçi.
Në një prej shtojcave të kontratës me Albtelecom, parashikohej tarifimi i kompanisë së Ahmetajt me vetëm 0.5 lekë për impuls telefonik. Kjo binte në kundërshtim me vendimin e Këshillit Mbikqyrës të kompanisë shtetërore të telefonisë që kishte vendosur një çmim prej 4 lekësh. Pra, kompanitë e tjera rurale që ofronin të njëjtin shërbim si Arben Ahmetaj paguanin plot 3.5 lekë më shumë për impuls. Çmimi mund të ndryshohej vetëm me vendim parlamenti pasi shërbimi i telefonisë aso kohe ishte i një rëndësie strategjike.
Nga përllogaritja që Albtelecom ka bërë më pas, dëmi ekonomik i shkaktuar nga biznesi i Ahmetajt është plot 22 milionë dollar. Kjo është shuma që ka kërkuar ish-kompania shtetërore në procesin ligjor në gjykatë. Bëhet fjalë për fitimin e munguar që do të duhej të shkonte në arkën e shtetit, por ka shkuar në arkat e kompanisë së Arben Ahmetajt.
Në nëntor të vitit 2006, Ahmetaj e bashkon me përthithje “Hermes” me kompaninë “H-Communication”.
Emri “Hermes” zhdukej. Emri i kompanisë së re do të ishte “H-Communication”. Në momentin e bashkimit, Ahmetaj kontrollonte përmes bashkëshortes 65 % të aksioneve.
Paketa e mbetur prej 35 % ishte në pronësi të Vilma Nushit. Kjo e fundit, ka marrë konçesionin e Chek-Up në Shëndetësi në vitin 2013, kohë kur ortaku i saj Arben Ahmetaj u bë ministër i Ekonomisë. Në detyrën e administartorit në kompani ishte Arben Seferaj, një emër i njohur të cilit Ahmetaj do ti jepte dorë për ngjitjen në krye të OSHEE në vitin 2014, pas rishtetëzimit të kompanisë. Në vitin 2003, siç Ahmetaj ka sqaruar në deklaratën e pasurisë, aksionet e tij ia ka kaluar bashkëshortes. Por, de fakto ai nuk heq dorë kurrë nga kontrolli teksa ekspozohet si konsulent. Në periudhën mes viteve 2005-2008 është paguar me 1 milionë e 50 mijë lekë të reja nga kompania.
Në 28 Maj të vitit 2008, “H-Communication” shitet tek kompania “Albania Online Service Provider” e drejtuar nga Ylli Panariti. Vlera totale e shitjes ishte 1.8 milionë euro. Bashkëshortja e Ahmetajt përfitonte 795.600 euro për 44.2 % të aksioneve. Blerësit do të paguanin menjëherë 60 % të vlerës ndërsa interesante është një klauzolë e kontratës. Aty, përmendet konflikti i mbartur i “Hermesit” të Arben Ahmetajt për abuzimin me Albtelecom. Pagesa e mbetur prej 40 % do të kryhej kur të zgjidhej në favor konflikti me Albtelecom për marrëveshjen e interkonjeksionit të vitit 2000. Në kontratë shuma e cilësuar e skandalit me Albtelecom është 2.2 milionë dollar. Nuk dihet nëse është lapsus pasi në padinë në gjykatë, shuma e kërkuar nga kompania e Ahmetajt është plot 22 milionë dollar abuzim.
Me bashkimin në kompaninë e re, tashmë u zhduk nga QKB “H-Comunication” e cila kishte emrin dhe gjurmët e Ahmetajt. Por, bie në sy fakti se shuma prej 795 mijë eurosh për paketën e aksioneve të bashkëshortes së Ahmetajt nuk rezulton të jetë renditur në deklaratën e pasurisë për periudhën në fjalë. Pra, me gjasë shitja nuk u bë kurrë dhe familja Ahmetaj ishte ende kontrolluese e biznesit. Ose në të kundërt, jemi përballë evazionit fiskal dhe mosdeklarimit korrekt të pasurisë për një vlerë rreth 800 mijë euro.
Në oktapodin e transaksioneve përfshihet edhe kompania “Bindi Integrated”, sërish subjekt i lidhur ngushtë me Arben Ahmetajn. Referuar deklarimit të pasurisë, ai rezulton se është paguar plot 45 mijë euro nga kjo kompani si konsulent i jashtëm, për periudhën shtator 2008-mars 2009.
Në fakt, “Bindi Integrated” u shkri për tu bashkuar me të njëjtën kompani që përthithi “Hermesin” e famshëm të Ahmetajt. Kuotat kaluan 100% në favor të “Albania Online Service Provider. Bashkimi në fakt është në kompaninë “Primo Communication” që është emri i ri i “Albania Online Service Provider”. Pra, Ahmetaj është paguar nga një kompani që praktikisht u bashkua me subjektet që dikur vetë themeloi dhe përvetësoi miliona nga shteti.
Kompania Albania Online Service Provider” ka përthithur edhe subjektin “Albania Fiber Backbone” dhe sërish administrator rezulton Ylli Panariti.
Bie në sy fakti se në këtë kompani rezulton aksioner themelues “Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve”. Nga verifikimi i deklarimit të pasurisë, në periudhën Janar-Shtator 2004 bashkëshortja e Ahmetajt, Albina Mançka ka marrë 18 mijë dollar shpërblim nga Fondi. Pra, jemi para një tjetër bashkimi kompanish të lidhura me Ahmetajn.
Në Maj të vitit 2008, bëhet një tjetër transaksion dhe kompania që përthithi aksionet e familjes Ahmetaj i shitet “Telekom Sllovenisë” që blen fillimisht 75 % të kuotave e më pas edhe pjesën tjetër.
Në Prill të vitit 2009 kompania ndryshon emrin në “Primo Comunication”. Emri me të cilin çështja e vjedhjes së parave publike shkoi në Gjykatën e Lartë. Por, për të humbur gjurmët nga abuzimi prej 22 milionë dollarësh, edhe emri i kompanisë “Primo Comunication” është zhdukur. Në Shtator të vitit 2014 ndryshohet sërish emri nga Primo, në “Vivo Comunication”.
Në fakt, nëse kërkon në QKB rezulton se me numrin e niptit që kanë pasur këto kompani sot rezulton shoqëria “Tibo Comunicattion”. Pra, është e njëjta gjë nëse përmendim emrat e kompanive “Albania Online Service”, “Primo Comunication”, “Vivo Comunication” e në fund kompania finale Tibo.
Ato janë rezultat i një morie transaksionesh dhe përthithjesh që kanë pikënisje nga kompanitë e Arben Ahmetajt “Hermes” dhe “H -Communication”. Tek ekstrakti i TIBO, bie në sy se kompania është themeluar me emrin “PMP Albanian Netuork” nga Robert Mane dhe Ylli Panariti. Ky i fundit, i njëjti person që bleu kompaninë e Ahmetajt “H-Communication”.
Tibo, është vënë shpesh në qendër të akuzave për pirateri televizive. Nuk dihet nëse sot kjo kompani ka lidhje të drejtëpërdrejtë me Ahmetajn, por, transaksionet që treguam hap pas hapi përmes një oktapodi kompanish ngrenë dyshime të forta.
Së fundi, ka të dhëna për një transaksion të ri që nuk është depozituar në QKB deri në këtë publikim. Në Kompaninë Tibo, është bërë aksioner shtetasi Gerian Kuka, i njohur si mik i afërt i Arben Ahmetajt. Personi në fjalë, është pjesë e një tjetër transaksioni që lidh Ahmetajn jo vetëm me pasardhësen e kompanisë “Hermes”, por edhe me biznesmenët e inceneratorëve.
/”Inside Story” – TCH/