Prokurorja e Tiranës, Armida Hamiti (Moçka) u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 21 dhjetor 2022, pasi u aplikua parimi i proporcionalitetit lidhur me gjetjet në kriterin e pasurisë, duke konkluduar se ajo kishte arritur nivel të besueshëm në këtë kriter rivlerësimi. Po ashtu, Hamiti mori vlerësim pozitiv për figurën dhe profesionalizimin.
Por vendimi i Komisionit nuk vlerësohet i drejtë nga Komisioneri Publik, Florian Ballhysa, i cili çmon se përfundimet e arritura nuk janë në pajtueshmëri me provat e administruara në shkallën e parë të vetingut, e për rrjedhojë ky vendim është i cënueshëm në tërësinë e tij dhe përmban shkaqe të mjaftueshme ligjore për t’iu nënshtruar kontrollit në Kolegj. Ai vëren se, nëpërmjet verifikimit të pasurive synohet identifikimi i magjistratëve që zotërojnë pasuri të paligjshme apo që ligjshmëria e të cilave vihet në dyshim, pavarësisht nëse burimet financiare nuk lidhen drejtëpërdrejt me ushtrimin e detyrës, apo rezulton të jenë krijuar përpara ushtrimit të funksionit.
Gjatë seancës dëgjimore ne Komision më 19 dhjetor 2022, prokurorja Hamiti dha shpjegime më së shumti për burimet e një apartamenti në Vlorë të regjistruar në emër të saj, pasuri për të cilën pretendoi se e kishte në bashkëpronësi me anëtarët e familjes së origjinës dhe se ishte blerë me të ardhurat e siguruara prej prindërve nga bujqësia e blegtoria, përpara se ajo të fillonte detyrën.
Po ashtu, ajo pretendoi se edhe një pjesë e çmimit të një garazhi ishte paguar nga i njëjti burim financiar. Hamiti kërkoi që të mos penalizohej për pasuri të krijuara përpara fillimit të detyrës.
Armida Hamiti (Moçka) përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2012 dhe u emërua prokurore pranë Prokurorisë së Vlorës. Prej vitit 2015, ajo e ushtron funksionin pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Hetimi në Komision
Komisioneri Ballhysa konstaton se referuar deklarimeve të vetë subjektit të rivlerësimit, rezulton se në total pasuria e deklaruar në pronësi të saj në momentin e deklarimit fillestar është në vlerën 103 mijë euro, nga të cilat 53 mijë euro janë pasqyruar në formën e të ardhurave nga aktiviteti privat i familjes bujqësore dhe 50 mijë euro vlera e apartamentit të blerë në qytetin e Vlorës.
Nga hetimi i kryer prej KPK-së, ka rezultuar se apartamenti me sipërfaqe 106 m2 në Vlorë është porositur në vitin 2011, ndërkohë që kontrata përfundimtare e shitblerjes është finalizuar në shtator të vitit 2012-ës, e regjistruar në emër të prokurores Hamiti. Sipas përmbajtjes së kontratës, vlera e plotë e çmimit të shitjes prej 6.8 milionë lekësh është likuiduar totalisht jashtë zyrës noteriale.
Nga hetimi Komisionit i kryer lidhur me të ardhurat e familjes së subjektit nga bujqësia dhe blegtoria, ka rezultuar gjatë periudhës 2011-2012 kur janë kryer transaksionet për blerjen e apartamentit, prokurorja Hamiti ka investuar edhe një vlerë prej 50 mijë eurosh në depozita.
Këtë shumë së bashku me interesat e përfituara në vlerën 3514 euro, prokurorja Hamiti i ka transferuar në llogarinë e nënës së saj në dhjetor të vitit 2015.
Lidhur me mosdeklarimin e depozitave, subjekti ka pretenduar në Komision se ato ishin të verifikueshme dhe prandaj ka deklaruar vetëm të ardhurat e prindërve dhe asnjë veprim tjetër.
Për këtë gjetje, Komisioni ka konkluduar në përfundim se kursimet e deklaruara kanë qenë të prindërve të saj dhe se ata nuk kanë pasur detyrimin ligjor për t’i deklaruar.
Nisur nga fakti se subjekti ka deklaruar të ardhurat e prindërve nga bujqësia dhe blegtoria si pjesë të burimeve financiare për blerjen e një garazhi në vitin 2012 kundrejt çmimit 500 mijë lekë, Komisioni e ka pyetur se sa ka qenë kontributi i saj nga paga dhe sa ai nga aktiviteti bujqësor. Hamiti ka shpjeguar se nga ky çmim janë paguar tre mijë euro nga të ardhurat prej aktivitetit bujqësor dhe blegtoral, ndërsa pjesa tjetër nga pagat e saj.
Subjekti ka pretenduar gjatë hetimit administrativ se, megjithëse apartamenti është regjistruar në emrin e saj, ajo zotëron pjesë takuese 20%, pasi pjesa tjetër u përket anëtarëve të familjes së origjinës.
Komisioni i ka kaluar fillimisht subjektit barrë prove për pamundësi të prindërve për të investuar në shumën 50 mijë euro që ka shërbyer për blerjen e apartamentit; që ata të kursenin 53 mijë euro të tjera nga të cilat 3000 mijë euro kanë shërbyer për garazhin; si dhe të përballonin shpenzimet e tjera financiare. Po ashtu, i janë kërkuar shpjegime lidhur me deklarimin e saj për pjesën takuese 20%, në raport me regjistrimin e pasurive 100% në emër të saj.
Pas shpjegimeve dhe dokumenteve të dorëzuara nga subjekti në lidhje me ligjshmërinë e burimit të të ardhurave të familjes së origjinës nga aktiviteti bujqësor e blegtoral, Komisioni ka konkluduar se është provuar bindshëm që kjo familje ka përfituar në mënyrë të vazhdueshme dhe të pandërprerë të ardhura nga shfrytëzimi i ullishtave.
KPK e ka çmuar të drejtë qëndrimin e subjektit se nuk ka përcaktime ligjore që të kategorizojnë të ardhurat nga shfrytëzimi i ullishtave, si të ardhura të tatueshme. Sipas Komisionit, detyrimi që prodhuesit e produkteve bujqësore kanë kundrejt organeve shtetërore, janë taksat vendore për tokën bujqësore, që është konkluduar se janë vërtetuar me dokumentacion provues.
Në përfundim, Komisioni ka vlerësuar se nuk ka rrethana të tilla që mund të cenojnë kriterin e vlerësimit të pasurisë apo procesin në tërësi të rivlerësimit të subjektit. Këtë konkluzion KPK e ka arritur bazuar në aplikimin e parimit të proporcionalitetit, duke vendosur në balancë rrethanat e konstatuara të lidhura me pasuri të krijuara para detyre; në mungesë të kontributit financiar nga subjekti; si dhe në mosevidentimin e ndonjë rrethane tjetër për deklarim të rremë; fshehje pasurie apo që të ardhurat të jenë rrjedhojë e ndonjë veprimtarie të kundërligjshme.
KPK ka arsyetuar se ky konkluzion është në koherencë edhe me vendimin e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, ‘Antoneta Sevdari kundër Shqipërisë’, ku ndër të tjera thuhet se shkarkimi i saj për shkak se nuk ishte në gjendje të provonte se bashkëshorti kishte paguar tatimin mbi disa nga të ardhurat e tij nga aktivite të ligjshme në dy dekadat e mëparshme, ishte në disproporcion me qëllimet legjitime të ndjekura nga procesi verifikimit.
Shkaqet e ankimit
Ndryshe nga Komisioni, Komisioneri Publik çmon se, në gjendjen që janë aktet, prokurorja Hamiti nuk arriti të provonte të kundërtën e barrës së provës dhe se konkluzioni i arritur nga Komisioni nuk gjen referencë në dispozitat kushtetuese e ligjore apo në një vlerësim të drejtë të provave dhe jurisprudencës së konsoliduar të Kolegjit.
Duke ju referuar rrethanave të konstatuara nga hetimi administrativ, Ballhysa sjell në vëmendje se Kolegji në jurisprudencën e tij interpreton se, nëpërmjet procedurës së kontrollit të pasurive, synohet identifikimi i atyre subjekteve të rivlerësimit, të cilët janë bërë përfitues apo përdorues të pasurive në mënyrë të paligjshme apo me të ardhura, ligjshmëria e të cilave vihet në dyshim, “pavarësisht nëse ky fakt nuk lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë me ushtrimin e detyrës së subjektit, apo rezulton të ketë ndodhur jashtë periudhës kohore të ushtrimit të saj”.
Pretendimin e subjektit se në cilësinë e pjesëtares së familjes bujqësore, zotëron vetëm 20% të titullit të pronësisë së këtyre pasurive, komisioneri e gjen të pambështetur në titullin e pronësisë për secilën pasuri, pasi prokurorja Hamiti rezulton si mbajtëse e vetme e këtij titulli në masën 100%, edhe në momentin e dorëzimit të deklaratës “veting”.
Sipas Ballhysës, nga provat e administruara gjatë hetimit administrativ, duket se nuk provohet fakti i realizimit të të ardhurave nga bujqësia e blegtoria. “…Në gjendjen që janë aktet, duket se subjekti i rivlerësimit mungon të provojë burimin dhe pjesën takuese të shumës prej 53.000 euro, të deklaruar në deklaratën para fillimit të detyrës, shumë e cila po ashtu deklarohet të ketë si burim të ardhurat nga veprimtaria bujqësore dhe blegtorale e prindërve të subjektit të rivlerësimit”, konstaton komisioneri dhe shton se 20 mijë euro nga kjo vlerë duket se është disponuar cash nga subjekti, pasi vetëm 30 mijë euro dokumentohet të jetë depozituar në emër të saj.
Në vijim, Komisioneri Publik nënvizon se bazuar në pretendimin e vetë subjektit, kjo shumë i është transferuar nënës në vitin 2015 dhe nuk rezulton të jetë përdorur për krijimin e pasurive nga ana e prokurores Hamiti, nga familja e saj e re, apo nga familja e origjinës.
Duke ju referuar jurispudencës së Kolegjit, komisioneri vlerëson se pretendimet për të ardhurat nga bujqësia e blegtoria mbeten në nivel deklarativ dhe nuk gjejnë mbështetje të plotë në dokumentacionin e administruar.
Ballhysa vëren se, në gjendjen që janë aktet në dosje, duket se në raport me vlerën totale të pasurisë së deklaruar, vetëm shuma prej 3.1 milionë lekësh konsiderohet si e ardhur e ligjshme. Sipas tij, bazuar në këto rrethana, nuk qëndron arsyetimi i KPK lidhur me aplikimin e parimit të proporcionalitetit dhe objektivitetit.
Në përfundim, Ballhysa vlerëson se subjekti dhe personat e tjerë të lidhur ndodhen në kushtet e pamjaftueshmërisë lidhur me këto pasuri të luajtshme e të paluajtshme. Sipas tij, prokurorja Hamiti nuk arrin nivel të besueshëm në vlerësimin e kontrollit të pasurisë dhe kërkon shkarkimin e saj nga detyra.
/Reporter.al/