Bordi i Transparencës ka vijuar talljen e madhe që vazhdon të aplikohet prej afro një viti me shqiptarët, teksa me vendimin e sotëm për ndryshimin e çmimit të karburanteve ka aprovuar një ulje qesharake.
Sipas Bordit komunist të Ramës me çmimet e reja që do të nisin të aplikohen nga ora 18:00, një litër naftë në vend do të shitet me 3 dhe një litër benzinë me 1 lekë më pas sesa shitej në pompat e karburanteve prej 31 janarit.
Një litër naftë qytetarët do ta blejnë me 197 lekë/litër, ndërsa një litër benzinë me 189 lekë/litër.
I pandryshuar mbetet sakaq çmimi i gazit në 69 lekë/litri.
Njoftimi i BT:
Referuar të dhënave lidhur me bursën Platts të datës 01.02.2023, kemi ndryshime të çmimit nga ai përcaktuar në mbledhjen e fundit, konkretisht rezulton se çmimi (FOB/MED $ Ton) i Benzinës është 858, -8 nga data 30.01.2023, $/ Ton, ndërsa çmimi i Gazoilit/Diesel është 861, -30 nga data 30.01.2023, $/Ton. Kursi i këmbimit i BSH ka pësuar rritje të lehtë në 107.36 (+ 0.09 nga data 30.01.2023).
Si rrjedhojë çmimet e vendosura janë :
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 197 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 185 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 189 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 177 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 69 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 57 lekë/litër për automjetet.
Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 103 lekë/litër.
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi në datë 2 Shkurt, ora 18.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Bordi i transparencës që në krijimin e tij i është përmbajtur me përpikmëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës.