Demonstrata kundër reformës së pensioneve ka ngritur në këmbë Francën, pasi qindra mijëra qytetarë janë derdhu në sheshet e qyteteve të mëdha dhe prefekturave të vogla për të detyruar qeverinë e Emmanuel Macron që të ndalet.
Protesta që ka nisur prej orëve të para të mëngjesit dhe vazhdon ende ka bërë që në Paris gjysmë milioni njerëz të dalin në rrugë, sipas CGT.
Shifrat i japin të drejtë sindikatave pasi tregojnë se 100,000 më shumë se demonstrata e 19 janarit i janë bashkuar tashmë revoltës vetëm në kryeqytet.
Ndërkohë, mobilizimi është gjithashtu i fortë në rajone, veçanërisht në Bordo dhe Toulouse.
Qeveria ka nxjerrë në rrugë mijëra efektivë policie për të mbarëvajtur rendin dhe sigurinë, por deri më tani demonstrate ka qenë e qetë, me përjashtim të përplasjeve sporadike.
Shumë qytete tregojnë një rritje të mobilizimit, sipas shifrave nga autoritetet. Rritja është veçanërisht e habitshme në Marsejë , ku prefektura numëron 40,000 protestues, krahasuar me 26,000 në 19 janar. Një nivel i tillë mobilizimi nuk ishte vërejtur në qytetin e Marsejës për gati njëzet vjet.
Pjesëmarrja u rrit edhe në Nante , ku policia numëroi 28,000 njerëz në protestë. Sakaq, 25.000 njerëz marshuan në Rennes , 10.000 në Châteauroux dhe 7.500 në Béziers . Demonstruesit ishin gjithashtu gati 25,000 në Montpellier , 10,000 më shumë se gjatë demonstratës së parë.
Një ringjallje ishte gjithashtu e dukshme në qytete më të vogla, si Sète (4500), Calais (5000) ose Guéret (4300).
Turma ishte e qëndrueshme diku tjetër në krahasim me 19 janarin, si në Toulouse ku prefektura njoftoi 34,000 demonstrues. Ashtu si në Bordeaux (16,500), Rouen (14,000), Strasburg (10,500) ose Nice (7,000).
Ndërkohë përplasje janë regjistruar në mesditë në Paris, ku një grup “i përbërë nga elementë radikalë” që kërkonin të sulmonin bizneset në itinerarin e turmës u shpërnda nga policia.
Në udhëkryqin e bulevardit Montparnasse dhe bulevardit Raspail, disa dhjetëra persona me kapuç të veshur me të zeza hodhën predha ndaj policisë, e cila u përgjigj me gaz lotsjellës.
Policia ka bërë tashmë gjashtë arrestime në margjina të kortezhit deri në orën 15:30, sipas LeParissien.
Ndërkohë, pamjet nga stacioni i metrosë “Gare du Nord” që ishte pothuajse i shkretuar këtë mëngjes në Paris, tregojnë më së miri nivelin e mobilizimit kundër kësaj reforme.
Në mëngjesin e sotëm të grevës kombëtare dhe demonstratave kundër projektit të reformës së pensioneve, transporti në Ile-de-France thuajse u braktis nga përdoruesit.
Në kuadër të demonstratës deputetët e partive kundërshtare me Macron kanë gjetur terren të shprehen kundër tij.
“Është një lëvizje popullore e rrënjosur shumë thellë“, mburret deputeti i LFI/Nupes, François Ruffin, i cili shton më pas se “ajo që njerëzit presin është që të jenë në gjendje të jetojnë nga puna e tyre në të tashmen, është një pagë dhe pensioni”.
Në kortezhin mbresëlënës që vërshon në rrugët e Parisit, sekretari i përgjithshëm i CFDT, Laurent Berger thotë: “Bota e punës me gjithë diversitetin e saj është aty. Mobilizimi sot është po aq i rëndësishëm sa ai i 19 janarit”.
“Ftoj deputetët të shikojnë se çfarë po ndodh në zonën e tyre zgjedhore dhe të dëgjojnë zemërimin e zgjedhësve të tyre!”, thekson ai.
“Jemi më të shumtë në numër se dymbëdhjetë ditë më pare”, thotë Philippe Martinez, sekretar i përgjithshëm i CGT-së.
“Tani është koha që qeveria të dëgjojë zemërimin. Nëse ai (Macron) preferon të vazhdojë në ekuilibrin e fuqive dhe mundjen e krahut punëtor, tensioni do të rritet”, thekson ai.