Drejtuesi i Prokurorisë së Fierit, Genci Mane u konfirmua në detyrë më 13 dhjetor 2022, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK konkludoi se ai justifikonte plotësisht me burime të ligjshme krijimin e pasurive dhe kryerjen e shpenzimeve; se ka arritur nivel të besueshëm në kontrollin e figurës dhe nivel kualifikues për profesionalizmin. Vendimi për Manen u mor unanimisht nga trupa e kryesuar nga Pamela Qirko, me relator Roland Ilian dhe anëtare Brunilda Bekteshin.
Por vendimarrja e KPK-së nuk është gjetur e bazuar në prova prej Komisioneres Publike, Irena Nino, e cila kërkon shkarkimin e këtij magjistrati për probleme në kriterin pasuror dhe në vlerësimin e përgjithshëm të gjetjeve për profesionalizmin.
Genci Mane e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë si oficer i policisë gjyqësore dhe prej vitit 2005 ai e ushtron funksionin si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier. Aktualisht ai ushtron funksionin e drejtuesit të kësaj prokurorie.
Shkaqet e ankimit
Në ankim evidentohet se Komisioni i ka kaluar fillimisht subjektit barrë prove për një apartament me sipërfaqe 140 m2 në Fier, lidhur me mungesë dokumentacioni justifikues ligjor në krijimin e një pjese të shumës 1.7 milionë lekë nga prindërit, vlerë që ka shërbyer për pagesën e këstit të parë; dyshime për kontratë fiktive ndërmjet tij dhe prindërve për shitjen e pjesës takuese në shtëpinë në Berat kundrejt kësaj shume; se ka pasur trajtim preferencial në dukje pasi ka jetuar në apartament për 3 vjet e gjysmë përpara se të paguante çmimin e plotë; si dhe se dukej se kishte përfituar kredinë që ka shërbyer për pagesën e një pjese të çmimit të këtij apartamenti, në kundërshtim me kriteret e përcaktuara ligjore.
Mane ka kundërshtuar duke shpjeguar se babai ka krijuar të ardhurat të tjera të ligjshme përveç pensionit, pasi ka punuar për kompani private dhe institucione, duke paraqitur dokumente që konfirmonin punësimin e tij; si dhe se nëna ka shitur një objekt në vitin 1996 kundrejt çmimit 500 mijë lekë. Ai ka pretenduar se përfshirja e kësaj shume në analizë përmbyste balancën negative të konstatuar në vlerën 463 mijë lekë.
Po ashtu, Mane ka paraqitur shpjegime edhe me konstatimet e tjera duke dorëzuar dokumentacion të kohës që vërtetonte heqjen dorë nga pjesa e tij takuese nga shtëpia e familjes në Berat që prej vitit 2013; akt ekspertim për gjendjen jo të mirë të banesës në Fier që kërkonte riparime të vazhdueshme; kontrata për shitjen e apartamenteve të tjera në të njëjtin pallat me çmime edhe më të ulëta; si dhe ka argumentuar se kredia është marrë bazuar në legjislacionin përkatës pasi rezultonte i pastreh – duke e bindur Komisionin për të kundërtën e barrës së provës.
Komisioni ka konkluduar se prokurori Mane ka provuar mundësinë e prindërve për krijimin dhe dhënien e shumës 1.7 milionë lekë; se veprimet mes tij dhe prindërve nuk kanë qenë fiktive, por veprime juridike për shkak të marrdhënieve të posaçme familjare; se nuk ka pasur trajtim preferencial pasi ka pasur shitje të apartamenteve të ngjashme me vlerë edhe më të vogël ndërkohë që nuk ka hetuar asnjë çështje të palës shitëse; si dhe janë gjetur të drejta argumentet e subjektit për përfitimin e kredisë me kushte lehtësuese.
Komisionerja Nino shprehet në ankim se e gjen të pabazuar në akte vlerësimin e KPK, konkretisht për mundësinë e prindërve për të mbuluar me të ardhura të ligjshme shumën 1.7 milionë lekë të dhëna kundrejt heqjes dorë nga pjesa takuese e shtëpisë në Berat.
Sipas Ninos, në analizën e KPK-së për mundësinë e prindërve të subjektit nuk është përfshirë investimi i kryer prej tyre për blerjen e një apartamenti në Tiranë në vitin 2004, në vlerën 61, 946 euro. Sipas saj, përfshirja e këtij investimi do të sillte pamjaftueshmëri burimesh.
“Në kushtet kur në vitin 2004, prindërit e subjektit kanë kryer një investim që është dukshëm në një vlerë më të lartë krahasuar me të ardhurat e realizuara prej tyre deri në vitin 2004, vlerësojmë se, për të analizuar mbulimin me burime të ligjshme të shumës 1.700.000 lekë, dhënë subjektit të rivlerësimit, duhen llogaritur të ardhurat dhe shpenzimet e jetesës së prindërve të subjektit për periudhën mars 2004 – dhjetor 2012, si edhe investime/depozita bankare të prindërve të subjektit, të kësaj periudhe”, vlerëson Nino dhe vëren se gjatë kësaj periudhe prindërit e subjektit kanë përfituar të ardhura nga pensionet, që llogariten në total në shumën rreth 3.2 milionë lekë, ndërsa shpenzimet e jetesës për të njëjtën periudhë janë në vlerën 2.4 milionë lekë.
Bazuar në këto konstatime, Nino vlerëson se prindërit e prokurorit Mane nuk kanë pasur të ardhura të ligjshme të mjaftueshme për t’i dhënë atij shumën 1.7 milionë lekë në vitin 2013 dhe për rrjedhojë sipas saj, nuk mbulohet pagesa e këstit të parë në shumën 1 milion e 650 mijë lekë.
Po ashtu, komisionerja konstaton se arsyetimi i Komisionit për kredinë është përqendruar në referencë të vendimit nr. 600, datë 1.9.2007, të Këshillit të Ministrave, “Për trajtimin me strehim të nëpunësve civilë të administratës së lartë shtetërore dhe të funksionarëve politikë”, ndërkohë që miratimi i kredisë është në kuadër të projektit të pastrehëve të Bashkisë Fier.
Në vijim, Nino vëren se nga informacione që aksesohen në burime “open sources” rezultojnë dy episode me të dhëna problematike në drejtim të shtetasve me të cilët subjekti ka marrëdhënie shoqërore dhe ka përdorur automjetet e tyre. “…Për efekt të përdorimit të këtyre automjeteve, subjekti i rivlerësimit gjendet në kushtet e deklarimit të pasaktë e të pamjaftueshëm për sa parashikon neni D, pika 1 e aneksit të Kushtetutës, dhe neni 3, pika 1129 e ligjit nr. 84/2016, lidhur me mosdeklarimin e interesit pasuror në formën e përdorimit të automjeteve, situatë kjo që, po ashtu, afekton edhe në drejtim të vlerësimit të standardit të integritetit dhe etikës së magjistratit prokuror”, vlerëson Nino.
Ajo i kërkon Kolegjit që të vlerësojë edhe disa çështje penale të hetuara nga subjekti. “…Konstatohen disa raste me mangësi, të tilla që nuk pajtohen me pritshmërinë se prokurori duhet të udhëhiqet nga parimi i ligjshmërisë dhe ndërmarrjes së hetimeve të shpejta dhe të plota, të gjithanshme dhe objektive, me qëllim arritjen e një përfundimi të drejtë dhe të bazuar në ligj dhe prova”, shprehet Nino dhe kërkon që mangësitë profesionale të vlerësohen se bashku me problemet e vërejtura në kriterin e kontrollit të pasurisë.
Në përfundim, komisionerja Irena Nino vlerëson se Mane nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin e tij në detyrë dhe kërkon shkarkimin e tij.
/Reporter.al/