Gjyqtarja e Apelit Durrës, Anita Mici u përball të martën më 31 janar 2023 me shkaqet e ngritura nga Komisioneri kundër vendimarrjes së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, për konfirmimin e saj. Përgjatë një seance publike pesë orëshe bashkë me ndërprerjet, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA u njoh me pretendimet ku bazohet Komisioneri Publik, Florian Ballhysa për kërkesën e shkarkimit të gjyqtares Anita Mici, si dhe me shpjegimet, kundërshtitë dhe provat e kësaj të fundit në funksion të mbrojtjes.
Anita Mici u konfirmua në detyrë më 4 gusht 2020, pasi trupa e KPK e kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtar Olsi Komicin, vlerësoi se bazuar në parimin e objektivitetit dhe proporcionalitetit, si dhe në bindjen e brendshme, subjekti kishte arritur të provonte pretendimet e saj për gjetjet në të tre kriteret e rivlerësimit.
Roli i Micit për lirimin e parakohshëm të kreut të bandës së Durrësit, Lulzim Berisha u çmua nga Komisioni si një çështje që i përket Gjykatës së Lartë dhe ILD-së. Vendimarrja e trupës së Apelit të Durrësit, ku bënte pjesë edhe Mici, u rrëzua nga Gjykata e Lartë pas rekursit të ushtruar nga prokuroria. Lirimi i parakohshëm i Berishës ishte një prej shkaqeve që u parashtruan nga Komisioneri të martën, çështje për të cilën Mici dha shpjegime të përmbledhura.
Parashtrimet për pasurinë
Komisioneri Ballhysa i kërkoi Kolegjit vlerësimin e mundësive financiare të subjektit të rivlerësimit për të realizuar pagesat për kontratën e porosisë së një apartamenti me sipërfaqe 104.33 m2 në Tiranë; për të justifikuar me të ardhura të ligjshme shpenzimet dhe kursimet për vitet 2005, 2007, 2009-2014; si dhe për të mbuluar me të ardhura të ligjshme blerjen e një automjeti tip “Audi A4”.
Si burime për pagesat për apartamentin e porositur në vitin 2006 për çmimin 75 mijë euro, Mici dhe bashkëshorti i saj kanë deklaruar një kredi në vlerën 45 mijë euro, 5000 euro nga kursimet e tyre dhe 25 mijë euro ndihmë nga vjehrri i gjyqtares.
Komisioneri Publik konstaton se subjekti nuk ka deklaruar në vitin 2006 pakësim të kursimeve cash që të mund të kishin shërbyer për kryerjen e pagesës 5000 euro. Ai vërejti se Mici ka deklaruar në vitin 2006 vetëm gjendjen cash prej 500 mijë lekësh dhe jo pakësimin e këtyre kursimeve për pagesën e apartamentit. Ballhysa vlerëson se Komisioni duhej të kishte marrë në konsideratë jurispudencën e deritanishme të Kolegjit, duke e mbështetur konkluzionin në deklarimin periodik në 2006-ën.
Ndërkohë, nga verifikimi i dokumentacionit bankar, ka rezultuar se deri në momentin e pagesës së këstit 5000 euro, Mici dhe bashkëshorti kanë tërhequr në total rreth 250 mijë lekë, që sipas Ballhysës janë të pamjaftueshme.
Duke e konsideruar shumën 500 mijë lekë si shtesë të likujditeteve në vitin 2006, Komisioneri konstaton se Mici ka kryer deklarime të pasakta dhe kontradiktore lidhur me burimin e deklarur për pagesën e shumës 5000 euro, si dhe nuk mbulon me të ardhur atë ligjshme shlyerjen e kësaj vlere.
Sipas Ballhysës, subjekti rezulton me balancë negative në vlerën 1 milion lekë në vitin 2006 për të investuar në blerjen e apartamentit, për të kursyer shumën 500 mijë lekë si dhe për të përballuar shpenzimet e tjera familjare.
Gjyqtarja Mici i kundërshtoi konkluzionet e Ballhysës për pasurinë. Fillimisht ajo paraqiti pjesërisht ato që i konsideroi si ‘akt pretendime’, duke vërejtur se legjislacioni i vetingut të magjistratëve parashikon që për penalizimin e subjekteve në rast të problemeve në kriterin pasuror, duhet të plotësohet si kusht edhe deklarimi i pamjaftueshëm për pastërtinë e figurës. “Në këto kushte nuk aplikohet dot shkarkimi. Si i plotëson komisioneri në mënyrë kumulative pamjaftueshmëritë në këto dy kritere?” pyeti Mici dhe kërkoi që komisioneri të jetë i qartë dhe i drejtë.
Ajo pretendoi se nuk kishte një analizë konkrete se ku qëndronte problemi konkret. Mici deklaroi se ajo dhe bashkëshorti gjatë gjithë këtyre viteve punë kishin paguar një apartament që nuk e kishin marrë në dorëzim për shkak të probleme të firmës ndërtuese, si dhe një automjet.
Subjekti theksoi se ishte vërtetuar me dokumentacion bankar pagesa e shumës 5000 euro për apartamentin. Lidhur me mosdeklarimin e pakësimit të gjendjes cash, ajo u mbrojt me pretendimin se gjithmonë kishte deklaruar në të njëjtën formë, se kur kishte pasur gjendje cash i kishte pasqyruar, ndërsa nuk kishte shënuar vlera monetare në ato vite që nuk kishte disponuar likujditete në banesë.
“Në vitet kur nuk kemi deklaruar gjendje cash tregon se jemi në situatën e pakësimit të gjendjeve të mëparshme,” shpjegoi ajo lidhur me situatën e konstatuar prej Komisionerit.
Sipas Micit, gjendja cash e deklaruar në vitin 2006 dhe të ardhurat e tjera ishin të mjaftueshme për pagesën 5000 euro po atë vit.
Lidhur me nevojën e pagesës së detyrimeve tatimore për shumën 25 mijë euro të dhuruar nga babai i bashkëshortit të ngritur në ankim, Ballhysa gjatë parashtrimeve solli në vëmendje evoluimin e jurispudencës së Kolegjit, duke theksuar se mbetet detyrim vlerësimi rast pas rasti i kësaj situate.
Në vijim të qëndrimin të Komisionerit, Mici deklaroi se, sipas praktikës së KPA, shumat e dhuruara nuk janë objekt i detyrimeve tatimore.
Komisioneri e cilëson të pabazuar analizën financiare të Komisionit lidhur me investimet, kursimet dhe shpenzimet e subjektit ndër vite. KPK ka konkluduar pamundësi financiare në shumën 492 mijë lekë në disa vite gjatë periudhës 2005-2016, por duke mbajtur në vëmendje parimin e proporcionalitetit e ka vlerësuar të pamjaftueshme për të sjellë penalizim.
Ballhysa e gjen të pabazuar në akte dhe interpretim ligjor vlerësimin e Komisionit lidhur me të ardhurat e pretenduara si ndihmë financiare nga babai i bashkëshortit të subjektit; likuiditetet cash; si dhe për shpenzimet jetike të familjes së subjektit të rivlerësimit.
Lidhur me pretendimin për ndihmë financiare nga vjehrri në shumat 300 mijë lekë në vit, Ballhysa vëren se subjekti dhe bashkëshorti nuk kanë shënuar në deklaratat periodike, në atë “veting” dhe në përgjigje të një pyetësori dhurimet e përfituara nga ky familjar. Bazuar në këtë konstatim, Ballhysa vlerëson se këto dhurime të pretenduara nuk duhet të përfshihen në analizën financiare.
Komisioneri vëren se në analizën financiare të Komisionit janë reflektuar pakësime të gjendjes cash në disa vite, megjithëse subjekti nuk ka deklaruar periodikisht pakësime të tilla. Sipas Ballhysës, përllogaritjet e KPK nuk përputhen me çfarë ka deklaruar subjekti në vite dhe se bien ndesh me jurispudencën e deritanishme të Kolegjit.
Po ashtu, Komisioneri vëren se Komisioni ka marrë në konsideratë pretendimet e subjektit të rivlerësimit lidhur me shpenzimet e jetesës dhe ka reduktuar për të gjithë periudhën e analizuar shpenzimet e jetesës së djalit të subjektit të rivlerësimit. Sipas Ballhysës, analiza duhet të kryhet sipas vetëdeklarimeve të subjektit për shpenzimet dhe thekson se ato janë shpenzime minimale jetese.
Në përfundim të analizës së tij, Komisioneri vlerëson se subjekti rezulton me diferencë negative në vlerën 3.2 milionë lekë në vitet 2005, 2007 dhe 2009-2014.
Mici e kundërshtoi analizën e komisionerit për këto vite. Ajo pretendoi se shumat e dhëna nga vjehrri çdo vit në vlerën 300 mijë lekë kanë qenë si ndihmë. “Komisioni i ka vlerësuar të ligjshme dhe ka përllogaritur saktë pakësimet,” nënvizoi ajo dhe sqaroi se kur kishin qenë me studime ishin mbështetur financiarisht prej familjeve të tyre.
Subjekti këmbënguli se këtë ndihmë nga prindërit e bashkëshortit nuk e kishte konsideruar si dhurim. “Pasi kam menduar se duhej të tejkalonte shumën dhe të mos jepej nga familjarët,” argumentoi ajo lidhur me mënyrën e të kuptuarit për këto vlera monetare, të pretenduara se u janë dhënë në vite nga familjarët.
Lidhur me pretendimin e Ballhysës se nuk janë deklaruar në kohën e duhur, Mici solli në vëmendje një tjetër vendim të ngjashëm të Komisionit, për të cilin tha se nuk ishte ankuar prej Komisionerit Publik, që i kishte konsideruar të ligjshme. Ajo vërejti edhe praktikën e KPK e të KPA për çështe të ngjashme.
Komisioneri vlerëson ndryshe nga Komisioni për balancën negative për blerjen e një automjeti tip “Audi” në vitin 2016. Sipas KPK, personi që i ka dhënë hua bashkëshortit për blerjen e mjetit ka pasur mundësi financiare dhe ka gjetur pamundësi në shumën 172 mijë lekë për krijimin e kësaj pasurie të luajtshme.
Ballhysa konstaton se subjekti tregtar me administrator huadhënësin nuk ka pasur qarkullim dhe fitim, pasi rezulton me detyrime të pashlyera dhe status pasiv. Sipas analizës së Komisionerit Publik, pamundësia financiare për të blerë automjetin dhe shlyer huanë në vitin 2016 rezulton në shumën 1 milion lekë.
Nisur nga evoluimi i jurispudencës së KPA lidhur me përjashtimin e dhurimeve nga detyrimet tatimore, balanca negative e konkluduar prej Komisionerit në ankim është reduktuar nga 8.3 milionë lekë në 5.3 milionë lekë.
Mici shpjegoi se bashkëshorti nuk kishte pasur nevojë të merrte hua, por ishte gjendur jashtë shtetit e donte të blinte makinën. Në këto kushte, kishte kërkuar hua nga një miku i tij, që i kishte dërguar nëpërmjet një shërbimi të transferimit të valutave jashtë vendit.
Subjekti pretendoi se huadhënësi kishte përdorur fondet e shoqërisë që sipas saj ishin të mjaftueshme dhe mund t’i tërhiqte në çdo kohë.
“Pretendimet e mia janë të drejta, të plota, të provuara dhe të sinqerta. Është jeta jonë”, deklaroi Mici në fund të shpjegimeve për pasurinë.
Shkaqet për profesionalizmin
Një ndër çështjet për të cilat është ngritur shkak nga Komisioneri Publik, është vendimarja e Gjykatës së Apelit Durrës lidhur me lirimin e parakohshëm të kreut të ‘Bandës së Durrësit’, Lulzim Berisha, ku gjyqtarja Anita Mici ka qenë në cilësinë e anëtarit të trupit gjykues.
Më 5 dhjetor 2016, pas një serie vendimesh të diskutueshme gjyqësore për ulje dënimi, raporteve të institucioneve të vuajtjes së dënimit që e përshkruajnë atë si “të dënuar shembullor” dhe një garanci për punësimin e ofruar nga ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, që analizohen edhe në vendimin e KPK, gjykata e Apelit Durrës vulosi lirimin e Lulzim Berishës.
I arrestuar më 6 prill 2006, Lulzim Berisha qëndroi fizikisht 10 vjet e tetë muaj në burg nga dënimi i tij prej 25 vitesh për vepra penale të rënda. Aktualisht ai është në kërkim ndërkombëtar pasi akuzohet si bashkëpunëtor në vrasjen e biznesmenit Vajdin Lamaj në vitin 2005.
Kundër vendimarjes për lirimin e Berishës ushtroi rekurs Prokuroria e Apelit Durrës. Në rekurs është parashtruar se Gjykata e Apelit Durrës ka vlerësuar dhe pranuar ¾ e dënimit të kryer në datën e gjykimit; nuk ka marrë në vlerësim rrezikshmërinë e lartë që paraqiste Berisha për shkak të veprave penale për të cilat ishte dënuar; si dhe se ka shtyrë seancën për administrimin e tri vendimeve të themelit për më shumë se 10 ditë përtej afatit të përcaktuar në Kodin e Procedurës Penale, duke bërë të mundur uljen e ripërsëritur të dënimit me 45 ditë për të dënuarin.
Sipas Komisionit, nuk ka rezultuar të jetë deformuar situata faktike e rrethanave që plotësonin kriteret ligjore për lirimin me kusht, por maksimalisht mund të diskutohet mbi momentin e vendimmarrjes. KPK e dërgoi këtë çështje për inspektim në institucionin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.
Ballhysa vërejti se Gjykata e Lartë e ka prishur vendimin e Apelit Durrës, duke e konsideruar atë si të marrë në zbatim të gabuar dhe në kundërshtim me kërkesat e ligjit penal material. Ai kërkoi që kjo çështje të merret në konsideratë nga Kolegji dhe të vlerësohet në drejtim të aftësive profesionale të gjyqtarit.
Gjyqtarja Mici deklaroi se Gjykata e Lartë ka vendosur ta zgjidhë çështjen vetëm mbi një kriter, duke eleminuar çdo elemnt procedural. Sipas subjektit, Gjykata e Lartë është bazuar në përllogaritjen e vuajtjes së ¾-ve të dënimit, duke vlerësuar se nuk plotësohej ky kusht. “Nuk është futur në drejtime të tjera,” tha ajo.
Sipas Micit, uljet e dënimit janë pranuar më parë nga gjykata dhe ankimi apo rekursi nuk e pezullojnë lirimin me kusht. “Ligji thotë lirimin e menjehershëm,” theksoi subjekti.
Komisioneri konstatoi një vendimarrje të subjektit të vitit 2015, lidhur me një të pandehur për “ndërtim të paligjshëm” dhe “vjedhje e energjisë elektrike…”. Mici në cilësinë e gjyqtarit të vetëm e ka deklaruar fajtor të pandehurin dhe duke i konsideruar veprat penale me rrezikshmëri shoqërore mesatare ka vlerësuar se nuk janë provuar rrethana rënduese në gjykim. Si rrethanë lehtësuese ka renditur edhe moshën e të pandehurit dhe e ka dënuar atë me 1 vit burgim.
Në raportin që KLGj i ka përcjellë KPK-së, është konstatuar se të dyja veprat penale janë shumë të përhapura dhe i pandehuri paraqet rrezikshmëri të theksuar shoqërore, pasi ai i ka kryer veprimet e kundërligjshme me përsëritje, se ushtron aktivitet privat në plazhin e Durrësit në një objekt 25 kate dhe dëmi i shkaktuar me energjinë elektrike për periudhën 2011-2014 ka qenë në shumën 548 milionë lekë. KLGJ e ka vlerësuar masën e dënimit joproporcionale mes të drejtës së kufizuar dhe interesit publik, dëmit të shkaktuar palës së dëmtuar si dhe synimit që kërkon të arrijë dënimi penal.
Komisioneri Publik vlerëson se këto gjetje duhen konsideruar e vlerësuar në panoramën e përgjithshme të vlerësimit të kriterit të aftësive profesionale të subjektit.
Mici e kundërshtoi këtë shkak të Komisionerit duke pretenduar se kishte caktuar një dënim proporcional. “Në vlerësimin tim, dënimi nuk mund të jetë rezultat i një mbledhje matematikore,” pohoi Mici dhe këmbënguli se dënimin e kishte dhënë bazuar në provat shkresore dhe se kishte vlerësuar gjendjen shëndetësore të të pandehurit. Ajo vërejti se vendimi i saj ka marrë formë të prerë dhe konsiderohet gjë e gjykuar. “Nuk i gjej dot elementët për t’u atakuar më pas”, pohoi ajo.
Në vijim, Komisioneri evidentoi një tjetër vendimarrje të subjektit për një të pandehur për Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë. I gjykuari ka qenë punonjës i Autoritetit Portual Durrës dhe gjatë ushtrimit të detyrës si kontrollor automjetesh është ndaluar në kushtet e flagrancës pas në mjetin e tij ndodheshin steak cigaresh të markave të ndryshme për të cilat nuk ishte paguar detyrimi doganor.
Subjekti e ka dënuar me 6 muaj burgim dhe e ka pezulluar ekzekutimin e dënimit, duke urdhëruar që i pandehuri të punojë në funksion të publikut për 40 orë.
Pasi Komisioni ka konstatuar se kjo vendimarrje është lënë në fuqi, nuk ka konstatuar probleme që mund të ndikonin në vlerësimin profesional.
Komisioneri Publik dhe në këtë rast kërkon që të merren në konsideratë gjetjet e KLGJ-së për mungesë të arsyetimit ligjor lidhur me caktimin e masës dhe llojit të dënimit. Nisur nga fakti se i pandehuri ka vepruar me dashje, KLGJ ka vlerësuar se përbën shkallën më të rëndë të fajit, me qëllim të posaçëm. Sipas Ballhysës, këto gjetje të përsëritura, duhen konsideruar e vlerësuar në panoramën e përgjithshme të vlerësimit të kriterit të aftësive profesionale.
Gjyqtarja Mici shpjegoi se i pandehuri ishte ndaluar pasi kishte pasur 20 steka me paketa cigaresh. Sipas saj, ai ishte person pa rrezikshmëri shoqërore dhe duhanpirës. “Nuk i kishte marrë për të tregtuar, por për t’i pirë vetë. Cili mund të ishte dënimi në këtë rast?”, u shpreh ndër të tjera subjekti.
Në seancë u trajtua një vendimarrje e subjektit për ndryshimin e masës së sigurisë së një të ndaluari për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, të mbetur në tentativë dhe “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe municionit”.
Megjithëse ndaj këtij të pandehuri është caktuar fillimisht masa e sigurisë “arrest në burg”, Mici ka pranuar kërkesën për zbutjen e masës, duke e lënë në “detyrim për paraqitje në Policinë Gjyqësore”.
Gjykata e Apelit Durrës e ka rrëzuar vendimin e Micit me argumentin se nevojat e sigurisë nuk janë zbutur, jemi në të njëjtat kushte si në nisjen fillestare, për të njëjtat ngjarje, që janë duke u kryer veprime hetimore. Pasi policia ka shkuar të ekzekutojë masën, i proceduari nuk është gjendur më. “I dyshuari është larguar duke iu shmangur hetimit, veprim që nuk do të kishte ndodhur, nëse ndaj tij nuk do të ishte zëvendësuar masa e sigurimit arrest në burg nga gjyqtarja”, theksoi Ballhysa.
KPK nuk ka konstatuar probleme apo shkelje të subjektit për këtë çështje, por Komisioneri Publik vlerëson se duhen marrë në konsideratë gjetjet dhe vlerësimet e raportit të hartuara nga organi inspektues i kohës.
Sipas Micit, i ndaluari kishte qenë në vendin e ngjarjes, por nuk ishte i përfshirë në veprime. Ajo theksoi se edhe në gjykimin e çështjes në themel, personi në fjalë ishte shpallur i pafajshëm. “Për çfarë shërben ankimi këtu. Kam garantuar zbatimin e ligjit”, pohoi Mici.
Në vitin 2010, gjyqtarja Mici ka gjykuar një çështje civile me objekt plotësim vendimi dhe njohje pronar duke prishur një vendim të vitit 2001. Subjekti ka disponuar me “rivendosje në afat”. Pas këtij vendimi të Micit, kërkuesja ka kërkuar në Apel prishjen e vendimit të 2001-it dhe dërgimin e çështjes për rigjykim.
Apeli ka lënë në fuqi vendimin e vitit 2001, duke arsyetuar se nuk ekziston asnjë shkak për cënimin e vendimit të gjykatës. Komisioni nuk ka gjetur probleme që mund të ndikonin në vlerësimin profesional të subjektit, por Komisioneri Publik vlerëson se, në analizë të fakteve, rrethanave dhe akteve të administruara, denoncimi i kryer ndaj subjektit për këtë çështje përmban të dhënat e nevojshme për të vlerësuar mbi shkeljen, pasojat ligjore, rrethanat që krijojnë bindje se ka pasur shkelje ligjore, si dhe të dhënat e identitetit të personit.
Sipas Ballhysës, rezulton e provuar se cenimi i parimit të “sigurisë juridike” për palët në këtë proces gjyqësor, ka ardhur si pasojë e mosthirrjes së palës tjetër në gjykimin me objekt “rivendosjen ne afat të ankimit”. Komisioneri vëren se ky është veprim i detyrueshëm nga ligji që duhej të ishte kryer nga Mici.
Në përfundim, komisioneri vlerëson se gjyqtarja Anita Mici nuk arrin nivel të besueshëm për konfirmimin në detyrë dhe se duhet të shkarkohet.
Lidhur me vendimarjen “për rivendosjen e afateve”, Mici pretendoi se njoftimet për vendimarrjen e mëparshme kishin qenë të manipuluara dhe prandaj kishte pranuar kërkesën e palës paditëse. “Ky gjykim në çdo rrethanë do të përfundonte njëlloj se është vërtetuar falsiteti i aktit,” pohoi Mici.
Në fund të parashtrimeve, Mici kërkoi riçeljen e hetimit gjyqësor, pranimin e provave të dorëzuara prej saj dhe lënien në fuqi të vendimit të Komisonit për konfirmimin në detyrë.
Riçelja e hetimit u kërkua edhe prej komisionerit Ballhysa dhe u pranua nga Kolegji, që pasi administroi si provë aktet e dorëzuara nga subjekti, e mbylli hetimin gjyqësor dhe vendosi të shtyjë seancën për paraqitjen e konkluzioneve përfundimtare për në datën 13 shkurt, në orën 10:00.
/Reporter.al/