Implikimet e zyrtareve shtetërore, në afera të paligjshme duket se nuk mbarojnë këtu dhe duket se nuk janë të lidhura vetëm me veprat e dyshuara korruptive dhe ato të trafikimit të lëndëvë narkotike, por edhe me ato të mashtrimit për qëllime përfitimi.
I tillë duket edhe rasti i një tjetër punonjëse të AKSHI-t, Autoritetit Kombëtar të Shoqërisë së Informacionit, e identifikuar si Viola Sterjo.
Sipas prokurorisë ajo shfrytëzonte njohjet e saj në shtet, për të mashtruar biznesmenë të ndryshëm, të cilët ishin të interesuar për të përfituar grante nga Agjencia e Zhvillimit Bujqësor Rural.
“Më datë 12 Dhjetor 2022, shtetasi Thanas Sulo ka bërë kallëzim para oficerit të policisë gjyqësore, ku i ka shpjeguar se në muajin mars 2020 ai nëpërmjet një të njohuri të tij që quhet Genti i cili ka një lokal afër me pikën e karburantit te tij, është njohur me një shtetase që quhet Viola Sterjo. Me origjinë kjo nga Pogradeci e cila në atë moment, punonte në E-Albania në Tiranë ndërsa aktualisht punon në AKSHI-n në Tiranë”, thuhet në dosjen hetimore.
Sipas denoncuesit gjithçka lidhej me ndërtimin e një hoteli në tokën ku ai kishte karburantin, ku sipas tij Viola Sterjo do ta ndihmonte për të marr një grant pranë AZHBR, Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, grant të cilën zyrtarja do ia mundësonte në këmbim të një shume parash që pronari i karburantit, del se ia ka dhënë në vazhdimësi.
“Unë doja që në tokën e karburantit të bëja investim në hotel, dhe kur bisedova me një mikun tim i kërkova që të më prezantonte me Violën. Pasi u njoha me të, i shpjegova që doja të bëja një ndërtim hotel në pronën time dhe ajo ma gjeti vetë arkitektin, i cili quhej Remzi Kutrolli, banues në Korçë, i cili ma bëri vetë edhe projektin për ndërtimin e hotelit”, deklaron Thanas Sulo.
Pas këtyre bisedave, biznesmeni denoncues, thotë se ai në kohë të ndryshme, i dha shuma të konsiderueshme parash, Viola Sterjos.
“Pas bisedave paraprake që bëra, Viola Sterjo, më kërkoi shuma Iekësh me pretendimin që ajo të ndërhynte tek ata të cilët do të më jepnin grandin, tek AZHRB. Për këtë qëllim unë i dhashë një shumë e konsiderueshme prej 57 mijë euro dhe 1 milionë lekë. Shuma të cilat nuk ia kam dhënë njëherazi, por disa herë dhe në sasi të ndryshme”, ka deklaruar Sulo.
Bazuar gjithmonë në kallëzimin e tij, Thanas Sulo, thotë se disa nga paratë, ia ka dhënë Viola Sterjos, në zyrën e saj të punës, në E-Albania, ku ajo punonte në atë kohë.
“Herën e parë i kam dhënë 20 mijë euro, më pas pjesë-pjesë. Në Tiranë ia kam dhënë kur e kam takuar tek puna e saj në E-Albania, e cila është mbrapa ndërtesës së kryeministrisë. Bisedat e takimit me Violën i kam bërë nëpërmjet telefonit në WhatsApp në numrin e telefonit të saj, por edhe në numrin e ndërruar të saj, me të cilin ka bërë biseda dhe bashkëshortja ime.
Pasi i kam dhënë komplet shumën e mësipërme, kam pritur që të bëhej fitimi i grantit. Ndërkohë që paraprakisht kam bërë një dosje të plotë me dokumenta të pronës të cilat ia kam dhënë Violës”, thuhet në deklaratën e Thanas Sulos.
Por ndërsa priste që të miratohej grandi për ndërtimin e hotelit, duket se këtu fillojnë problemet e tij me Viola Sterjon, e cila pavarësisht se kishte marrë shuma të majme parash, nuk po arrinte t’i siguronte biznesmenit, grantin nga AZHBR për ndërtimin e hotelit.
“Fillimisht Viola Sterjo, shkonte vetë tek bashkia Korçë për tu informuar se sa lejohej ndërtimi në zonën ku është pika e karburantit. Ndërkohë që për ndërtimin e hotelit u interesua dhe vetë arkitekti në urbanistikën e Bashkisë Korçë. Nga biseda me Violën, ajo më tha që në tetor 2020 unë do të përfitoja grandin, dhe deri në këtë muaj unë i dhashë të gjithë shumën e eurove dhe lekëve që kërkoi.
Por pasi kaloi muaji nëntor-dhjetor 2020, në kushtet kur nuk u përfitua grandi, unë fillova t’i kërkoja shumën e lekëve Violës, pasi fillova të dyshoj se ishte mashtrim. Kjo për faktin se as mikut tim që ma prezantoi nuk ju miratua granti, dhe ajo nuk ja kishte kthyer shumën prcj 160 000 euro që ai i kishte dhënë”, thuhet në deklaratën e Sulos.
Sipas biznesmenit, tashmë i ndjerë i mashtruar, ai nisi t’i kërkonte disa here Viola Sterjos kthimin e parave, para të cilat nuk iu kthyen kurrë.
“Nga fillimi i vitit 2021 dhe deri më sot i kam kërkuar disa herë Viola Sterjos kthimin e parave, por ajo edhe pse më ka lënë data konkrete, nuk ma ka kthyer shumën”, ka thënë ai.
Megjithatë biznesmeni Thanas Sulo, nuk ishte as i pari dhe as i fundit që del të jetë mashtruar nga Viola Sterjo.
Pavarësisht se përgjigja e kësaj të fundit ishte gjithmonë se: ‘kishim fituar dhe ishim në rrugë të mbarë’, sa herë ai kërkonte paratë.
Një tjetër biznesmen i cili rezultoi i mashtruar nga zyrtarja ishte edhe Olgert Kafazi.
“Pesë vite më parë unë bleva në zonën e Voskopojë, një sipërfaqe toke së bashku me 2 persona të tjerë, tokë në të cilën do të ndërtonim një resort turistik. Gjatë kohës që po punoja në banesën e një personi me emrin Gjergji, ai më tha për mbesën e tij, Viola Sterjo. Pas kësaj bisede, unë dhe Gjergji shkuam në Tiranë, ku u prezantova personalisht me shtetasen Viola Sterjo.
Nga biseda me të, unë mësova se ajo kishte mundësi nëpërmjet njerëzve të saj që të nxirrte një grant nga shteti për ndërtimin e resortit në Voskopojë, ku vlera e resortit do te ishte 2 milion euro. Kur u njoha me Violën ajo punonte në E-albania, deklaron Kafazi.
Ashtu si në rastin e biznesmenit Thanas Sulo, edhe Olger Kafazi, deklaroi se i dha Viola Sterjos në mënyrë të përsëritur shumën prej 90 mijë euro, me qëllim për të përfituar fonde nga AZHBR-ja.
“Pas bisedës që zhvilluam, unë i dhashë Violës, në mënyrë të përsëritur, shumën prej 90 mijë euro, shumë të cilën e kisha përfituar nga ortakët e mi. Në fillim të vitit 2022 unë mësova që Viola nuk kishte bërë asnjë aplikim që të përfitoja grantin. Në këtë moment unë fillova të dyshoj, që ajo më kishte mashtruar. Për këtë arsye unë e takova atë dhe vëllezërit e saj, të cilët i vura në dijeni për këtë mashtrim. Në përfundim ajo më ktheu 20 mijë dollarë në prezencën e njërit prej vëllezërve të saj që quhet Arbër. Ndërsa me kontratë noteriale të lidhur midis meje dhe Violës, kjo e fundit deklaroi se më njeh si detyrim shumën e dhënë në total 90 mijë euro, dhe se nëse nuk më jepte këtë shumë brenda 6 muajve ajo do më linte si garanci banesën e vjehrrit të saj”, ka deklaruar Kafazi.
Por mesa duket në karremin e mashtrimit, të Viola Sterjos, bie edhe një tjetër person, i cili kërkon që banesën e tij të pabanuar ta kthejë në bujtinë.
“Në qershor 2020, unë njoha nëpërmjet Thanas Sulos, Viola Sterjon. Nga Thanasi unë mësova se ai në qytetin e Korçës, në pikën e karburantit, kërkonte që të bënte një hotel duke përfituar grand nga shteti. Dhe për këtë arsye do e ndihmonte Viola. Kur Thanasi ma tregoi këtë gjë, edhe unë fillova të interesohem për banesën time private të pa banuar, me qëllim që ta ktheja në bujtinë dhe me këtë rast i kërkova Thanasit që të më prezantonte me Violën.
Gjatë bisedës Viola më tha se në Pogradec ka vëlla shtetasin Johan Sterjo, i cili është drejtor i ujësjellësit në këtë qytet. Herën e parë Violën unë e takova në aktivitetin tim privat, ku ajo erdhi me bashkëshortin e saj dhe dy fëmijët.
Siç mësova bashkëshorti i saj punonte në SHISH në Tiranë dhe quhej Fatmir Kepi. Ndërsa ajo më tha që punonte në kryeministri me post shumë të mirë dhe se kishte mundësi që për personat që bëjnë investime t’i ndihmonte për të përfituar grante nga Komuniteti Europian”, thuhet në deklaratën e Thoma Torit.
Por edhe në këtë rast, si në shumë të tjerë të ngjashëm mashtrimi, gjahtarët e viktimave përdorin mjaft mirë kostumin e tyre familjar, për të fshehur sa më mirë, qëllimin e tyre.
“Në takimet e para Viola mu duk shumë bindëse, dhe një ditë në telefon më tha që granti për bujtinën time u aprovua dhe se do të përfitoja 1.2 milion euro. Unë për këtë gjë u gëzova pa masë. Në muajin gusht 2020, Viola erdhi me bashkëshortin e saj në Pogradec, te puna ime.
Gjatë bisedës ajo më kërkoi 28 mijë euro me qëllim që të bëhej gati dokumentacioni i bujtinës. Viola më tha që 2 përqind e vlerës që do përfitoja nga granti, duhet t’ua jepja shtetasve të huaj, atyre që merreshin me grantin. Kështu, në prezencë të bashkëshortit të Violës, unë i dhashë kësaj të fundit 28 mijë euro.
Pasi Viola mori këtë shumë, disa javë më vonë ajo më kërkoi edhe 9 mijë euro pasi i duheshin për plotësimin e dokumentacionit. Gjatë kësaj periudhe kam drekuar shumë herë me Violën duke pritur që të miratohej granti”, deklaron Thoma Tori.
Por ndërsa priste që grandi të miratohej, asgjë e mirë nuk dukej në horizont, çka rriti dyshimin te biznesmeni, se kishte rënë pre e mashtrimit nga Viola Sterjo.
“Në një moment unë takova arkitektin e Violës, Remziun i cili më tha që ‘unë i kam bërë disa projekte dhe nuk më ka paguar, ajo është mashtruese’. Këtu kuptova që dhe unë mund të isha mashtruar. Më vonë, Viola më kërkoi edhe 8 mijë euro, për të vazhduar projektin me qëllim që të miratohej në Ministrinë e Mjedisit. Por unë duke marrë shkas nga biseda me Remziun, i thashë se këto para do t’i jap kur të fitohet granti. Pasi me aq euro sa i kisha dhënë do e kisha ndërtuar vetë, ndërsa ajo më tha ‘mos ki merak se e ke të fituar grantin’. Që nga ajo ditë Viola nuk ma ktheu shumën që i kisha dhënë, por më mbante me gënjeshtra dhe mashtrime”, thuhet në dëshminë e Thoma Torit.
Të gjitha këto deklarime u morën për bazë edhe nga gjykata në vendimin e saj për të lënë në arrest me burg, Viola Sterjon, e cila pranoi se në ngarkim të saj ka prova të arsyeshme se ajo është autore e veprës penale të “Mashtrimit”, kjo bazuar edhe në transfertat bankare që personat e dëmtuar kishin bërë në llogaritë e saj, apo të personave të lidhur me të.
Një histori që na tregon se si zyrtarë shtetërorë, munden të ngrejnë një skemë të tillë mashtrimi, duke shfrytëzuar pozicionin e tyre të punës dhe pse jo duke u fshehur shumë mirë pas këtij manteli, dhe njohjeve që ata kanë në administratë, të përfitojnë mundësi të tilla.
“Ligji i nënpunësit civil është një farë vettingu për njeriun, personin, individin që kërkon të punësohet në administratën publike. Është vetting në vetvete. Çështja lidhet me respektimin e proçesit të rekrutimit të njerëzve në administratën publike, dmth pasurimi i elementëve për të rekrutuar njerëzit më të aftë në administratën publike.
Ndërsa nëse do ecim me faktin se pasuritë e nënpunësve civil duke e barazuar atë me vettingun në gjyqësor apo organet e hetimit mendoj se është i panevojshëm sepse sot administrata publike ndonëse i referohet ligjit dhe mënyrës se si funksionon nëpërmjet akteve ligjore nuk e ka posibilitetin për tu pasuruar ashtu siç mendohet në përgjithësi sepse më tepër ajo nuk ka asgjë në dorë”, deklaron juristi Sokol Hazizaj.
“I vetmi mekanizëm është të krijojë bazë ligjore afatshkurtër 10-vjeçare sipas të cilit kur një punonjës i administratës publike i sjell dëm publikut ai duhet ta kompensojë të gjithë dëmin financiar që i ka sjellë publikut, qoftë përmes përballjes me drejtësinë, qoftë me masa të tjera penale. Nëse ndodh kjo Shqipëria do të bënte një hap cilësor në çështjen e vettingut dhe ndryshimin e administrates”, deklaron Afrim Krasniqi nga Instituti i Studimeve Politike.
/News 24/