Nga Boldnews.al
Historia e një trualli dhe magazine pranë “Piramidës” në Tiranë është e lidhur pazgjidhshmërisht me fjalën “burg”.
Në fund të vitit 1944, pronari i saj i ligjshëm, Ihsan Libohova, pinjoll i familjes së njohur nga Gjirokastra, arrestohet nga forcat partizane dhe më tej dënohet për “faje politike” sapo komunistët morën pushtetin në Shqipëri.
Pas rreth 78 vitesh, në janar të vitit 2023, për arsye tërësisht të ndryshme, në burg përfundon Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj.
Sipas prokurorisë së Tiranë, kreu më i lartë administrativ i Financave ka shpërdoruar detyrën, duke lejuar dy herë kompensimin financiar për ish-blerësin e kësaj prone, Ilir Thana.
Prokurori i çështjes, Ndini Tavani, është i bindur, në bazë të provave, se Arlind Gjokutaj, si edhe drejtori juridik në Ministrinë e Financave, Fatmir Hoxhaj e përmbaruesi privat Alban Ruli, kanë përgatitur terrenin që ish-blerësi Ilir Thana të kompensohej me 148 milionë lekë të reja, ndërkohë që ai ishte kompensuar më herët me 218 mijë lekë të reja.
“Boldnews.al” ka siguruar vendimin e Gjykatës së Lartë që dëshmon për një përplasje të gjatë gjyqësore ndërmjet Ilir Thanës dhe trashëgimtarëve të Ihsan Libohovës për truallin dhe magazinën në rrugën “Hilë Mosi” (“Mustafa Matohiti”) në Tiranë. Beteja përfundoi me suksesin e familjes gjirokastrite.
Arrestimi i Ihsan Libohovës
Gazetari Dashnor Kaloçi ka publikuar më herët në portalin “memorie.al” kujtimet e Servet Libohovës, djalit të Ihsan Libohovës.
Sipas rrëfimit, Ihasi ka lindur në vitin 1901 dhe është diplomuar në Sorbonë të Francës për drejtësi dhe në Romë, Itali, për shkenca politike. Në vitet ’30, Ihsan Libohova boton peridiken “Gazeta e Tiranës”. Qeveria e Zogut e emëron prefekt i Pogradecit dhe më pas funksionar i lartë në Ministrinë e Brendshme.
Ihsan Libohova u martua me vajzën e Shefqet Vërlacit, i cili ushtroi funksionet e kryeministrit në vitet ’40.
Sipas të birit të tij, Ihsani nuk u angazhua në administratën fashiste gjatë kohës së luftës, por iu përkushtua studimeve në shtëpinë e tij në Tiranë, të ndërtuar pak më herët pasi kishte blerë truallin.
Në fund të nëntorit 1944, kur lufta ende nuk kishte përfunduar plotësisht, forcat partizane rrethuan shtëpinë e Ihsan Libohovës. Këtë të fundit e arrestuan, ndërsa të gjithë familjen e nxorën jashtë.
Në vitin 1946, Ihsan Libohova u dënua me 10 vjet burgim për “faje politike”, ndërkohë që pronat e tij u konfiskuan në favor të shtetit.
Pas lirimit nga burg, Ihsani u largua drejt Shkodrës, ku edhe mbylli jetën, ndërkohë që në vilën e tyre në Tiranë, për shumë vite, jetoi familja e Omer Nishanit, Presidentit të asaj kohe të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë
Pronat pas rënies së komunizmit
Në vitin 1992, pas rënies së komunizmit, Drejtoria e Shërbimeve Qeveritare i shet një magazinë dhe truallin me sipërfaqe 182.5 m2 shtetasit Ilir Thana.
Në vitin 1995, Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave Tiranë ka vendosur kthimin e pronës ish pronarit dhe konkretisht trashëgimtarëve të Ihsat Libohovës.
Në këtë vendim përfshihej edhe objekti magazinë nr.2 dhe trualli ku ishte ndërtuar godina, e cila i ishte shitur më herët Ilir Thanës.
Trashëgimtarët e Ihsan Libohovës kanë kërkuar në gjykatë shpalljen e pavlefshme të kontratës së shitjes ndërmjet Drejtorisë së Shërbimeve Qeveritare dhe Ilir Thanës, për shkak se prona u është njohur atyre.
Këtu nis saga e gjatë gjyqësore, e ngjashme me shumë histori të tjera pronash në Shqipëri.
Në vitin 1996, Gjykata e Tiranës rrëzon kërkesën e trashëgimtarëve të Ihsan Libohovës. Ky vendim mbetet në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit të kryeqytetit, në vitin 1997.
Në vitin 1998, Gjykata e Lartë e rikthen për shqyrtim çështjen në Gjykatën e Apelit.
Kjo e fundit, në vitin 2000, rrëzon pretendimet e Ilir Thanës, duke ua njohur pronën familjes Libohova.
Vite më pas, Ilir Thana, në 2009, Ilir Thana i drejtohet sërish Gjykatës së Lartë, me kërkesë për rishikimin e vendimit të Apelit, me argumentin se kishte zbuluar disa rrethana të reja, të cilat mund të ndikojnë në çështjen e pronësisë së magazinës dhe truallit të saj.
Gjykata e Lartë nuk e pranon kërkesën. Ilir Thana i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, e cila në vitin 2014 ia rrëzon pretendimet.
Përfundimisht, prona kalon në favor të trashëgimtarëve të Ihsan Libohovës.
Kompensimi dhe arrestimi
Në vitin 2015, Ministria e Financave dëmshpërblen Ilir Thanën për shumën e paguar në vitin 1992, për blerjen e magazinës dhe truallit, i cili iu kalua trashëgimtarëve të Libohovës.
Shuma ishte 218 mijë lekë të reja dhe Ministria e Financave e ka paguar në favor të Thanës në shkurt të vitit 2015, sa ishte vlera e objekteve të blera e konvertuar me indeksin e rritjes së çmimeve, bazuar në informacionin e dërguar nga INSTAT.
Më tej, Ilir Thana i është drejtuar Zyrës Përmbarimore të Alban Rulit, e cila, në kundërshtim flagrant me ligjin siç deklaron Prokuroria, ka vlerësuar në vitin 2022, objektin magazinë dhe truallin për një vlerë të përgjithshme prej 145.867.920 , duke u hequr dhe trajtuar si ish pronar Ilir Thanën në një kohë që nuk ka qenë asnjëherë me këtë status.
“E gjithë vlera e përcaktuar për t’ju dhënë Ilir Thanës është në kundërshtim me ligjin dhe cënon buxhetin e shtetit në rreth 1.200.000 euro”, thuhet në dosjen e Prokurorisë së Tiranës.
Ministria e Financave ka kaluar në favor të Ilir Thanës shumën prej 48.118.366 lekësh. Nga kjo shumë është e provuar se 25.000.000 lekë kanë kaluar në favor të një gruaje me inicialet Sh.P.
Ka dyshime se veprimet e përmbaruesit, të Ministrisë së Financave dhe Gjokutajt, kanë shpërdoruar detyrën duke vjedhur nga Buxheti i Shtetit deri në këtë fazë shumën 48.118.366 lekë dhe tentuar për të vjedhur pjesën e mbetur.
Prokuroria ka urdhëruar sekuestrimin e shumën e kaluar ndaj Ilir Thanës dhe llogarisë qëllimore të përmbaruesit, duke arritur të sekuestrojë deri në këtë fazë të hetimeve rreth 22.000.000 lekë.
Deri në këtë fazë të hetimit, u arrestua fillimisht shtetasi Ilir Thana, në dhjetor 2022.
Më tej, në 11 janar 2023, u prangosën edhe Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj, Drejtori Juridik në atë institucion, Fatmir Hoxhaj, si edhe përmbaruesi Alban Ruli.