Motër e vëlla, Kristina dhe Kristos Halili kishin ngritur në zonën e Astirit një “çerdhe” të mirëfilltë prostitucioni, e cila ishte kamufluar si një qendër masazhi nën emrin “Eden_massage_esthetic”.
Kjo bazë ku ushtrohej prostitucion në këmbim të pagesave që nisnin nga 3 deri në 15 mijë lekë të reja, u godit mëngjesin e sotëm nga forcat e rendit, që mundën të vinin në pranga vetëm menaxheren 28-vjeçare Kristina Halili, e cila kishte për detyrë edhe të rekrutonte vajzat që punësoheshin aty.
Sakaq, në pranga ra edhe një 20-vjeçare e cila shfrytëzohej për prostitucion, ndërsa policia është vënë në kërkim të 23-vjeçarit që ishte pronari i qendrës.
Dyshja në fjalë punësonin vajza të reja, të cilat i përdornin për prostitucion ilegalisht. Qendra në fjalë për më tepër reklamonte e pa shqetësuar prej shumë kohësh shërbimet që vajzat ofronin në disa faqe të menaxhuara prej tyre në rrjetet sociale Instagram dhe Tik Tok.
Aty theksohej se në qendrën “Eden” ofrohej edhe masazh suedez apo shërbime për heqjen e dhimbjeve të shpinës. Ndërkohë, “prurjet” e reja të qendrës reklamoheshin duke zbuluar për ndjekësit format trupore të punonjëseve.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Evidentohet dhe goditet një rast tjetër i shfrytëzimit të qendrave të masazheve, për ushtrim të prostitucionit.
Vihen në pranga 2 shtetase, si dhe shpallet në kërkim administratori i kësaj qendre masazhesh. Sekuestrohet një shumë parash, e dyshuar e përiftuar nga kjo veprimtari e kundërligjshme.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Tiranë, si rezultat i hetimeve të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Extra”, arrestuan në flagrancë shtetaset:
– K. H., 28 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”;
– D. L., 20 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Prostitucioni”.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve për këtë rast, u shpall në kërkim shtetasi K. H., 23 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një qendre masazhesh. Vijon puna për kapjen e tij.
Gjatë kontrollit të ushtruar në qendrën e masazheve, në Unazë të Re, që menaxhohej nga 23-vjeçari, u konstatua se shtetasja K. H. (motra e shtetasit K. H.), shfrytëzonte për prostitucion, një punonjëse në këtë qendër.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 60 500 lekë të rinj, të dyshuara të përftuara nga kjo veprimtari e kundërligjshme. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.