Gjykata e Apelit të Tiranës ka lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë që vendosi ekstradimin e shtetasit kinez Liangbin Chen.
“Sot në datë 20.12.2022 përfundoi gjykimi në apel i kërkesës për ekstradimin e shtetasit kinez Liangbin Chen. Gjykata e Apelit Tiranë vendosi lënien në fuqi të vendimit nr. 805, datë 13.10.2022 të Gjykates së Rrethit Gjyqësor Tiranë”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Liangbin Chen, dyshohet se ka ngritur një skemë mashtrimi me bastet online, nga e cila ka zhvatur mbi 9 milionë bashkëqytetarë të tij, për një vlerë mbi 140 milionë euro. Chen, i cili është resident prej disa vitesh në Dubai, u arrestua në Korrik të këtij viti në aeroportin e Rinasit, pas një urdhër-kërkimi ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet e Kinës. Ai dyshohet se është në krye të një organizate kriminale, të cilës deri më tani i janë arrestuar rreth 40 persona.
Pas arrestimit në Korrik, Liangbin Chen fillimisht u vendos në qeli dhe më tej masa ndaj tij u zbut në “arrest shtëpie”, të cilin po e kalon në një prej komplekseve rezidenciale më të shtrenjta të Tiranës, pranë qendrës tregtare “TEG”. Tanimë, në zbatim të vendimin të Apelit, pritet vënia sërish në pranga e Chen, me qëllim esktradimin drejt Kinës.
“Boldnews.al” ka raportuar më herët se si çështja ndaj Liangbin Chen ka ngjallur një interes të veçantë në qarqet e politikës së lartë në Tiranë, të cilat besohet se kanë ndërhyrë për të penguar ekstradimin e “kinezit të kumarit”.
Hetimet
Në vitin 2019, kinezi Liangbin Chen, rezident në Emiratet e Bashkuara Arabe, ka krijuar në Dubai kompaninë “Hui Yuan”. Shoqëria kishte aktivitet kryesor krijimin e platformave të basteve on-line. Në funksion të kësaj veprimtaria, Chen dhe bashkëpunëtorët e tij krijuan disa faqe interneti bastesh dhe kumari, ndër të cilat “YiFA chess and cards”, “588 Chess and card” dhe “A8 Entarteinment”. Për të kryer aktivitetin, kompania ndërtoi një strukturë gjigande. Selia e saj ishte në Dubai, por thuajse të gjithë aktivitetin e basteve on-line e ka ushtruar me qytetarë-lojtarë kinezë. Konstrukti i shoqërisë ishte bazuar në katër shtylla kryesore ose departamente.
Departamenti i teknologjisë ishte përgjegjës për kërkimin, zhvillimin, testimin dhe mirëmbajtjen e “YiFA chess and cards”, “588 Chess and card”, “A8 Entarteinment”, si edhe aplikacioneve të tjera të bixhozit, duke ofruar lojtarë virtualë të rremë, të krijuar në servera, të cilët u krijonin bindjen lojtarëve realë se po përballeshin me kundërshtarë të vërtetë.
Ky departament dyshohet se ka krijuar aplikacione, mbi bazën e të cilave kombinoheshin fitore e humbje të lojtarëve realë, me qëllim që t’i mbanin “lidhur” me faqet e tyre të kumarit dhe për të siguruar që grupi kriminal të siguronte përfitime të paligjshme. Departamenti i Teknologjisë, krahas miërmbajtjes së sistemit elektronik të basteve, kryente edhe ndryshimin e herë pas hershëm të “domain-it” për shkarkimin e aplikacioneve të lojërave të kumarit, mbyllte apo integronte aplikacione të tjera, në mënyrë që të shmangeshin hetimet policore.
Por, më e rëndësishmja, këto ndryshime të shpeshta në aplikacion, krijonin pamundësi tek lojtarët që të tërhiqnin përfitimet e tyre. Departamenti i dytë i kompanisë së krijuar nga Liangbin Chen, gjithnjë sipas hetimit të autoriteteve kineze, ishte ai Operacional. Ky Departament ishte përgjegjës për veprimtarinë e aplikacioneve, statistikat, komunikimin, si edhe pagesat. Ai përqëndrohej kryesisht tek ajo që konsiderohej si “shërbimi ndaj klientit”. Departamenti operacional angazhohej më së shumti në rekrutimin e agjentëve të kompanisë, si edhe raportonte mbi depozitimin apo tërheqjen e parave. Ky departament orientonte lojtarët që të përdornin aplikacione si “WeChat” apo “Alipay” për t’u përfshirë në lojërat on-line të basteve.
Ndërsa Departamenti i marketingut ishte përgjegjës për promovimin e aplikacioneve të bixhozit, duke përdorur sistemtet “QQ”, “WeChat”, “SMS” dhe të tjera mjete komunikimi, duke postuar link-e me aplikacionet e bixhozit, të shoqëruara me fjalë kyçe për t’u përdorur në motorët e kërkimit dhe reklamat. Departamenti i marketingut ishte gjithashtu përgjegjës për punësimin e kinezëve jashtë shtetit (në Emiratet e Bashkuara Arabe), me qëllim kryerjen e punëve për llogari të departamenteve të ndryshme, duke u siguruar bileta avioni, viza, mjete transporti akomodimi dhe gjithçka tjetër të nevojshme.
Departamenti i Financës ishte përgjegjës për kryerjen e pagesave, përqindjet nga bixhozi, mbledhjen dhe transferimin e parave të paligjshme. Sipas hetimit të Policisë kineze, vetëm në periudhën Maj-Dhjetor 2020, grupi kriminal kishte mbi 9.19 milionë anëtarë të regjistruar, të cilët depozituan mbi 7.058 milionë CNY (monedha kineze- Chinnese Yuan Renminbi, shën. Red.) dhe tërhoqën 5.165 milionë CNY, kurse fitimi i grupit kriminal ishte 1.893 milionë CNY. Deri më tani, janë arrestuar 44 anëtarë të bandës kriminale.