Altin Dumani do të jetë drejtuesi i ri i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK).
Prokurori Dumani mori 5 vota nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP). Dy kandidatët e tjerë, morën përkatësisht prokurori Edvin Kondili 4 vota dhe prokurori Adnan Xholi 1 votë.
Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme ka një mandate 3-vjeçar. Altin Dumani zëvendëson në këtë detyrë Arben Krajën, i cili mori mandatin e parë në dhjetor të vitit 2019.
Si u ndanë votat për kreun e SPAK?
Altin Dumani u zgjodh drejtues i Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit (SPAK), me 5 vota të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Në favor të tij votuan anëtarët Bujar Sheshi, Ledina Rizaj, Arta Mandro, Eloida Goxhaj dhe Zeqir Hoda.
Në favor të kandidatit tjetër, Edvin Kondili, votuan 4 anëtarë; Alfred Balla, Nurihan Seitaj, Tartar Bazaj dhe Mirela Bogdani.
Kandidati i tretë në garë, Adnan Xholi, mori votën vetëm të anëtarit Sokol Stojani
“Dueli” Rama-Kim për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK
Rëndësia që ka ky pozicion ka shtuar “presion” e politikës dhe përplasjeve gjatë ditëve të fundit mes ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim dhe kryeministrit Edi Rama. Prej 22 nëntorit, Yuri Kim ka nisur betejën e saj me reagime të njëpasnjëshme, mesazhe të “koduara” drejtuar në mënyrë indirekte kreut të qeverisë Edi Ramës që të mos bëjë “pisë” këtë proces për postin më të lartë të organit të akuzës në vendin tonë.
Gjatë statusit në twitter, Yuri Kim thotë se kreu i ri i SPAK duhet të zgjidhet në bazë të historikut dhe kualifikimeve, ndërsa bën apel që procesi të mos ndikohet nga ata që sipas saj “po kërkojnë të bllokojnë apo ndikojnë drejtësinë”. Kim thekson se kreu i ri i SPAK duhet të jetë i aftë të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Mesazhi i ambasadores Yuri Kim (datë 22 nëntor 2022):
“Tani që janë konfirmuar kandidatët për kreun e ardhshëm të SPAK-ut, është thelbësore që procesi të jetë transparent në mënyrë që shefi i ardhshëm (1) të zgjidhet në bazë të kualifikimeve dhe historikut dhe (2) të jetë i aftë dhe i vendosur për të intensifikuar luftën kundër korrupsionit, krimit i organizuar. Procesi i përzgjedhjes duhet të jetë pa manipulime nga ata që kërkojnë të bllokojnë apo ndikojnë në drejtësi, nga ata që preferojnë mënyrat e vjetra dhe për rrjedhojë kundërshtojnë reformën në drejtësi. Taktika të tilla i përkasin një të shkuare që ka dëmtuar shumë. SPAK – si reforma në drejtësi – duhet të jetë e ardhmja e Shqipërisë”, shkruan Kim.
Menjëherë pas këtij reagimi, ka nisur përplasja në distancë mes ambasadores Yuri Kim dhe kryeministrit Edi Rama i cili “urdhëroi” Ministrinë e Jashtme që me një reagim zyrtar të shkelë kompetencat e saj. Ministria e Jashtme njoftoi se ka përfunduar mandati 3-vjeçar i Yuri Kimit dhe për të kanë nisur procedurat e zëvendësimit.
Reagimi i Ministrisë së Jashtme për fundin e mandatit të Yuri Kim (08 dhjetor 2022):
“Në përgjigje të interesimeve të medias gjatë gjithë ditës dhe për të shmangur çdo spekullim mbi “heshtjen” e MEPJ, konfirmojmë se procedura e zëvendësimit të ambasadores Kim ka nisur zyrtarisht, ndërkohë që për emrin e ambasadorit të ri procedura nuk na mundëson të bëjmë komente”, thuhet në njoftimin e ministrisë.
Dy ditë pas këtij reagimi nga Ministria e Jashtme, Ambasada e SHBA-së në Tiranë ka publikuar një editorial të guvernatores Yuri Kim ka adresuar korrupsionin si elementin kryesor që po gërryen potencialet e Shqipërisë. Ndër të tjera Kim thekson se SHBA do të vazhdojnë të intensifikojë përpjekjet për t’u përballur me korrupsionin dhe për t’iu kërkuar llogari aktorëve të korruptuar në vend, pasi duan ta shohin “Shqipërinë mike dhe aleate në NATO, si dhe të rritet më e fortë dhe më e pasur”.
Duke u ndalur te puna e kryer nga qeveria në këtë drejtim, diplomatja e SHBA nënvizon se “institucionet shqiptare kanë shumë më tepër për të bërë”. Yuri Kim zyrtarisht e mbyll mandatin e saj 3-vjeçar të nisur më 20 janar të 2020 në krye të selisë diplomatike të SHBA në Tiranë, në pak më shumë se një muaj kohë, ndërsa ka zëra për një përplasje mes saj dhe ekzekutivit në Tiranë sa i përket garës mes 3 prokurorëve për kreun e ri të SPAK.
Editoriali nga Yuri Kim (10 dhjetor 2022):
“Teksa shënuam Ditën Ndërkombëtare Anti-Korrupsion dje, është me rëndësi që të rigjallërojmë përpjekjet tona për t’i dhënë fund murtajës së korrupsionit. Korrupsioni iu vjedh qytetarëve dhe brezave të ardhshëm pasurinë dhe shpresën. Ai than rritjen ekonomike, pengon zhvillimin, minon demokracinë, si dhe iu hap dyert kriminelëve, trafikantëve dhe terroristëve.
Prandaj Presidenti Biden, për herë të parë, e përcaktoi anti-korrupsionin si interes thelbësor të sigurisë kombëtare dhe bëri publike një Strategji ambicioze të Shteteve të Bashkuara për t’iu Kundërvënë Korrupsionit. Për ta vënë në zbatim strategjinë, Shtetet e Bashkuara punojnë anembanë globit për të ndihmuar vendet që të parandalojnë ryshfetin, të mbështesin hetimin dhe ndjekjen penale të korrupsionit, promovuar transparencën, si dhe fuqizuar shoqërinë civile dhe median e pavarur për të zbuluar korrupsionin.
Këtë javë, qeveria e Shteteve të Bashkuara dhe Transparency International organizuan Konferencën e 20 Ndërkombëtare Anti-Korrupsion, të përqendruar te mbrojtja e vlerave demokratike nga korrupsioni. E vlerësojmë pjesëmarrjen e zyrtarëve të qeverisë, gazetarëve dhe përfaqësuesve të OJQ-ve në të, përfshi nga Shqipëria.
Shtetet e Bashkuara e mbështesin luftën kundër korrupsionit me veprime të qarta. Ne financojmë reforma në drejtësi, përfshi me BE-në dhe partnerë të tjerë. Mbështesim median investigative dhe organizatat e shoqërisë civile që luftojnë korrupsionin. Përdorim shpalljet non grata dhe sanksionet ndaj aktorëve të korruptuar dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Për shembull, Presidenti Biden nënshkroi në qershor 2021 një Urdhër Ekzekutiv të ri, i cili përqendrohet te krijimi i kostove për ata që përfshihen në veprimtari që minojnë institucionet demokratike dhe destabilizojnë Ballkanin Perëndimor, përfshi në Shqipëri. Ky Urdhër Ekzekutiv është përdorur tashmë për të sanksionuar aktorë të korruptuar.
Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të intensifikojnë përpjekjet tona për t’u përballur me korrupsionin dhe për t’iu kërkuar llogari aktorëve të korruptuar. Pse? Sepse ne duam ta shohim Shqipërinë – mike dhe aleate e jona në NATO – të rritet më e fortë dhe më e pasur. Korrupsioni përbën një cënueshmëri të sigurisë kombëtare, kufizon dhe shtrembëron investimet, si dhe minon demokracinë.
I nxisim institucionet e drejtësisë të Shqipërisë që të bashkohen me ne për ta ngritur anti-korrupsionin si çështje qendrore – për të bërë të qartë se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit, që askush nuk është mbi ligjin, që ditët e pandëshkueshmërisë po i afrohen fundit, që populli Shqiptar mund të mbështetet tek institucionet shqiptare për të dhënë drejtësi, dhe që cilido ka një mundësi të drejtë dhe të barabartë për sukses në Shqipëri.
Institucionet shqiptare po bëjnë përparim kundër korrupsionit por ka shumë më tepër për të bërë. Lufta kundër korrupsionit është një proces i gjatë dhe i vështirë por suksesi është i mundur. Asnjë vend nuk ka imunitet. Secili vend, përfshi Shtetet e Bashkuara, e lufton korrupsionin çdo ditë. Sfida e Shqipërisë nuk është aspak unike – as nuk është e pakapërcyeshme.
Gjatë vitit të fundit, institucionet shqiptare kanë filluar të ndjekin penalisht çështje që më parë as nuk do ishin prekur. Uniteti ynë si aleatë në NATO ka arritur nivele të reja. Shqipëria ulet me Shtetet e Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Këtë verë, Shqipëria hapi bisedimet për anëtarësim me BE-në, një arritje e jashtëzakonshme që duhet ta bëjë krenar çdo shqiptar.
Gjatë këtij 100-vjetori të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri, përkushtimi ynë ndaj popullit Shqiptar është më i fortë se kurrë. Rruga përpara – drejt anëtarësimit në BE, drejt drejtësisë – mund të jetë e vështirë, por Shtetet e Bashkuara mbeten të vendosura për të qenë në krahun tuaj çdo hap, në mënyrë që të ecim përpara së bashku. Gjithnjë përpara, gjithnjë bashkë”.
Reagimet e ambasadores amerikane nuk u ndalën dhe një ditë më pas editorialit, Yuri Kim mori pjesë në konferencën “Konsolidimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor”, ku ndër të tjera lëshoi disa sinjale thumbuese duke theksuar se “do të qëndroj më gjatë në Shqipëri”.
“Kam 3 vite në Shqipëri do jem këtu edhe për ca më gjatë. Ka një sfidë të madhe këtu! Ka histori këtu dhe duhet të ndjemë empati dhe respekt për historinë që ka kaluar ky vend. Ky është një vend i vogël të gjithë njohin gjithë të tjerët. Vendime për atë se kush do jetë në atë pozicion të caktuar, kreu i një institucioni apo një tjetri”, tha ambasadorja.
Padyshim që ky është një mesazh i koduar në drejtim të kryeministrit Edi Rama, me të cilin është përfolur se ka një krisje të raporteve kohëve të fundit, që pas nisjes së “etheve” të garës për kreun e ri të SPAK.
Reagimi nga kryeministri Edi Rama një ditë pasi Yuri Kim deklaroi se do të qëndrojë më shumë në Shqipëri (13 dhjetor 2022):
Kryeministri Rama pas përfundimit të mbledhjes me drejtuesit e qarqeve në selinë e PS-së, në një deklaratë për mediet bëri me dije se nuk është thyer asnjë etikë diplomatike lidhur me njoftimin që bëri ministria, pasi procesi ka nisur nga DASH.
Rama: Nuk është thyer asnjë etikë dhe procesi për zëvendësim ka nisur, siç është thënë edhe nga ministria e Jashtme. Nuk e kemi nisur ne procesin e ka nisur DASH. Amerikën e kemi të veçantë.
Pyetje: A ka krisje mes jush dhe ambasadores Yuri Kim?
Rama: Ngjitja mes meje dhe ambasadores është më e fortë se kurrë, nëse mund ta përdorim si metaforë me krisje dhe ngjitje. Kemi pasur dje një takim të gjatë, konstruktiv, miqësor, nuk ka asnjë problem.
Reagimi nga kryeministri Edi Rama (14 dhjetor 2022):
Kryeministri Rama iu ka kthyer përgjigje akuzave në lidhje me përzgjedhjen e kreut të ri të SPAK duke marrë shkas dhe nga reagimi i ambasadores Yuri Kim.
“Jam plotësisht dakord me Ambasadën Amerikane dhe boll me thashethemet e katundit politik e mediatik! Kreun e SPAK s’e zgjedh as qeveria, as foltorjavulorjafallgjorja, as ambasada jo e jo, po një institucion i quajtur Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që varet vetëm nga anëtarët e vet”, ka thënë Rama.
Kreu i qeverisë i bën thirrje Këshillit të Lartë të Prokurorisë të bëjë përzgjedhjen pa as një ndikim.
“Prandaj anëtarët e KLP të mos dëgjojnë askënd përveç kandidatëve,të mos lexojnë asgjë përveç biografisë profesionale të kandidatëve, të mos influencohen nga askush përveçse nga profili e perfomanca e kandidatëve! Ata japin llogari vetëm para pasqyrës së tyre dhe askujt tjetër”, është shprehur Rama.
Festa e funvitit Rama bën “paqe” me Yuri Kim (15 dhjetor 2022):
Ditët e fundit para zgjedhjes së kreut të ri të SPAK-ut, Edi Rama u përkujdes që të bërë “paqe” me Yuri Kim. Në videon që publikoi kreu i qeverisë ditën e djeshme gjatë darkës së fundvitit me ambsadasorët e zgjdhur në vendin tonë një vëmendje të madhe mori përqafimi dhe puthjet e tij me Yuri Kimin.
Një tjetër detaj interesant gjatë darkës, Yuri Kim është kapur nga kamerat teksa qëndron krah Linda Ramës, bashkëshortes së kryeministrit. Pas kësaj mbrëmje të fundvitit mund të themi se Edi Rama mesa duket ka bërë “paqe” me Yuri Kimin.