Emisioni “Në shënjestër” solli këtë të mërkurë detaje nga aksioni për sekuestrimin e 430 kg kokainë kolumbiane që u gjetën në shtëpinë e zyrtarit socialist Viktor Çervanaku, në Frakull të Fierit.
Për herë të parë dalin përgjimet mes të dyshuarve, që zbërthejnë mënyrën sesi funksiononte grupi kriminal. Viktor Çervanaku, aktualisht drejtor i administratës së OST, ish-kryetar komune i komunës Frakull i Madh, si dhe ish-oficer i forcave speciale RENEA, sikurse rezulton nga përgjimet mbante kontakte me punonjës të policisë dhe strukturave të tjera shtetërore.
Por ndërkohë që kujdesej që malli të dilte pleh organik, Viktor Çervanaku, nuk harronte t’i kujtonte djalit të tij, Denilsonit, që të bënte kujdes kur fliste në telefon.
Madje, në një nga bisedat, ai shpreh frikën e një përgjimi të mundshëm. Bisedë e përgjuar më 15 Tetor 2022, mes Viktor Çervanakut dhe djali të tij Denilsonit. Të cilët rezultojnë se janë në pritje të një personi i cili sipas hetuesve do të bënte ekstraktimin e kokainës.
Por një rol kryesor në këtë trafik të lëndëve narkotike, siç del nga përgjimet, duket se ka edhe e fejuara e Denilson Çervanakut, djalit të Viktor Çervenakut.
Enxhi Ferhati, e cila rezulton se mbante kontakte nëpërmjet emaileve me organizatorët e ngarkesës. Komunikime të cilat ajo i kryente në gjuhën angleze.
Dhe që nisin që në momentin kur malli ndodhej në muajin korrik në portin e Tivarit. E cila në momentin që ngarkesa ndodhej në këtë port, u shpreh shqetësimin dërguesve të mallit nga Kolumbia, lidhur mbi problemet që u kanë dalë me dokumentacionin e shoqërimit të ngarkesës. Ku sipas saj këto dokumente duhet të përsëriteshin nga e para, pasi nuk ishin të rregullta.
Pasi dokumentacioni shoqërues i ‘ngarkesës’ nuk ishte ashtu siç duhej, pasi ekzistonin dy prodhues të ndryshëm të origjinës së ‘plehut organik’. Përgjim, ku del në dukje edhe organizatori i ngarkesës, Nikolin Gjolena. Apo i njohur ndryshe si Niko ‘Lushnjari’. Personi, që sipas hetuesve mban kontakte me personat e tjerë në Kolumbi. Që me shumë gjasë mund të jenë shqiptarë.
Përgjime 16 Gusht 2022
Denilson Çervanaku komunikon me të fejuarën e tij, Enxhi Ferhati.
D.Ç: Po iki te lagjja të ha një hamburger, të pi një kafe. Do vij në shtëpi se duhet me i bo edhe një herë nga fillimi të gjitha letrat.
E.F: Si me i bo?
D. Ç: Me i bo dhe një herë të gjitha, se nuk janë siç duhet.
E. F: Kush me i bo?
D. Ç: Ata andej, të na i nisin tamam.
E. F: A ti dha ai ashtu.
D. Ç: Po, pra, po si kanë plotësu dhe ata tamam siç duhet, se kanë vënë ata motër ….. gabime, kanë futur dy prodhuesa. S’dimë kush është prodhuesi tani. Po ja u … robt dhe atyre. U sa më kanë acaru.
E. F: Ok, se flasim kur të vish.
D. Ç: I thashë ‘Lushnjarit’, or vlla më ço një numër telefoni. Ti marr në telefon ata anej, të flas or vlla, se s’po merremi vesh. Ti them si ta bëj.
E.F: Po s’flet dot, se ato s’dinë anglisht mirë.
D. Ç: Ore mos është noi shqiptar, që është shoku i tyre që rri atje.
Pasi rregulluan dokumentacionin dhe malli më në fund mbërriti në Shqipëri, në një komunikim tjetër, Denilsoni dhe e fejuara e tij, Enxhi, tashmë shfaqen shumë të lumtur. Pasi më në fund në orën 10.00 në aeroport do të mbërrinte ‘Lushi’, Nikolin Gjolena.
Dhe me ardhjen e tij do fillonte puna për ekstraktimin e lëndës narkotike. Pavarësisht se deri në këtë moment, nuk kishin ardhur kimistët kolumbianë, që do të kryenin procesin.
Përgjimet e Viktor Çervanakut
Për të kuptuar se si Viktor Çervanaku dhe rrjeti i tij, mori kurajon të transportonte dhe pastronte kokainën duke krijuar një laborator kokaine në Shqipëri, është me interes të ndjekim disa nga momentet kyçe të komunikimeve mes të dyshuarve si anëtarë të grupit.
Ajo çfarë vihet re përgjatë gjithë bisedave midis tyre, është shqetësimi i dukshëm për ngarkesën. Ku personi kryesor në këtë trafik dhe në këto biseda rezulton të jetë Viktor Çervanaku. Dikur një ish-efektiv i RENEA-s.
Që në vitet 1998-1999, kishte shërbyer si shofer i drejtorit të Policisë së Vlorës.
Por që gjatë kësaj kohe thuhet se ishte marrë edhe me trafikun e klandestinëve dhe të lëndëve narkotike.
Ves të cilin mesa duket e ushtronte edhe në ditët e sotme pavarësisht se mbante poste zyrtare. Ku së fundmi thuhet se ishte drejtor i Burimeve Njerëzore në OST.
Çervanaku, që si ish-efektiv policie, duket se kishte ruajtur më së miri lidhjet e tij në polici.
Lidhje të cilat dalin edhe në përgjime, teksa ai flet vazhdimisht me efektivë në detyrë të policisë së Shtetit por edhe agjentë të doganës. Të cilët do t’i mundësonin atij kalimin pa probleme të mallit, në këtë rast kokainës të fshehur në pleh.
Një prej përgjimeve është edhe ai midis Viktor Çervanakut dhe një efektivi policie në kohën kur malli ndodhej ende në portin malazez të Tivarit. Ku Çervanaku, kujdeset që efektivi i policisë, të mbyllte problemet që Nikolin Gjolena kishte me ligjin.
Gjolena, i njohur ndryshe me nofkën ‘Lushnjari’ apo ‘Lushi’ që siç do të shikoni më poshtë, rezulton të jetë porositësi kryesor i mallit dhe njeriu që mbante lidhjet me kolumbianët dhe bosët shqiptarë të drogës që ndodheshin atje.
Në përgjimin e datës 10 Gusht 2022, Viktor Çervanaku i dërgon mesazhe një efektivi policie ku ndër të tjera e pyet: O shok a fole më atë, që t’ja bëjmë nderin deri në fund?
Duke nënkuptuar nderin që do t’i bënte Gjolenës.
Po atë mbrëmje, Viktori i shkruan sërish në darkë punonjësit të policisë dhe ai i përgjigjet: Do flas nesër, çfarë ka bërë.
Por ndërsa Viktor Çervanaku kujdesohet që personi i rëndësishëm për ngarkesën, Gjolena, të mos ketë probleme me policinë me të ardhur në Shqipëri, paralelisht ai merr masat që ngarkesa të dalë pleh organik.
Për këtë arsye ai kapet në përgjim teksa flet me një agjent doganor. Me qëllim që analizat të dalin ashtu siç duhet dhe të plotësohet njëkohësisht dokumentacioni përkatës.
Përgjime 22 Shtator 2022
Viktor Çervanaku komunikon me një agjent doganor
V.Ç-Kam marrë një maune me pleh, a do ta bëjmë atë analizën e plehut.
Agjenti Doganor: Kujt plehu?
V.Ç: Po ka prurë çuni një maune me pleh nga jashtë.
Agjenti Doganor: Ou? Po për ça e përdor çuni?
V.Ç : E, do i bëjmë analizën
Agjenti Doganor: Aaa ta shesi!!
V.Ç: Për ullinj, ta shesi, është pleh i mirë, është kështu fertilizant, pleh shumë i mirë,
Agjenti Doganor: Ca thua ore? I madh je! Hahaha.
V.Ç: Ee, po ça të bëjme ore. Hajt tua hedhim atyre ullinjve, ta shesi pjesë-pjesë, ka prurë shumë ai, ka prurë 22 ton, ee.
Agjenti Doganor: Ou paska prurë shumë….
/News 24/
LEXO EDHE:
Detajet/ Si dështoi plani i zyrtarit të PS për t’u bërë i pasur përmes kokainës
Kokaina në shtëpinë e zyrtarit të PS, kush është “lushnjari” dhe roli i tij
Dalin në “skenë” kolumbianë që do pastronin kokainën, djali i Çervanakut: Kam video