Vijon të mbulohet me mister historia e vajzës 22-vjeçares nga Kenia, e cila u gjet në gjendje të rëndë në trotuarin poshtë banesës ku jetonte, në rrugën “Pandeli Evangjeli” në kryeqytet.
Personi i parë që u mor në pyetje është shoqja e dhomës së kenianes, e cila është akuzuar nga e ëma e vajzës se ishte shumë agresive ndaj Joy-t.
Teksa ka mohuar kategorikisht mundësinë e një vetëvrasje të mundshme, e ëma e të dhunuarës ngre dyshime të forta se vajza e saj është dhunuar barbarisht para se ta hidhnin nga ballkoni.
Deri në këto momente, policia raportohet se ka shoqëruar për marrje dëshmie disa persona që dyshohet të kenë qenë në shtëpinë e vajzës, në datë 13 gusht kur ndodhi ngjarja e rëndë.
Ende asnjë arrestim.
Para ngjarjes, e reja kishte vetëm 7 muj që kishte mbërritur në Tiranë, me një kontratë pune në një kazino, pasi kërkonte të largohej nga vështirësitë ekonomike të vendit të saj. Aty, 22-vjeçarja punonte si shpërndarëse letra pokeri.
Policia fshehu ngjarjen
Vajza nga Kenia u gjet në trotuar në datë 14 gusht, por policia nuk e raportoi ngjarjen deri në datë 7 nëntor, më shumë se 2 muaj pas dhunimit.
Njoftimi paraprak nga policia lidhur me ngjarjen erdhi vetëm pas raportimeve mediatike.
Hetimet gjithashtu filluan me vonesë, pasi policia nuk e referoi rastin 2 javë pasi u gjet e reja e dhunuar.
Sipas burimeve nga Spitali, vajza nga Kenia me emrin Joy është dërguar për ndihmë me tre brinjë e kocka të thyera, lëndime në dorë e stomak dhe dëmtime në tru. Prokuroria ka marrë akt-ekspertimin mjeko-ligjor për 22-vjeçaren, në bazë të cilit është referuar edhe vepra penale “Plagosja e rëndë me dashje”.
Joy prej më shumë se 3 muajsh ndodhet në spitalin e Traumës, ku po lufton për jetën, ku dëmtimin kryesor e ka në tru.
“Banditë”
Rasti u trajtua këtë të Mërkurë edhe në një emision televiziv, ku u ngritën dyshime se e reja mund të jetë tentuar të përdhunohet. Ngjarja ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik. Mes tyre është dhe gazetari Klodian Tomorri.
I revoltuar, ai shprehet se kemi shtetin më të pështirë në botë.
Në një postim në rrjetet sociale të titulluar “banditë”, Tomorri shkruan:
“Pashe emisionin e koleges Klodiana Lala per ngjarjen me vajzen nga Kenia. Dhe qe te bindeni se ne kemi shtetin me te peshtire ne bote, mjaftojne vetem dy fakte. Ngjarja ka ndodhur ne 13 gusht. Drejtor i Policise deri ne 31 gusht ka qene Gledis Nano. Ky e fshehu 2 jave e ca dhe nuk beri asnje hetim. Ne 7 shtator u emerua Met Rrumbullaku. Edhe ky e fshehu 2 muaj pa bere asnje hetim sepse kishte prioritet te rruante mjekrrat e policeve. Do e kishin fshehur pergjithmone dhe nuk do e kishin hetuar asnjehere nese ngjarjen nuk do e kishin publikuar mediat. Pra nuk ka rendesi nese iken nje drejtor policie dhe vjen nje tjeter. Banda vazhdon biznesin si zakonisht. Ah kemi dhe ministrin e Brendshem. Ky eshte me personazhi nga te gjithe. Si puna e Shvejkut; cme duhet mua se cfare bejne policet e mi. Policet vrasin njerez te pafajshem, fshehin krime, fshehin edhe vrasjet. Nuk ndodh asgje. Keta vazhdojne rrine aty. Pa din dhe pa iman”.
“Ne gjithe kete ndyresire te madhe, del kryeministri dhe akuzon opoziten, gazetaret dhe kedo qe thote ndonje gje qe nuk i pelqen atij, si te pafe te pa atdhe e gjera si keto. Pastaj i jep dhe leksione Britanise per diskriminim me emigrantet shqiptare. Po shyqyr qe policet dhe qeveritaret e Britanise nuk jane si keta tanet. Se tani, gjysma e shqiptareve ne Britani nuk do kishin as nam dhe as nishan”, shton.