Një tragjedi e vërtetë, e regjistruar edhe më parë në familjet emigrante nga Shqipëria që përfshihen në drama njerëzore, ishte ajo që u regjistrua mbrëmjen e së dielës në Spinea të Venecias.
Vera Myrtaj (37 vjeç) dhe i dashuri i saj Fionino Mërkuri (23 vjeç) u gjetën të masakruar me thikë në shtëpinë e shqiptare mëngjesin e së hënës.
Autori i vrasjes së dyfishtë ishte ish-bashkëshorti i Verës, Viron Karabollaj (41 vjeç), i cili ka kryer krimin i shtyrë nga xhelozia dhe ndjenja e mospranimit të lidhjes së re të dashurisë që 37-vjeçarja kishte krijuar pas divorcit.
Historia e Verës, e rrëfyer sot nga fqinjët për mediat italiane, është e ngjashme me shumë gra shqiptare që kanë pasur fatin e ngjashëm me të në Greqi apo Itali, ku burrat janë shndërruar në dhunues e më pas edhe vrasësit e tyre.
Ajo u nda nga i shoqi tre vjet më parë dhe jetonte me dy vajzat e saj në Spinea. Prej një viti e gjysmë ajo kishte një partner të ri.
Një lidhje kjo që mund të ketë shkaktuar xhelozinë e ish-burrit që i vrau të dy të dielën e 20 nëntorit dhe më pas kreu vetëvrasje.
“Ajo ishte një engjëll, vajzat e saj ishin gjithë bota për të”
Vera Myrtaj kishte ardhur në Itali, nga Greqia, rreth tetë vite më parë, me sa duket me sugjerimin e dy vëllezërve që kishin kohë që punonin në zonën e Venecias. Menjëherë pas kësaj, gruas iu bashkua edhe ish-bashkëshorti për të cilin kishte kërkuar ribashkimin. Në vitin 2016, të dy ishin zhvendosur në Spinea ku nisën të banonin në një shtëpi të madhe në rrugicën “Leopardi”.
Një shtëpi në të cilën ndër vite investuan mijëra euro për ta përshtatur me nevojat e vajzës së tyre më të vogël 13-vjeçare, e cila është me aftësi të kufizuara dhe lëviz në karrocë.
Fillimisht, sipas disa fqinjëve, çifti ka pasur probleme sporadike. Pastaj përplasjet e para, të cilat u bënë gjithnjë e më serioze. Ai dhunonte vazhdimisht gruan, e cila më në fund gjeti forcën ta linte dhe të fillonte një jetë të re.
Prandaj Vera Mirtaj kishte përveshur mëngët, duke punuar edhe më shumë se më parë në hotele të ndryshme në qendrën historike të Venecias. Sidoqoftë, Covidi dhe mbyllja e strukturave të ndryshme në muajt më të vështirë të pandemisë i ngatërruan planet e saj, duke e detyruar atë të rishpikte veten.
Për të mos lejuar që dy vajzave të saj 13 dhe 15 vjeç t’i mungonte diçka ajo kishte filluar të punonte si estetiste në shtëpi, duke bërë thonjtë e flokët.
Ajo kishte arritur të krijonte një rreth të madh klientësh, disa prej të cilëve ishin lidhur fort miqësisht me 37-vjeçaren, së cilës nuk i mungoi kurrë buzëqeshja.
“Këtë mëngjes mora vesh se çfarë ndodhi”, thotë Michaela, një kliente e të ndjerës.
Ajo kishte një takim me Verën sot, por ajo nuk u përgjigj dhe ndaj Michaela shkoi te shtëpia.
“Unë jam e tronditur: ajo ishte një engjëll, ajo nuk i meritonte të gjitha këto. Ajo nuk ka folur asnjëherë për ish-bashkëshortin por gjithmonë dhe vetëm për dy vajzat e saj. Ajo gjithmonë përsëriste: ‘Ato janë gjithçka për mua’”, tha klientja e 37-vjeçares.
Pak muaj më parë, partneri i ri i 37-vjeçares ishte vendosur në shtëpinë e saj në Spinea. Ndoshta ky ishte fitili që shkaktoi zemërimin e burrit që u bë vrasës.
Një burrë i dhunshëm, sipas rikonstruksioneve të para, që e kishte rrahur disa herë gruan kur jetonin bashkë. Megjithatë, Viron Karabollaj kishte mbajtur kontakte me familjen e tij dhe vinte periodikisht për të marrë dy vajzat e tij për të kaluar kohë me to.
41-vjeçari punonte prej vitesh në “Venetoponteggi”, një kompani ndërtimi në Chirignago me seli në Mirano.
Sipas prokurorisë së Venecias, Viron Karabollaj e kishte planifikuar vrasjen me përpikëri. Ai fillimisht priti që vajza e tyre e madhe, 15-vjeçe, të dilte nga shtëpia me miqtë për të shkuar në një mbrëmje.
Më pas, ai dërgoi vajzën e tij më të vogël, 13-vjeçe, në banesën ku jetonte pas ndarjes nga bashkëshortja dhe shkoi në shtëpinë ku banonte ish-gruaja e tij dhe partneri i ri për t’u marrë jetën.
Më pas burri u vetëvar në magazinën e Veneta Ponteggi në Chirignago, kompania për të cilën punonte prej disa kohësh.