Shtrirja e bandave shqiptare në territorin e Ekuadorit dhe çështja e shumë diskutuar e lirisë me kusht të bosit të kokainës Dritan Rexhepi, i cili doli në nëntor të 2021 nga burgu i sigurisë së lartë në Latacunga, në Guayaquil dhe më pas u zhduk nga radari i autoriteteve, ka ngritur shqetësimin e qeverisë në Quito.
Së fundmi në një intervistë për median vendase PRIMICIAS, ministri i Jashtëm Juan Carlos Holguín ka zbuluar se për arsye sigurie, shtetasve të 37 vendeve, ku përfshihet edhe Shqipëria do t’u kërkohen viza për të hyrë në Ekuador.
Holguín zbuloi se vendi i tij ka intensifikuar bashkëpunimin me BE dhe SHBA për të forcuar kufijtë në mënyrë që të ndalohen mafiozët e grupeve të udhëhequr nga shqiptarët në vendet evropiane, si Belgjika, Holanda, Kolumbia dhe Peruja për të hyrë e vepruar në vend.
“Në vendin tonë u vendosën kriminelë nga Shqipëria dhe, në fakt, mafia të caktuara nga Haiti dhe Afrika”, nënvizoi ai.
Vendimi i Ekuadorit për të marrë masa në lidhje me shqiptarët është derivat i aktivitetit të shtetasve nga vendi ynë që kanë fluturuar drejt shtetit të Amerikës Latine dhe kanë kërkuar edhe leje qëndrimi duke u hequr si biznesmenë apo investitorë.
Shqiptarët gjithashtu janë vendosur të qëndrojnë në Ekuador për shkak se mund të “blejnë” drejtësinë dhe të shmangin ekstradimet pasi janë në kërkim në Europë ose në vendlindje. Sipas Institutit të Statistikës në Ekuador, 70 shqiptarë kanë hyrë në vend në 2021 dhe dhjetëra të tjerë kanë qëndruar aty prej vitesh.
Pavarësisht jetesës në vila luksoze dhe ndërtimit të imazhit të investitorëve, shqiptarë në Ekuador janë vendosur për të realizuar kalimin tranzit të kokainës nga vendet e origjinës si Kolumbia dhe Peruja, për në Europë.
Ekuadori është kthyer tashmë në pikën e lidhjes së narkotrafikantëve shqiptarë në Amerikën e Jugut. Nëse në fillim ka qenë Kolumbia dhe Venezuela, tashmë shumica e ngarkesave që arrijnë të kapen në vendin tonë apo me destinacion Shqipërinë nisen nga Ekuadori. E tillë ishte edhe një ngarkesë prej 137 kilogramë kokainë që u zbulua në Portin e Pireut në dhjetor të 2020-ës, sasi që u nis nga porti i Guayaquil në Ekuador me destinacion final Portin e Durrësit.
Duket se trafikantët tashmë kanë zgjedhur rrugën Guayaquil (Ekuador) – Pire (Greqi) – Durrës (Shqipëri). Në raportin e fundit për luftën kundër narkotrafikut, Departamenti Amerikan i Shtetit theksoi se grupet kriminale shqiptare trafikojnë kokainë dhe heroinë direkt nga vendet e prodhimit në Amerikën e Jugut dhe Azi për në Europë.
Ndërkohë problem për Quiton zyrtar është bërë edhe numri i lartë i shqiptarëve të vrarë, të cilët kanë qenë të përfshirë në pazaret e drogës.
Grupet shqiptare të krimit të organizuar bënë hapa të mëdhenj në Ekuador në 2014 dhe 2015, siç i tha OCCRP-së Mario Pazmiño, ish-drejtori i inteligjencës për ushtrinë në Ekuador.
Kjo u dëshmua nga kapja në vitin 2014 e shqiptarit të akuzuar për trafik droge dhe i arratisuri ndërkombëtar Dritan Rexhepi, së bashku me kapjen e 278 kilogramë kokainë në territorin e Ekuadorit.
Nga 160 shqiptarë që hynë në Ekuador në 2018, të paktën 20 mund të jenë trafikantë droge. Krahas turistëve dhe emigrantëve të ndershëm shqiptarë, një kontingjent i konsiderueshëm kriminal ka krijuar një enklavë në Ekuador.
Në maj të vitit 2017, Ilir Hidri, një prej shqiptarëve të arrestuar me të arratisurin e INTERPOL-it Dritan Rexhepi, u qëllua pas shpine nga dy persona me një motor.
Në nëntor të atij viti, Remzi Azemi, një shtetas shqiptaro-kosovar që doli të ishte nipi i Hidrit, u plagos kur një person gjuajti katër plumba drejt tij në dritaren e hapur të fugonit të tij të blinduar.
Shtypi shqiptar pretendon se Adriatik Tresa ishte një mik i ngushtë i Hidrit, ndërsa media shqiptare dhe ekuadoriane kanë raportuar se Tresa ishte një nga të dyshuarit kryesorë për vrasjen e Hidrit dhe se ai u arrestua pasi një armë u gjet në banesën e tij. Bashkëpunëtori i pretenduar i Tresës në vrasje ishte Azemi, i cili thuhet se ishte nën hetim për sulmin ndaj xhaxhait të tij.
Sipas OÇRP, Azemi më vonë u veçua për vrasjen, në mars 2018, të Fadil Kaçanic, një i dënuar trafikant droge shqiptaro-malazez, i cili thuhet se është një i afërm i tij. Kaçanic dhe gruaja e tij ekuadoriane u morën nga shtëpia e tyre nga oficerë të rremë të policisë duke pretenduar se ata kishin një urdhër arresti, në një episod shumë të ngjashëm me atë që ndodhi me Tresën. Të dy burrat u gjetën të ekzekutuar në periferi të Guayaquil.
Sa i përket Tresës, vdekja e tij ndodh në një kontekst që ai duhet ta ketë njohur shumë mirë. Kur një rekord vrasjesh tronditi Guayaquil në vitin 2020 dhe pëson një valë trafiku kokaine.