Komandantët e Policisë së Kosovës në rajonin e veriut të vendit, që i përkasin komunitetit serb, të shtunën e 5 nëntorit kanë zhveshur uniformat e tyre para zyrtarëve të Listës Serbe në Zveçan.
Këtë veprim simbolik ata e kanë bërë pas deklarimit se japin dorëheqje nga detyrat e tyre në Policinë e Kosovës.
Mediat lokale në Kosovë dhe Serbi kanë raportuar në pasditen e së dielës se, dorëheqjet i kanë dorëzuar edhe zyrtarë tjerë policorë, pa konfirmuar nëse ata kanë dorëzuar edhe armët.
Megjithatë, ende mbetet e paqartë nëse këtë institucion e kanë braktisur të gjithë zyrtarët policorë në rajonin e veriut – rreth 400 sa besohet se janë në total.
Dorëheqje më 5 nëntor dhanë edhe zyrtarë të Listës Serbe si dhe udhëheqësit në sistemin gjyqësor. Siç thanë nga Lista Serbe, vendimet për largim nga institucionet do të zbatohen “derisa të tërheqin vendimet e njëanshme dhe të kundërligjshme për riregjistrim, derisa të formojnë Asociacionin e komunave serbe…”.
Burime brenda Policisë së Kosovës i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se dorëheqjen e kanë deklaruar vetëm komandantët e njësive të policisë, që janë pjesë e Drejtorisë rajonale të veriut të Kosovës, dhe se këtë nuk e kanë bërë të gjithë policët nga komuniteti serb.
Por, ata nuk përjashtojnë mundësinë që këta zyrtarë t’i ndjekin hapat e komandantëve të tyre.
Burime të Radios Evropa e Lirë nga terreni, në veri të Kosovës, konfirmojnë se pjesëtarët e policisë rrugore, gjatë orëve të natës – kur ka nisur ndërrimi i dytë i tyre – kanë mbikëqyrur qarkullimin e automjeteve, por pa e ndaluar askënd.
Zhvillimet e 5 nëntorit në veri
Paqartësi rreth dorëheqjeve të pjesëtarëve serbë në polici
Se a kanë dhënë dorëheqje të gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb në veri të Kosovës, e paqartë mbetet edhe për Mentor Vrajollin, drejtorin ekzekutiv të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë.
“U panë disa prej tyre, por nuk dihet se a kanë dhënë dorëheqje të gjithë. Mbetet e paqartë. Mendoj se është gabim shumë i madh nëse çdo pjesëtar tërhiqet nga Policia e Kosovës, për shkak se do të ishte i vështirë kthimi prapa. Policia do të duhej të ishte jopolitike. Futja e policisë në këso lloj vendimesh, që duken qartë se janë politike dhe janë kundër sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovë, e bëjnë thuajse të pamundur kthimin në këtë institucion”, tha Vrajolli.
Ndërkohë që ekzistojnë paqartësi se kush për momentin kujdeset për rendin dhe ligjin në veri të vendit, Policia e Kosovës, përmes një komunikate, ka thënë të shtunën, më 5 nëntor, se sipas nevojës dhe vlerësimeve operacionale, ajo do të angazhojë personelin e saj, me qëllim të kryerjes së detyrave dhe autorizimeve ligjore për të garantuar sigurinë në veri të vendit.
Por, ajo ka hedhur poshtë pohimet e disa mediave lokale në Kosovë dhe Serbi se, në veri ka dërguar njësitë speciale.
Më 5 tetor, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje serbëve, në përgjithësi në veri të vendit, që të mos braktisin institucionet e Kosovës dhe që të mos jenë pre “e manipulimeve politike dhe lojërave gjeopolitike”.
Zyrtarët në Serbi, në anën tjetër, kanë mbështetur vendimin e Listës Serbe.
Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell u ka bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të përmbahen nga çfarëdo veprimi i njëanshëm që mund të rrisë tensionet.
Borell ka thënë se largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mospajtimet aktuale.
“Zhvillimet e fundit rrezikojnë punën e madhe që është bërë në kuadër të dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë ai.
Integrimi në radhët e Policisë së Kosovës i pjesëtarëve të komunitetit serb në veri të vendit, u bë në vitin 2014, pas arritjes së marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë më 2013, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson Bashkimi Evropian në Bruksel.
Por, shembulli që dhanë komandantët e njësive policore në rajonin e veriut, duke dhënë dorëheqje nga Policia e Kosovës – i cili mbetet e paqartë se a është ndjekur, apo do të ndiqet nga pjesëtarët e tjerë të komunitetit serb – hap dilema të rrezikshme, vlerëson Dushan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd.
Në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, ai thotë se edhe në rast se pjesëtarët e Policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb e braktisin këtë institucion, ky nuk do të jetë problemi më i madh.
“Nëse këta 400 njerëz e lënë punën, kjo është në rregull. Por, nëse ata, në këtë rast, refuzojnë t’ia dorëzojnë detyrën dikujt tjetër dhe refuzojnë, për shembull të dorëzojnë armët, kjo do të thotë se është pjesë e rezistencës qytetare dhe uzurpim i institucioneve. Ky është një rrezik serioz që ekziston. Ky është rreziku i parë dhe përgjegjësia e parë e madhe që bie mbi Beogradin, i cili pastaj duhet që, në bashkëpunim me KFOR-in, t’i çarmatosë ata”, tha Janjiç.
Njohësi i proceseve politike, Agon Maliqi, vlerëson për Radion Evropa e Lirë se autoritetet e Kosovës, në situatën e tanishme në veri, ku nuk përjashtohet mundësia e një vakumi institucional, duhet të jenë tejet të kujdesshme që të mos u paraprijnë situatave, në të cilat incidentet janë të mundshme dhe për pasojë të përshkallëzohet situata.
“Kjo mund ta çojë situatën dhe ta bëjë jo shumë të parashikueshme. Gjithsesi KFOR-i është aty. Por, edhe për Kosovën, rikthimi i KFOR-it si një forcë primare e intervenimit, në njëfarë forme e ekspozon mungesën e sovranitetit mbi atë pjesë. Por, së paku e jep një lloj garancie që situata të mos përshkallëzohet. Gjithsesi, prioritet duhet t’i jepet çfarëdo lloj procesi politik ose në kanalet e komunikimit, sidomos ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, për të parandaluar çfarëdo eksesi”, tha Maliqi.
Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana, ka thënë të shtunën se misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, mbetet vigjilent dhe i gatshëm për të intervenuar në rast se rrezikohet stabiliteti.
Megjithatë, Vrajolli nuk pret që situata mund të përshkallëzohet në masën që e rrezikon sigurinë e përgjithshme në veri të vendit.
Sipas tij, braktisja e institucioneve nga pjesëtarët komunitetit serb, përfshirë edhe nga policia, më shumë është provokim i situatës për një pozicionim më të mirë të Serbisë në tavolinën e bisedimeve eventuale me Kosovën, por edhe kundrejt partnerëve të saj perëndimorë.
“Serbia, si duket, nuk është shumë e kënaqur me përmbajtjen e planit franko-gjerman dhe dëshiron të inskenojë situata, që eventualisht t’i rrisë kërkesat në tavolinë, duke u synuar që ta ndryshojë situatën në terren”, tha Vrajolli.
Dushan Janjiq nuk e përjashton mundësinë që në dy ditët e ardhshme të ketë ndonjë ndërhyrje diplomatike për të qetësuar situatën.
Sipas tij, indikacionet janë të tilla, sepse siç thotë ai, largimi i pjesëtarëve të komunitetit serb nga institucionet në veri, përfshirë edhe pjesëtarët e policisë dhe të gjyqësorit, është bërë krejtësisht në mënyrë dramatike.
“E gjithë kjo është shfaqur në mënyrë tepër dramatike për të qenë reale. Është shumë e koordinuar për të qenë reale”, tha Janjiç.
Zhvillimet në veri, ai i sheh si manovër të presidentit serb, Aleksandar Vuçiç, i cili, siç tha ai, “po përpiqet të dalë nga pozicioni i tij defanziv”.
“Po përpiqet të zgjasë kohën, që sa më vonë të hyjë në dialogun politik”, thekson Janjiç.
Kryeministrja serbe, Ana Bërnabiç, e ka mbrojtur vendimin e serbëve në Kosovë për dorëheqje nga institucionet.
“Në luftën e tyre për paqe, stabilitet, sundim të ligjit dhe respektim të të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara, ata do ta kenë gjithmonë mbështetjen e plotë të Qeverisë së Serbisë”, ka thënë ajo përmes një deklarate.
Edhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç, e ka mbështetur vendimin.
Dorëheqja e përfaqësuesve të komunitetit serb nga institucionet në veri ë Kosovës, ka pasuar refuzimit të tyre për të mbështetur vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe, në targat RKS – Republika e Kosovës.
Prej 1 nëntorit, Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin e saj – në tri faza – për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia.
Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.
Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjim pse Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në përputhje me kërkesën e tyre për shtyrje 12-mujore të vendimit për targat. Kosova dhe Serbia kanë nisur negociatat për normalizimin e marrëdhënieve më 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Procesi i negociatave pritet të përfundojë me marrëveshje ligjërisht të detyrueshme. Ndonëse Kosova deklaron se kjo marrëveshje duhet të përfshijë njohjen e ndërsjellë, Serbia nuk pranon, duke insistuar në “zgjidhje kompromisi”./REL