Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji gjatë seancës së sotme plenare ka zhvilluar një interpelancë me ministrin e Brendshëm Bledi Çuçin ku mes debatesh janë diskutuar rritja e kriminalitetit në vend, emigrimi i të rinjve shqiptarë me gomone drejt Britanisë së Madhe por edhe mungesa e sigurisë.
Në fjalën e tij, Salianji ironizoi situatën e krijuar mes policisë dhe kriminelëve në kërkim duke shtuar se blutë bien në gjurmët e tyre vetëm kur kanë probleme me njëri-tjetrin.
“Zoti ministër faleminderit që të gjetëm sot se të kemi shpallur në kërkim që prej një muaji. Jeni bërë si ju me policinë, i shihni kriminelët dhe nuk i kapni. Dhe ne të shohim këtu por nuk të kapim dot. Prej vitesh situate me kriminalitetin është rënduar. Përditë shohim në media dhe në zonat tona si qytetarët na drejtohen me mungesën e sigurisë në këtë vend. Ndeshen me paaftësinë e policisë së shtetit dhe kjo reflektohet edhe te policët e thjeshtë. E kam kërkuar këtë interpelancë në fillim të shtatorit pas ngjarjeve të rënda të ndodhura në rrugët kryesore. Ngjarjet kriminale po ndodhin çdo ditë dhe policia i gjen vetëm kur kanë problem me njëri tjetrin. Kam disa pyetje. Një prej tyre është shqetësimi për trafikun e qytetarëve shqiptarë që mbushën gjatë gjithë verës gazetat kryesore britanike”, deklaroi Salianji.
Salianji e nisi fjalën e tij në parlament me situatën e rënduar të rendit në vend duke theksuar se ngjarjet kriminale janë periodike në Shqipëri. Deputeti i PD-së, kujtoi fletë-dorëheqjen me gabime gramatikore, duke shtuar se Ardi Veliut i duhet një abetare, dhe një detyrë e tillë.
“Keni dhjetë vite bëni vetëm këtë muhabet. Si nuk ka dështuar procesi i vettingut. Imagjino që ju thoni do sjellim një projektligj që vettingut e policisë së Shtetit atyre që kanë investuar në shkollim, janë oficerë do e bëjë i famshmi Ardi Veliu i pashkollë! Atij jepini abetaren. Në një letër dorëheqje ka bërë 50 gabime gramatikore. Ju e merrni nga zv ministër njëri politik, e çoni të bëjë kontrollin e drejtuesve të policisë dhe policëve të thjeshtë”, tha Salianji.
E menjëhershme ishte përgjigja nga ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi i cili tha se publikut i ofrohet një alarm i qëllimshëm vazhdimisht, ndërsa solli disa shifra të kriminalitetit në vend. Sipas tij, krimi në Shqipëri është ulur krahasuar me vitet e mëparshme.
“Në lidhje me interpelancën e kërkuar sot, por dhe komentet që keni bërë në parashtresën tuaj, nuk jam shumë komod ta filloj me disa statistika të ftohta që nuk flasin. Por duke qenë se publikut i ofrohet një alarm i qëllimshëm vazhdimisht, dhe i pabazuar në të dhanë konkrete. Do e filloj këtë me disa statistika. Le t’ia lëmë matematikës. Plagosjet e rënda i gjetëm 163 raste në 3023, dhe i ulën me 140 vitin që kalojnë. Vjedhjet me pasojë vdekjen i gjetëm 6 dhe o në vitin që kaloj.
Vjedhjet me armë 96 dhe në 2021 vetëm 11 raste. Narkotikët meqë e përmendi shpesh, të gjithë indikatorët flasin qartë për zbulueshmërinë e këtyre rasteve. Jam lodhur për të gjetur statistika për 2013, por gjeta të 2006. I kemi çuar në 3168 në 2021. Numri i vrasjeve me dashje. Në 2006, ishin 87, 2011 me 1442 viktima. Në 2021 e kemi ulur me 61 numër vrasjes me 66 viktima. Këto janë statistika. Kemi dhe 8 mujorin tani që kemi 36 vrasje me dashje me 41 viktima. Në 2012 e gjetëm me 126 dhe tani e kemi 61, gati më shumë se përgjysmuar”, tha Çuçi gjatë pasqyrës së tij të statistikave.
Ministri i Brendshëm nga foltorja e Kuvendit ka folur për shqiptarët që udhëtojnë ilegalisht me gomone drejt Britanisë së Madhe. Duke komentuar rritjen e numrit të shqiptarëve që shkojnë me gomone drejt Britanisë së Madhe, Çuçi tha se për këtë faj kanë autoritetet britanike dhe legjislacioni i tyre. Sipas ministrit, shqiptarët që udhëtojnë drejt Britanisë së Madhe janë emigrantë në shtete të tjera të Europës që largohen drejt një shteti tjetër.
“Për azilkërkuesit në vendet e BE-së, kanë qenë 65.935 dhe në 2021 kemi vetëm 11.305. Kjo është një çështje shumëdimensionale, jo vetëm për ministrin e Brendshëm. Siç duket shikoni sa janë ulur kërkesat për azil në vendet e BE-së. Sa i përket fluksit të emigrantëve të paligjshëm, nuk kemi pasur ndonjëherë marrëdhënie më të ngushtë dhe më të besueshme me agjencitë ligj-zbatuese britanike. Kjo është e natyrshme. Por numri është ulur. Për emigrantët e paligjshëm drejt Mbretërisë ë Bashkuar nuk kemi pasur ndonjëherë marrëdhënie më të ngushtë mes agjencive ligj-zbatuese të dy vendeve. Është problem i Britanisë së Madhe. E dimë që pjesa më e madhe janë shqiptarë. Jemi partner te kjo gjë. Kemi çuar njerëz atje për t’u marrë me këto çështje. E keqja që ka rritur numrin është legjislacioni që ata kanë për këtë gjë. Shqiptarët që kanë shkuar atje janë shqiptarë që kanë emigruar në vendet e Europës dhe ikin nga vendet e Europës drejt Britanisë së Madhe”, u shpreh Çuçi.
Mes akuzave dhe deklaratave të forta, deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji i bëri thirrje ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi që të rrisin pagat e Policisë së Shtetit. Nga foltorja e Kuvendit, Salianji tha se janë 300 vrasje të pazbardhura ende, mes tyre krime që kanë ndodhur në mes të vendit.
“Kushdo mund të vritet, në sy të fëmijëve dhe të secilit, Këto janë ngjarjet, i ke të pazbuluara, ke 300 vrasje të pazbuluara. S’keni fuqi që t’i kapni. SPAK është i kapur. Këto kanë ndodhur para 1 muajsh. Këto nuk janë ngjarje që kalohen me statistika. Asnjë prej kriminelëve të kapur. Ke ngjarje të pazbardhura në Shkodër, apo dhe vrasja në komisariat. Fusni në polici njerëz problematik, pse ndodhin këtu? Se ju policët e ndershëm i keni lënë, s’i jepni pagë shtesë. Me 50 mijë lekë do i mbani policët? Janë të keqpaguar marrin 500 mijë lekë. Jepini dinjitet, rritini pagat. E keni që nga korriku me dy turne, si jepni pagesat. FNSH ka 7 muaj që nuk merr pagat. Në vend që polici të kapë kriminelin, kap krimineli policin si në rastin e të shumëkërkuarit. Po të kishin kaluar në vetting këta nuk do ishin. Të ka ndodhur tani në fund edhe pasi keni ndërruar drejtorin. S’ka asnjë objektiv as ky tjetri. Po të kishin objektiva, ku që nga zv.ministër do kontrollojë policinë, nga analfabet, te të inkriminuarit, ky i ka rekordet e këqija me shifrat. Thoni e vlerësuan SHBA, se vlerësuat ju”, përfundoi Salianji.