Kush… El Chapo? Jo. Mafia shqiptare ngriti një super kultivim me trafikantë grekë. Në malin e Olimpit gjenden 40 hektarë, 11 ton hashash me vlerë 40 milionë euro dhe tre “kopshtarë” – Në kërkim “El Patron”. “Protothema” shkruan se rasti “Olympos” të kujton versionin grek të serialit të njohur të Netflix, “Narcos”, pasi mafia shqiptare, në partneritet me trafikantët grekë, tentoi të krijonte kartelin më të madh të kanabisit në Evropë në malin më të lartë të vendit fqinjë.
Një “superkulturë” prej 40 hektarësh në pesë nivele që do të prodhonte në fazën e parë më shumë se 11 tonë kërp të cilësisë së shkëlqyer, narkomanët do kishin fitime që do të i kalonin 40 milionë euro.
“Biznesi” i madh nisi një vit më parë, me prerjen e qindra pemëve në anën lindore të Olimpit, në lartësinë 1500 metra dhe krijimin e një sistemi të posaçëm vaditjeje të gjatë disa kilometra nga burimet e Olimpit dhe “blerjen” e dhjetëra mushkave që do transportonin “mallin” por edhe veglat e punës.
Rreth 15 veta punonin për të mbjellat çdo ditë, ndërkohë që organizata ishte kujdesur për gjithçka. Madje kishin edhe një fermentues buke për punëtorët që punonin në anën lindore të Olimpit. Madje kishte edhe gra që kujdeseshin për ushqimin dhe pastërtinë e tyre.
Mirëpo versioni grek i “Narcos” u shkatërrua pas gati dy muajsh hetime nga Policia greke, e cila angazhoi 120 oficerë policie, dronë dhe helikopterë. “TEMA” prezanton përmes përshkrimeve, informacioneve, reportazheve dhe dokumenteve fotografike të pabotuara ka treguar se çfarë ndodhte në Olimp. U shënua një rast i paprecedentë, pasi u shkulën me rrënjë 5052 fidanë 3 metra të lartë, ndërsa u gjetën gati 22 kg që kishin arritur të thaheshin.
Informatori
E gjitha nisi në fillim gushti. Prokuroria e Narkotikëve të Larisës sapo ka përfunduar një operacion të madh në Agia me kapjen e më shumë se 2000 fidanëve kanabis, kur bie telefoni. Në anën tjetër të linjës, një zë i thellë i zbulon oficerit se në një zonë të paarritshme të Olimpit lindor ka një super-kultivim kanabisi nga një organizatë kriminale që dëshiron të ngrejë në Greqi kartelin më të madh në Evropë. Dikush donte të ishte Pablo Escobar i Greqisë. Disa detaje të dhëna nga “informatori”, para se të mbyllte telefonin me nxitim, i çuan efektivët në përfundimin se informacioni ishte i vlefshëm dhe duhet të hetohej më tej.
Çështja me emrin e koduar “Olympus” koordinohet nga drejtori i përgjithshëm rajonal i Thesalisë, gjenerallejtënant Asterios Mantziokas, i cili informohet për detajet më të vogla dhe ecurinë e hetimeve. Dronët ngrihen dhe nga një lartësi shumë e lartë skanojnë të gjithë Olimpin. Por nuk mund të zbresin poshtë pasi rrezikojnë të bien në sy nga rojet e armatosura të plantacioneve dhe kështu mund të hidhej në erë i gjithë aksioni. Por po ashtu, moti dhe mikroklima në malin e perëndive, që ndryshon çdo 15 minuta me re dhe erëra të forta, e vështirëson situatën edhe më shumë. Është vendosur të ngrihet një helikopter i pajisur me kamera me definicion të lartë për të skanuar shpatet e pjerrëta.
Më pas, plani ndryshon dhe oficerët vendosin të formojnë ekipe të vogla kërkimore duke përdorur kafshë dhe nëpër shtigje të vështira dhe ecje për shumë orë, bëhen gati për të krehur zonën. Rreziku që të bien në syt tek vëzhguesit dhe rojet e plantacioneve është i madh dhe për këtë arsye i gjithë operacioni i cili zgjati katër javë. Në fakt, para se të fillonin ecjen, nëpër lugina, policët e shikonin zonën me dylbi për të mos rënë në postblloqe dhe kurthe.
Më në fund, në orët e para të 15 shtatorit, ekipet e zbulimit të Policisë gjejnë objektivin. Në një lartësi prej 1500 metrash, në zonën e malit Olimp, ata gjejnë atë që kanë kërkuar prej një muaji. Ajo që ata panë ishte vërtet mbresëlënëse. Plantacioni shtrihet në 5 nivele, me një sipërfaqe totale prej 40 hektarësh. Në zonë kishte ambiente për stafin që ishte zhvendosur atje lart, si dhe tharëse për bimët.
Policia, duke mos ditur se çfarë do të ndeshej, vendosi të kryente bastisjen nga EKAMitët e armatosur, pasi rreziku për t’u rënë mbi rojet e armatosura të kartelit dhe një “luftë” ishte i dukshëm. Në fund, bastisja ishte aq e papritur dhe e shpejtë, saqë gjithçka përfundoi paqësisht, ku policia vuri në pranga dy shqiptarë të moshës 31 dhe 47 vjeç. Rastësisht, funksionimi i autoriteteve përkoi me një ndryshim të personelit në plantacionet e Olimpit.
Anëtarët kryesorë të mafies shqiptare donin të ngrinin qendrën e prodhimit të kanabisit me cilësi të lartë në Evropë në malin ‘më të egër’. Vendi që ata zgjodhën kërkonte një numër të madh njerëzish për të punuar, por edhe financim të madh, pasi kostot e prodhimit u shumëfishuan për shkak të topografisë së zonës. Një vit më parë ata ranë në kontakt me tregtarë të besuar vendas të drogës dhe filluan operacionet. Pasi zgjodhën pesë nivelet në të cilat do të rriteshin fidanët (çdo nivel ishte deri në 20 minuta ecje dhe ngjitje larg nga tjetri), ata filluan me sharrë elektrike duke prerë qindra bredha dhe lisa.
E gjithë faza përgatitore përfundoi para se të vinte dimri i kaluar dhe në mars, duke përdorur dhjetëra mushka, ata bartën plehra, fara dhe ilaçe për të filluar të korrat. Për gjashtë muaj, çdo ditë, rreth 15 veta punonin në mënyrë që 40 hektarët me mijëra fidanë të rriteshin plotësisht dhe të fillonte korrja në shtator. Në fakt, karteli kishte ndërtuar një minikomunitet për punëtorët, duke u siguruar gjërat e nevojshme për jetesën e tyre, ndërsa punësonin edhe gra që të kujdeseshin për gjithçka, nga pjekja e bukës deri te pastrimi i punëtorëve. Për më tepër, punëtorët mund të kalonin deri në disa javë të izoluar në vend, ndërsa përdornin një wireless special për të komunikuar me drejtuesit.
Kreu dhe karteli
Hetimet nuk përfunduan me operacionin në Olimp, pasi tani ata kërkojnë liderin që donte të ngrinte kartelin. Gjithçka tregon se “Eskobari i Greqisë” është një person me burime të mëdha financiare. Ai po gjurmohet, pritet kapja e tij!
/Dosja.al/