Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Shqipëri, Christiane Hohmann, gjatë prezantimit të projektit të ri të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe BE-së, EU4LEA, është shprehur se hapja e negociatave është një hap mjaft i rëndësishëm, por shtoi se ka akoma punë për tu bërë.
Hohmann tha se priten më shumë rezultate në luftën kundër pastrimit të parave. Ajo u shpreh se Shqipëria duhet të dalë nga lista gri e FATF.
Ambasadorja listoi disa çështje që i cilësoi me rëndësi “kritike” për Bashkimin Europian.
“Më lejoni të përmend çështjet kritike sa i përket institucioneve të BE. Së pari do të shikohet se si po konsolidohet reforma në drejtësi, formimi i institucioneve të pavarura të drejtësisë. Së dyti; do të monitorohet nga afër historiku i hetimeve, ndjekjeve penale dhe i dënimeve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit. Së treti; do të priten më shumë rezultate në fushën kundër pastrimit të parave. Duhet të punojmë së bashku për të bërë të pamundurën që Shqipëria të dalë nga lista gri e FATF-së. Së katërti; do të duhet një angazhim në luftën kundër luftës së prodhimit të kanabisit, armëve apo trafikimit të qenieve njerëzore. Së pesti: zhvillimi i bashkëpunimit me shtetet e BE, me agjencitë e tyre të zbatimit të ligjit, me EUROPOL, etj, vijimësia e bashkëpunimit është thelbësore për të zhvilluar atë besim që është i nevojshëm, ndaj kërkon përdorimin e kanaleve të sigurta. Ne duam që Shqipëria të dalë e suksesshme dhe të këtë sukses ne këtë përpjekje, ndaj jemi këtu”, deklaroi ambasadorja.
Shqipëria në listën gri të pastrimit të parave
Shqipëria ka mbetur në listën e vendeve me monitorim të shtuar, të ashtuquajturën lista gri, e pastrimit të parave, edhe pas rifreskimit të fundit në mars 2022.
Në shkurt të vitit 2020 Shqipëria u fut sërish në listën gri të pastrimit të parave, nga e cila kishte dalë në vitin 2015.
Seanca plenare e Task Forcës për Veprim Financiar (FAFT), një mekanizëm i Komisionit Europiaan për parandalimin e pastrimit të parave, në fillim të marsit la në listë Shqipërinë, ndërsa nxori nga lista e vendeve me monitorim të shtuar Zimbabven.
Në lisën gri përfshihen juridiksionet që kanë mungesa strategjike në parandalimin e pastrimit të parave dhe krimit të organizuar dhe rrezik të lartë si dhe janë nën monitorim të shtuar. Shqipëria, Malta dhe Turqia janë të vetmet vende të Europës në listën gri.
Duke bashkëngjitur listën e juridiksioneve ku bën pjesë dhe vendi ynë FAFT ka nënvizuar se “juridiksionet nën monitorim të shtuar po punojnë në mënyrë aktive për të adresuar mangësitë strategjike në regjimet e tyre për të luftuar pastrimin e parave, financimin e terrorizmit. Kur FATF vendos një juridiksion nën monitorim të shtuar, kjo do të thotë se vendi është angazhuar të zgjidhë me shpejtësi mangësitë strategjike të identifikuara brenda afateve kohore të dakordësuara dhe i nënshtrohet kontrolleve shtesë. Në përputhje me procedurat fleksibël të miratuara në shkurt 2021 për të lejuar FATF të vazhdojë programin e saj të monitorimit në dritën e pandemisë COVID-19, FATF ka përditësuar deklaratat e saj për vendet në shqyrtim”.
Në shkurt të vitit 2020 Shqipëria u rikthye në listën gri të vendeve që paraqesin rrezik për pastrimin e parave për shkak të deficencave strategjike të gjetura nga Task Forca për Veprim Financiar.
Në seancën plenare që zgjati disa ditë FAFT është ndalur tek disa nga iniciativat strategjike që lidhen me riskun e pastrimit të parave duke vendosur të parat rregullat për të ndjekur pastrimin e parave nga pronësia përfituese apo ndryshe të njohura si kompanitë guackë. Task Forca tha se vendet do të forcojnë më shumë rregullat për të parandaluar pastrimin e parave nga grupe që fshehin paratë e pista në struktura korporatash.
Një tjetër element në vëmendje ishte rritja e riskut për pastrim parash dhe financim terrorizmi nga futja ilegale e emigrantëve.
E treta është një qasje e bazuar në risk sa i takon mbikëqyrjes së shit-blerjes së pasurive.
“Pasuritë e paluajtshme janë një zgjedhje popullore dhe e qëndrueshme për investime. Keqbërësit që dëshirojnë të pastrojnë pasuritë e tyre të paligjshme shfrytëzojnë sektorin e pasurive të paluajtshme. Si rezultat, profesionistët e pasurive të paluajtshme kanë një rol të rëndësishëm në parandalimin e keqbërësve nga keqpërdorimi i sektorit të pasurive të paluajtshme për pastrim parash ose financim terrorizmi. Megjithatë, aktualisht sektori i pasurive të paluajtshme në përgjithësi ka një kuptim të dobët të rreziqeve ndaj të cilave ata janë të ekspozuar, sipas rezultateve të shumicës dërrmuese të vlerësimeve të ndërsjella të raundit të katërt”, thuhet në deklaratën e FAFT.