Në qendër kanë nisur punën shumë projekte luksoze apo kulla, çmimet e të cilave për vitin 2022 kanë arritur deri në 5,000 euro/m², nga 4 mijë euro që ishin mbi një vit më parë.
“Invest Society” po zhvillon në Tiranë 4 projekte luksoze, Rainbow Center, West Residences, Book Building, Green Terrace. Të gjitha ndërtimet e kompanisë “Invest Society” karakterizohen nga pozicioni strategjik. Projektet mbajnë emrin e studios italiane “Stefano Boeri Architetti”.
Book Building, që ka filluar të ndërtohet pas Sahatit, sipas lejes zhvillimore është godinë polifunksionale 4, 5, 11 dhe 21 kate, me 3 kate nëntokë. Zyra e shitjeve e kontaktuar nga Monitor tha se çmimet e apartamenteve të banimit në këtë ndërtim janë 5,000 euro për metër katror. Nga zyra e shitjeve pohohet se ka ende apartamente të pashitura.
Rainbow Center tek ish Blloku, është godinë me 7 kate (nga të cilat dy kate janë qendra tregtare). Tashmë në këtë ndërtim nuk gjenden më apartamente të lira për shitje sipas përfaqësuesve të zyrës së shitjes, të cilët shtojnë se krahasuar me vjet çmimet janë më të lartë.
Për 2022. apartamentet në këtë ndërtim janë shitur 5,000 euro për metër katror (ndërtimi është ngritur në truallin e ish bar Rovena).
Vjet çmimet e ndërtimeve të reja në zonën e ish bllokut nisnin nga 3,000 euro për metër katror (siç është ndërtimi i nisur në truallin e ish vilës Ferdinant, por edhe apartamente në “Rainbow Center” u shitën 3,000 euro për metër katror).
Shoqata e Ndërtuesve: Rritja e çmimeve, nga shtrenjtimi i materialeve të ndërtimit
Çmimet e materialeve të ndërtimit këtë vit kanë shënuar rritje të lartë. Për Shoqatën e Ndërtuesve shtrenjtimi i materialeve të ndërtimit, kostoja e lartë për pagesat e punëtorëve dhe të truallit të ndërtimit, si edhe taksat janë arsyet kryesore të rritjes së çmimeve të apartamenteve.
Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës së Ndërtuesve Arben Dervishi tha për Monitor se për materiale si, alumini, bakri, hekuri dhe çimento çmimet janë rritur 200% krahasuar me vjet. Rritje të lartë ka pasur edhe për çmimin e karburantit.
“Tashmë në kryeqytet nuk ka ndërtime më me kosto 300 deri 400 euro për metër katror. Kostoja për apartamente ka arritur deri 800 euro për metër katror, për shkak të rritjes së cilësisë. Për kullat për shkak të përdorimit të materialeve dhe fasadave unike kostot e ndërtimit arrijnë deri në 2,000 euro për metër katror. Pra rritja e çmimeve të apartamenteve po pasqyron trendin e zhvillimit të çmimeve të materialeve të ndërtimit”.
Për administratorin e kompanisë “Century 21” Jonian Antoni shtrenjtimi i materialeve më tepër do të ndikojë në rritjen e çmimeve të pronave jo elitare.
“Nëse kostoja e ndërtimit të një apartamenti në zona të lira ishte 330 euro dhe këtë vit është bërë 500 euro për metër katror kjo reflektohet direkt në çmimin e shitjes i cili nga 800 euro ka shkuar në 1,000 euro për metër katror”, thotë ai.
/Monitor.al/