Abetarja e përbashkët Kosovë-Shqipëri, ka filluar të shpërndahet, edhe pse pamja e saj deri më sot nuk është zbuluar, njoftoi sot Radio Televizioni i Kosovës.
Sidoqoftë, bazuar në foto të dërguara nga shtëpia botuese “Dukagjini” për RTKlive, shihet e Abetarja Kosovë-Shqipëri, është shtypur dhe pritet të jetë në duart e nxënësve.
Nga kjo shtëpi botuese thonë se Abetarja e përbashkët është gati dhe ka filluar të shpërndahet sot, ndonëse gjatë dy ditëve të fundit, RTK nga shumë burime, ka bërë përpjekje të mësojë se deri ku ka mbërritur procesi i përgatitjes së saj.
Megjithatë, nga kjo shtëpi botuese thonë se fillimisht, e njëjta ka nisur të shpërndahet në shkollat e fshatrave të vendit.
Sipas kësaj shtëpie botuese, Abetarja e përbashkët do të shpërndahet gjatë fundjavës në shkollat e kryeqytetit.
Sqarimi i kësaj shtëpie botuese e cila krahas asaj “Pegi” në Tiranë janë fituese për shtypjen e Abetares, erdhi pas lajmit të publikuar në RTKlive se Abetarja e përbashkët nuk është shpërndarë e për më tepër, nuk dihet as pamja e saj.
Ndërkohë, Edona Kurleshi nga Zyra për Informim në Ministrinë e Arsimit, nëpërmjet telefonit tha për RTK- në se shpërndarja e Abetares nëpër shkolla është duke u jetësuar.
Megjithatë, nga MASHT-i nuk kanë dhënë informacione se në cilat shkolla apo në cilat komuna është duke u shpërndarë Abetarja e re.
Gjatë dy ditëve të fundit, RTK është përpjekur të mësojë nga Ministria e Arsimit në Kosovë, ajo në Shqipëri, shtëpitë botuese dhe autorë të ndryshëm se çfarë është duke ndodhur me Abetaren e re.
Por në të gjitha rastet, nuk janë dhënë sqarime zyrtare.
Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, në deklarim për Radio Kosovën, tha se Abetarja tanimë ka përfunduar dhe pritet edhe shpërndarja e saj nëpër shkolla.
“Ne kemi pasur kujdes, sepse kalendari i fillimit të vitit shkollor nuk është i njëjtë në Kosovë dhe Shqipëri dhe kemi kërkuar që puna të përfundojë me herët, në mënyrë që Abetarja të jetë e gatshme për 1 shtator, kur edhe zyrtarisht fillon mësimi në Kosovë”, tha Pupovci.
Ndërkohë, RTKlive sot gjatë pasdites ka kontaktuar me disa Drejtori të Arsimit në komunat e vendit.
Kështu, në tri shkolla të fshatrave në Vushtrri, si në Pestovë, Maxhunaj dhe Vilanc, ka mbërritur Abetarja e përbashkët.
Në anën tjetër, siç njoftojnë korrespodentët e RTK-së, në Gjakovë ende nuk ka mbërritur Abetarja e përbashkët ashtu siç nuk ka mbërritur as në Deçan.
Gjithashtu, sipas informacioneve të fundit, Abetarja e përbashkët nuk ka mbërritur as në Ferizaj.
Zyrtarë të Drejtorisë së Arsimit në këtë komunë thanë për RTK-në se pritet që ajo të shpërndahet me 1 shtator.
RTK ka konfirmuar nga DKA në Prizren se as në këtë komunë dhe këtë rajon, Abetarja e përbashkët ende nuk ka mbërritur.
Abetarja e përbashkët Kosovë-Shqipëri është dakordim i qeverive të të dy shteteve.
Nga ky vit shkollor, pritet të fillojë edhe mësimi nga e njëjta Abetare.