Me vetëm një të përjashtuar, vetting-u i drogës në polici “kapi” vetëm të sëmurët. Rezultatet e laboratorit privat u bënë të goditshme gjyqësisht dhe nuk morën formën e provës. Ato u refuzuan nga pothuajse të gjithë efektivët, që rezultuan përdorues droge, që konsiderohen ndryshe si “pozitivët e rremë”.
- Ku je ti?
Numri i telefonit …667
- Jam këtu, te Shena.
Elefterios
- Do ikësh një çikë te shtëpia e Xhevit, Davidit. Do marrësh një gjë e do vish këtu, si e ka ky hoteli…
Numri i telefonit …667
– Atje, në autostradë..?
Elefterios
- Bravo, bjeri nga Sauku, se vjen direkt.
Kjo bisedë, në dukje e thjeshtë, ka si bashkëbisedues një efektiv policie, Elefterios Sulën, dhe një shpërndarës droge. Dosja, që disponon ekskluzivisht INA MEDIA, tregon se si pas porosisë polici i Shqiponjave dyshohet se mori një dozë lënde narkotike.
Duke ndërhyrë shpesh te kolegët, që bashkëpunëtorët e tij në fushën e shpërndarjes së drogës të mos ndëshkoheshin me gjoba, polici i ri shfaqet vazhdimisht në përgjimet e prokurorisë. Në një moment Elefterios i thotë shpërndarësit: “Thuaji, jam shoku i Elios (Elefterios). Ej, jepu një kafe të vogël e ik, se s`të thonë gjë, po të thanë gjë…”
Në fakt në dosje shkruhet se personi, që efektivi i Shqiponjave po ndihmonte, është një shtetas me emrin Mikel Zhegu, i kartelizuar në aktivitetin e paligjshëm të shpërndarjes së drogës.
Gjatë vëzhgimeve nga agjentët në terren ai evidentohet në shumë raste, duke marrë porosi për blerjen e kësaj lënde. Shpërndarësit komunikojnë me kode, herë iu kërkohet “gjysmë birre”, e herë të tjera “Marlboro të bardha”, që në të gjitha rastet nënkuptojnë lëndën narkotike, të llojit kokainë.
Për të provuar se polici i ri ishte aktiv në këtë rrjet trafikantësh, prokuroria disponon vëzhgime dhe përgjime, derisa polici dhe shpërndarësi ndalohen në Rrugën e Kosovarëve.
Siç thotë fashikulli, ata “kishin destinacion lëvizjeje dorëzimin e porosisë”. Në akt-konstatim përmendet: “Mjeti, me të cilin po lëvizej për të shpërndarë drogë, drejtohej nga Elefterios Sula, pasagjer ishin Mikel Zhegu dhe Eris Tafa”.
Kur kolegët e konstatuan, polici i ri nuk harroi t’iu përmendte atyre se ishte djali i shefit (P. S.,) dhe ata e lanë të lirë, pasi pretendojnë se makina e kolegut të tyre nuk kishte gjëra të dyshimta.
Në dosje thuhet se, nisur nga provat e grumbulluara ka dyshime që polici, jo vetëm e favorizonte Mikel Zhegun që të shpërndante lëndë narkotike në Tiranë, por efektivi ka marrë edhe vetë pjesë aktive në shpërndarjen e lëndës narkotike, pasojë që solli edhe arrestimin e policit Elefterios Sula në korrik të vitit 2021.
Në një klimë dyshimesh, se shumë policë përdorin drogë, pak pasi mori detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano, urdhëroi kryerjen e testit antidrogë te të dyshuarit.
Procesi delikat i vetting-ut të drogës në polici shkoi keq që në fillim. Shtatë muaj pas testimit të parë statistikat flasin vetëm për një të përjashtuar nga radhët e policisë dhe dhjetëra kontestime, që kanë rrëzuar rezultatet e laboratorit privat. Një pjesë madje kanë përfunduar edhe në gjykatë.
Jozyrtarisht thuhet se “dështimi” ka lidhje me kontrollin e “të moshuarve”, gra dhe burra, në polici.
Nga ana tjetër, emra të përfolur si përdorues droge në të vërtetë nuk dolën përdorues dhe madje në celularët e tyre nuk mbërriti telefonata e beftë, që i urdhëronte për testin e drogës.
Përzgjedhja e dyshimtë
Në krye të 22 viteve si polic i shtetit shqiptar, M. R., 54 vjeç, u telefonua nga eprorët e tij, me kërkesën që t’i bashkohej grupit të efektivëve nga Komisariati Nr. 3, për t’iu nënshtruar testit të drogës.
Biseda e beftë telefonike u krye në mesin e muajit dhjetor 2021.
“Dy nga më të rinjtë në polici më pyesnin me shaka: “Hë, mo plak, ke tymos gjë?”, – rrëfen M. R., për INA MEDIA-n, pa e ditur se ky test do ta ndryshonte rrënjësisht jetën dhe karrierën e tij.
Nga të gjithë policët e testuar atë ditë, 17 të tillë, vetëm ai rezultoi pozitiv, pra përdorues droge.
Për 54-vjeçarin përgjigjja ishte tronditëse dhe po aq shokuese, sa “edhe drejtimi i një arme gjatë aksionit për kapjen e një grabitësi në kryeqytet vite më parë”.
“Më ra tavani në kokë. Kurrë në jetën time nuk kam përdorur drogë, madje nuk pi as duhan”, -thotë për Investigative Network Albania-n efektivi, që nën kushtin e konfidencialitetit pranon të rrëfejë përvojën e testimit antidrogë.
“Kur më telefonoi eprori për të më njoftuar rezultatin e testit, fjalët kishin marrë dhenë. Ishte shokuese! Ndërsa po shkoja në komisariat, u ndjeva sikur më kishte vdekur dikush, një i afërm”, – rrëfen jo pa trishtim efektivi i Komisariatit 3, i cili për disa javë rresht jetoi në stres të vazhdueshëm, derisa iu nënshtrua një testi të dytë.
Pasi ka marrë “kartonin e kuq” të përkohshëm në detyrë, polici këmbëngul se procesi nuk ishte transparent dhe as i drejtë.
Teksa tregon recetat e medikamenteve për dy ndërhyrjet kirurgjikale, që iu është nënshtruar, njëra prej të cilave vendosja e një proteze, ai rrëfen se përpara urdhrit për testin e drogës askush nuk i pyeti, nëse kishte apo jo policë që kuroheshin për sëmundje të ndryshme.
Si pasojë, kakofonia u krijua që në ditët e para të zbatimit të urdhrit të Drejtorit të Përgjithshëm, Gledis Nano, për vetting droge për policinë.
“Jam nën kurim të vazhdueshëm, por askush nuk na pyeti e as e morën në konsideratë këtë gjë”, – thotë ai.
Pas testit pozitiv antidoping, M. R., u pezullua përkohësisht nga detyra, derisa mblodhi të gjitha recetat dhe kërkoi sërish analiza laboratorike. Këtë herë testi doli negativ dhe vërtetoi se “nuk kishte tymosur ndonjëherë”, duke e rikthyer sërish në detyrë, por M. R., nuk është i vetmi që vuajti pasojat e një testi të “rremë”.
Përdorues droge vs të sëmurë
Të konsideruar “pozitivë të rremë”, dhjetëra efektivë rezultuan pozitivë ndaj testit të drogës. Pjesa më e madhe ishin nën kurim për probleme shëndetësore, si diabeti, tensioni apo sëmundje të tjera, duke u kthyer shpejt në një problem serioz për drejtoritë vendore të policisë.
Zyrtarisht, nga datat 22 nëntor 2021 deri në fund të muajit prill, u testuan, nëse janë apo jo përdorues droge 1935 efektivë policie.
“Prej këtyre 45 policë kanë rezultuar pozitivë, pra përdorues droge”, – thuhet në përgjigjen zyrtare të Policisë së Shtetit për INA MEDIA-n.
Por, pavarësisht kësaj shifre, Investigative Network Albania mëson se deri më tani është përjashtuar vetëm një punonjëse policie.
“Ajo i përket Drejtorisë vendore të Elbasanit”, – thotë zyrtarisht policia.
Efektivja me inicialet A. P., mbante gradën e inspektores dhe ishte pjesë e policisë së Elbasanit prej katër vitesh. Policja e re rezultoi e varur nga droga e llojit kokainë, ndaj nuk u paraqit në Komisionin e Disiplinës dhe as e kundërshtoi rezultatin, duke u përjashtuar automatikisht.
Por, pjesa më e madhe e efektivëve nuk e kanë pranuar rezultatin dhe e kanë ankimuar atë.
Hetim administrativ për “pozitivët”
Rezultatet e laboratorit privat u bënë të goditshme gjyqësisht dhe nuk morën formën e provës, pasi u refuzuan nga pothuajse të gjithë “pozitivët”.
Efektivët, që rezultojnë pozitivë në testin e drogës, iu nënshtrohen hetimeve administrative nga Drejtoria e Standardeve Profesionale.
Në vijim të hetimit administrativ për kategorinë e të dyshuarve pozitivë zhvillohet një test i dytë, për tu siguruar, nëse janë përdorues të lëndëve narkotike.
Përgjatë kësaj periudhe ata janë urdhëruar që të mos ndryshojnë apo të fshijnë informacione mbi përgjigjen e testit të drogës.
Referuar Rregullores së Policisë së Shtetit, miratuar me V.K.M. nr. 750/2015, pikërisht neni 213, “Përdorimi i lëndëve narkotike”, saktëson se “nëse një efektiv del pozitiv për përdorim të lëndëve narkotike, konsiderohet një shkelje mjaft e rëndë nga punonjësit e policisë”.
Përfshirja e policëve në çështje droge e “detyroi” Policinë e Shtetit t`i kalojë në skaner të gjitha uniformat, me qëllim pastrimin nga përdoruesit e drogës dhe për të konfirmuar se ata, që gjenden në radhët e saj, nuk kanë probleme me drogën, por dosje të shumta dëshmojnë se policët i fusin duart në kontrabandën e drogës.
Efektivi i forcave Shqiponja, Lavdosh Metaj, u arrestua, duke shpërndarë kokainë në lokalet dhe hotelet luksoze të qytetit të Sarandës.
Në dosjen e prokurorisë, që INA MEDIA e disponon, thuhet se efektivi i Shqiponjave shpërndante lëndë narkotike gjatë ushtrimit të detyrës, duke bashkëpunuar edhe me kamerierë në hotelet më të njohura në qytetin bregdetar.
“Lavdoshi bashkëpunon me persona të tjerë, që i sigurojnë lëndën narkotike, transportin e së cilës më pas e kryen vetë me automjetin e tij, të cilit i ka bërë modifikim dhe i ka bërë vende të fshehta”, – thuhet në dosjen hetimore.
Ka rezultuar se shpërndarja kryhej më shumë në muajt e verës, kur qyteti mbipopullohet nga pushues e turistë të shumtë, mes të cilëve ka edhe përdorues të lëndëve narkotike.
Pozitat e efektivit special rëndohen edhe më tepër, pasi organi i akuzës ka siguruar prova se, përveç trafikimit të kokainës, ai transporton edhe kanabis sativa nga qyteti i Fierit drejt Sarandës, për ta trafikuar më pas përtej kufirit, drejt Greqisë. Metaj mbahej nën survejim nga agjentët në terren.
Pasi doli nga banesa në lagjen 4 të qytetit të Sarandës, bashkë me dozat e radhës gati për t’i shitur, ai u arrestua.
“Gjatë kontrollit personal të të dyshuarit, Lavdosh Metaj, rezultoi se atij iu gjetën 11 doza të futura në qese plastmase, transparente, të mbyllura me djegie, brenda të cilave kishte pluhur të bardhë, i ngjashëm me lëndën narkotike kokainë”, – thuhet në dosje.
Pas kontrollit të banesës në jelekun që mbante mbishkrimin “POLICIA”, u gjetën edhe tri doza të tjera kokaine.
“Nuk jam në gjendje të mirë shëndetësore për të dhënë shpjegime, jam përdorues kokaine. Droga, që u gjet në banesë, është e imja dhe familjarët nuk kanë dijeni”, – deklaroi Metaj pas arrestimit.
Në kushtet kur mjaft policë shpesh herë joshen nga krimi për të përfunduar vetë në shpërndarës, për kreun e Sindikatës së punonjësve të policisë, Sadedin Fishta, testi i drogës ishte i nevojshëm, por ka mangësi ligjore.
“Në rregulloren e policisë nuk thuhet se cila është masa që merret ndaj efektivëve, kur konstatohen si përdorues droge, – thotë Fishta. – Ligji i Policisë së Shtetit nuk e parashikon testin e drogës, parashikon testin dhe shenjat e gishtave, si dhe ekspertizën balistike të armës”, – sqaron Fishta për INA MEDIA-n.