Nga András Tóth–Czifra
*“Center for European Policy Analysis”
Disa elementë të dobësisë perëndimore janë krijuar nga qeveria ruse. Përveç rajonit ukrainas të Donbasit, ku ka nisur një betejë e përgjakshme, dhe Ukrainës Jugore, e cila po përballet me plaçkitje dhe rrëmbime në shkallë industriale nën pushtimin rus, teatri i tretë i luftës është tani pa asnjë diskutim hapësira e informacionit në demokracitë perëndimore.
Rusia po shkakton një krizë globale ushqimore, duke i bllokuar portet e Ukrainës, duke grabitur drithërat e Ukrainës, dhe duke bombarduar tokat bujqësore dhe infrastrukturën bujqësore të këtij vendi. Po ashtu, ajo po përhap narrativën se kriza ushqimore dhe inflacioni në rritje të shpejtë në Evropë dhe SHBA u shkaktuan nga sanksionet perëndimore.
Ajo po nxit frikën se do ta përshkallëzojë më tej luftën, duke e kërcënuar Lituaninë për shkak të “bllokadës” ndaj enklavës së Kaliningradit, të cilën Kremlini e shpiku, dhe duke u përpjekur të minojë besimin midis Ukrainës dhe mbështetësve të saj perëndimorë, dhe përhapjes së thashethemeve të pabaza se Polonia dëshiron ta pushtojë Ukrainën Perëndimore.
Moska ka reduktuar dërgesat e gazit përmes gazsjellësit “Nord Stream” dhe “Turk Stream”, si dhe ka pezulluar dërgesat e gazit në disa vende anëtare të BE-së. Si gjithmonë, lufta informative e Kremlinit nuk do të funksiononte pa padurimin, hapësirën e shkurtër të vëmendjes dhe ankthin në demokracitë perëndimore, të cilat Rusia i njeh shumë mirë.
Madje, ajo ka mësuar t’i shfrytëzojë ato në avantazhin e vet. Të kombinuara së bashku, ato kanë nxitur zëra që u bëjnë thirrje vendimmarrësve të ndryshojnë rrugën ose fokusin. Zyrtarët e qeverisë amerikane flasin në mënyrë anonime për shqetësimin e tyre për “dëmet anësore” më të mëdha se sa pritej nga sanksionet.
Ndërkohë disa analistë të ekstremit të djathtë dhe të majtë, nënkuptojnë në mënyrë të rreme se ndihma ushtarake dhe humanitare që i është dhënë Ukrainës (54 miliardë dollarë në rastin e SHBA-së, apo rreth 1 për qind e buxhetit federal), është disi e krahasueshme me koston e paketës financiare të stimulit të brendshëm.
Në Evropë, diskursi është strukturuar gabimisht si një debat midis ithtarëve të “paqes”, dhe kundërshtarëve të tyre që duan vazhdimin e luftës, si nga politikanët jo liberalë po ashtu edhe nga analistë liberalë (edhe pse sigurisht me thekse të ndryshme). Ky debati nxjerr shpesh në pah sesa pak kuptohet Rusia.
Për shembull, kriza e gazit ishte tërësisht e parashikueshme. Meqë Rusia nuk ka më një aksion në tregun evropian të gazit, ajo përballet vetëm me kosto dhe përfitime afatshkurtra, dhe mund t’i maksimizojë përfitimet politike dhe shumë të mundshme financiare nëpërmjet reduktimit të dërgesave të gazit.
Megjithatë, ka pak planifikim të dukshëm për emergjencën që kemi përballë, madje edhe në komunikim. Retorika e ekzagjeruar e Rusisë për një “bllokadë” në Kaliningrad (nuk preken pasagjerët dhe mallrat që nuk janë në listën e sanksioneve), diktohet kryesisht nga faktorë të brendshëm.
Ky rajoni përballet në shtator me zgjedhjet lokale, ndërsa ka nisur tashmë edhe një krizë ekonomike. Megjithatë, BE-ja nuk ka dhënë një përgjigje të fortë ndaj deklaratës provokuese të Moskës. Paaftësia për t`iu përgjigjur sfidës së Kremlinit është shumë shqetësuese, pasi ka gjeneruar një sërë mendimesh plot ankth dhe të argumentuara shumë dobët.
Shumë prej tyre vijnë nga analistët, që fatmirësisht nuk janë në gjendje të marrin vendime, por që megjithatë e diktojnë ende debatin publik. Disa prej tyre kanë sugjeruar që Perëndimi duhet të ushtrojë presion ndaj Ukrainës që të heqë dorë nga një pjesë e territorit, me qëllim parandalimin e një krizë globale ushqimore.
Të tjerë kanë argumentuar heqjen e sanksioneve ndaj Rusisë, pasi ato nuk kanë arritur ta bindin Moskën që t’i japë fund luftës. Dhe ca të tjerë, deklarojnë se negociatat duhet të fillojnë përpara një afati të caktuar. Këtyre argumenteve u mungojnë zakonisht përgjigjet për pyetjet e rëndësishme në lidhje me kostot dhe përfitimet, apo detajet e proceseve që mbrojnë.
Për shembull, marrim çështjen e rikthimit sa më shpejt të palëve në tryezën e bisedimeve. Kur e vënë theksin tek urgjenca, por nuk përshkruajnë se çfarë duhet të ndodhë përpara fillimit të bisedimeve, këta analistë apo zyrtarë sugjerojnë në mënyrë të hapur se tashmë janë pjekur kushtet për bisedime, kur në fakt kjo nuk është e vërtetë.
Kjo nga ana tjetër mund të çojë lehtësisht në argumentin, se nëse nuk fillojnë negociatat, një Perëndimi kërkues dhe Ukraina janë fajtorë për rezultatin, duke e dobësuar pozitën e Kievit. Zyrtarët rusë po e përdorin tashmë këtë argument. Por në vend të kësaj, diskutimi duhet të fokusohet tek kushte dhe procesi.
Të kuptosh se si mund ta detyrosh Rusinë që të dëmshpërblejë Ukrainën për shkatërrimet që i ka sjellë, ose të pohosh se kjo e fundit ka të drejtë të rimarrë kontrollin mbi kufijtë e saj të vitit 2014, do ta forcojë shumë më tepër pozitën e Ukrainës dhe Perëndimit se sa diskutimet boshe për kufijtë.
Apo merrni debatin për lëshimet territoriale, të përkohshme apo të përhershme qofshin. Edhe nëse Bashkimi Evropian dhe SHBA-ja mund ta detyrojnë Ukrainën të bjerë dakord, në këmbim të dhënies fund të luftimeve, kjo zgjidhje do të refuzohej pothuajse me siguri në një referendum popullor, dhe do ta dobësonte qeverinë e Zelenskyy, gjë që nuk do jetë në interesin e Perëndimit.
Siç tregoi përvoja e 8 viteve të para të luftës (kur Rusia u lejua de fakto ta pushtonte Krimenë dhe disa pjesë të Donbasit), lëshimet territoriale vetëm sa i japin mundësi Rusisë të rigrupohet dhe më pas ta përshkallëzojë luftën. Këtë herë, rreziqet do të ishin shumë më të larta, pasi dështimi i dytë për të vepruar, do të dëmtonte më tej normat ndërkombëtare, dhe do të inkurajonte shtetet e tjera autoritare të veprojnë njëlloj si Moska.
Problemi është se këto kosto janë afatgjata dhe të vështira për t’u llogaritur. Ndërsa kostot e krizës ushqimore dhe energjetike, si dhe nevojat financiare të Ukrainës janë të matshme dhe afatshkurtra. Ky ekuacion i ezauron nervat e politikanëve që mendojnë sipas cikleve zgjedhore.
Gjithsesi, vendimmarrësit duhet të imagjinojnë kostot e paqëndrueshmërisë së përhershme në Evropën Qendrore dhe Lindore, ndërprerjen e tregtisë globale, luftëra të ngjashme pushtuese që shpërthejnë gjetkë, dhe më shumë gjasa zhdukjen e çdo mundësie kuptimplotë për të ruajtur shkallën e bashkëpunimit ndërkombëtar, të nevojshëm për të trajtuar problemin e ndryshimeve klimatike.
Kjo do të thotë sipas të gjitha llogarive, mënyra më e shkurtër dhe më e lirë për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme në Ukrainë duhet të jetë sigurimi i mjeteve – ushtarake, financiare dhe diplomatike – që Ukraina të diktojë kushtet e fitores së saj mbi Rusinë – edhe nëse kjo do të thotë një rikthim në kufijtë e vitit 2014. Gjestet simbolike të rëndësishme dhe të mirëpritura, si vizita e javës së kaluar e presidentit francez dhe rumun, kancelarit gjermane dhe kryeministrit italian në Kiev, dhe tentativat për të zhbllokuar eksportet ukrainase, duhet të pasohen nga hapa vendimtarë.
Kjo do të thotë dhënien e statusit të kandidatit për në BE për Ukrainën dhe Moldavinë, dhe konfirmimin se Lituania po zbaton në Kaliningrad sanksionet e vendosura nga BE. Dërgesat e armëve dhe sanksionet duhet të rriten sa më shpejt që të jetë e mundur.
Kryeqytetet perëndimore nuk kanë luksin të shpërqendrohen në këtë fazë të luftës. Ato duhet të pranojnë se duhet paguar një çmim i lartë për një rikthim të shpejtë tek normaliteti relativ. Ata duhet të përqendrohen tek komunikimi i kësaj të vërtete tek votuesit, të cilët po ushqehen gjithnjë e më shumë me gënjeshtrën se janë qeveritë e tyre dhe që po kryejnë luftën, dhe jo Rusia. /Bota.al/
*Shënim:András Tóth–Czifra, anëtar i Qendrës për Analizën e Politikave Evropiane.