Nga Genc Pollo
(Një shënim për samitin e fundit të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian)
Takimi i liderëve të BE-së në Bruksel të enjten, më 23 qershor, u zhvillua në sfondin e luftës së përgjakshme agresive të Putinit. Ata duhësisht u solidarizuan me Ukrainën, viktimën aktuale dhe me Moldavinë viktimën potenciale të radhës; të dyjave u dhanë statusin e kandidatit për anëtarësim në Union. Por një Këshill Evropian në kohë lufte do të kishte në rend dite domosdoshmërisht shtrëngimin e radhëve përballë armikut.
I vetmi shtet deviator brenda orbitës së BE-së, i cili ka refuzuar sanksionet europiane kundër Rusisë së Putinit dhe ka rikonfirmuar miqësinë me agresorin ka qenë Serbia. Sipas traktateve në fuqi Serbia është detyruar të linjëzohet me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Presidenti Vuçiç, megjithatë, as në të kaluarën nuk ka miratuar masat e BE-së kundër Putinit. Megjithatë ky vend po bën negociata anëtarësimi me BE që prej tetë vjetësh dhe ka mbyllur disa kapituj;
Çuditërisht nuk pati shumë bujë për këtë në mbledhjen e Këshillit apo në samitin paraprirës të liderëve të BE-së dhe homologëve të tyre të Ballkanit Perëndimor. Vuçiçi mori ndihmë nga dikush që në përgjithësi nuk do të pritej të ishte aleat për këtë gjë: nga Kryeministri i Republikës tonë!
⁃ Perdja e tymit<
Së pari, në një lëvizje që spostonte vëmendjen, Vuçiç u propozoi kryeministrave të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut që të bojkotojnë samitin e ardhshëm, pasi kishte pak mundësi që këto të fundit të merrnin një datë për fillimin e negociatave me BE. Shkak për këtë dihet se në dy vitet e fundit është një veto bullgare pa lidhje për të cilën është folur e shkruar shumë.
Se si një bojkot i tillë do të ishte i dobishëm për të gjetur një zgjidhje për problemin, mbetet një mister. Dhe pse pikërisht Serbia duhet t’u propozojë fqinjëve të saj një të tillë mënyrë veprimi mbetet e pakuptueshme.
Megjithatë kryeministri Rama nxitoi të njoftojë se do të ishte dakord me bojkotin. Një gjest i tillë i paprecedentë u bë tema e ditës në mediat kryesore e vazhdoi të bënte jehonë edhe pasi bojkoti u ndërpre një ditë më pas. Së bashku me veton bullgare, “bojkoti” theksoi “dramën e negociatave” ne Bruksel duke mos lënë hapësirë për të diskutuar çështjen urgjente të një kolone të pestë në mesin të europianëve.
⁃ Apologjeti
Edi Rama në fjalimin e tij në samitin e Ballkanit Perëndimor dhe në vijim me deklaratën e tij në konferencën për shtyp me Vuçiçin, justifikoi haptazi qëndrimin serb ndaj Rusisë; duke shtrembëruar ose ekzagjeruar faktet historike dhe ekonomike. Rama shkoi më tej duke kritikuar Bashkimin Europian e Perëndimin për presionin e tij ndaj Serbisë për këtë çështje.
Një qëndrim i tillë është një risi e papritur dhe shqetësuese në Shqipërinë post-komuniste, ku qeveritë e klasa politike, të mbështetur nga opinioni publik, janë rreshtuar gjithmonë me BE-në dhe me Perëndimin në çështjet e sigurisë.
Mungesa domethënëse
Po kaq e paprecedentë sa apologjia për Vuçiçin ishte edhe qasja e tij ndaj Kosovës. Me të drejtë Rama kritikoi Brukselin për vonesë në liberalizimin e vizave për kosovarët (kuptohet pa përmendur se orteku i emigrimit të paligjshëm nga Shqipëria duke filluar nga v.2014 është një shkak kryesor). Shumëkush do të donte që këtë deklaratë Kryeministri shqiptar të enjten t’a bënte në konferencë shtypi përkrah Presidentes së Kosovës. Por nuk mund t’i kesh të tëra në jetë.
Risia shqetësuese është se Rama as në samit e as në konferencë shtypi nuk apeloi për njohjen diplomatike të Kosovës: as njohjen nga Serbia që mbetet strumbullari i problemit e as nga pesë shtete anëtare të BE. Në të shkuarën, një apel i tillë në samite si ky, ka qenë pasazh fiks i fjalimit të ofiqarit të Tiranës; qoftë ky president, kryeministër apo ministër i jashtëm. Befas po rezulton se nuk është më kështu.
Njohja diplomatike e Kosovës nga Beogradi ka qenë një kërkesë konstante e Perëndimit. Ndërsa Washingtoni e ka shprehur publikisht, qartë e përsëritur edhe Europa fatmirësisht po ecën në këtë udhë. Mjafton të kujtojmë deklaratat e kancelarit gjerman para pak javësh në Prishtinë e Beograd. Pikërisht në këtë moment të artë Edi Rama e çon dëm platformën e samitit duke heshtur për njohjen e Kosovës. Pikërisht, ai Edi Rama, i cili në nëntor 2014 në Beograd, bënte lajm duke i kërkuar Vuçiçit njohjen e Kosovës (e kam thënë atëhere dhe përsëritur së fundmi se diplomacia e karshillëkut dhe e megafonit është kundraproduktive. Të tilla ishin edhe ekzagjerimet verbale të ditëve të fundit kundrejt Bullgarisë. Edhe pse në thelb me vend ato në Europë u perceptuan përgjithësisht si kllouneske).
Problemet që rrjedhin nga mosnjohja e Kosovës prej Beogradit kanë sjellë pasoja penguese në Procesin e Berlinit dhe në realizimin e produktit të tij Tregut të Përbashkët Rajonal. Vuçiç e Rama e “zgjidhën” problemin duke përjashtuar Kosovën tok me dy shtete të tjera nga nisma e tyre në Novi Sad (Minishengeni, Ballkan Hapu).
Kjo nismë që konsiderohet si një “konkurrencë e pashëndetshme për integrimin në BE” nga zyrtarët e Komisionit Evropian ka marrë së fundmi mbështetjen retorike të ministrit të Jashtëm rus Sergei Lavrov.
Si Rama ashtu edhe Vuçiç kanë konsoliduar pushtetin e tyre personal gjatë dekadës së fundit duke çmontuar kontrollet e ballancat kushtetuese, duke heshtur median dhe duke politizuar burokracinë shtetërore. Skandalet e korrupsionit të lartë dhe të përzierjes me mafian kanë qenë të shumta.
Por zhvillim gjeopolitik i fundit shtron, të paktën për Shqipërinë, një shqetësim shtesë që duhet trajtuar. Opozita politike në Tiranë, tashmë e ringjallur, e ka denoncuar që herët afrimin e dyshimtë me Beogradin pasi e shikoi se po bëhej në kurriz të Kosovës. Tashmë do të ketë më shumë motive për të kundërshtuar me fjalë e me vepra.
Genc Pollo
Ish-ministër dhe deputet
24 qershor 2022